2/25/2014

Nga
Pandeli KOÇI
Shkrimtar
                                     Tema të reja me një tingëllimë të re

 
Shoqata Mbarëkombëtare e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj sjell në vëmendje të lexuesit, të krijuesve për fëmijë dhe të kritikës letrare romanin “E fshehta e Kështjellës së Zezë.”
Autori i këtij romani prej vitesh lëvron me sukses edhe në letërsinë për fëmijë, por sidomos në këto vitet e fundit krijimtaria e tij ka qenë e vrullshme dhe cilësore. Në këto vite, krijimtarinë e Gjestilës e dallon jo vetëm larmishmëria në lëvrimin e zhanreve, por edhe trajtimi i temave të reja me një formë të re artistike.
Poezia, fabula dhe tregimi i tij për fëmijë përcjellin tema të reja me një tingëllimë të mjaft të pëlqyer për lexuesit e vegjël.
Libri i tetëmbëdhjetë i autorit, romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është një prurje cilësore në letërsinë për fëmijë në këto vite, një roman që trajton në një mënyrë të veçantë temën e lirisë në regjimin diktatorial.
Ngjarjet që zhvillohen në një fshat, të cilit natyra i ka falë një bukuri të rrallë, përcillen para lexuesve të vegjël me mjaft sens krijues, veçori autoriale dhe të papritura.
Në qendër të romanit janë pesë fëmijë dhe një njeri i panjohur për fëmijët, të cilët në hapësirën kohore prej disa muajsh bëhen personazhe mjaft të këndshëm e të dashur për lexuesit e vegjël.
Duke kërkuar ditë pas dite të gjejnë të fshehtat e Kështjellës së Zezë (një kullë e braktisur në anë të fshatit), ata hyjnë në një rrjedhë ngjarjesh që pasojnë njëra-tjerën me plot befasi e kureshtje. Mari, që del më në dukje mes fëmijëve, një djalë i zgjuar, i guximshëm dhe i dashur, bashkë me Ridin, Gencin, Albin dhe Algin arrijnë të zbulojnë të fshehtat e Kështjellës së Zezë dhe të fshehta të tjera.
Por e fshehta e fundit që zbulon në faqet e fundit të romanit, e drithëron Marin aq sa ai kalon në një gjendje të rëndë shpirtërore. Përcjellja e kësaj gjendje është bërë me mjaft mjeshtri nga Gjestila, përmes një gjetje të re, bisedës me vetveten, që e dyzon personazhin kryesor, duke na e paraqitur si Mari1 dhe Mari2.
Një tjetër gjetje e re është përmbyllja e romanit përmes leximit të ditarit të njeriut misterioz. Leximi i ditarit sqaron mjaft ndodhi duke rimarrë kështu pothuajse të gjithë ngjarjen nga fillimi. Mjaft pikëpyetje në mendjen e lexuesve nisin e marrin përgigje të këndshme duke bërë që të rikthehesh në jo pak raste në ngjarjet e kaluara.
Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” vjen pas romanit “Aventurat në pyllin me pisha”, edhe ky një roman mjaft interesant që trajton, si edhe Kështjella e Zezë, temën e lirisë. Këta dy romane kanë arritur që me gjuhën dhe mjetet shprehëse të moshës fëminore, të trajtojnë një temë mjaft të vështirë dhe disi të rrallë në letërsinë tonë për fëmijë.