LAÇI, BRUÇI DHE URAKA…
Variacione mbi një këngë
S’më ka ndodhur vetëm mua, por,
besoj, edhe shumë të tjerëve, njerëzve të dashur e të qeshur të vendlindjes
sime. Në udhë e në shteg, në takime e ndodhi të rastit, mes miqve e të
panjohurve, sa herë më kanë kërkuar t’ju them se nga kam ardhur, kam thënë me
buzë në gaz: “Jam nga Laç – Bruçi”. Të shumtë kanë qenë ata që, pasi kanë buzëqeshur për një hop, kanë thënë:
seç na janë
bashku-e…
Nërsa unë kam shtuar:
një
hidrocentral të vogël
kanë nis me
ndërtu-e.
Kam plotësuar kësisoj, gati duke
e kënduar, strofën e parë të asaj kënge që dikur bëri jehonë përmes zërit të
bilbilit të këngës matjane, Feride Kurti. Në këto raste, çuditërisht, edhe pse
i ngujuar në harkun kohor të atyre pak sekondave, gjatë të cilave vetëm mendja
njerëzore risjell në kujtesë përjetime të atyre ditëve përtej shumë viteve të
shkuara, shpesh jam gjendur, si në ëndërr, udhës për në Mat dhe kam ndaluar i përmallur
në Qafë të Ulzës, nga ku kam hedhur vështrimin e mjegulluar përtej hapësirë së
kaltër të liqenit, atje ku shtrihen Laçi, Bruçi dhe Uraka.


Gjithëherë, në ato përjetime ditësh të shkuara, kam dashur të rrëmbej një barkë të harruar diku në anë e të çaj pak nga pak, përmes liqenit, duke u përkundur në valëzime të qeta, ashtu siç thotë edhe kënga e dikurshme e liqenit të Ulzës:
Përkundu, përkundu,
Ti moj
barka ime,
Përmidis
liqenit
M’ ço n’
shtëpinë time...

Kupa e blertë e majit
Sot, pasi lë pas Tiranën e
zhurmshme dhe në Milot hyjë në Udhën e Kombit, në anë të Rrëshenit kthehem në djathtë
dhe marr drejt vendlindjes, për atje ku dielli ka nisur të pijë me afsh kupën e
blertë të majit. Vrapoj e vrapoj përmes kodrinave të Prosekut e Perlatit të
Mirditës dhe, çuditërisht, si në një ëndërr fëminore, përsëri dëshiroj të jem në
Ulëz, ta rrëmbej atë barkën e harruar mënjanë e të arrijë në vendlindje në pak
minuta, gjithnjë duke shijuar bukuritë e rralla përreth hapësirës së kaltëreme,
se vendlindja ime pret ende t’i vijnë miq përmes liqenit, mbase e dehur prej këngës
së dikurshme të tij.

Gjithnjë e më shumë afrohen
kodrinat e buta të fshatit Laç, ndërsa në të djathtë zënë e përshfaqen
sheshtinat e Urakës, lugina e butë e
Tharbnit dhe caqet e epërme të Liqenit të Ulzës.
Tutje, përtej kodrinave, zënë e
duken maja e Shën Kollit, kepi i Flakoit, pylli i Majedhës, gryka e sertë e Urakës
mbi të cilën epohet kepi i Gërshotit, përtej të cilit valëzon kurrizi i blertë
i kashnjetit të Prellit. Bruçi ende nuk duket dhe për dikë që vjen për herë të
parë këtyre viseve, ai as që mendohet të jetë. Vetëm kur del befas në Kodër të
Këllajçit, atje ku vështrimi të epohet e të duket se rrëzohesh e bie bashkë me
të në fshatin mes dy ujrave, që nanuritet mes gjelbërimit nga gurgullima e
Shutrresë, thua: “Sa bukur!”


Shpellat në anë të Grykës së
Valit spikatin edhe për paraqitjen e tyre. Shpella e Këputës është mjaft tërheqëse,
me një hapësirë të madhe në gjerësi e gjatësi, me hepe e shqeka, me stalakmite
e stalaktite me forma mjaft interesante.
Shumë rrugë të çojnë atje...
Teksa e shikon Bruçin nga lartësitë
e Qytezës së Skënderbeut vëren se shumë rrugë të çojnë atje, por asnjëra prej
tyre nuk është rrugë. E pra, Bruçi ka ç’të tregojë, di si të presë e të përcjellë,
sepse të gjithë miqtë që i vijnë përmes udhëve të përbaltura, përsëri largohen
me dëshirën për t’u kthyer tek ai.
Mes lumit të Urakës dhe Gurrës së
Shutrresë që bashkohen në Përzej dhe prej këtej derdhen në liqenin e Ulzës, Bruçi
duket si një pëllëmbë e shtrirë për miqtë e tij të hershëm, të vonë, të tashëm
e të ardhshëm.
Fusha e Nërdysë, për të cilën thuhet
(mbi bazën e gjetjeve arkeologjike sipërfaqësore) se ruan nën vete rrënojat e
një qendre të lashtë banimi, njihet dhe si vendi ku janë organizuar shumë
kuvende, ndër të cilët më i përmenduri është ai korrikut të vitit 1943.


Që nga sot Burreli duhet të nis të bëjë shumë për Bruçin, përveç të tjerash edhe për të mbetur në kujtesën e historisë për ndihmën që dha në formësimin e një qyteti që do të jetë i rrallë për nga bukuritë natyrore dhe vlerat turistike. Dhe s’ka pse ta ketë zili ngaqë ai, dhe pse i bukur buzë Matit e me vështrimin nga Deja, e vështron Bruçin nga larg, të kredhur në ujrat e Shutrresë dhe Urakës ndërsa udhët drejt e përreth tij afrohen e afrohen çdo ditë. Sadoqë, gjer më sot, në këto 25 vite në liri, disa pusht-tetarë të vegjël në shpirt e në mendje i kanë shaluar Laçin, Bruçin dhe Urakën pa mundur të ndërtojnë as edhe një metër udhë, është llogjika e gjërave, rrjedha e pandalshme e prirjeve njerëzore, natyrore e mbinatyrore që do të shpie drejt formësimit dhe prekjes së ëndrrës.


Qyteza e Skënderbeut. Pra edhe të
parët kanë për t’ju bekuar, më pas edhe pasardhësit, ata, qytetarët e ardhshëm
të Qyteza e Skënderbeut.
Unë e di, nëse ju e bëni këtë,
pas bekimit të Shutrresë, do të ringrini edhe atë, hidrocentralin e vogël, të
cilit Shutrreja dikur i fali ujë që t’ju shohë sytë më mirë bijëve të saj, ndërsa
tani mbase e kërkon ta ketë relike e të dëgjojë bashkë me ne këngën që dikur ia
ngritëm me aq dashuri:
Gurgullon si lum prej mali
Gurra e Shutrresë,
Tash ajo ne do t’na fali
Dritën e haresë.

Gurgullon si lum prej mali...
Fakti që Shutrreja na kërkon të dëgjojmë
këngën që i kënduam dikur, nuk e rrok dëgjesën
tonë vetëm me nota nostalgjie, por edhe me nota dhimbjeje. Çfarë nuk sajuan për
të e çfarë nuk provoi Shutrreja në dhejtra e dhjetra vite. U përpoqën t’i vinin
litarët në grykë e ta tërhiqnin drejt Mirditës, i hapën gjithandej në anë
kanale pas kanalesh e nisën ta thajnë pak nga pak, e betonuan dhe e detyruan të
merrte udhët nëpër tubo metalikë e ajo prapë se prapë qëndroi.


Qëndroi Shutrreja, qëndroi e ligjëroi
ndër vite me gurgullima lotësh edhe për bijën e saj, troftën pikalore, atë, më
të mirën e gjithë Shqipërisë. Dikur, kur ishim fëmijë e shikonim kur lahej në
rrjedhën e kristaltë të ujit, teksa qëllonte të hidhej mes stërkalave të
bardha, ndërsa tani rallë e për mall e shikojmë. Çfarë nuk përdorën për ta lënë
Shutrrenë pa bijën e saj, troftën pikalore: këputën telat e energjisë elekrike
e i shtien në ujë, hodhën mbi shpinë gjeneratorë të fuqishëm, hodhën në
pellgjet e qeta dinamit e klor, por nuk mundën e nuk mundën t’ia vrasin
Shutrresë dashurinë për jetën.


Në mbrojtje të Shutrresë, në luftën
e saj për jetën, nuk mungojnë njerëzit punëtorë, pasionantë e me plot dashuri e
përkujdesje për gjithçka të mirë e të bukur që natyra dhe zoti u ka falë njerëzve
të këtyre viseve.
Sapo makina ndalon në qendër të
Bruçit, pas jo më shumë se rreth një orë e gjysmë udhëtim nga Tirana, bën mirë
që të mos kërkosh, të paktën tani për tani, ndonjë të “madh”: kryeplak, kryetar
komune, drejtues të çfarëdolloji e puthadorë të tyre, sepse ka gjasa që ata të
të shohin vëngër, me një lloj fodullëku primitiv, mbase duke kujtuar se mund
t’u nëpërkëmbesh në thurjen e rrjetës së merimangës që e kanë nisur ngeshëm në
këto ditë fushate zgjedhore. Tashmë ata i kanë përcaktuar copat që do të ndajnë,
para dhe pas zgjedhjeve, kësisoj tremben se mos u trazon rrjetën e merimangës të
thurur prej premtimeve nga më të çuditshmet, por që nuk kanë të bëjnë as me
rrugët, as me Shutrrenë dhe as me njerëzit. Ndaj ulu e pi një kafe me ata që
duke menduar e punuar për të ardhmen, kanë nisur të japin ndihmesën e tyre edhe
për shërimin e plagëve të Shutrresë.



Me Fatjonin nxitojmë përmbi Grykën e Shutrresë dhe shpejt arrijmë në Zall-Laç, nën shtëpitë e Këputajve, buzë Shutrresë, atje ku zënë fill pronat e Kujtim Këputës. Në anë të shelgjishteve, në një sheshtinë të butë janë basenet e rritjes së troftës. Takojmë Gazmirin, i cili, që në fillim të bisedës rreth mënyrës së rritjes së troftës “dorëzohet” duke thënë buzagaz: “Më mirë po thërras babanë... ti po më bën ca pyetje të vështira.”
Ndërkohë që Kujtimi vjen drejt
nesh, kemi kaluar nëpër të gjithë hapësirën ku janë ngritur të katër vaskat. Më
pas, Kujtimi na flet gjatë për ndërtimitn e baseneve dhe mënyrën e rritjes së
troftës për tregtim. Uji merret përmes disa tubove betoni vetëm disa metra
larg, në një pellg të gurrës së Shutrresë, fshehur nga shelgjishtet dhe lajthitë.
Më pas gjithçka është ndërtuar në një mënyrë mjaft korrekte ku nuk mungojnë
aksesorët që rregullojnë dhe ruajnë sasinë e ujit, mënyrën e shpërndarjes së
tij nëpë vaska, gjer në administrimin e ujit që del nga vaskat duke ia kthyer
Shutrresë, ose duke e lëshuar në kanalet vaditëse të lagjes.
Uji merret përmes disa
tubove betoni vetëm disa metra larg, në një pellg të gurrës së Shutrresë,
fshehur nga shelgjishtet dhe lajthitë. Më pas gjithçka është ndërtuar në një
mënyrë mjaft korrekte ku nuk mungojnë aksesorët që rregullojnë dhe ruajnë
sasinë e ujit, mënyrën e shpërndarjes së tij nëpë vaska, gjer në administrimin
e ujit që del nga vaskat duke ia kthyer Shutrresë, ose duke e lëshuar në
kanalet vaditëse të lagjes.
Kujtimi këmbëngul për një kafe,
siç thuhet këtyre anëve kur të hapin bujarisht dyert e shtëpisë, por e lëmë të takohemi një herë tjetër dhe kësisoj
kthehemi bashkë me Fatjonin në Bruç.
Në fushën e Nërdysë më presin
Halili dhe Albani. Së bashku ngjitemi përmes lagjes së epërme të
Nezirimerrjave, dalim mbi shtëpitë e tyre dhe marrim teposhtën e biem në
Valanecë, në anë të saj, atje ku shtrihen edhe pronat e Haxhi Nezirit me djem.


Hasan Neziri me djemtë e tij, falë
punës së palodhur dhe shpirtit krijues e sipërmarrës, qenë të parët që ngritën
basenet e rritjes së troftës e të krapit. Tre vëllezërit, Nazmiu, Fiqiriu dhe
Berti, dhe pse secili në shtëpinë e tij, veprimtaritë ekonomike i kanë të ndërlidhura
dhe bashkërenduara.

Para se të nisemi për në Tiranë,
Albani i kërkon Bertit të shkojmë te basenet e tij në Valanecë. Përshëndetemi
me Rufatin, punëtorin që kujdeset për troftat dhe lëmë pas basenet. Kur arrijmë
te basenet, mënjanohem e hedh vështrimin lart, në anën e djathtë të Grykës së
Urakës, ndërsa Albani nis e i tregon Bertit diçka.

Disa kilometra më lart, në Ftre,
atje ku lumi i Urakës ridel nga shkëmbinjtë, do të bëhet një pritë. Më pas, përmes
tubove të gjerë, prurjet e Urakës do të çajnë tej e tej Kepin e Gërshotit, do të
dalin buzë shkëmbit të Palamanajve dhe atje do të lëshohen tubot e përmes tyre
do të vërshojnë prurjet e lumit të Urakës, ndërkohë që në anë të baseneve të
Albanit do të jenë vendosur agregatet e HC të Bruçit. Pas disa vitesh, kur
tribuna e këtij hidrocentrali do të vihet në punë, mbase nuk do të dëgjohet kënga
“Laçi, Bruçi dhe Uraka”, por sigurisht një këngë tjetër do të këndohet. Më e
re, më e bukur!