Në Radio Tirana
Intervistë dhënë gazetares Klaudia
Malaj
Z.Fatmir, ju falenderoj që jeni me ne në
studio. Mirësevini!
Faleminderit!
Ju z.Fatmir keni shkruar monografi,
fabula, tregime, poezi, romane, gjëegjëza, pra një biblotekë të tërë. Si
ndjeheni para krijimtarisë tuaj, para gjithë këtyre librave në zhanre të
ndryshme.
Në të vërtetë janë disa libra, jo se nuk
janë, por, më besoni, ata nuk i kam shikuar asnjëherë si numër, pra si sasi.
Gjithnjë kam patur kërkesa ndaj librave të mi. Është një libër i ndërtuar mbi
disa detaje legjendash të cilin e kam lënë disi mënjanë vetëm disa muaj pasi është
botuar. Jo, nuk e kam hedhur, por thjesht e kam lënë mënjanë që, në momentin e
përshtatshëm ta rimarr në dorë, ta vë mbi tavolinën e punës dhe kësisoj ta
rishikoj. Është një libër që më dhimbset, mbase edhe ngaqë nuk është në nivelin
e kërkuar. Në rastin e një libri tjetër ndoshta edhe mund ta kisha harruar,
por, duke qenë se trajton detaje legjendash të marra nga ku unë vij, ka të bëjë
dhe me dashurinë për vendlindjen. Dua të them se nuk është gjithçka sasia e
librave të botuar, por cilësia e tyre artistike. Megjithatë them se mund të kem
arritur diçka në krijimtarinë time, sidomos me librat për fëmijë, ngaqë vë re
se fëmijët i lexojnë ato gjer në fund dhe i paraqesin te njëri-tjetri.
Gjithsesi ndjehem mirë jo vetëm me librat e botuar, por edhe me ata që janë në
proces krijimi dhe botimi.
Si i shihni ju shkrimet tuaja, tashmë të
botuara, z.Gjestila?
Në tërësinë e librave të mi për të rritur
janë tre libra me monografi, dy libra me fabula dhe dy libra me poezi. Në
monografitë dua të veçoj “Një jetë për flamur” dhe “Miku i të gjithëve” që jo
vetëm janë pritur mjaft mirë nga lexuesi, por dhe bënë që personazhet realë, figura të njohura publike, tashmë
Dëshmorë të Atdheut, të përshfaqen në tërë dimensionet e tyre njerëzore para
lexuesve dhe institucioneve, të cilët, përballë fakteve të publikuara e
drejtuan më shumë vëmendjen te këta figura të nderuara që tashmë i përkasin
historisë, duke u dhënë atyre dhe të afërmëve vendin që u takon në shoqëri. Sa
për poezinë... nuk rend
pas saj, nuk e kërkoj, thjesht e shkruaj kur e ndjej
dhe mbase më pas i rikthehem për ta rimarrë si frymë e si formë. Miqtë më thonë se poezia ime është e thjeshtë, e
kapshme, e ndjerë, njerëzore dhe e sinqertë, shpreh diçka të prekshme, por, pak
nga pak dua t’ju them se forca ime krijuese mbase shprehet më qartë në librat për
fëmijë, gjersa ende, edhe pse kam shumëçka në mendje, nuk kam shkruar diçka
tjetër për të rritur përveç fabulës, monografisë dhe poezisë. Pozicionimi i gjertanishëm te letërsia për fëmijë
mbase ka të bëjë edhe me faktin domethënës, atë të 29 viteve si mësues, gjithnjë
pa u ndarë nga fëmijët, sidomos nga ata të moshës pesë gjer në dymbëdhjetë vjeç.
Them se ky realitet është një mundësi me e madhe për mua, që të shkruaj për këtë
moshë, me botën e së cilës jam, gati çdo ditë.
Ç’marrëdhnie keni me fëmijët? Jeni marrë vërtet
me atë moshë që kërkon formim të vazhdueshëm e të kujdesshëm, me atë moshë në të
cilën merren mesazhet e para dhe edukata e sjelljes gjithsesi. Ju e kishit të vështirë
të punonit me fëmijët? A i keni parë ata edhe si burim frymëzimi, për t’ju
dedikuar libra me pas?
Duke iu rikthyer krijimtarisë sime, gjejmë
fakte se ajo nis që nga mosha fëminore dhe rinore me vjershat e para për nje
lapidar, për një hero e më vonë me poezitë lirike me nuanca erotike. Asnjëherë nuk kam menduar se do vinte një ditë e të shkruaja për fëmijë. Jo vetëm
kaq, por as që kam menduaar në atë kohë se do të kaloja gjithë jetën mes fëmijëve.
Kësisoj, edhe kur kam nisur mësimet në shkollën e mesme artistike “Prekë
Jakova” në Shkodër nuk kam menduar se do të jem mësues, ndërsa, kur kam kam nisur
studimet e larta për mësuesi, sinqerisht ju them se shpesh kam bërë pyetjen: Unë
do të bëhem mësues? Për më tepër për këtë moshë? Pse ta fsheh, nuk e kam dëshiruar.
Por në jetë provon edhe ç’ka nuk ke dëshiruar dhe nuk arrin gjithçka që ke dëshiruar.
Përkundrejt këtij përfundimi, në jetë mëson se jo gjithçka të pa kërkuar si dëshirë
mund të mos e duash shumë. Kur i kam parë për herë të parë nxënësit e mi të
vegjël, jam befasuar me ndjenjën time. Që në fillim kam qeshur me ta, kam
luajtur me ta, kam ngarë me ta, kam konkuruar si fëmijë me ta dhe jam ndjerë
mrekullisht mirë.
Që në javën e parë të punës sime si mësues kam ndjerë se do të
jem gjithë jetën me fëmijët. Më kanë befasuar e më kanë bërë për vete me botën e
e tyre të veçantë, me mënyrën se si flasin, si tregojnë të vërtetën dhe gënjeshtrën,
si qeshin, si luajnë, si zihen e bisedojnë me njëri – tjetrin, me fjalë e me
shenja. Është një botë e madhe, e brishtë dhe e sinqertë, plot buzëqeshje, por
edhe me lot gazi e dhimbjeje. Fëmijët i kam ndjerë e vështruar si të paprekshëm
nga e keqja dhe dhimbja, ndaj jam munduar, si mësues e si njeri, të sillem me
ta me shumë përgjegjësi e përkujdesje. Gjatë gjithë viteve të mia si mësues,
s’besoj të kem hyrë në klasë me vragat e mërzitjes a të shqetësimit në fytyrë
duke u munduar që në këto rastë t’i kyç ata diku thellë në vetëdijën time e të
merrem me ta larg nxënësve. Mund të kem hyrë në klasë i lodhur, i sëmurë, por
kurrë me foton e paknaqësisë në sy. Fëmijët i kam parë gjithherë jo vetëm si
objekt por më shumë si subjekt. Te ata kam arritur të marr gjithçka sa kam
mundur për t’jua kthyer atyre në formën e poezive, tregimeve, fabulave... Në krijimtarinë
time janë ca tema me nuanca didaktike, të trajtuara përmes vjershave të shkurtëra
dhe gjëegjëzave, në formën e lojës. Janë marrë nga lojërat e tyre dhe medoj se
janë rikthyer te ata në një formë tjetër, të cilën e kanë pranuar me mjaft
interes e kënaqëi. Megjithatë dua të them se kam marrë shumë nga fëmijët dhe mendoj
se nuk jua kam kthyer atyre ende gjithçka që kam marrë, në kuptimnin e borxhit
ndaj tyre.
Fakti që jeni mësues ju ka ndihmuar të
jeni më pranë botës së fëmijëve, ndaj dhe dua t’ju pyes: a është vështirë për
ju z. Fatmir të kuptoni botën e fëmijëve?
Është e vështirë... Padyshim që është e vështirë.
Në këndvështrimin tim është një univers i tërë e më vehte ndaj të cilit duhet
treguar kujdes kur e ndjen dhe e përcepton dhe që kërkon mjaft aftësi e njohuri
për ta ngërthyer e për ta kuptuar. Pra ka vështirësi në njohjen dhe kuptimin e
botës fëminore, por gjithashtu ka dhe një mënyrë për ta njohur e për ta kuptuar
këtë botë. Ajo që e largon vështirësinë është dashuria për atë çka do të bësh,
kjo është një aksiomë, dihet... Kësisoj duhet ta duash botën e fëmijës që të
mund të njohësh e ta kuptosh atë. Jo vetëm kaq, por duhet të japësh sadopak ndihmë për ta ruajtur atë
nga e keqja dhe dhimbja. Për një krijues të letërsisë për fëmijë, njohja e botës
fëminore është e domosdoshme, Nëse do të njohësh mirë botën fëminore, sigurisht
që, veç të tjerash, do të jesh më i besueshëm dhe më i suksesshëm në krijimtarinë
për fëmijë. Fëmijët ta japin krijimin thuajse të gatshëm, thjesht duhet ta
limosh, ta latosh, ta sjellësh në formën e duhur artistike.
Ju shkruani vjersha, fabula, tregime,
romane, pra kapni zhanre të ndryshme... Sa e vështirë është për ju z Gjestila të
zgjidhi gjuhën me të cilën u drejtoheni fëmijëve?
Në disa tregime, ato të parat, me të cilat
nisa dhe krijimtarinë në prozë, por edhe në romanin e parë, “Aventurat në
pyllin me pisha”, jam kujdesur të flas me një gjuhë të thjeshtë, gjithnjë duke
patur në vëmendje moshën fëmonore. Nuk jam kujdesur vetëm për fjalën, por edhe
për frazën, shprehjen dhe ndërtimin e fjalisë. Megjithatë, pak nga pak mësova
se rritej numri i lexuesve të vegjël që kërkojnë fjalë e shprehje edhe më të
zgjedhura. Duke qenë përballë një informacioni të dendur që vjen nga ekrani dhe
librat, fëmijët i kanë rritur kërkesat ndaj librave. Të folurit e tyre është
gjithnjë e më i zhdërvjelltë, fjalitë që ndërtojnë janë më të gjata, më të
zgjedhura, me fjalë e shprehje të zgjedhura. Kësisoj, vit pas viti jam munduar
të ndjek këtë zhvillim dhe të mundohem ta pasqyroj këtë në krijimtari, si në
prozë ashtu edhe në poezi. Duke qenë vazhdimisht mes fëmijëve mundohem t’i
ndjek ata në lojë, në biseda të lira me njëri-tjetrin, në diskutime, gjer dhe në
zënkat e tyre për të qenë sa më i besueshëm në ndërtimin e dialogjeve,
shprehjeve dhe fjalive sipas situatave.
Donim të shkëpusnim një nga fabulat tuaja.
Jo pa qëllim... Edhe ngaqë studentët janë në prag diplomimi dhe maturantët në përzgjedhjen
e degës. Kjo fabul m’u duk mjaft aktuale. Është fabula “Diploma”
Po, është një fabul që u prit mjaft mirë,
gjithashtu qe një përgjigje ndaj një realiteti të krijur prej vitesh.
Faleminderit që kërkoni ta lexoj unë.
DIPLOMA
DIPLOMA
Tri diploma, varg, kurorë
në edukim “Master Shkencor”
Para klasës bën mak-mak,
është patok e s’është rosak.
Kecit- qengj e gjarpërit-ngjalë,
i thotë sot ky mësues i rrallë.
Mjelmë qafëgjata – drejtoreshë,
Çirret, hidhet: - Ky do fshesë!
Përmbi gardh gjeli mbyll sytë,
nis një këngë e s’ka të dytë:
- Prit, moj, prit,
mos ia vërë fshesën,
sa të marrë edhe dëftesën.
Është një fabul shumë e bukur, mjaft e fortë. Donim një koment rreth saj. Si kjo, edhe të tjera fabula janë krijime që nuk i lexojnë vetëm fëmijët, por edhe të rriturit. Kanë një mesazh shumë të qartë, prekin me fjalë të thjeshta dhe të vegjlit, edhe të rriturit.
“Diploma” duket se u drejtohet vetëm të
rriturve, në fakt u drejtohet edhe fëmijëve, sidomos atyre që kërkojnë notë të
pamerituar, por edhe prindërve që kërkojnë për fëmijët e tyre notë a fletë
nderi të pamerituar. Të kërkosh diçka të pamerituar në fushën e arsimit, në
mjekësi a në drejtësi... jo vetëm në këto tri fusha por kudo në përgjithësi është
tepër e dëmshme për shoqërinë. Fabula, me atë çka tregon duket si anekdotë... që
të shprehemi më qartë... duket se nuk shpreh asgjë nga e vërteta, por në Shqipëri
kanë ndodhur gjëra të tilla që të bëjnë për të qeshur hidhur.
Sa ju nxit realiteti dhe gjithçka që ju rrethon
në realizimin e fabulës
Sa më nxit reliteti... Shumë... Realiteti
i sotëm dhe gjithçka tjetër që na rrethon. Impulset e para vijnë nga jeta e përditshme,
nga prekja e ngjarjeve të saj, nga çka përcjellin mjetet e ndryshme të
informimit, ato vizive dhe të shkruara... detaj atje merret... dhe shpejt
kthehet në fabul, në pak minuta. Por vë re se jo çdo fabul që vjen kaq shpejt qëndron
gjatë para lexuesit... mbase, ndonjëherë, kjo vjen edhe nga impulsiviteti me të
cilin merret informacioni. Patjetër që, më vonë, këto fabula kanë nevojë për përmirësim.
Ndonjë fabul më bën të ndjehem keq. Është ndër ato fabula që ka fshikulluar pa
u menduar gjatë, është nxituar të dalë... E dua fabulën... Më ka tërhequr që në
fëmijëri... Është një zhanër që përcjell mesazhe të qarta me humor e hijeshi
fjale...
Jeni brenda një fëmije, një të rrituri...
Sa e vështirë është për ju, z. Gjestila, të sillni këto shkrime? Poezinë, fabulën,
tregimin, romanin... Ndjeheni ndonjëherë i lodhur apo kënaqeni kur shihnin se
keni botuar jo pak libra të ndryshëm?
Duket sikur librat e mi kanë rrjedhur disi
shpejt. Nuk është krejt ashtu. Disa prej tyre kanë qenë brenda meje me kohë, si
detaje e si përmbajtje, mbase herë-herë edhe si formë. Jam munduar të mos
nxitohem në botimin e tyre, po mbase në ndonjë rast, siç e përmenda më lart,
edhe ka ndodhur e kundërta. Jam i mendimit që çdo libër ka nevojë për ripunim
para ribotimit. Nevoja e përzgjedhjes së fjalës, shprehjes, ripunimit të frazës,
fjalisë; marrja në konsideratë e fjalës së lexuesit. Nuk është e lehtë... herë
– herë mjaft e vështirë. A ndjehem i lodhur? Mbase në ndonjë rast... I lodhur
por i plotësuar, sidomos kur shkruaj... ndjehem aq mirë... dhe koha rrjedh si të
mos jetë... është një kënaqësi që e merr me të mira lodhjen. Në ato ditë, pra
kur shkruaj edhe humori është më i mirë, më i shëndetshëm... dhe s’mendoj për
gjë tjetër. Po jeta është e vështirë dhe të duhet të përballosh edhe probleme e
detyrime të tjera që kanë të bëjnë me familjen.
Sigurisht, po punoj. Ndërkohë nuk po
shkruaj ndonjë gjë të re, përveç fabulës që rrjedh thuajse çdo ditë dhe detajit
poetik që nuk mundem t’i shpëtoj. Procesi i krijimit është një magji më vete.
Ndërsa shkruan në mendje afrohen e të joshin tema të tjera, por, siç thashë,
tani për tani nuk po shkruaj, po punoj për të sjell në proces përfundimtar për
botim një roman ndërkohë që, paralelisht po ripunoj për ribotim librat “Vallja
e numrave”, “Miqtë e hënës” dhe “Nori dhe Matematika”. Shpresoj t’i sjell në një
format të ri dhe të pasuruara me ilustrimet e Mariglen Gjestilës, që dallohet për sensin
krijues të bërjes së kopertinave, për linjën e qartë, ngjyrën e ngrohtë dhe përcjelljen
e ilustrimeve sipas moshës dhe natyrës së personazhit. Për mua është fat të punoj me këtë ilustrues të talentuar.
Ne ju urojmë shumë suksese. Paskemi disa libra
që presim të botohen e ribotohen. Ju falenderojmë shumë që ishit me në studio
dhe ndatë me ne gjithçka për librat e tu.
Ishte kënaqësi. Faleminderit! Suksese edhe
për ju, Klaudia.
No comments:
Post a Comment