HIJA
– E theu qafën, më në fund,– foli Bora duke gulçuar. – Torollaku! Po me mua, ç’pati?
“Dikush e ka inatosur”.
Borës iu bë se iu përgjigj dikush. Vështroi përreth dhe u ul edhe njëherë shesh mbi gur që të merrte veten. Ende dridhej dhe gjithçka që kishte parë e dëgjuar po i dukej e çuditshme.
– Ç’pati ai torollak? E pabesueshme! Pse m’u vërsul mua ashtu? Çfarë i bëra?
“Asgjë nuk bëre, po gjithë inatin që kishte ndaj burrit me armë ta nxori ty”.
Kush po i përgjigjej? Nga po i vinte ai zë? S’po i bëhej të ulej e të merrte rrugën për në Dejanë. U soll përreth e tromaksur, gjersa e ndali vështrimin në majat e ca shkëmbinjve që ngriheshin pranë njëra–tjetrës mbi Udhën e Arinjve.
– Ariu mori sipër, mbi udhë, drejt pishnajës… Po unë…
“Ai mund të kthehet përsëri”,– iu bë se i tha dikush.
– Po sikur ta kaloj natën mes atyre shkëmbinjve?
“ Atje nuk mund të ngjitet ai deng leshi… Atje shko!”
E dëgjoi përsëri atë zë, atë zë që s’po e kuptonte se nga vinte. E dëgjoi dhe iu bind atij zëri.
U lëvar shpejt e shpejt e zbriti nga shkëmbi. Si një lepur i trembur, pak e kërrusur përpara, u hodh gur më gur e doli mbi rrugë. Me të arritur te shkëmbinjtë, iu kacavar njërit prej tyre dhe doli në majë.
– Këtu do ta kaloj natën,– tha duke vështruar përreth.– Pastaj, me të aguar do të dal në udhë dhe... Oh, po ai zjarr!?
“Pa prit pak! Këmborë! I dëgjon?”
Po e pyeste ai zë që s’po e kuptonte ende se nga vinte, po ajo iu përgjigj menjëherë:
– Janë këmborët e bagëtive në...
“Po, po, duhet të jenë stanet e fshatarëve te Livadhet e Bardha”.
– Po ti, nga e di?
“Si nuk e ditkam? Unë jam me ty!”
– Me mua?
Bora vështroi përreth. Edhe pse s’pa askënd pyeti:
– Si t’ia bëj? Të kaloj natën këtu apo të shkoj te stanet?
“Më mirë te stanet”,– iu përgjigj përsëri zëri i çuditshëm.
– Po, po, më mirë atje,– tha Bora dhe zuri të ulej nga maja e shkëmbit. – Po të dëgjoj ty... Nuk e ke keq.
Me të zbritur, nxitoi përpara, por, dhjetë metra larg shkëmbit, u kthye e vështroi krenajën e tij. Iu bë se atje, në trajtën e një hijeje, qëndronte pezull një krijesë e çuditshme që po i fliste. Ajo, Hija, si një shkulm mjegulle, herë zgjatej e zmadhohej, e herë kthehej në anë e zvogëlohej, gjithnjë duke u epuar pezull mbi krenajën e gurit. Kur qëndroi një hop pa lëvizur, Bora pyeti:
– Po ti, s’do të vish?
“Ec, ti, ec,– iu përgjigj atë çast Hija, që u hollua e u hollua sa mezi po e shihte.– Ja, po vij dhe unë… po ti mos e kthe kokën pas. Asnjëherë!”
Picërroi sytë, që ta dallonte edhe më qartë Hijen, po nuk foli. U kthye e zuri të ndërrojë çapet ngadalë, po diku shkeli mbi ca karthje. Ata kërcitën me zhurmë dhe një zog u tremb. Atë çast u kthye e kërkoi me sy Hijen. Qëndroi për një hop e përkulur, me hapin e shtrirë përpara dhe veshët pipëz, gjersa përreth s’pipëtiu më asgjë, pastaj ra në udhë dhe nisi të ecte me hapa të shpejtë e të lehtë.
Hëna, sapo feksi mbi Majën e Bardhë, lau me një ngjyrë argjendi syprinën e lisnajës, hyri me frymën e saj të mjegullt në hapësirat mes degëve dhe sajoi poshtë tyre lloj–lloj hijesh memece e të ftohta, të frikshme e të çuditshme. Ecte dhe ndalej herë pas here rrëzë ndonjë kaçubeje e pas ndonjë guri. Kësisoj përgjonte dhe ndiente zemrën që i hidhej në kraharor si një zog i trembur në kafaz. Veshët i oshëtinin dhe sytë i mjegulloheshin shpesh e më shpesh. Sa herë kthehej e vështronte pas, trembej edhe më shumë dhe ia kriste vrapit kuturu. Në ato shenja kohe i bëhej se edhe cungjet e ndiqnin, e ndiqnin dhe e mbërthenin për këmbe me ca degëza të errëta në formë gishtërinjsh.
Po i merrej fryma dhe zemra mend po i dilte nga kraharori.
“Kaq frikacake je?”
U kthye nga i erdhi zëri dhe pa hijen që vraponte përkrah saj.
“S’duhet të shikosh pas, të thashë!– i foli nëpër dhëmbë kërcënueshëm ajo.– S’duhet as të vraposh kaq shumë...”
– As unë s’dua, por...
“I dëgjon tingujt e këmborëve? Ec drejt tyre, por mos vrapo!”
E la Udhën e Arinjve dhe nxitoi nëpër një rrugë të gurtë. Në krye të një sheshtine qëndroi. Teksa mbushej me frymë iu bë se dëgjoi një zhurmë: zhap–zhup, zhap–zhup... Me veshët pipëz u rrotullua ngadalë duke vështruar përreth. Qetësi. Mendoi se i kishin bërë veshët, ndaj u qetësua disi dhe hodhi vështrimin poshtë, në anë të sheshtinës.
– Ç’janë ato gurë të bardhë? Ë?
“S’janë gurë... janë dele!”
Bora vuri buzën në gaz. Hija hidhej e i dilte herë në të majtë e herë në të djathtë.
– Barinjtë duhet ta njohin xhaxhi Dardanin,– tha pastaj.
“Ç’pret? Bëju zë!”
U bë gati të thërriste, po kë?
– Unë nuk ia di emrin asnjërit prej tyre...
“’O bariii!’ Ja, kështu thirr!”
Hija u kthye në një shtjellë të errët dhe, pak nga pak, u zgjat lart e nisi të tretej. Bora thirri me sa kishte në kokë, por, me ta dëgjuar, u lëshua përmes lirishtës një qen i madh, duke lehur me një zë që dukej se dilte nga ndonjë shpellë. Pas i ranë edhe dy të tjerë, ndërsa në derën e stanit doli një burrë që zuri të vërshëllente duke i ndërsyer edhe më keq qentë. Bora u kthye dhe ia mbathi përmes pyllit, duke kërkuar me sy ndonjë lis të lartë. E gjeti një degë të lëshuar majëposhtë dhe shpejt u mbërthye pas saj. Pak nga pak u kacavar në lis dhe zuri vend në një degë. Por nuk qe e thënë t’u fshihej qenve. Duke lehur si të ndërkryer, ata ia behën nën lis, kurse bariu ende vërshëllente dhe e ndizte edhe më shumë inatin e tyre. Bora bëri të thërriste, po goja i qe tharë, ndaj s’mundi të nxirrte as edhe një tingull.
Befas, njëri prej qenve, një bardhosh katana, iu kthye me hakërrimë dy të tjerëve, gati për t’iu hedhur në grykë. Ata pushuan së lehuri dhe qeni bardhosh u kthye në anë e nisi të lehte edhe me më tërbim, duke iu kanosur diçkaje që Bora ende nuk po e dallonte. Lehjet e serta të qenit bardhosh e shqetësuan bariun, ndaj ai filloi ta ndillte me zë e me vërshëllima. Edhe Bora po habitej me sjelljen e qenit. U kthye nga stanet dhe thirri:
– O bariiii! O bariiii!
– Eeej! Cili je ti, more?
Thirrja e bariut u pasua nga një hungërimë e fortë dhe, të dy qentë, siç duket të trembur nga ajo hungërimë, ia mbathën drejt stanit, duke lënë shokun e tyre vetëm.
Bora dëgjoi një zhaurimë nëpër shkurrishte dhe pa se si u lëshua me turr nën hijen e lisit një ari i madh. Më pas, një krismë e fortë arme shoi lehjen e sertë të qenit bardhosh dhe hungërimën e ariut, por vetëm për një hop; pastaj përleshja mes qenit dhe ariut u ndez edhe më shumë. Bariu qëlloi përsëri dhe, fill pas krismës, Bora ndjeu fërshëllimat e saçmeve të çiftes që i kaluan mbi kokë. U lëkund mbi degën e lisit dhe, teksa u mundua të ndërronte vend, u lëvar vetëm një pash larg ariut dhe qenit që po përlesheshin. Duart e lëshuan dhe ra përdhe, po sakaq u ngrit dhe vrapoi e tmerruar nga sytë këmbët. Vetëm pasi e lanë fuqitë, u ndal e kërkoi të gjente edhe njëherë rrugën për në Dejanë.
fragment nga
“Zemërimi i ariut”, roman, 172 fq.
Redaktor: Astrit Bishqemi
Korrektura: Hysni Ndreu
Kopertina dhe ilustrimet: Maringlen Gjestila
Botime "EMATHIA"
Redaktor: Astrit Bishqemi
Korrektura: Hysni Ndreu
Kopertina dhe ilustrimet: Maringlen Gjestila
Botime "EMATHIA"