10/13/2013




E fshehta e Kështjellës së Zezë
“Një nga ato romane që të mbajnë të mbërthyer gjatë leximit.”

Luan Sinamati
shkrimtar
Që në faqet e para, kupton se duke u shtrirë në brendësi të romanit “E fshehta e Kështjellës së Zesë” të Gjestilës do të gjesh aventurën. Duhet thënë se është një aventurë e karakterit shqiptar, e një epoke të dhimbshme, një kohe të vështirë si për të rriturit dhe për fëmijët. Edhe pse një roman tipik për fëmijë, aty hyjnë me forcën e karaktereve edhe personazhe të rritur të cilët mbajnë mbi supe një realitet të dhimbshëm por që përcillet te fëmijët dhe bota e tyre me delikatesën e dashurisë së prindit e pa u prishur ëndrrat e tyre foshnjore.

Romani për fëmijë, nga vetë natyra është i vështirë për tu realizuar. Por kjo me sa duket nuk është e thënë të jetë ashtu për të gjithë autorët që shkruajnë për fëmijë. Këtë e ka provuar Gjestila me rrjedhshmërinë me të cilën ndërton botën fëminore tek KËSHTJELLA E ZEZË.
Fakt është se, për të qenë tërheqës dhe i lexuar nga fëmijët duhet të futesh në botën e tyre me mjete të cilat të rriturit i disponojnë por që jo të gjithë dinë t’i përdorin. Në ëndrrat, dëshirat, tekat, dështimet apo simpatitë e një moshe e cila po prek për herë të parë shumicën e gjërave nga të cilat rrethohet, në një vepër letrare duhet të dish se si të arrish që me mjete si fjala e shkruar t’i bësh lexuesit e vogjël ta ndjejnë apo ëndërrojnë atë përceptim ditor që sapo kanë kaluar. Kështu që, pasojë e një të shkruari mirë janë edhe reagimet e moshës së lexuesit të vogël, impulset e tyre apo qëndrimet e drejtpërdrejta, të sinqerta, komike apo edhe frikëse sa edhe të guximshme, kurioze, të befta, apo aventurore.
Siç e thamë edhe në fillim, aventura është rruga nga ku autori gjen terren për të shprehur idetë e tij. Per të treguar dhimbjen apo varfërinë e kohës, ai e ka të lehtë të mbështetet në realitetin e saj. Një top lecke për të luajtur, një personazh plake, e leckosur, e rrjedhur dhe e braktisur, një burrë i paemër, i paformëzuar me qëllim, por edhe mjaft i dashur. Një fshat banorët e të cilit në pamundësi për të jetuar jetën e fshatit ashtui siç edhe Natyra Nënë ka paracaktuar e të cilët ëndërrojnë për ta braktisur në rastin më të parë duke shkuar drejt qytetit dhe, nga ana tjetër e gjithë natyra e bukur e terrenit shqiptar që vështron njellmët njerëzit fatkeqë në mesin e të cileve ka me tepri vagabondë të veshur me pushtet e që u nxijnë jetën prindërve dhe fëmijëve bashkë.
    
Gjestila, duke qëndruar besnik natyrës së personazheve fëmijë i kalon këto anë të errëta të realitetit komunist ashtu siç edhe bota fëmijërore i shikon pa i ndarë se çfarë sistemi politik është. Në një lojë me top futet edhe e çmendura, në një gjueti peshku merr pjesë edhe njeriu i mistershëm i quajtur përbindësh, në një udhëtim rruge fshati dikush rrihet barbarisht duke i kërkuar ditarin e shënimeve, e më tej dikush hesht, mbyll sytë apo porosit më të vegjlit që të mos shkojnë në akësh vend apo të mos flasin për ix person me të tjerët. Dhe siç duhet të ndodhë normalisht, ndodh e kundërta e asaj çfarë porositet duke i bërë kështu personazhet fëmijë aktiv, kuriozë dhe ndjekës të parandjenjës se në këtë mishmash trazirash sociale apo këndvështrimesh, marrin pjesë madje kontribuojnë për një botë më të mirë.

Romani fillon me dialogje dhe biseda të përditshme fëmijësh aq sa mendon se romani i Gjestiles me sa duket nuk do sjellë ndonjë gjë të re. Madje, në faqet e para, edhe pse të shkruara me një gjuhë të pasur, ende nuk arrin të formësosh mendim të qartë se ku synohet të arrihet. Kjo kapërcehet çuditërisht pa u kuptuar dhe nga një lexim pritës kupton se ke hyrë në një rrjedhë ngjarjesh të cilave nuk mund t’ua dish fundin, për më tepër nis e lexon me kënaqësi e kureshtje. Dhe, kur të duket se ke arritur shpejt në fund të romanit, edhe personazhi i vogël nuk është më i tillë pasi gjatë gjithë tregimit të autorit ka qenë subjekt dhe objekt i shtjellimit e kështu bashkë me rritjen e dramës janë rritur edhe personazhet që mbartin dramën.
Romani është parë e aresyeshme që të shkruhet në vetën e parë. Kuptohet, nuk ka një recetë se në ç’vetë duhet të shkruhet ai, por duke u treguar në vetën e tretë mendoj se, tek—tuk, do të ishte eleminuar njëfarë pranie subjektive në faqet e romanit. Gjatë leximit të romanit, ndjehet se i është lënë hapësirë imagjinatës së lexuesit, megjithatë, mbase ka patur mundësi të copëtohet e të fragmentohet ngjarja, që kjo hapësirë të ishte edhe më e gjerë.
Situatat lidhen shumë rrjedhshëm me dialogjet e përdorura dhe vetë dialogjet janë në funksion të rrjedhës së ngjarjes, por vlen të përmendet se ka ndonjë zgjatje në kapitujt me DITARIN.
Urimet më të mira edhe për dizajnin dhe cilësinë e pikturave që përcjellin kapitujt dhe kapakët e librit.
Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është tërheqës, një roman i mirëfilltë për fëmijë, një nga ato romane që të mbajnë të mbërthyer gjatë leximit. Me këtë libër autori ka pasuruar fondin e tij të botimeve, u ka dhënë lexuesve të vegjël një dritare më shumë për të parë dy botë, njëherësh u bashkohet denjësisht autorëve të tjerë shqiptarë me veçoritë dhe stilin e tij.
I urojmë Gjestilës botime të tjera të mëtejshme.


10/10/2013




E FSHEHTA

E KËSHTJELLËS SË ZEZË


Autor: Fatmir Gjestila
Redaktor: Viktor Canosinaj
Recensa: Behar Gjoka
Korrektura: Hysni Ndreu
Kopertina dhe ilustrimet: Gabriel Brook
Botimet: West Print
ISBN: 978-999563-790-3




Romani "E fshehta e Kështjellës së Zezë" është vlerësuar për fabulën e thjeshtë dhe mjaft tërheqëse, për zhvillimet me të papritura të këndshme, ritmin dhe intensitetin e veprimeve, dialogun e shpejtë dhe në funksion të shtjellës së ngjarjes.
Gjetja origjinale e rimarrjes së disa ngjarjeve të mbetura pezull përmes ditarit të njërit prej personazheve e bëjnë romanin edhe më interesant.
Ngjarjet trokasin përmes dialogut të katër personazheve, më pas zënë fill me hyrjen e tyre në Kështjellën e Zezë, atje ku thuhet se është një përbindësh i cili lëviz vetëm natën. Fëmijët largohen të tmerruar sapo ngjiten në katin e dytë të kështjellës. Pse?
Ngjarjet që pasojnë ndjekin njëra-tjetrën dhe zhvillohen herë në kështjellë e herë në lumin Urkë, gjersa fëmijët zbulojnë përfundimisht se cila është e fshehta e Kështjellës së Zezë.  


PËRUROHET NJË ROMAN I RI PËR FËMIJË…

(Fatmir Gjestila, “ E fshehta e Kështjellës së Zezë”)

         Nga: Prof. Murat Gecaj
          publicist e studiues


Nga e majta: Fatmiri e Murati (Tiranë, 9 tetor 2013)


1.
     Sa herë më vjen ftesë për të marrë pjesë në përurimin e një libri të ri, ndiej një kanaqësi të veçantë. Sigurisht, këtë ndjesi të bukur e kanë edhe kolegë të tjerë, shkrimtarë e publicistë, studiues e lexues të librave të shkrimtarëve dhe poetëve tanë. Kjo ndodhë jo vetëm se do të njihesh nga afër me krijimtarinë e një shkrimtari ose poeti, i çdo moshe qoftë ai, por edhe sepse do të ndodhesh i rrethuar nga sa e sa krijues, kolegë e miq të tu.  Kështu, këtë gjë e përjetova edhe  sot, në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytet.
     Pasi kisha marrë njoftim për një përurim të ri të shkrimtarit dhe poetit Fatmir Gjestila, nga kryetari i Shoqatës së Shkrimtaravë për Fëmijë e të Rinj, Pandeli Koçi (me emrin letrar Sazan Goliku), shkova aty bashkë me kolegun e mikun nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), Ibrahim Hajdarmataj. 
     Në  atë sallë, që pulsonte  fort nga prania e mjaft krijuesve, u takuam ngrohtësisht me shkrimtarin e njohur Bardhyl Xhama, por dhe me poeten e afirmuar të letërsisë  për fëmijë, Adelina Mamaqi, e cila ka vite që jeton në Itali. E, kësaj “liste”, mund t’i shtonim edhe sa e sa emra të tjerë të njohur, me botimet e tyre për fëmijë e të rritur.


Gjatë përurimit…

     Përurimin  e paralajmëruar e hapi P.Koçi, i cili shprehu kënaqësinë e tij, por dhe gjithë të pranishmëve, se aty do të flitej për romanin e ri, shkruar për të vegjëlit, por i vlefshëm dhe për të rriturit, nga Fatmir Gjestila, “E fshehta e Kështjellës së Zezë”.Sigurisht, nuk është vetëm titulli intrigues i këtij libri, që i tërheq lexuesit e vegjël, por tërë përmbajtja e tij. Po kështu, mjaft të bukura janë kopertina dhe ilustrimet, nga  Mariglen Gjestila.
        Libri është venë në qarkullim nga Shtëpia Botuese “West Print”, Tiranë.
       Për vlerat e këtij libri foli edhe redaktori, Viktor Canosinaj. Ndër të tjera, ai theksoi se aty zbulohen para fëmijëve, që nuk e kanë përjetuar atë periudhë,  “të fshehtat” e diktaturës së kaluar. Ishte koha, kur poetët e shkrimtarët dhe artistët dënoheshin për një varg, që nuk u pëlqentë pushtetarëve, për një këngë a një veshje etj. Duke e njohur mirë mjedisin dhe psikologjinë e fëmijëve të fshatit, autori i ka skalitur personazhet dhe i ka bërë të dashur për lexuesit e vegjël.  Në fund, folësi ngriti problemin ende të  pazgjidhur, që nuk po organizohen konkurse, gjë që do ta nxiste krijimtarinë letrare, si për të vegjëlit dhe të rriturit. Mendime për krijimet e sotme letrare shfaqi edhe publicisti Bujar Ferhati.
      Pasi u recituan nga fëmijë të pranishëm, poezi të F.Gjestilës, për romanin e ri të tij foli studiuesi Behar Gjoka. Mbresat e një kolegu të autorit të këtij romani, me banim në Amerikë, i lexoi publicistja Oralda Lake. Emocionuese ishin edhe fjalët e shprehura, nga një ish-nxënës i Fatmirit, Albi.


Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria…

      Sipas traditës, në mbyllje të kësaj veprimtarie të bukur, autori Fatmir Gjestila “zbuloi” para të pranishmëve një suprizë të këndshme. Meqenëse aty ishte redaktorja e dikurshme e një reviste  për fëmijë, Adelina Mamaqi, ai hapi një zarf, brenda të cilës kishte letrën, që ajo i kishte dërguar në përgjigje të një poezie. Me dashamirësi, ajo e këshillonte autorin e ri që ta vazhdonte udhën e krijimtarisë. Dhe ja, tanimë, ai ka se për çfarë t’u flasë lexuesve të moshave të ndryshme.

2.
     Duke hapur faqe të ndryshme Interneti ose duke parë në skedarin e Bibliotekës Kombëtare, e ke fare të lehtë të njihesh me jetën dhe krijimtarinë e begatë letrare të Fatmir Gjestilës. Ai lindi në rrethin e Matit dhe mësimet fillestare i mori në fshatin Laç-Bruç. Më tej, mbaroi shkollën e mesme “Prenkë Jakova” dhe Instiututin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Duke shfaqur talentin e tij në krijimatrinë për fëmijë, drejtoi për disa vjet revistën e njohur, “Cicërimat”. Me emrin e tij janë publikuar shumë poezi, fabula, gazmore dhe publicistikë në shtypin e kohës. Gjithashtu, në ndihmë të krijuesve të ndryshëm, ka redaktuar disa libra, në poezi e prozë.


Kopertinat e romanit, me autor F.Gjestila

Por, tashmë, ky autor ka botuar edhe vetë disa libra, në gjini të larmishme. Ndër to, janë:“Mos ma vrisni dashurinë” (poezi), jetëshkrimet “Një jetë për flamur”“Ku del shqipja e flet me gurin”, kushtuar dëshmorit Shahin Toçi dhe “Mustafai, miku i të gjithëve”. Por janë të njohur edhe librat e tjerë të Fatmir Gjestilës, si ata për fëmijë:“Përroi i zanave”(legjenda), “E bukura e liqenit”(përralla),”Edhe të qeshim” ”Nuk të fal ujku”(fabula), “Nora dhe matematika” e “Përtej ëndrrës”(poezi) etj.
    …Pjesëmarrësit në përurimin e librit, që përmendëm në hyrje të këtij shkrimi informues, por dhe kolegë e miq, lexues të shumtë, të vegjël e të rritur, e dinë se autori Fatmir Gjestila do të shkruajë e botojë përsëri e përsëri. Prandaj i urojnë atij nga zemra: shëndet të mirë, krijimtari të begatë dhe gëzime e lumturi familjare!

Tiranë, 9 tetor 2013