VEÇORI RRËFIMORE NË PROZËN E SHKURTËR
TË AGIM GJAKOVËS
Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi”,
13 prill 2019.
Biblioteka Kombëtare, “Pjetër Bogdani”, Prishtinë.
Në tërësinë e krijimtarisë së shumanshme të Agim Gjakovës, proza, veç të tjerash, spikat edhe për larminë tematike, trajtesën origjinale, mjeshtrinë e rrëfimit, përshkrimin funksional e të përgjithshëm, portretizimin e personazheve dhe ecurinë e zhvillimit të fabulës.
Pjesë e rëndësishme e prozës së Gjakovës është tregimi.
Veçmas dy vëllimet me tregime “Nën hijen e pavdekësisë” dhe “Shtëpia në udhëkryq”, në tërësinë e tyre përshfaqin veçori të rrëfimit, thurjes së fabulës dhe mënyrës së zhvillimit të saj, përshkrimit në funksion të gdhendjes së personazheve, dialogut si udhë e skalitjes së dyanshme të personazhit: fizik dhe psikologjik, të përshkrimit të mjediseve dhe të gjendjeve.
Në udhën e rrëfimit, në thuajse gjithë tregimet e vëllimeve të përmendura, rekton fjala e thjeshtë, e organizuar dhe e thurur mirëfilli e me mjeshtri në fjali, paragraf e tekst, në të cilën spikat edhe amza e epërme e mënçurisë dhe filozofisë popullore.
Karakteristikë e këtij rrëfimi është natyra e ecurisë së tij, që ka të bëjë jo vetëm me përshkrimet e mjediseve në të cilin marrin frymë tregimet, përmes qenive të gjalla e njerëzore në veçanti, por edhe me frymën artistike të sendeve. Në ndonjë tregim (Arka te “Arka e gjyshit”, Sofra te “Sofra e heshtur”, Gryka te “Gryka e Kaçnikut”, Flamuri te “Nën hijen e pavdeksisë”) sendet, për nga zënia e hapësirës në trajtesë, por edhe për rolin e tyre në thurjen e fabulës, sillen në rrëfim gati-gati në rolin e personazheve. Kësisoj ato shërbejnë artistikisht jo vetëm si element të thurjes dhe zhvillimit të fabulës, por edhe si kërshëri e motivim për lexim, çka rrit ndjenjën e të lexuarit dhe të gjallimit të mendimit te lexuesit.
Pyetjet në brendësi të rrëfimit, si kundërshti apo pohime argumentuese, ruajnë ritmin e leximit dhe përvijojnë portretizimin e gjithanshëm të personazheve, herë në harmoni e herë në kundërshti me botkuptimin e tyre. Rrëfimi që, i gjallëruar nga ritmi i dialogut të matur dhe ecuria e zhdërvjelltë e fabulës, tërheq vëmendjen e lexuesit e, për më tepër kërshërinë e kthen në hapësirë të të menduarit, e bën lexuesin jo vetëm të jetë i motivuar, por edhe të ndjej veten pjesë të tryezës krijuese të autorit. Në mjaft tregime të Gjakovës përjetimi i tillë shumëplanësh, nxitja e të menduarit dhe e pjesëmarrjes artistike, estetike e psikologjike, për lexuesin janë emocionalisht të ndjeshme e të prekshme.
Raporti fjalë ndërhyrëse e autorit me rrëfimin e kursyer e të zhdërvjelltë, si masë mjaft e gjetur dhe letraritet i spikatur, mundësojnë jo vetëm leximin e gjendjes emocionale të personazheve, por edhe kënaqësinë e përjetimit të këtyre gjendjeve, aq sa, si lexues zë e përfytyron mjedise, situata, porterete fizike shpirtërore personazhesh, madje edhe kur ata zënë një vend episodik në rrëfim.
Ky fakt të jep të drejtë të pohosh për më tej se aftësia përshkrimore e autorit në vëllimet e përmenduara shpalohet dukshëm. Dhe gjithë përpjekja përshkruese ngërthen jo vetëm përshkrimin e mjediseve, por dhe të situatave ku shfaqet ndërveprimi dhe vetë personazhet e tregimeve.
Përveç forcës përshkruese, në formimin e karaktereve lot rol të dukshëm dialogu. Krahas përshkrimit, dialogu, përveçse përvijon dallueshmërinë mes personazheve, pak nga pak i skicon ata si parqitje fizike dhe si qeni sociale, morale e psikologjike. Në këtë proces, përshkrimi dhe dialogu ndikojnë dhe plotësojnë njëri-tjetrin. Kësisoj të duket se autori rri vërtet mënjanë dhe here-herë e në të rrallë hyn në brendësi të dialogut, për t’i dhënë dorën e fundme, vizatimit të herë pas hershme të gjendjes emocionale të personazheve. (Dashi i Salës, Nën hijen e pavdekësisë, Nusja etj.)
Në heshtjen e zakonshme të pas leximit, në atë heshtje që përftohet këndshëm pasi del nga rreshtat e rrëfimit dhe ndikimi i autoritetit letrar të personazheve, zë e ndërton natyrshëm emocionalisht përfytyrime të mjegulluara, të cilat, pak nga pak kthjellohen falë mjeteve letrare efikase individualizuese që, përgjithësisht, përshfaqen nëpër rreshtat e dialogjeve.
Këto mjete, për nga masa e përdorimit, por më së shumti për nga intensiteti letrar i shpalimit të tyre, herë-herë të krijojnë idenë e pranimit të mosqenies së autorit nëpër rreshtat e rrëfimit, përkundrejt gjithë së vërtetës letrare të krijuar nga vetë autori si dialog i zhdërvjelltë, rrëfyes, polemizues, krijues personazhesh, përshfaqje të vërtetash, idesh e mesazhesh. Atje ku autori, me fjalë e fjali të kërkuara, të gjetura e të shprehura me mjaft kursim letrar, përball e paralelizon dukuri natyrore e gjendje shpirtërore të personazheve, dialogu rrjedh edhe së brendshmi.
Ngjyrat e humorit, herë të lehta e herë më të gjalla, takohen e përcillen me maturi thuajse në gjithë tregimet e vëllimeve, por, te “Shtëpia në udhëkryq”, nga një tregim në tjetrin, këto ngjyra humori kthehen në trajta të qarta të notave vibruese të ironisë, sarkazmës dhe groteskut (Ëndrrashpërndarësi, Biseduesi me qentë, Hajgare në tempullin e mediave, Koha për gjumë, Kodra etj)
Ndiesia e qartë e humorit, veçmas ironisë e sarkazmës provohet jo vetëm gjatë gjithë rrëfimit dhe në situata përshkruese, por edhe në dialog, gjatë pyetje-përgjigjeve dhe përdorimit të një leksiku të kërkuar me kujdes.
Leksiku, dukshëm i kërkuar dhe i venduar qëllimisht në situate të ndryshme dialogjesh, i marrë në jo pak raste edhe nga ligjërimi krahinor, përvijon edhe stilin e të shkruarit dhe të modelimit të personazheve si ndryeshueshmëri karakteresh.
Edhe më shumë shenja letrare nga se u munduam të përcjellim nga pasleximi i dy vëllimeve me tregime “Shtëpia në udhëkryq” dhe “Nën hijen e pavdekësisë”, tregojnë se Agim Gjakova, edhe në prozën e shkurtër, vërtet ka krijuar hapësirën e tij letrare në prozën shqipe, duke vazhduar të mbetet një zë i spikatur dhe origjinal i saj.