3/26/2023

Kanë shkruar për romanin e fshehta e kështjellës së Zezë

 






FSHEHTA 
KËSHTJELLËS 
SË ZEZË






Pandeli KOÇI

Shkrimtar

Tema të reja me një tingëllimë të re

     

   Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është një prurje cilësore në letërsinë për fëmijë në këto vite, një roman që trajton në një mënyrë të veçantë temën e lirisë në regjimin diktatorial.

    Në qendër të romanit janë pesë fëmijë dhe një njeri i panjohur për fëmijët, të cilët në hapësirën kohore prej disa muajsh bëhen personazhe mjaft të këndshëm e të dashur për lexuesit e vegjël.

    Duke kërkuar ditë pas dite të gjejnë të fshehtat e Kështjellës së Zezë (një kullë e braktisur në anë të fshatit), ata hyjnë në një rrjedhë ngjarjesh që pasojnë njëra-tjerën me plot befasi e kureshtje. Mari, që del më në dukje mes fëmijëve, një djalë i zgjuar, i guximshëm dhe i dashur, bashkë me Ridin, Gencin, Albin dhe Algin arrijnë të zbulojnë të fshehtat e Kështjellës së Zezë dhe të fshehta të tjera.

    Por e fshehta e fundit që zbulon në faqet e fundit të romanit, e drithëron Marin aq sa ai kalon në një gjendje të rëndë shpirtërore. Përcjellja e kësaj gjendje është bërë me mjaft mjeshtri nga Gjestila, përmes një gjetje të re, bisedës me vetveten, që e dyzon personazhin kryesor, duke na e paraqitur si Mari1 dhe Mari2.

    Një tjetër gjetje e re është përmbyllja e romanit përmes leximit të ditarit të njeriut misterioz. Leximi i ditarit sqaron mjaft ndodhi duke rimarrë kështu pothuajse të gjithë ngjarjen nga fillimi. Mjaft pikëpyetje në mendjen e lexuesve nisin e marrin përgigje të këndshme duke bërë që të rikthehesh në jo pak raste në ngjarjet e kaluara.

    Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” vjen pas romanit “Aventurat në pyllin me pisha”, edhe ky një roman mjaft interesant që trajton, si edhe Kështjella e Zezë, temën e lirisë. Këta dy romane kanë arritur që me gjuhën dhe mjetet shprehëse të moshës fëminore, të trajtojnë një temë mjaft të vështirë dhe disi të rrallë në letërsinë tonë për fëmijë.         

 

Behar GJOKA

   studiues

Një roman që spikat në letërsinë e sotme për fëmijë


  Marrëdhënia me librin është e vështirë, por romani për fëmijë “E fshehta e Kështjellës së Zezë” e lehtëson mjaft këtë mërrëdhënie. Sipas mendimit tim libri s’ka moshë, ashtu si edhe ky roman që u drejtohet të gjithëve, fëmijëve dhe të rriturve.

  Në tërësinë e krijimtarisë së shkrimtarit dhe poetit Fatmir Gjestila ka pjesë që e njoh gjer në detaje, ashtu siç ka pjesë që e njoh fare pak, ose nuk e njoh. Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është njëri prej librave të autorit që e kam lexuar para se të botohet. Ai padyshim përcjellë kënaqësi artistike përmes fabulës së thjeshtë dhe rrëfimit të arrirë artistikisht.

    Fatmir Gjestila është autor i mjaft librave për fëmijë e të rritur. Por numri i librave nuk do të thotë gjithçka. Ardhja e këtij romani, cilësia e tij si edhe e disa librave të tjerë, tregon se krijimtaria e Fatmir Gjestilës ka hyrë në një rrjedhë serioze. Vetë Fatmiri ka mote që letërsinë e ka marrë shumë seriozisht dhe në këtë seriozitet, në këtë rrekje për të thënë fjalën e vet, ai ka portretizuar shumë natyrën e një krijuesi serioz.

   Teksa lexon pjesë nga krijimtaria e larmishme e tij, mëson shpejt se Fatmir Gjestila është i lidhur fort me vendlindjen nga e cila (të krijohet përshtypja) se nuk shkëputet për asnjë çast, edhe pse larg saj. Është sa krijues edhe njohës e ndjekës i vendlindjes, i historisë së saj dhe letërsisë shqipe, dhe sidomos i asaj për fëmijë. Mbase kjo lidhje me vendlindjen është një nga cilësitë mjaft pozitive të autorit që na mundëson të themi më shumë se diçka për krijimtarinë e tij.

   Pjesën e letërsisë për fëmijë të autorit e njoh pjesërisht, por, me leximin e këndshëm të “E fshehta e Kështjellës së Zezë”, them se jam dëshmitar i një prej librave më të mirë të letërsisë për fëmijë, ndërsa jam në dijeni se një ndër librat më cilësorë të tij ka qenë prej vitesh në listën e miratuar nga bordi i letërsisë për fëmijë.  

  Fatmir Gjestila njihet si shkrimtar e poet për të rritur e fëmijë, megjithatë, nëse themi shkrimtar shumë i mirë për fëmijë, kemi lënë diçka mangët, por, edhe nëse  e cilësojmë autorin si shkrimtar e poet gjithnjë në rritje edhe për të rritur, përsëri kemi lënë diçka mangët. Fatmir Gjestila është edhe autori i dy monografive “Shahin Toçi – një jetë për flamur” dhe “Miku i të gjithëve”, të shkruara me një stil të veçantë dhe mjaft të arrirë. Të merresh me monografi është mjaft e vështirë, por Fatmiri ka qenë mjaft i suksesshëm edhe në këtë drejtim. Pra autori në fjalë është poet shumë i mirë për të rritur, një ndër fabulistët cilësorë, ndër të paktët që meritojnë të quhen të tillë në ditët e sotme, shkrimtar serioz dhe me mjaft arritje në letërsinë për fëmijë dhe një monograf mjaft i zoti.

      Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” mendoj se na përcjell edhe nota biografike, pse jo edhe autobiografike të autorit përmes sendërtimit metaforik. Fëmijët s’duan të dinë thjesht marrëzitë e sistemit që lamë pas, ato duan të marrin informacionin estetikisht, metaforikisht, artistikisht dhe pa i lodhur. Kjo është realizuar mjaft mirë në romanin e ri të autorit.

     Ky libër rreket të na thotë mjaft artistikisht edhe se letërsia nuk është ajo çka dashur të thotë autori, apo çka ne duam të thotë ai përmes rreshtave në libër; letërsia është rrëfim, është figurë, është marrëdhënie, është risendërtim i botës autoriale.

    Ardhja e romanit “E fshehta e Kështjellës së Zezë” aq sa është moment kulmor për autorin është moment kulmor edhe për letërsinë e sotme për fëmijë, në këto ditë ku dëgjojmë zëra kukuvajkash e të paditurish, njerëz të çuditshëm që s’kanë lidhje me letërsinë e që thonë se në këto vite s’ka letërsi për fëmijë. Duke rithënë se romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” shënon një pikë kulmore në krijimtarinë e autorit, themi edhe se ky moment duhet të shënojë një ndjenjë më të lartë përgjegjësie ndaj krijimtarisë së tij të ardhshme. 

      


Viktor CANOSINAJ
        shkrimtar

 Një arritje cilësore në letërsinë për fëmijë 


Është kënaqësi dhe emocion të marrësh pjesë në promovimin e një libri të shkruar prej një miku të vjetër, një shoku të jetës shkollore, por emocionin e jep në radhë të parë vlera e librit. Duke qenë redaktor i romanit “E fshehta e Kështjellës së Zezë” dhe lexuesi i parë i tij që në dorëshkrim, më ka tërhequr shumë fakti që vepra plotëson kriteret që duhet të ketë një roman për fëmijë: aventurën, aksionin, të papriturën, zbulimin e një të fshehte etj. Duke plotësuar këto e kritere të tjera të një vepre për fëmijë, romani zbulon edhe një periudhë të panjohur për fëmijët e sotëm, periudhën e diktaturës komuniste gjatë së cilës njerëzit dënoheshin jo më për një libër, por edhe për disa vjersha të cilat nuk i pëlqenin kësaj diktature.Është një fragment i atij realiteti që në romanin “E fshehta e Kështjellës së Zezë” sillet me mjaft qartësi, por që para fëmijëve të sotëm është krejt i panjohur. Kam patur rastin të provoj me librat e mi shprehjen e habisë  jo vetëm nga lexuesit fëmijë, por edhe nga më të rritur, a thua se ngjarjet të kenë ndodhur në një vend tjetër e jo në Shqipëri. Habia shkon deri atje sa fëmijët e të rinjtë çuditen se si mund të shkonte njeriu në burg për një palë xhinse, për një tekst kënge a për një vjershë. Nuk është faji i fëmijëve, është një problem më i gjerë shprehja e kësaj habie, por autori ia ka dalë mbanë që në roman ta japë qartë këtë periudhë, kuptohet në lidhje me moshën fëminore, duke e vendosur gjithçka prapa një të fshehte para 
katër fëmijëve kureshtarë.

    Duke mbyllur fjalën time ruaj mendimin që “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është një vepër cilësore e letërsisë për fëmijë dhe do t’i sugjeroja autorit ta paraqesë pamëdyshje në konkurse të ndryshme. Nëse do të ish pjesë e një jurie të një konkursi të tillë të letërsisë për fëmijë, s’do të nguroja aspak t’i jepja vlerësimet maksimale këtij romani. 

    Duke qenë një njohës i mirë i botës fëminore, në romanin “E fshehta e Kështjellës së Zezë” autori ka sjellë një punim disi ndryshe në letërsinë tonë për fëmijë.Kam patur rastin të lexoj disa nga librat e autorit dhe shumë më ka tërhequr edhe romani “Aventurat në pyllin me pisha”, që kaloi, për fat të keq, disi pa u vënë re e pa u vlerësuar, por “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është një nga veprat më të arrira të Fatmir Gjestilës. Mendoj se është më e realizuara në gjithë krijimtarinë e tij të deritanishme për fëmijë.

     Kjo vepër vjen edhe në një periudhë disi me mungesa të autorëve të moshës së re që nuk po afrohen drejt kësaj letërsie. Unë gjykoj se kjo gjendje është një nga problemet më serioze të letërsisë së sotme për fëmijë e të rinj, por Fatmir Gjestila sot plotëson me meritë një boshllëk të ndjeshëm, sidomos në zhanrin e prozës së gjatë, që është një nga zhanret më të rëndësishme të kësaj letërsie.



Një nga ato romane që të mbajnë të mbërthyer gjatë leximit.


Luan Sinamati
shkrimtar

    Që në faqet e para, kupton se duke u shtrirë në brendësi të romanit “E fshehta e Kështjellës së Zesë” të Gjestilës do të gjesh aventurën. Duhet thënë se është një aventurë e karakterit shqiptar, e një epoke të dhimbshme, një kohe të vështirë si për të rriturit dhe për fëmijët. Edhe pse një roman tipik për fëmijë, aty hyjnë me forcën e karaktereve edhe personazhe të rritur të cilët mbajnë mbi supe një realitet të dhimbshëm por që përcillet te fëmijët dhe bota e tyre me delikatesën e dashurisë së prindit e pa u prishur ëndrrat e tyre foshnjore.

    Romani për fëmijë, nga vetë natyra është i vështirë për tu realizuar. Por kjo me sa duket nuk është e thënë të jetë ashtu për të gjithë autorët që shkruajnë për fëmijë. Këtë e ka provuar Gjestila me rrjedhshmërinë me të cilën ndërton botën fëminore tek KËSHTJELLA E ZEZË.

    Fakt është se, për të qenë tërheqës dhe i lexuar nga fëmijët duhet të futesh në botën e tyre me mjete të cilat të rriturit i disponojnë por që jo të gjithë dinë t’i përdorin. Në ëndrrat, dëshirat, tekat, dështimet apo simpatitë e një moshe e cila po prek për herë të parë shumicën e gjërave nga të cilat rrethohet, në një vepër letrare duhet të dish se si të arrish që me mjete si fjala e shkruar t’i bësh lexuesit e vogjël ta ndjejnë apo ëndërrojnë atë përceptim ditor që sapo kanë kaluar. Kështu që, pasojë e një të shkruari mirë janë edhe reagimet e moshës së lexuesit të vogël, impulset e tyre apo qëndrimet e drejtpërdrejta, të sinqerta, komike apo edhe frikëse sa edhe të guximshme, kurioze, të befta, apo aventurore.

    Siç e thamë edhe në fillim, aventura është rruga nga ku autori gjen terren për të shprehur idetë e tij. Per të treguar dhimbjen apo varfërinë e kohës, ai e ka të lehtë të mbështetet në realitetin e saj. Një top lecke për të luajtur, një personazh plake, e leckosur, e rrjedhur dhe e braktisur, një burrë i paemër, i paformëzuar me qëllim, por edhe mjaft i dashur. Një fshat banorët e të cilit në pamundësi për të jetuar jetën e fshatit ashtui siç edhe Natyra Nënë ka paracaktuar e të cilët ëndërrojnë për ta braktisur në rastin më të parë duke shkuar drejt qytetit dhe, nga ana tjetër e gjithë natyra e bukur e terrenit shqiptar që vështron njellmët njerëzit fatkeqë në mesin e të cileve ka me tepri vagabondë të veshur me pushtet e që u nxijnë jetën prindërve dhe fëmijëve bashkë.

    Gjestila, duke qëndruar besnik natyrës së personazheve fëmijë i kalon këto anë të errëta të realitetit komunist ashtu siç edhe bota fëmijërore i shikon pa i ndarë se çfarë sistemi politik është. Në një lojë me top futet edhe e çmendura, në një gjueti peshku merr pjesë edhe njeriu i mistershëm i quajtur përbindësh, në një udhëtim rruge fshati dikush rrihet barbarisht duke i kërkuar ditarin e shënimeve, e më tej dikush hesht, mbyll sytë apo porosit më të vegjlit që të mos shkojnë në akësh vend apo të mos flasin për ix person me të tjerët. Dhe siç duhet të ndodhë normalisht, ndodh e kundërta e asaj çfarë porositet duke i bërë kështu personazhet fëmijë aktiv, kuriozë dhe ndjekës të parandjenjës se në këtë mishmash trazirash sociale apo këndvështrimesh, marrin pjesë madje kontribuojnë për një botë më të mirë.

     Romani fillon me dialogje dhe biseda të përditshme fëmijësh aq sa mendon se romani i Gjestiles me sa duket nuk do sjellë ndonjë gjë të re. Madje, në faqet e para, edhe pse të shkruara me një gjuhë të pasur, ende nuk arrin të formësosh mendim të qartë se ku synohet të arrihet. Kjo kapërcehet çuditërisht pa u kuptuar dhe nga një lexim pritës kupton se ke hyrë në një rrjedhë ngjarjesh të cilave nuk mund t’ua dish fundin, për më tepër nis e lexon me kënaqësi e kureshtje. Dhe, kur të duket se ke arritur shpejt në fund të romanit, edhe personazhi i vogël nuk është më i tillë pasi gjatë gjithë tregimit të autorit ka qenë subjekt dhe objekt i shtjellimit e kështu bashkë me rritjen e dramës janë rritur edhe personazhet që mbartin dramën.

    Romani është parë e aresyeshme që të shkruhet në vetën e parë. Kuptohet, nuk ka një recetë se në ç’vetë duhet të shkruhet ai, por duke u treguar në vetën e tretë mendoj se, tek—tuk, do të ishte eleminuar njëfarë pranie subjektive në faqet e romanit. Gjatë leximit të romanit, ndjehet se i është lënë hapësirë imagjinatës së lexuesit, megjithatë, mbase ka patur mundësi të copëtohet e të fragmentohet ngjarja, që kjo hapësirë të ishte edhe më e gjerë.

        Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është tërheqës, një roman i mirëfilltë për fëmijë, një nga ato romane që të mbajnë të mbërthyer gjatë leximit. Me këtë libër autori ka pasuruar fondin e tij të botimeve, u ka dhënë lexuesve të vegjël një dritare më shumë për të parë dy botë, njëherësh u bashkohet denjësisht autorëve të tjerë shqiptarë me veçoritë dhe stilin e tij.

I urojmë Gjestilës botime të tjera të mëtejshme.

 

 

3/20/2023

"ZEMËRIMI I ARIUT"

 

Nga prof. Astrit Bishqemi


Një temë interesante e trajtuar me njohje të thellë të lëndës, me mjeshtëri e talent

- Shënime për romanin “Zemërimi i ariut” të Fatmir Gjestilës -


E themi qysh në fillim që romani me titullin intrigues “Zemërimi i ariut” është një vepër e suksesshme; një arritje për autorin e saj dhe, në plan më të gjerë, në letërsinë tonë të sotme për fëmijë.
Fabula e saj është e thjeshtë: Njerës të panjerëzishëm, i kanë rrëmbyer dy voglushët e saj një arushe. E zemëruar nga kjo grabitje, egërsira mban peng një njeri të rastit, vajzën Bora, të cilën e ka zënë nata duke udhëtuar për në fshat te xhaxhai i saj. Libri trajton përpjekjet për ta shpëtuar nga kjo robëri.
Po përse e vlerësojmë të sukseshme këtë vepër?
Një pjesë të suksesit ky roman e ka të siguruar qysh në fillim, me temën që merr të trajtojë. Dihet që bota shtazore dhe ajo bimore (ndryshe: fauna e flora) paraqesin për moshat e reja sfera tërë kërshëri e interesim. Nevoja e komunikimit të njeriut me natyrën edhe sot vjen duke u shtuar dita-ditës. Fëmijët duan ta shikojnë me sytë e tyre një kafshë, ta prekin, ta përkëdhelin, ta ledhatojnë e ta bëjnë “shok” një qëngj, por edhe një mackë, një bub, një dele, një kaproll, një qen, një ari. Pra, bota e kafshëve është një “lëndë e pasur” mjaft cilësore, e dorës së parë për shkrimtarët e letërsisë për fëmijë. Dhe autori Gjestila e njeh këtë veçori të psikologjisë fëminore dhe e shfrytëzon duke i vënë kafshët dhe egërsirat e pyllit në dy raporte: si kafshë me kafshë (ariun me ariun, ariun me ujqërit, me riqebullin, me qenin), po edhe kafshë - njeri (arushën dhe arushin e saj me fëmijën Bora).
Shkrimtar e quaj veten edhe unë, madje shkrimtar për fëmijë e të rinj. Mund ta kisha trajtuar këtë temë me fabulën e këtij romani, megjithatë jam i sigurtë që nuk do ta kisha arritur nivelin e Fatmit Gjestilës. Përse? Për faktin e thjeshtë sepse nuk e zotëroj siç duhet “lëndën e parë” të këtij krijimi artistik. Ndaj shkrimtari lipset ta ngjyejë penën e tij në mjedise që i njeh mirë, që i zotëron me kompetencë. Një shembull i mirë për ta ilustruar këtë tezë është romani që shqyrtojmë. Pra, vepra “Zemërimi i ariut” është e pasur me informacion nga jeta e shtazëve dhe e shpendëve të pyllit, informacion që jepet dora-dorës në mënyrë të pakuptuar e të këndshme artistike.
Lexuesi njihet me shumë kafshë e shpezë të pyllit: ariun, ujkun, riqebullin, drerin, lepurin; thëllëzën, grifshën etj. Për ndonjërën prej tyre ka edhe ndonjë pasazh poetik. Ja:
"Një rreze ra mbi grifshën dhe, atë çast, një lulnajë xixëllimash shndriti pendët e saj, që nisën të vetëtinin me grimca flakërimash. Borës po i dukej se zogu, nga çasti në çast, do të merrte flakë". (f. 35) 
Madje, vajza nuk mendon vetëm për shpëtimin e vet, por edhe të arushëve të grabitur. Çlirohet nga prangosja, por nuk ia mbath vrapit. Nuk largohet pa shpëtuar edhe dy arushët e robëruar. Pra, kemi një heroinë nga e cila mund të mësojmë shumë si lexues.
Autori realizon disa ide në këtë vepër.
Së pari, nga sa thamë, kultivon dashurinë ndaj natyrës sonë të bukur në përgjithësi, ndaj relievit dinamik, ndaj florës e faunës së saj.
Por Gjestila, pa e përmendur fare, realizon edhe ide të tjera në romanin e tij. Për shembëll, ai zgjon asociacione të reja kur na rrëfen për arushën. Megjithëse ajo ka zënë rob një fëmijë (Borën) dhe e bën atë të përjetojë gjithë ato peripeci të mundimshme. Por këtë e bën për të gjetur e shpëtuar të voglin e saj. Kjo dashuri sikur ia zbeh egërsinë egërsirës dhe patjetër që lexuesi fëmijë e adoleshent do ta respektojë e do ta dashurojë në njëfarë mënyre atë, do ta bëjë, siç thuhet, “shok të imagjinuar” arushën e romanit. Ja pra, në mënyrë të tërthortë autori i ngre himn dashurisë prindërore nënë-fëmijë. Dhe kur në botën shtazore kjo dashuri na qenkërka kaq e madhe (arusha vetmohohet, përleshet për jetë a vdekje me egërsira të tjera për të mbrojtur pjellën e saj), atëherë na lind vetiu pyetja: ç’mund të themi për atë ndjenjë në botën e arsyeshme njerëzore?
Autori ka përvojë në shkrimtari. Ka shkruar për të rritur e për fëmijë. Për këta lexuesit e fundit nuk është krijimi i parë në prozën e gjatë. Mjafton të ndërmendim dy romanet e tjera të tij: “Aventura në pyllin me pisha” dhe “E fshehta e kështjellës së zezë”. Dhe kjo përvojë i shërben atij për ta mbajtur në tension lexuesin rreth ngjarjes, për ta ndjekur hap pas hapi, faqe pas faqeje fatin e vajzës së zënë peng nga arusha. 
Në roman del mirë ndihma që i japin vajzës të afërmit, bashkëfshatarët e tyre, si dhe punonjësit e Policisë në rast nevoje e rreziku (Sokol Blaza e Dren Balca i bashkohen grupit kërkimor për mbesën e Dardanit). Veç meritë e autorit është jo vetëm shpërfaqja e këtij solidariteti të njerëzve tanë për shpëtimin e Borës. Heroinën e romanit autori na e jep vajzë aktive. Kemi madje edhe një ide tjetër që buron nga kjo figurë. Ja, Bora ka çaste dobësie: edhe frikësohet nga nata që e zë të vetme në pyll, edhe loton, e kap vaji për një çast nga gjendja ku ka rënë, madje, siç shprehet autori, ajo edhe “laget përfund”, kur përballet me egërsirën (gjë që është e natyrshme për një fëmijë), por ajo është trime, e zgjuar dhe e guximshme. I kupton mirë veprimet e kafshës, qëllimet e egërsirës, dhe nuk e pret shpëtimin vetëm nga të tjerët. Në radhë të parë lufton vetë për të shpëtuar nga egërsira apo edhe nga keqbërësit, gjuetarët e paligjshëm të arinjve… E pra: trim nuk është vetëm ai që nuk ka frikë, por ai që ngrihet mbi të, ai apo ajo që e mposht frikën.
Mjeshtërinë e autorit kemi mundësi ta vemë re në përshkrimet e mjediseve ku e vendos aksionin. Po ka edhe anë të tjera. Ja, portretin fizik të heroinës së tij, Borës, ai nuk e bën vetë, por na e jep në një mënyrë më interesante, indirekt, duke ia lënë penelat shoferit të autobusit:
"Shoferi e mati me sy për një hop, pastaj buzëqeshi. Para tij ishte një vajzë rreth të njëmbëdhjetave, e veshur me një kostum sportiv të lehtë e me ngjyrë të kaltër dhe me një palë atlete. Flokët kuqalashë e të shndritshëm, të rrumbulluara me kujdes, vetëm sa i ciknin mbi supe, ndërsa përpara, të ndara përmes, ato i binin gjer mbi vetulla. Sytë e saj gështenjë e disi të përndezur, zhbirues e plot gjallëri, e shikonin shoferin me çiltërsi. Atë çast, buzëqeshja e saj kishte sajuar poshtë mollëzave të faqeve, pakëz të kërcyera e pakëz të përskuqura, dy quka të hijshme. Diku e kishte parë atë vajzë…" (f. 9)
Një tjetër gjetje është edhe ai me dialogun. Ky roman, siç kuptohet më së shumti ka një fabul ku vajza Bora endet nëpër pyll bashkë me arushën. Në këto kushte mungon dialogu, i cili është një komponent i rëndësishëm në letërsinë për fëmijë. Por autori ia del mbanë duke përdorur madje dy forma të tilla: dialogun Bora-vetvetja, zëri i brendshëm, hija [Unë, si redaktor i librit, i pata sugjeruar autorit që këto pasazhe edhe mund t’i dallonte grafikisht duke përdorur shkrimin kursiv]. Gjithashtu shkrimtari, duke ndenjur gjithmonë në zhanrin realist, e vë heroinën e tij t’i bëjë arushës vërejtje të shumta me zë (ndonëse nuk merr përgjigje nga egërsira). Madje këto batuta janë edhe me humor, që e zbusin ca atmosferën e rëndë që zotëron. P. sh:
- Ç’ke që më vështron ashtu, ë? Apo s’ma ke atë kokë… Sa një top basketbolli! E po… Me kë flas edhe unë! Ti s’mbushke fare! (f. 64)
Për ta zhdërvjelltësuar rrëfimin e tij, herë pas here autori e thyen monotoninë duke futur copëza retrospektive që vajza ndërmend. Këto pasazhe të jetës së lumtur të dikurshme, me kontrastin e tyre, na e theksojnë edhe më tepër disnivelin, humnerën e fatkeqësisë ku ka rënë vajza robinë e arushës. Veç këto copëza janë jo dosido, por të studiuara, detaje që do të na duhen më vonë  për ta bërë sa më interesant subjektin. Një studiues i dramës thotë se në skenë duhet të ekzpozohen objekte të qëmtuara me kujdes. Nëse varim p.sh. në mur një armë, ajo duhet patjetër të kërcasë në aktin e fundit. Edhe Gjestila, në një nga këto copëzat retrospektive që përmendëm, na jep psh. sesi Bora  Rrugën e Ariut e ka përshkuar dikur me makinën e të atit, për të mësuar timonin. Kjo “armë” - fakti që vajza mund ta ngasë makinën- do të “kërcasë” në fund të romanit, në befasinë e tij.
Kaluam kësisoj edhe në një anë tjetër të artit për fëmijë, te befasia artistike. E theksojmë kjo është një kërkesë kryesore e mjeshtërisë së shkrimtarit për moshat e reja. Dhe Gjestila e përdor me shumë sukses. Ja, si mbaron kreu i parafundit në f. 163:
"…makina zhurmonte lehtë rreth njëzet hapa mbi rrugën automobilistike. Tani në makinë ishin vetëm arushët e lidhur me zixhirë në kafaz dhe gjahtarët ende nuk kishin dalë jashtë. Ç’të bënte?"
Se ç’bëri vajza e kuptojnë në kreun pasues, 36 faqe më tej. Aty përshkruhet ndjekja e bllokimi që i bën policia kësaj makine nën shënjestrën e armëve. Dhe kur ne presim të arrestohet shoferi keqbërës, nga makina del… Bora. Me zgjuarsinë e guximin e saj, ajo (që di ta ngasë makinën- detaj që autori na e ka bërën të njohur qysh më parë) na e paska shfrytëzuar rastin duke vënë veten në rrezik, ka kërcyer me shkathtësi në sediljen e shoferit, na e paskësh rrëmbyer makinën vetëm e vetëm për të shpëtuar dy arushët…
E mbyllim këtë vështrim duke shënuar se autori ka gjuhë të rrjedhshme, madje përdor edhe fjalë të reja ose pak të njohura. Ja, ne i njohim fjalët tërma e tërmale, por jo fjalët përmale, përmalen që përdor Gjestila; këto nuk do ta gjeni as në fjalorin e gjuhës shqipe të 1954-s e as në atë të Akademisë të 1980-s. Atje do të gjeni vërtet emrin jerm, por jo ndajfoljen jermthi (brofi jermthi, f. 42). Mos u mundoni më kot të gjeni në ato fjalorë edhe ndajfoljen tjetër kapatruc (Bora ishte mbledhur kapatruc, f. 153), foljen çaraveshem (Ishte e kotë të çaraveshej më tej me kundërshtarin, f. 77) etj. etj.
A nuk flasin gjithë sa thamë për një talent të fuqishëm të letrave për fëmijë e të rinj?