Prof. as. Dr. Astrit Bishqemi
Një temë interesante e trajtuar me njohje të thellë të lëndës, me mjeshtëri e talent
- Shënime për romanin “Zemërimi i ariut” të Fatmir Gjestilës -
E themi qysh në fillim që romani me titullin intrigues “Zemërimi i ariut” është një vepër e suksesshme; një arritje për autorin e saj dhe, në plan më të gjerë, në letërsinë tonë të sotme për fëmijë.
Fabula e saj është e thjeshtë: Njerës të panjerëzishëm, i kanë rrëmbyer dy voglushët e saj një arushe. E zemëruar nga kjo grabitje, egërsira mban peng një njeri të rastit, vajzën Bora, të cilën e ka zënë nata duke udhëtuar për në fshat te xhaxhai i saj. Libri trajton përpjekjet për ta shpëtuar nga kjo robëri.
Një pjesë të
suksesit ky roman e ka të siguruar qysh në fillim, me temën që merr të trajtojë.
Dihet që bota shtazore dhe ajo bimore (ndryshe: fauna e flora) paraqesin për
moshat e reja sfera tërë kërshëri e interesim. Nevoja e komunikimit të njeriut
me natyrën edhe sot vjen duke u shtuar dita-ditës. Fëmijët duan ta shikojnë me
sytë e tyre një kafshë, ta prekin, ta përkëdhelin, ta ledhatojnë e ta bëjnë
“shok” një qëngj, por edhe një mackë, një bub, një dele, një kaproll, një qen,
një ari. Pra, bota e kafshëve është një “lëndë e pasur” mjaft cilësore, e dorës
së parë për shkrimtarët e letërsisë për fëmijë. Dhe autori Gjestila e njeh këtë
veçori të psikologjisë fëminore dhe e shfrytëzon duke i vënë kafshët dhe egërsirat
e pyllit në dy raporte: si kafshë me kafshë (ariun me ariun, ariun me ujqërit,
me riqebullin, me qenin), po edhe kafshë - njeri (arushën dhe arushin e saj me
fëmijën Bora).
Shkrimtar e
quaj veten edhe unë, madje shkrimtar për fëmijë e të rinj. Mund ta kisha
trajtuar këtë temë me fabulën e këtij romani, megjithatë jam i sigurtë që nuk
do ta kisha arritur nivelin e Fatmit Gjestilës. Përse? Për faktin e thjeshtë
sepse nuk e zotëroj siç duhet “lëndën e parë” të këtij krijimi artistik. Ndaj
shkrimtari lipset ta ngjyejë penën e tij në mjedise që i njeh mirë, që i zotëron
me kompetencë. Një shembull i mirë për ta ilustruar këtë tezë është romani që
shqyrtojmë. Pra, vepra “Zemërimi i ariut” është e pasur me informacion nga jeta
e shtazëve dhe e shpendëve të pyllit, informacion që jepet dora-dorës në mënyrë
të pakuptuar e të këndshme artistike.
Lexuesi njihet
me shumë kafshë e shpezë të pyllit: ariun, ujkun, riqebullin, drerin, lepurin;
thëllëzën, grifshën etj. Për ndonjërën prej tyre ka edhe ndonjë pasazh poetik.
Ja:
"Një rreze ra mbi grifshën dhe, atë çast, një
lulnajë xixëllimash shndriti pendët e saj, që nisën të vetëtinin me grimca flakërimash.
Borës po i dukej se zogu, nga çasti në çast, do të merrte flakë". (f. 35)
Madje, vajza
nuk mendon vetëm për shpëtimin e vet, por edhe të arushëve të grabitur.
Çlirohet nga prangosja, por nuk ia mbath vrapit. Nuk largohet pa shpëtuar edhe
dy arushët e robëruar. Pra, kemi një heroinë nga e cila mund të mësojmë shumë
si lexues.
Autori
realizon disa ide në këtë vepër.
Së pari, nga
sa thamë, kultivon dashurinë ndaj natyrës sonë të bukur në përgjithësi, ndaj
relievit dinamik, ndaj florës e faunës së saj.
Por Gjestila,
pa e përmendur fare, realizon edhe ide të tjera në romanin e tij. Për shembëll,
ai zgjon asociacione të reja kur na rrëfen për arushën. Megjithëse ajo ka zënë
rob një fëmijë (Borën) dhe e bën atë të përjetojë gjithë ato peripeci të
mundimshme. Por këtë e bën për të gjetur e shpëtuar të voglin e saj. Kjo
dashuri sikur ia zbeh egërsinë egërsirës dhe patjetër që lexuesi fëmijë e
adoleshent do ta respektojë e do ta dashurojë në njëfarë mënyre atë, do ta
bëjë, siç thuhet, “shok të imagjinuar” arushën e romanit. Ja pra, në mënyrë të
tërthortë autori i ngre himn dashurisë prindërore nënë-fëmijë. Dhe kur në botën
shtazore kjo dashuri na qenkërka kaq e madhe (arusha vetmohohet, përleshet për
jetë a vdekje me egërsira të tjera për të mbrojtur pjellën e saj), atëherë na
lind vetiu pyetja: ç’mund të themi për atë ndjenjë në botën e arsyeshme njerëzore?
Autori ka përvojë
në shkrimtari. Ka shkruar për të rritur e për fëmijë. Për këta lexuesit e
fundit nuk është krijimi i parë në prozën e gjatë. Mjafton të ndërmendim dy
romanet e tjera të tij: “Aventura në pyllin me pisha” dhe “E fshehta e kështjellës
së zezë”. Dhe kjo përvojë i shërben atij për ta mbajtur në tension lexuesin
rreth ngjarjes, për ta ndjekur hap pas hapi, faqe pas faqeje fatin e vajzës së
zënë peng nga arusha.
Në roman del mirë ndihma që i
japin vajzës të afërmit, bashkëfshatarët e tyre, si dhe punonjësit e Policisë në
rast nevoje e rreziku (Sokol Blaza e Dren Balca i bashkohen grupit kërkimor për
mbesën e Dardanit). Veç meritë e autorit është jo vetëm shpërfaqja e këtij
solidariteti të njerëzve tanë për shpëtimin e Borës. Heroinën e romanit autori
na e jep vajzë aktive. Kemi madje edhe një ide tjetër që buron nga kjo figurë. Ja,
Bora ka çaste dobësie: edhe frikësohet nga nata që e zë të vetme në pyll, edhe
loton, e kap vaji për një çast nga gjendja ku ka rënë, madje, siç shprehet
autori, ajo edhe “laget përfund”, kur përballet me egërsirën (gjë që është e
natyrshme për një fëmijë), por ajo është trime, e zgjuar dhe e guximshme. I
kupton mirë veprimet e kafshës, qëllimet e egërsirës, dhe nuk e pret shpëtimin
vetëm nga të tjerët. Në radhë të parë lufton vetë për të shpëtuar nga egërsira
apo edhe nga keqbërësit, gjuetarët e paligjshëm të arinjve… E pra: trim nuk është
vetëm ai që nuk ka frikë, por ai që ngrihet mbi të, ai apo ajo që e mposht frikën.
Mjeshtërinë e
autorit kemi mundësi ta vemë re në përshkrimet e mjediseve ku e vendos
aksionin. Po ka edhe anë të tjera. Ja,
portretin fizik të heroinës së tij, Borës, ai nuk e bën vetë, por na e jep në
një mënyrë më interesante, indirekt, duke ia lënë penelat shoferit të
autobusit:
"Shoferi e mati me sy për një hop, pastaj buzëqeshi.
Para tij ishte një vajzë rreth të njëmbëdhjetave, e veshur me një kostum sportiv
të lehtë e me ngjyrë të kaltër dhe me një palë atlete. Flokët kuqalashë e të
shndritshëm, të rrumbulluara me kujdes, vetëm sa i ciknin mbi supe, ndërsa përpara,
të ndara përmes, ato i binin gjer mbi vetulla. Sytë e saj gështenjë e disi të përndezur,
zhbirues e plot gjallëri, e shikonin shoferin me çiltërsi. Atë çast, buzëqeshja
e saj kishte sajuar poshtë mollëzave të faqeve, pakëz të kërcyera e pakëz të përskuqura,
dy quka të hijshme. Diku e kishte parë atë vajzë…" (f. 9)
Një tjetër
gjetje është edhe ai me dialogun. Ky roman, siç kuptohet më së shumti ka një
fabul ku vajza Bora endet nëpër pyll bashkë me arushën. Në këto kushte mungon
dialogu, i cili është një komponent i rëndësishëm në letërsinë për fëmijë. Por
autori ia del
mbanë duke përdorur madje dy forma të tilla: dialogun Bora-vetvetja, zëri i
brendshëm, hija [Unë, si redaktor i librit, i pata sugjeruar autorit që këto
pasazhe edhe mund t’i dallonte grafikisht duke përdorur shkrimin kursiv].
Gjithashtu shkrimtari, duke ndenjur gjithmonë në zhanrin realist, e vë heroinën
e tij t’i bëjë arushës vërejtje të shumta me zë (ndonëse nuk merr përgjigje nga
egërsira). Madje këto batuta janë edhe me humor, që e zbusin ca atmosferën e rëndë
që zotëron. P. sh:
- Ç’ke që më vështron ashtu, ë? Apo s’ma ke atë kokë… Sa një top basketbolli! E po… Me kë
flas edhe unë! Ti s’mbushke fare! (f. 64)
Për ta zhdërvjelltësuar
rrëfimin e tij, herë pas here autori e thyen monotoninë duke futur copëza
retrospektive që vajza ndërmend. Këto pasazhe të jetës së lumtur të dikurshme,
me kontrastin e tyre, na e theksojnë edhe më tepër disnivelin, humnerën e
fatkeqësisë ku ka rënë vajza robinë e arushës. Veç këto copëza janë jo dosido,
por të studiuara, detaje që do të na duhen më vonë për ta bërë sa më interesant subjektin. Një
studiues i dramës thotë se në skenë duhet të ekzpozohen objekte të qëmtuara me
kujdes. Nëse varim p.sh. në mur një armë, ajo duhet patjetër të kërcasë në
aktin e fundit. Edhe Gjestila, në një nga këto copëzat retrospektive që përmendëm,
na jep psh. sesi Bora Rrugën e Ariut e
ka përshkuar dikur me makinën e të atit, për të mësuar timonin. Kjo “armë” -
fakti që vajza mund ta ngasë makinën- do të “kërcasë” në fund të romanit, në
befasinë e tij.
Kaluam kësisoj
edhe në një anë tjetër të artit për fëmijë, te befasia artistike. E theksojmë kjo
është një kërkesë kryesore e mjeshtërisë së shkrimtarit për moshat e reja. Dhe Gjestila
e përdor me shumë sukses. Ja, si mbaron kreu i parafundit në f. 163:
"…makina zhurmonte lehtë rreth njëzet hapa
mbi rrugën automobilistike. Tani në makinë ishin vetëm arushët e lidhur me zixhirë
në kafaz dhe gjahtarët ende nuk kishin dalë jashtë. Ç’të bënte?"
Se ç’bëri
vajza e kuptojnë në kreun pasues, 36 faqe më tej. Aty përshkruhet ndjekja e bllokimi
që i bën policia kësaj makine nën shënjestrën e armëve. Dhe kur ne presim të
arrestohet shoferi keqbërës, nga makina del …
Bora. Me zgjuarsinë e guximin e saj, ajo (që di ta ngasë makinën- detaj që
autori na e ka bërën të njohur qysh më parë) na e paska shfrytëzuar rastin duke
vënë veten në rrezik, ka kërcyer me shkathtësi në sediljen e shoferit, na e paskësh
rrëmbyer makinën vetëm e vetëm për të shpëtuar dy arushët…
E mbyllim këtë
vështrim duke shënuar se autori ka gjuhë të rrjedhshme, madje përdor edhe fjalë
të reja ose pak të njohura. Ja, ne i njohim fjalët tërma e tërmale, por jo
fjalët përmale, përmalen që përdor
Gjestila; këto nuk do ta gjeni as në fjalorin e gjuhës shqipe të 1954-s e as në
atë të Akademisë të 1980-s. Atje do të gjeni vërtet emrin jerm, por jo ndajfoljen jermthi
(brofi jermthi, f. 42). Mos u
mundoni më kot të gjeni në ato fjalorë edhe ndajfoljen tjetër kapatruc (Bora ishte mbledhur kapatruc, f. 153), foljen çaraveshem (Ishte e kotë të
çaraveshej më tej me kundërshtarin, f. 77) etj. etj.
A nuk flasin
gjithë sa thamë për një talent të fuqishëm të letrave për fëmijë e të rinj?