8/13/2015

Në Radio Tirana

Intervistë dhënë gazetares Klaudia Malaj

        Z.Fatmir, ju falenderoj që jeni me ne në studio. Mirësevini!

       Faleminderit!

       Ju z.Fatmir keni shkruar monografi, fabula, tregime, poezi, romane, gjëegjëza, pra një biblotekë të tërë. Si ndjeheni para krijimtarisë tuaj, para gjithë këtyre librave në zhanre të ndryshme.


     Në të vërtetë janë disa libra, jo se nuk janë, por, më besoni, ata nuk i kam shikuar asnjëherë si numër, pra si sasi. Gjithnjë kam patur kërkesa ndaj librave të mi. Është një libër i ndërtuar mbi disa detaje legjendash të cilin e kam lënë disi mënjanë vetëm disa muaj pasi është botuar. Jo, nuk e kam hedhur, por thjesht e kam lënë mënjanë që, në momentin e përshtatshëm ta rimarr në dorë, ta vë mbi tavolinën e punës dhe kësisoj ta rishikoj. Është një libër që më dhimbset, mbase edhe ngaqë nuk është në nivelin e kërkuar. Në rastin e një libri tjetër ndoshta edhe mund ta kisha harruar, por, duke qenë se trajton detaje legjendash të marra nga ku unë vij, ka të bëjë dhe me dashurinë për vendlindjen. Dua të them se nuk është gjithçka sasia e librave të botuar, por cilësia e tyre artistike. Megjithatë them se mund të kem arritur diçka në krijimtarinë time, sidomos me librat për fëmijë, ngaqë vë re se fëmijët i lexojnë ato gjer në fund dhe i paraqesin te njëri-tjetri. Gjithsesi ndjehem mirë jo vetëm me librat e botuar, por edhe me ata që janë në proces krijimi dhe botimi.

       Si i shihni ju shkrimet tuaja, tashmë të botuara, z.Gjestila?

      Në tërësinë e librave të mi për të rritur janë tre libra me monografi, dy libra me fabula dhe dy libra me poezi. Në monografitë dua të veçoj “Një jetë për flamur” dhe “Miku i të gjithëve” që jo vetëm janë pritur mjaft mirë nga lexuesi, por dhe bënë që personazhet realë, figura të njohura publike, tashmë Dëshmorë të Atdheut, të përshfaqen në tërë dimensionet e tyre njerëzore para lexuesve dhe institucioneve, të cilët, përballë fakteve të publikuara e drejtuan më shumë vëmendjen te këta figura të nderuara që tashmë i përkasin historisë, duke u dhënë atyre dhe të afërmëve vendin që u takon në shoqëri. Sa për poezinë... nuk rend
pas saj, nuk e kërkoj, thjesht e shkruaj kur e ndjej dhe mbase më pas i rikthehem për ta rimarrë si frymë e si formë. Miqtë  më thonë se poezia ime është e thjeshtë, e kapshme, e ndjerë, njerëzore dhe e sinqertë, shpreh diçka të prekshme, por, pak nga pak dua t’ju them se forca ime krijuese mbase shprehet më qartë në librat për fëmijë, gjersa ende, edhe pse kam shumëçka në mendje, nuk kam shkruar diçka tjetër për të rritur përveç fabulës, monografisë dhe poezisë.  Pozicionimi i gjertanishëm te letërsia për fëmijë mbase ka të bëjë edhe me faktin domethënës, atë të 29 viteve si mësues, gjithnjë pa u ndarë nga fëmijët, sidomos nga ata të moshës pesë gjer në dymbëdhjetë vjeç. Them se ky realitet është një mundësi me e madhe për mua, që të shkruaj për këtë moshë, me botën e së cilës jam, gati çdo ditë.

      Ç’marrëdhnie keni me fëmijët? Jeni marrë vërtet me atë moshë që kërkon formim të vazhdueshëm e të kujdesshëm, me atë moshë në të cilën merren mesazhet e para dhe edukata e sjelljes gjithsesi. Ju e kishit të vështirë të punonit me fëmijët? A i keni parë ata edhe si burim frymëzimi, për t’ju dedikuar libra me pas?



     Duke iu rikthyer krijimtarisë sime, gjejmë fakte se ajo nis që nga mosha fëminore dhe rinore me vjershat e para për nje lapidar, për një hero e më vonë me poezitë lirike me nuanca erotike. Asnjëherë nuk kam menduar se do vinte një ditë e të shkruaja për fëmijë. Jo vetëm kaq, por as që kam menduaar në atë kohë se do të kaloja gjithë jetën mes fëmijëve. Kësisoj, edhe kur kam nisur mësimet në shkollën e mesme artistike “Prekë Jakova” në Shkodër nuk kam menduar se do të jem mësues, ndërsa, kur kam kam nisur studimet e larta për mësuesi, sinqerisht ju them se shpesh kam bërë pyetjen: Unë do të bëhem mësues? Për më tepër për këtë moshë? Pse ta fsheh, nuk e kam dëshiruar. Por në jetë provon edhe ç’ka nuk ke dëshiruar dhe nuk arrin gjithçka që ke dëshiruar. Përkundrejt këtij përfundimi, në jetë mëson se jo gjithçka të pa kërkuar si dëshirë mund të mos e duash shumë. Kur i kam parë për herë të parë nxënësit e mi të vegjël, jam befasuar me ndjenjën time. Që në fillim kam qeshur me ta, kam luajtur me ta, kam ngarë me ta, kam konkuruar si fëmijë me ta dhe jam ndjerë mrekullisht mirë.
Që në javën e parë të punës sime si mësues kam ndjerë se do të jem gjithë jetën me fëmijët. Më kanë befasuar e më kanë bërë për vete me botën e e tyre të veçantë, me mënyrën se si flasin, si tregojnë të vërtetën dhe gënjeshtrën, si qeshin, si luajnë, si zihen e bisedojnë me njëri – tjetrin, me fjalë e me shenja. Është një botë e madhe, e brishtë dhe e sinqertë, plot buzëqeshje, por edhe me lot gazi e dhimbjeje. Fëmijët i kam ndjerë e vështruar si të paprekshëm nga e keqja dhe dhimbja, ndaj jam munduar, si mësues e si njeri, të sillem me ta me shumë përgjegjësi e përkujdesje. Gjatë gjithë viteve të mia si mësues, s’besoj të kem hyrë në klasë me vragat e mërzitjes a të shqetësimit në fytyrë duke u munduar që në këto rastë t’i kyç ata diku thellë në vetëdijën time e të merrem me ta larg nxënësve. Mund të kem hyrë në klasë i lodhur, i sëmurë, por kurrë me foton e paknaqësisë në sy. Fëmijët i kam parë gjithherë jo vetëm si objekt por më shumë si subjekt. Te ata kam arritur të marr gjithçka sa kam mundur për t’jua kthyer atyre në formën e poezive, tregimeve, fabulave... Në krijimtarinë time janë ca tema me nuanca didaktike, të trajtuara përmes vjershave të shkurtëra dhe gjëegjëzave, në formën e lojës. Janë marrë nga lojërat e tyre dhe medoj se janë rikthyer te ata në një formë tjetër, të cilën e kanë pranuar me mjaft interes e kënaqëi. Megjithatë dua të them se kam marrë shumë nga fëmijët dhe mendoj se nuk jua kam kthyer atyre ende gjithçka që kam marrë, në kuptimnin e borxhit ndaj tyre.

     Fakti që jeni mësues ju ka ndihmuar të jeni më pranë botës së fëmijëve, ndaj dhe dua t’ju pyes: a është vështirë për ju z. Fatmir të kuptoni botën e fëmijëve?

   Është e vështirë... Padyshim që është e vështirë. Në këndvështrimin tim është një univers i tërë e më vehte ndaj të cilit duhet treguar kujdes kur e ndjen dhe e përcepton dhe që kërkon mjaft aftësi e njohuri për ta ngërthyer e për ta kuptuar. Pra ka vështirësi në njohjen dhe kuptimin e botës fëminore, por gjithashtu ka dhe një mënyrë për ta njohur e për ta kuptuar këtë botë. Ajo që e largon vështirësinë është dashuria për atë çka do të bësh, kjo është një aksiomë, dihet... Kësisoj duhet ta duash botën e fëmijës që të mund të njohësh e ta kuptosh atë. Jo vetëm kaq, por duhet  të japësh sadopak ndihmë për ta ruajtur atë nga e keqja dhe dhimbja. Për një krijues të letërsisë për fëmijë, njohja e botës fëminore është e domosdoshme, Nëse do të njohësh mirë botën fëminore, sigurisht që, veç të tjerash, do të jesh më i besueshëm dhe më i suksesshëm në krijimtarinë për fëmijë. Fëmijët ta japin krijimin thuajse të gatshëm, thjesht duhet ta limosh, ta latosh, ta sjellësh në formën e duhur artistike.

    Ju shkruani vjersha, fabula, tregime, romane, pra kapni zhanre të ndryshme... Sa e vështirë është për ju z Gjestila të zgjidhi gjuhën me të cilën u drejtoheni fëmijëve?

     Në disa tregime, ato të parat, me të cilat nisa dhe krijimtarinë në prozë, por edhe në romanin e parë, “Aventurat në pyllin me pisha”, jam kujdesur të flas me një gjuhë të thjeshtë, gjithnjë duke patur në vëmendje moshën fëmonore. Nuk jam kujdesur vetëm për fjalën, por edhe për frazën, shprehjen dhe ndërtimin e fjalisë. Megjithatë, pak nga pak mësova se rritej numri i lexuesve të vegjël që kërkojnë fjalë e shprehje edhe më të zgjedhura. Duke qenë përballë një informacioni të dendur që vjen nga ekrani dhe librat, fëmijët i kanë rritur kërkesat ndaj librave. Të folurit e tyre është gjithnjë e më i zhdërvjelltë, fjalitë që ndërtojnë janë më të gjata, më të zgjedhura, me fjalë e shprehje të zgjedhura. Kësisoj, vit pas viti jam munduar të ndjek këtë zhvillim dhe të mundohem ta pasqyroj këtë në krijimtari, si në prozë ashtu edhe në poezi. Duke qenë vazhdimisht mes fëmijëve mundohem t’i ndjek ata në lojë, në biseda të lira me njëri-tjetrin, në diskutime, gjer dhe në zënkat e tyre për të qenë sa më i besueshëm në ndërtimin e dialogjeve, shprehjeve dhe fjalive sipas situatave.

    Donim të shkëpusnim një nga fabulat tuaja. Jo pa qëllim... Edhe ngaqë studentët janë në prag diplomimi dhe maturantët në përzgjedhjen e degës. Kjo fabul m’u duk mjaft aktuale. Është fabula “Diploma”

    Po, është një fabul që u prit mjaft mirë, gjithashtu qe një përgjigje ndaj një realiteti të krijur prej vitesh. Faleminderit që kërkoni ta lexoj unë.


DIPLOMA

Tri diploma, varg, kurorë
në edukim “Master Shkencor”
Para klasës bën mak-mak,
është patok e s’është rosak.
Kecit- qengj e gjarpërit-ngjalë,
i thotë sot ky mësues i rrallë.

Mjelmë qafëgjata – drejtoreshë,
Çirret, hidhet: - Ky do fshesë!

Përmbi gardh gjeli mbyll sytë,
nis një këngë e s’ka të dytë:
- Prit, moj, prit,
mos ia vërë fshesën,
sa të marrë edhe dëftesën.


    Është një fabul shumë e bukur, mjaft e fortë. Donim një koment rreth saj. Si kjo, edhe të tjera fabula janë krijime që nuk i lexojnë vetëm fëmijët, por edhe të rriturit. Kanë një mesazh shumë të qartë, prekin me fjalë të thjeshta dhe të vegjlit, edhe të rriturit.

   “Diploma” duket se u drejtohet vetëm të rriturve, në fakt u drejtohet edhe fëmijëve, sidomos atyre që kërkojnë notë të pamerituar, por edhe prindërve që kërkojnë për fëmijët e tyre notë a fletë nderi të pamerituar. Të kërkosh diçka të pamerituar në fushën e arsimit, në mjekësi a në drejtësi... jo vetëm në këto tri fusha por kudo në përgjithësi është tepër e dëmshme për shoqërinë. Fabula, me atë çka tregon duket si anekdotë... që të shprehemi më qartë... duket se nuk shpreh asgjë nga e vërteta, por në Shqipëri kanë ndodhur gjëra të tilla që të bëjnë për të qeshur hidhur. 

   Sa ju nxit realiteti dhe gjithçka që ju rrethon në realizimin  e fabulës

Sa më nxit reliteti... Shumë... Realiteti i sotëm dhe gjithçka tjetër që na rrethon. Impulset e para vijnë nga jeta e përditshme, nga prekja e ngjarjeve të saj, nga çka përcjellin mjetet e ndryshme të informimit, ato vizive dhe të shkruara... detaj atje merret... dhe shpejt kthehet në fabul, në pak minuta. Por vë re se jo çdo fabul që vjen kaq shpejt qëndron gjatë para lexuesit... mbase, ndonjëherë, kjo vjen edhe nga impulsiviteti me të cilin merret informacioni. Patjetër që, më vonë, këto fabula kanë nevojë për përmirësim. Ndonjë fabul më bën të ndjehem keq. Është ndër ato fabula që ka fshikulluar pa u menduar gjatë, është nxituar të dalë... E dua fabulën... Më ka tërhequr që në fëmijëri... Është një zhanër që përcjell mesazhe të qarta me humor e hijeshi fjale...


    Jeni brenda një fëmije, një të rrituri... Sa e vështirë është për ju, z. Gjestila, të sillni këto shkrime? Poezinë, fabulën, tregimin, romanin... Ndjeheni ndonjëherë i lodhur apo kënaqeni kur shihnin se keni botuar jo pak libra të ndryshëm?

    Duket sikur librat e mi kanë rrjedhur disi shpejt. Nuk është krejt ashtu. Disa prej tyre kanë qenë brenda meje me kohë, si detaje e si përmbajtje, mbase herë-herë edhe si formë. Jam munduar të mos nxitohem në botimin e tyre, po mbase në ndonjë rast, siç e përmenda më lart, edhe ka ndodhur e kundërta. Jam i mendimit që çdo libër ka nevojë për ripunim para ribotimit. Nevoja e përzgjedhjes së fjalës, shprehjes, ripunimit të frazës, fjalisë; marrja në konsideratë e fjalës së lexuesit. Nuk është e lehtë... herë – herë mjaft e vështirë. A ndjehem i lodhur? Mbase në ndonjë rast... I lodhur por i plotësuar, sidomos kur shkruaj... ndjehem aq mirë... dhe koha rrjedh si të mos jetë... është një kënaqësi që e merr me të mira lodhjen. Në ato ditë, pra kur shkruaj edhe humori është më i mirë, më i shëndetshëm... dhe s’mendoj për gjë tjetër. Po jeta është e vështirë dhe të duhet të përballosh edhe probleme e detyrime të tjera që kanë të bëjnë me familjen.

    Kemi ndonjë libër tjetër që je duke punuar?

   Sigurisht, po punoj. Ndërkohë nuk po shkruaj ndonjë gjë të re, përveç fabulës që rrjedh thuajse çdo ditë dhe detajit poetik që nuk mundem t’i shpëtoj. Procesi i krijimit është një magji më vete. Ndërsa shkruan në mendje afrohen e të joshin tema të tjera, por, siç thashë, tani për tani nuk po shkruaj, po punoj për të sjell në proces përfundimtar për botim një roman ndërkohë që, paralelisht po ripunoj për ribotim librat “Vallja e numrave”, “Miqtë e hënës” dhe “Nori dhe Matematika”. Shpresoj t’i sjell në një format të ri dhe të pasuruara me ilustrimet e Mariglen Gjestilës, që dallohet për sensin krijues të bërjes së kopertinave, për linjën e qartë, ngjyrën e ngrohtë dhe përcjelljen e ilustrimeve sipas moshës dhe natyrës së personazhit. Për mua është fat të punoj me këtë ilustrues të talentuar.

    Ne ju urojmë shumë suksese. Paskemi disa libra që presim të botohen e ribotohen. Ju falenderojmë shumë që ishit me në studio dhe ndatë me ne gjithçka për librat e tu.

    Ishte kënaqësi. Faleminderit! Suksese edhe për ju, Klaudia.




  



6/11/2015

LAÇI, BRUÇI DHE URAKA…


Variacione mbi një këngë

       S’më ka ndodhur vetëm mua, por, besoj, edhe shumë të tjerëve, njerëzve të dashur e të qeshur të vendlindjes sime. Në udhë e në shteg, në takime e ndodhi të rastit, mes miqve e të panjohurve, sa herë më kanë kërkuar t’ju them se nga kam ardhur, kam thënë me buzë në gaz: “Jam nga Laç – Bruçi”. Të shumtë kanë qenë ata që, pasi  kanë buzëqeshur për një hop, kanë thënë:

Laçi, Bruçi dhe Uraka,
seç na janë bashku-e…

Nërsa unë kam shtuar:

një hidrocentral të vogël
kanë nis me ndërtu-e.

       Kam plotësuar kësisoj, gati duke e kënduar, strofën e parë të asaj kënge që dikur bëri jehonë përmes zërit të bilbilit të këngës matjane, Feride Kurti. Në këto raste, çuditërisht, edhe pse i ngujuar në harkun kohor të atyre pak sekondave, gjatë të cilave vetëm mendja njerëzore risjell në kujtesë përjetime të atyre ditëve përtej shumë viteve të shkuara, shpesh jam gjendur, si në ëndërr, udhës për në Mat dhe kam ndaluar i përmallur në Qafë të Ulzës, nga ku kam hedhur vështrimin e mjegulluar përtej hapësirë së kaltër të liqenit, atje ku shtrihen Laçi, Bruçi dhe Uraka.


         Gjithëherë, në ato përjetime ditësh të shkuara, kam dashur të rrëmbej një barkë të harruar diku në anë e të çaj pak nga pak, përmes liqenit, duke u përkundur në valëzime të qeta, ashtu siç thotë edhe kënga e dikurshme e liqenit të Ulzës:

Përkundu, përkundu,
Ti moj barka ime,
Përmidis liqenit
M’ ço n’ shtëpinë time...

       Por shtëpia ime, vendlindja ime, në rrjedhën e shumë viteve mbeti afër dhe larg, në anën tjetër të liqenit dhe barka nuk mundi ta çojë asnjëherë dëshirën në brigjet e Shutrresë dhe Urakës, atje ku bardhojnë shtëpitë e Laçit, Bruçit dhe Urakës. Për atje, ndër vite, makina do të linte pas Qafën e Ulzës e do të merrte jug-lindjen, tërthoreve të Bushkashit e të Bazit, për të arritur në qytetin e Burrelit, por përsëri do të kthehej drejt veriut, drejt vendlindjes sime, e cila, ende, edhe në rrjedhën e këtyre viteve në liri, mbetet e harruar, sa e varfër aq e pasur, gjysmë marroke në lirinë e fituar dhe gjysmë e dehur në bukurinë e tradhëtuar dhe ende disi e plogësht në shfrytëzimin e pasurive natyrore.

Kupa e blertë e majit

       Sot, pasi lë pas Tiranën e zhurmshme dhe në Milot hyjë në Udhën e Kombit, në anë të Rrëshenit kthehem në djathtë dhe marr drejt vendlindjes, për atje ku dielli ka nisur të pijë me afsh kupën e blertë të majit. Vrapoj e vrapoj përmes kodrinave të Prosekut e Perlatit të Mirditës dhe, çuditërisht, si në një ëndërr fëminore, përsëri dëshiroj të jem në Ulëz, ta rrëmbej atë barkën e harruar mënjanë e të arrijë në vendlindje në pak minuta, gjithnjë duke shijuar bukuritë e rralla përreth hapësirës së kaltëreme, se vendlindja ime pret ende t’i vijnë miq përmes liqenit, mbase e dehur prej këngës së dikurshme të tij.

      Ja ku zë e duket kryet e vendlidjes: e gjelbërt, disi e ndërkryer dhe e kërleshur, rrokur prej tërthoreve të kodrinave, rrëzë një valleje kepnajash që duket se mban mbi supe, prej qindra e qindra shekujsh, peshën e Dejës të laruar nga bora. 
    Gjithnjë e më shumë afrohen kodrinat e buta të fshatit Laç, ndërsa në të djathtë zënë e përshfaqen sheshtinat e Urakës,  lugina e butë e Tharbnit dhe caqet e epërme të Liqenit të Ulzës.
     Tutje, përtej kodrinave, zënë e duken maja e Shën Kollit, kepi i Flakoit, pylli i Majedhës, gryka e sertë e Urakës mbi të cilën epohet kepi i Gërshotit, përtej të cilit valëzon kurrizi i blertë i kashnjetit të Prellit. Bruçi ende nuk duket dhe për dikë që vjen për herë të parë këtyre viseve, ai as që mendohet të jetë. Vetëm kur del befas në Kodër të Këllajçit, atje ku vështrimi të epohet e të duket se rrëzohesh e bie bashkë me të në fshatin mes dy ujrave, që nanuritet mes gjelbërimit nga gurgullima e Shutrresë, thua: “Sa bukur!”

     Kësisoj, Laçi, Bruçi dhe Uraka ciken me Mirditën duke ndarë një kufi natyror me Perlatin, Lufajt dhe Trangën. Me një shtrirje harkore nga veriperëndimi në lindje, masivi kodrinor i veshur me një larmi drurësh, ndikon në përcaktimin e një klime relativisht të butë duke luajtur rolin e një shpinorje mbrojtëse nga erërat e veriut. Laçi, Bruçi dhe Uraka, ndërsa harlisen nga ngjyrat dhe bukuritë e një pranvere plot diell, vetëpërcillen nën freskinë e burimeve, përrenjve, gurrave dhe lumit Urakë në një verë relativisht të nxehtë për të pritur një vjeshtë gati-gati të trishtë dhe një dimër të butë e më shumë baltë.

      Lartësitë në fushat dhe kodrinat e Laçit, Bruçit dhe Urakës, sillen mesatarisht rreth 250 m mbi nivelin e detit. Në këtë minihapësirë gjeografike gjejmë gjurmë të pakundërshtueshme të lashtësisë. Gjetjet arkeologjike në shpellat e Blazit, Këputës dhe të Nezirit, të cilat ndodhen në anën e epërme të grykës së Valit të bindin qartazi se kjo hapësirë është banuar që nga epoka e paleolitit e gjer në atë të bakrit dhe bronxit. Toponimia e zonës mbi kompleksin shpellor të Grykës së Valit flet edhe për periudha të mëvonshme historike, sidomos atë të Gjergj Kastriotit. Studiuesi Dilaver Kurti nënvizon: “Në numrin e qytezave dhe kalave mesjetare të Matit bën pjesë edhe një vendbanim i kësaj natyre që gjendet në katundin Bruç të Matit me emrin “Qyteza e Skënderbeut.” Rrënojat e qytezës, me shenja të qarta fortifikuese, ndodhen edhe sot e kësaj ditë në veri të fshatit Bruç.”
     Shpellat në anë të Grykës së Valit spikatin edhe për paraqitjen e tyre. Shpella e Këputës është mjaft tërheqëse, me një hapësirë të madhe në gjerësi e gjatësi, me hepe e shqeka, me stalakmite e stalaktite me forma mjaft interesante.

Shumë rrugë të çojnë atje...

      Teksa e shikon Bruçin nga lartësitë e Qytezës së Skënderbeut vëren se shumë rrugë të çojnë atje, por asnjëra prej tyre nuk është rrugë. E pra, Bruçi ka ç’të tregojë, di si të presë e të përcjellë, sepse të gjithë miqtë që i vijnë përmes udhëve të përbaltura, përsëri largohen me dëshirën për t’u kthyer tek ai.
      Mes lumit të Urakës dhe Gurrës së Shutrresë që bashkohen në Përzej dhe prej këtej derdhen në liqenin e Ulzës, Bruçi duket si një pëllëmbë e shtrirë për miqtë e tij të hershëm, të vonë, të tashëm e të ardhshëm.
      Fusha e Nërdysë, për të cilën thuhet (mbi bazën e gjetjeve arkeologjike sipërfaqësore) se ruan nën vete rrënojat e një qendre të lashtë banimi, njihet dhe si vendi ku janë organizuar shumë kuvende, ndër të cilët më i përmenduri është ai korrikut të vitit 1943.

     Në mesin e shekullit të XX e më pas, Bruçi u formësua edhe si qendër administrative e zonës e që përmblidhte fshatrat Urakë, Laç, Bruç, Prell, Rukaj dhe Rremull. Pozicioni gjeografik-qendër në lidhje me fshatrat e tjerë të zonës, qenia ndër vendbanimet e lashta dhe referencë e rëndësishme arkeologjike, pasuritë dhe bukuritë natyrore, pak e nga pak do ta përshfaqin Bruçin dhe fshatrat përreth në udhën e përmasave të tilla si qendër administrative, sa po të thuhet se si e qysh, kur dhe sa, jo pak do të vënë buzën në gaz me qësendi. Por le të qeshin. Thuhet se e qeshura të bën mirë. Megjithatë unë besoj fort në një ëndërr, një ëndërr që s’do desha të merrej si përçartje e fantazisë, por si përfytyrim mbi një mundësi të madhe, po, po, si përfytyrim i një qyteti që përpiqet të ngre krye përditë e përditë. E di, ende e kemi të vështirë ta përfytyrojmë këtë qytet, ngaqë jemi të varfër në pasurinë tonë të madhe dhe ende kemi nëpër këmbë drejtues sektorësh e institucionesh që s’kanë lexuar as edhe një libër për be ngaqë dinë të lexojnë e të nuhasin vetëm paranë e, kësisoj, të babëzitur pas saj e qejfeve s’kanë se si e s’mund të përfytyrojnë qytetin e ardhshëm.  


       Që nga sot Burreli duhet të nis të bëjë shumë për Bruçin, përveç të tjerash edhe për të mbetur në kujtesën e historisë për ndihmën që dha në formësimin e një qyteti që do të jetë i rrallë për nga bukuritë natyrore dhe vlerat turistike. Dhe s’ka pse ta ketë zili ngaqë ai, dhe pse i bukur buzë Matit e me vështrimin nga Deja, e vështron Bruçin nga larg, të kredhur në ujrat e Shutrresë dhe Urakës ndërsa udhët drejt e përreth tij afrohen e afrohen çdo ditë. Sadoqë, gjer më sot, në këto 25 vite në liri, disa pusht-tetarë të vegjël në shpirt e në mendje i kanë shaluar Laçin, Bruçin dhe Urakën pa mundur të ndërtojnë as edhe një metër udhë, është llogjika e gjërave, rrjedha e pandalshme e prirjeve njerëzore, natyrore e mbinatyrore që do të shpie drejt formësimit dhe prekjes së ëndrrës.

      Ju, pra ju që nesër do të drejtoni si pjesë të bashkisë së Burrelit edhe Bruçin, keni më shumë mundësi për ta bërë këtë. Niseni nga Uraka, nga atje ku rruga e asfaltuar kalon vetëm 2 km poshtë Bruçit dhe silleni udhën përgjatë brigjeve të lumit, gjer në Grykën e Shutrresë. Bëjeni dhe do t’ju bekojë Gurra e Shutrresë. Ah, ta kisha atë mundësi! Të merrja një bekim prej saj!
      Unë e di, nëse ju e bëni këtë, pas bekimit të Shutrresë, nuk do të ndaleni më së bëri punë të mira: do ta çoni udhën përmes Laçit në Kodër-Laç e prej atje në Val. Pak nga pak do t’i kuroni plagët e kohës mbi kompleksin shpellor dhe do ta nxirrni në dritë kalanë e Bruçit, Qytezën e Skënderbeut. Mbajeni mend ç’ju them: atëherë edhe qytetit të ri do t’i vënë një emër tjetër:
     Qyteza e Skënderbeut. Pra edhe të parët kanë për t’ju bekuar, më pas edhe pasardhësit, ata, qytetarët e ardhshëm të Qyteza e Skënderbeut.
     Unë e di, nëse ju e bëni këtë, pas bekimit të Shutrresë, do të ringrini edhe atë, hidrocentralin e vogël, të cilit Shutrreja dikur i fali ujë që t’ju shohë sytë më mirë bijëve të saj, ndërsa tani mbase e kërkon ta ketë relike e të dëgjojë bashkë me ne këngën që dikur ia ngritëm me aq dashuri:

Gurgullon si lum prej mali
Gurra e Shutrresë,
Tash ajo ne do t’na fali
Dritën e haresë.


     Por, që Shutrreja t’ju bekojë, lirojani lëfytet e buronjave. Asaj kanë filluar t’i vijnë miq nga Tirana dhe qytete të tjera, por ajo nuk i shikon dot. Dikur, bruçjanët, laçjanët e shumë e shumë të tjerë janë mrekulluar me syrin e kaltër të Shutrresë, njëzet e shtatë pashë të thellë, gjer në rrënjët e shkëmbinjve bardhanë, atje ku unë kam parë të vezullojë mbretëresha e Shutrresë, Zanatroftë. Miqtë e Shutrresë e të natyrës së bukur të Laçit, Bruçit dhe Urakës vijnë të shohin edhe mbretëreshën Zanatroftë. Por syri i kaltër i Shutrresë është i mbuluar me beton. Hiqjani betonin dhe keni për t’u mrekulluar edhe ju, miqtë e saj do të shtohen dhe, kësisoj, edhe Zanatroftë do t’ju bekojë.

Gurgullon si lum prej mali...

      Fakti që Shutrreja na kërkon të dëgjojmë këngën që i kënduam dikur, nuk e rrok  dëgjesën tonë vetëm me nota nostalgjie, por edhe me nota dhimbjeje. Çfarë nuk sajuan për të e çfarë nuk provoi Shutrreja në dhejtra e dhjetra vite. U përpoqën t’i vinin litarët në grykë e ta tërhiqnin drejt Mirditës, i hapën gjithandej në anë kanale pas kanalesh e nisën ta thajnë pak nga pak, e betonuan dhe e detyruan të merrte udhët nëpër tubo metalikë e ajo prapë se prapë qëndroi.
    Qëndroi Shutrreja, qëndroi e ligjëroi ndër vite me gurgullima lotësh edhe për bijën e saj, troftën pikalore, atë, më të mirën e gjithë Shqipërisë. Dikur, kur ishim fëmijë e shikonim kur lahej në rrjedhën e kristaltë të ujit, teksa qëllonte të hidhej mes stërkalave të bardha, ndërsa tani rallë e për mall e shikojmë. Çfarë nuk përdorën për ta lënë Shutrrenë pa bijën e saj, troftën pikalore: këputën telat e energjisë elekrike e i shtien në ujë, hodhën mbi shpinë gjeneratorë të fuqishëm, hodhën në pellgjet e qeta dinamit e klor, por nuk mundën e nuk mundën t’ia vrasin Shutrresë dashurinë për jetën.

     Në mbrojtje të Shutrresë, në luftën e saj për jetën, nuk mungojnë njerëzit punëtorë, pasionantë e me plot dashuri e përkujdesje për gjithçka të mirë e të bukur që natyra dhe zoti u ka falë njerëzve të këtyre viseve.  
     Sapo makina ndalon në qendër të Bruçit, pas jo më shumë se rreth një orë e gjysmë udhëtim nga Tirana, bën mirë që të mos kërkosh, të paktën tani për tani, ndonjë të “madh”: kryeplak, kryetar komune, drejtues të çfarëdolloji e puthadorë të tyre, sepse ka gjasa që ata të të shohin vëngër, me një lloj fodullëku primitiv, mbase duke kujtuar se mund t’u nëpërkëmbesh në thurjen e rrjetës së merimangës që e kanë nisur ngeshëm në këto ditë fushate zgjedhore. Tashmë ata i kanë përcaktuar copat që do të ndajnë, para dhe pas zgjedhjeve, kësisoj tremben se mos u trazon rrjetën e merimangës të thurur prej premtimeve nga më të çuditshmet, por që nuk kanë të bëjnë as me rrugët, as me Shutrrenë dhe as me njerëzit. Ndaj ulu e pi një kafe me ata që duke menduar e punuar për të ardhmen, kanë nisur të japin ndihmesën e tyre edhe për shërimin e plagëve të Shutrresë.
Nga shkallët e bar – kafesë “Shutrreja” na thërret Albani. Është njëri prej tyre. Lokali është plot dhe të vetmin ndryshim me ato të kryeqytetit ka ajrin e pastër, panoramën e qetë dhe shushurimën e ëmbël të Shutrresë. Genti del nga banaku dhe na afrohet buzagaz, ndërsa i kërkoj Albanit mundësinë e ardhjes së mësues Gëzimit. Për fat ai ka pushim dhe kësisoj pimë së bashku kafenë, gjithnjë duke biseduar përzemërsisht me njëri-tjetrin. Më pas Gëzimit do t’i duhet të nisë orën e mësimit, ndërsa Albani të largohet për disa minuta për të kryer për t’u kthyer përsëri.


Me Fatjonin nxitojmë përmbi Grykën e Shutrresë dhe shpejt arrijmë në Zall-Laç, nën shtëpitë e Këputajve, buzë Shutrresë, atje ku zënë fill pronat e Kujtim Këputës. Në anë të shelgjishteve, në një sheshtinë të butë janë basenet e rritjes së troftës. Takojmë Gazmirin, i cili, që në fillim të  bisedës rreth mënyrës së rritjes së troftës “dorëzohet” duke thënë buzagaz: “Më mirë po thërras babanë... ti po më bën ca pyetje të vështira.”
Ndërkohë që Kujtimi vjen drejt nesh, kemi kaluar nëpër të gjithë hapësirën ku janë ngritur të katër vaskat. Më pas, Kujtimi na flet gjatë për ndërtimitn e baseneve dhe mënyrën e rritjes së troftës për tregtim. Uji merret përmes disa tubove betoni vetëm disa metra larg, në një pellg të gurrës së Shutrresë, fshehur nga shelgjishtet dhe lajthitë. Më pas gjithçka është ndërtuar në një mënyrë mjaft korrekte ku nuk mungojnë aksesorët që rregullojnë dhe ruajnë sasinë e ujit, mënyrën e shpërndarjes së tij nëpë vaska, gjer në administrimin e ujit që del nga vaskat duke ia kthyer Shutrresë, ose duke e lëshuar në kanalet vaditëse të lagjes.
     Uji merret përmes disa tubove betoni vetëm disa metra larg, në një pellg të gurrës së Shutrresë, fshehur nga shelgjishtet dhe lajthitë. Më pas gjithçka është ndërtuar në një mënyrë mjaft korrekte ku nuk mungojnë aksesorët që rregullojnë dhe ruajnë sasinë e ujit, mënyrën e shpërndarjes së tij nëpë vaska, gjer në administrimin e ujit që del nga vaskat duke ia kthyer Shutrresë, ose duke e lëshuar në kanalet vaditëse të lagjes.
      Kujtimi këmbëngul për një kafe, siç thuhet këtyre anëve kur të hapin bujarisht dyert e shtëpisë,  por e lëmë të takohemi një herë tjetër dhe kësisoj kthehemi bashkë me Fatjonin në Bruç.
Në fushën e Nërdysë më presin Halili dhe Albani. Së bashku ngjitemi përmes lagjes së epërme të Nezirimerrjave, dalim mbi shtëpitë e tyre dhe marrim teposhtën e biem në Valanecë, në anë të saj, atje ku shtrihen edhe pronat e Haxhi Nezirit me djem.

Albani na prin drejt baseneve ku ai punon me pasion të veçantë çdo ditë. Basenet e tij të troftës përshfaqen në një natyrë mjaft tërheqëse. Në krye të baseneve dallojmë, veçmas peshqve të tjerë, ca trofta të mëdha. “Ata me nofullën e poshtme të ngushtë e të kthyer janë meshkuj, - thotë Albani. - Gjer para dy vitesh rasatin e blija, ndërsa tani kam krijuar rrjetin e shumimit brenda vaskave të mia. Gjithçka gjatë shumimit dhe rritjes së troftës mbyllet këtu”. Kur e pyes nëse do ta zgjerojë sipërmarrjen e tij, Albani qesh dhe thotë: “Nuk e di. Blerja e ushqimit për troftat na vret shumë. Çmimi i ushqimit është rritur, ndërsa ne nuk e kemi rritur çmimin e shitjes së troftës”. Thotë “ne” ngaqë ka parasysh Bertin dhe Kujtimin. Me Bertin qëndron gjatë, sa herë ai vjen nga Tirana, gjithnjë për të marrë e dhënë përvojë dhe për të ndarë shqetësimet e problemet gjatë rritjes së troftës. Edhe sot Bertin pret. Ai është nisur para një orë e gjysmë nga Tirana dhe për pak vjen, ndaj nisemi së bashku drejt Ajshullës, atje ku janë pronat e Hasan Nezirit me djemtë.
     Mirëseardhjen na e jep Nazmiu, ndërsa Berti vjen rreth dhjetë minuta më vonë. Ai, pasi merr paksa veten nga udhëtimi, na prin për te basenet e troftave. Ata janë në perëndim të një sheshtine të gjerë e të gjelbëruar, në formën e një L-je dhe zënë një hapësirë të madhe.
     Hasan Neziri me djemtë e tij, falë punës së palodhur dhe shpirtit krijues e sipërmarrës, qenë të parët që ngritën basenet e rritjes së troftës e të krapit. Tre vëllezërit, Nazmiu, Fiqiriu dhe Berti, dhe pse secili në shtëpinë e tij, veprimtaritë ekonomike i kanë të ndërlidhura dhe bashkërenduara.


     Gjatë bisedës me Bertin dhe Albanin, mëson se ata janë drejt një kooperimi, përderisa diskutojnë shpesh për këtë dhe herë pas here i gjen pranë baseneve të njeri – tjetrit, gjithnjë të interesuar për mirërritjen dhe tregtmin e troftës. “Arritja e një bashkëpunimi më real do të na ndihmonte në sigurimin e ushqimit me një çmim më të ulët, - thotë Berti, - ndërsa për më tej do të na siguronte prodhim më të madh e, kësisoj një treg më të stabilizuar. Tashmë shumimin e bëjmë vetë”. Më tej e merr fjalën Albani: “Cilësia e prodhimit është e lartë, në sajë të cilësive fizike të ujit të Shutrresë, sidomos sasisë së oksigjenit në ujërat e saj”. Teksa flasin e tregojnë për punën e tyre i pyes për Shutrrenë dhe kërkoj të di se ç’ndihmë tjetër mund të japin ata për gjallërimin e jetës së troftës së egër në ujërat e kristalta të saj. “Shutrrenë duhet ta mbrojmë të gjithë, - thotë Berti. - Nuk është aspak e vështirë. Nëse presim se ç’do të bëjnë të zgjedhurit dhe njerëzit që varen prej tyre, nuk do të arrijmë asgjë. Ata këtu kanë qenë prej vitesh. Duhet ta gjallërojmë e ta mbrojmë vetë. Është mjaft e lehtë”. “Ne kemi hedhur edhe rasat në Shutrre, - thotë Albani, - por e kanë vrarë me lloj-lloj mjeti pa u rritur ende”. Teksa dëgjoi Albanin vështroi Bertin. Ai flet pak dhe dëgjon shumë. “Si mund ta gjallërojmë e ta mbrojmë vetë Shutrrenë? - e pyes. - Pse është aq e lehtë?” Berti hedh për një çast vështrimin tutje, përtej baseneve, atje ku shushërin Shutrreja dhe pastaj zë e flet. “Që nga burimi e gjer në Përzej, në brigjet e Shutrresë mbarojnë pronat e secilit prej nesh; në anën e përtejme ato të laçjanëve dhe këtej të bruçjanëve. Kësisoj çdonjëri t’i dalë zot e ta ruaj gjatësinë e rrjedhës buzë pronës së tij, këtej e andej. Madje të mbjellë edhe drurë të ndryshëm aty ku bimësia është e varfër, të shtrojë kalldrëm me gurë atje ku mundet”. “Do të ishte fantastike! - ia merr fjalën Albani. - Pak nga pak, buzë Shutrresë, sidomos në ditë e nxehta të verës, njerëzit do të kalonin çaste plot freski”.
     Para se të nisemi për në Tiranë, Albani i kërkon Bertit të shkojmë te basenet e tij në Valanecë. Përshëndetemi me Rufatin, punëtorin që kujdeset për troftat dhe lëmë pas basenet. Kur arrijmë te basenet, mënjanohem e hedh vështrimin lart, në anën e djathtë të Grykës së Urakës, ndërsa Albani nis e i tregon Bertit diçka.
      Disa kilometra më lart, në Ftre, atje ku lumi i Urakës ridel nga shkëmbinjtë, do të bëhet një pritë. Më pas, përmes tubove të gjerë, prurjet e Urakës do të çajnë tej e tej Kepin e Gërshotit, do të dalin buzë shkëmbit të Palamanajve dhe atje do të lëshohen tubot e përmes tyre do të vërshojnë prurjet e lumit të Urakës, ndërkohë që në anë të baseneve të Albanit do të jenë vendosur agregatet e HC të Bruçit. Pas disa vitesh, kur tribuna e këtij hidrocentrali do të vihet në punë, mbase nuk do të dëgjohet kënga “Laçi, Bruçi dhe Uraka”, por sigurisht një këngë tjetër do të këndohet. Më e re, më e bukur!