Nga
Pandeli KOÇI
Shkrimtar
Tema të
reja me një tingëllimë të re

Autori i këtij romani prej vitesh
lëvron me sukses edhe në letërsinë për fëmijë, por sidomos në këto vitet e
fundit krijimtaria e tij ka qenë e vrullshme dhe cilësore. Në këto vite,
krijimtarinë e Gjestilës e dallon jo vetëm larmishmëria në lëvrimin e zhanreve,
por edhe trajtimi i temave të reja me një formë të re artistike.
Poezia, fabula dhe tregimi i tij për fëmijë përcjellin tema
të reja me një tingëllimë të mjaft të pëlqyer për lexuesit e vegjël.
Libri i tetëmbëdhjetë i autorit,
romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është një prurje cilësore në letërsinë
për fëmijë në këto vite, një roman që trajton në një mënyrë të veçantë temën e
lirisë në regjimin diktatorial.
Ngjarjet që zhvillohen në një fshat,
të cilit natyra i ka falë një bukuri të rrallë, përcillen para lexuesve të vegjël
me mjaft sens krijues, veçori autoriale dhe të papritura.

Duke kërkuar ditë pas dite të gjejnë
të fshehtat e Kështjellës së Zezë (një kullë e braktisur në anë të fshatit),
ata hyjnë në një rrjedhë ngjarjesh që pasojnë njëra-tjerën me plot befasi e kureshtje.
Mari, që del më në dukje mes fëmijëve, një djalë i zgjuar, i guximshëm dhe i
dashur, bashkë me Ridin, Gencin, Albin dhe Algin arrijnë të zbulojnë të
fshehtat e Kështjellës së Zezë dhe të fshehta të tjera.
Por e fshehta e fundit që zbulon në faqet e fundit të
romanit, e drithëron Marin aq sa ai kalon në një gjendje të rëndë shpirtërore.
Përcjellja e kësaj gjendje është bërë me mjaft mjeshtri nga Gjestila, përmes
një gjetje të re, bisedës me vetveten, që e dyzon personazhin kryesor, duke na e
paraqitur si Mari1 dhe Mari2.

Romani “E fshehta e Kështjellës së
Zezë” vjen pas romanit “Aventurat në pyllin me pisha”, edhe ky një roman mjaft
interesant që trajton, si edhe Kështjella e Zezë, temën e lirisë. Këta dy
romane kanë arritur që me gjuhën dhe mjetet shprehëse të moshës fëminore, të
trajtojnë një temë mjaft të vështirë dhe disi të rrallë në letërsinë tonë për
fëmijë.