Poezi


Poezi
Autor: Fatmir Gjestila
Redaktor: Musa Vyshka
Botues: Globus R
ISBN: 99927-44-51-0

“Mos ma vrisni dashurinë” është një vëllim poetik ku spikat lirika. Petraq Risto e shoqëron botimin e këtij vëllimi me fjalët: “Motivet e vëllimit poetik “Mos ma vrisni dashurinë” kanë një frymëmarrje të gjerë, ndjeshmëri të lartë, janë lirika që burojnë nga një realitet gri shqiptar. Ato rrezatojnë mirësi, dëshira të zjarrta, mençuri popullore dhe të joshin me thjeshtësëinë e tyre.”
Në lidhje me këtë vëllim shkrimtari dhe poeti Musa Vyshka shkruan: “Në kohën tonë të prapë njerëzit që merren me poezi duken në përgjithësi të vonuar, jashtë mode dhe që, pa kuptuar gjithë dredhitë dhe dinakërinë e këtij shekulli, mbeten idealistët e fundit të tij. Në një kohë të tillë poezia si një nga dëshmitë më të bukura, më të ndritura të qenies sonë mbijeton, zhvillohet, vazhdon rrugën e saj mbi shpatullat e poetëve të paepur, në aspiratat e tyre për ditë më të bukura. Në mbrojtje të kësaj poezie janë ngritur me dhjetëra poetë me grada e tituj, me çmime e përmendore dhe letrarë të moshave të ndryshme. Fatmiri është një nga këto luftëtarë që tregon se nuk është thjesht një mësues, por një poet me një detyrë të madhe fisnike. Si një sizmograf i kujdesshëm dhe i palodhur, ai regjistron jo vetëm dridhjet dhe shqetësimet e një zemre të dashuruar, por dridhjet e shqetësimet e një njeriu të mirë, të urtë e të dashur, që qesh e qan gjithmonë me fisnikëri. Fatmir Gjestila qysh me librin e tij të parë tregon se e meriton të zërë një vend në armatën e poetëve, të këtyre njerëzve të çuditshëm të këtij shekulli, që dëshmojnë me vargjet e tyre se gjersa të rrojë njeriu do të rrojë dhe arti poetik si një dëshmi e gjallë e shpirtit të tij.”



“PËRTEJ ËNDRRËS”

Poezi
Autor: Fatmir Gjestila
Redaktor: Behar Gjoka
Kopertina: Elsi Kongo
Botues: West Print
ISBN: 978-99956-37-39-2

Tematika e këtij vëllimi poetik është e larmishme, por, “Përtej ëndrrës” dallohet dhe është vlerësuar për lirikat, peizazhet poetike të skalitura përmes një vargu të thjeshtë dhe elegant, për vargjet plot mendim e ndjenjë, të rregullta dhe të lira.
Poeti Basir Bushkashi nënvizon: “Vëllimi poetik “Përtej ëndrrës” ka margaritarë të vërtetë poetikë. Ndër to poezitë për natyrën janë perla të vërteta, të mrekullueshme.”
Poeti, shkrimtari dhe publicisti Pandeli Koçi, kur flet për “Përtej ëndrrës” nënvizon se: “...lirizmi që e përshkon është si nj nimfë poetike dhe karakteristikë për të është edhe trishtimi që nuk i kalon kufijtë për në pesimizëm, por është një trishtim i bukur, jetësor, që buron nga drama e madhe që po kalon kombi ynë, vetë shoqëria jonë, vetë autori që përjeton si individ.”
Vetë forma e organizimit të vëllimit ka diçka poetike. Vëllimi poetik “Përtej ëndrrës” ndahet në katër cikle: Shpirti në pasqyrë, Zërat e baladës, Pikon lot’ i syrit tim, Pagane. Çdonjëri prej cikleve nis me disa vargje që përgatitin lexuesin për tematikën e ciklit. 

No comments:

Post a Comment