E fshehta e
Kështjellës së Zezë
“Një nga ato romane që të mbajnë të mbërthyer gjatë leximit.”
Luan Sinamati shkrimtar |
Që në faqet e para,
kupton se duke u shtrirë në brendësi të romanit “E fshehta e Kështjellës së
Zesë” të Gjestilës do të gjesh aventurën. Duhet thënë se është një aventurë e
karakterit shqiptar, e një epoke të dhimbshme, një kohe të vështirë si për të
rriturit dhe për fëmijët. Edhe pse një roman tipik për fëmijë, aty hyjnë me
forcën e karaktereve edhe personazhe të rritur të cilët mbajnë mbi supe një
realitet të dhimbshëm por që përcillet te fëmijët dhe bota e tyre me
delikatesën e dashurisë së prindit e pa u prishur ëndrrat e tyre foshnjore.
Romani për fëmijë, nga vetë natyra është i vështirë për tu realizuar.
Por kjo me sa duket nuk është e thënë të jetë ashtu për të gjithë autorët që
shkruajnë për fëmijë. Këtë e ka provuar Gjestila me rrjedhshmërinë me të cilën
ndërton botën fëminore tek KËSHTJELLA E ZEZË.
Fakt është se, për të qenë tërheqës dhe i lexuar nga fëmijët duhet të
futesh në botën e tyre me mjete të cilat të rriturit i disponojnë por që jo të
gjithë dinë t’i përdorin. Në ëndrrat, dëshirat, tekat, dështimet apo simpatitë
e një moshe e cila po prek për herë të parë shumicën e gjërave nga të cilat
rrethohet, në një vepër letrare duhet të dish se si të arrish që me mjete si
fjala e shkruar t’i bësh lexuesit e vogjël ta
ndjejnë apo ëndërrojnë atë përceptim ditor që sapo kanë kaluar. Kështu që, pasojë e një të shkruari mirë janë edhe reagimet e moshës së
lexuesit të vogël, impulset e tyre apo qëndrimet e drejtpërdrejta, të sinqerta,
komike apo edhe frikëse sa edhe të guximshme, kurioze, të befta, apo
aventurore.
Siç e thamë edhe në
fillim, aventura është rruga nga ku autori gjen terren për të shprehur idetë e
tij. Per të treguar dhimbjen apo varfërinë e kohës, ai e ka të lehtë të
mbështetet në realitetin e saj. Një top lecke për të luajtur, një personazh
plake, e leckosur, e rrjedhur dhe e braktisur, një burrë i paemër, i
paformëzuar me qëllim, por edhe mjaft i dashur. Një fshat banorët e të cilit në
pamundësi për të jetuar jetën e fshatit ashtui siç edhe Natyra Nënë ka
paracaktuar e të cilët ëndërrojnë për ta braktisur në rastin më të parë duke
shkuar drejt qytetit dhe, nga ana tjetër e gjithë natyra e bukur e terrenit shqiptar
që vështron njellmët njerëzit fatkeqë në mesin e të cileve ka me tepri
vagabondë të veshur me pushtet e që u nxijnë jetën prindërve dhe fëmijëve
bashkë.
Gjestila, duke qëndruar besnik natyrës së personazheve fëmijë i kalon
këto anë të errëta të realitetit komunist ashtu siç edhe bota fëmijërore i
shikon pa i ndarë se çfarë sistemi politik është. Në një lojë me top futet edhe
e çmendura, në një gjueti peshku merr pjesë edhe njeriu i mistershëm i quajtur
përbindësh, në një udhëtim rruge fshati dikush rrihet barbarisht duke i kërkuar
ditarin e shënimeve, e më tej dikush hesht, mbyll sytë apo porosit më të
vegjlit që të mos shkojnë në akësh vend apo të mos flasin për ix person me të tjerët. Dhe siç duhet të
ndodhë normalisht, ndodh e kundërta e asaj çfarë porositet duke i bërë kështu
personazhet fëmijë aktiv, kuriozë dhe ndjekës të parandjenjës se në këtë
mishmash trazirash sociale apo këndvështrimesh, marrin pjesë madje kontribuojnë
për një botë më të mirë.
Romani fillon me
dialogje dhe biseda të përditshme fëmijësh aq sa mendon se romani i Gjestiles
me sa duket nuk do sjellë ndonjë gjë të re. Madje, në faqet e para, edhe pse të
shkruara me një gjuhë të pasur, ende nuk arrin të formësosh mendim të qartë se
ku synohet të arrihet. Kjo kapërcehet çuditërisht pa u kuptuar dhe nga një
lexim pritës kupton se ke hyrë në një rrjedhë ngjarjesh të cilave nuk mund t’ua
dish fundin, për më tepër nis e lexon me kënaqësi e kureshtje. Dhe, kur të
duket se ke arritur shpejt në fund të romanit, edhe personazhi i vogël nuk
është më i tillë pasi gjatë gjithë tregimit të autorit ka qenë subjekt dhe
objekt i shtjellimit e kështu bashkë me rritjen e dramës janë rritur edhe
personazhet që mbartin dramën.
Romani është parë e
aresyeshme që të shkruhet në vetën e parë. Kuptohet, nuk ka një recetë se në
ç’vetë duhet të shkruhet ai, por duke u treguar në vetën e tretë mendoj se,
tek—tuk, do të ishte eleminuar njëfarë pranie subjektive në faqet e romanit.
Gjatë leximit të romanit, ndjehet se i është lënë hapësirë imagjinatës së lexuesit,
megjithatë, mbase ka patur mundësi të copëtohet e të fragmentohet ngjarja, që
kjo hapësirë të ishte edhe më e gjerë.
Situatat lidhen shumë rrjedhshëm me dialogjet e përdorura dhe vetë
dialogjet janë në funksion të rrjedhës së ngjarjes, por vlen të përmendet se ka
ndonjë zgjatje në kapitujt me DITARIN.
Urimet më të mira
edhe për dizajnin dhe cilësinë e pikturave që përcjellin kapitujt dhe kapakët e
librit.
Romani “E fshehta e
Kështjellës së Zezë” është tërheqës, një roman i mirëfilltë për fëmijë, një nga
ato romane që të mbajnë të mbërthyer gjatë leximit. Me këtë libër autori ka
pasuruar fondin e tij të botimeve, u ka dhënë lexuesve të vegjël një dritare më
shumë për të parë dy botë, njëherësh u bashkohet denjësisht autorëve të tjerë
shqiptarë me veçoritë dhe stilin e tij.
I urojmë Gjestilës
botime të tjera të mëtejshme.
Botim i kujt shtëpie botuese është dhe ku mund ta gjej në Tiranë se më duhet për vajzën
ReplyDelete