3/26/2023

Kanë shkruar për romanin e fshehta e kështjellës së Zezë

 






FSHEHTA 
KËSHTJELLËS 
SË ZEZË






Pandeli KOÇI

Shkrimtar

Tema të reja me një tingëllimë të re

     

   Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është një prurje cilësore në letërsinë për fëmijë në këto vite, një roman që trajton në një mënyrë të veçantë temën e lirisë në regjimin diktatorial.

    Në qendër të romanit janë pesë fëmijë dhe një njeri i panjohur për fëmijët, të cilët në hapësirën kohore prej disa muajsh bëhen personazhe mjaft të këndshëm e të dashur për lexuesit e vegjël.

    Duke kërkuar ditë pas dite të gjejnë të fshehtat e Kështjellës së Zezë (një kullë e braktisur në anë të fshatit), ata hyjnë në një rrjedhë ngjarjesh që pasojnë njëra-tjerën me plot befasi e kureshtje. Mari, që del më në dukje mes fëmijëve, një djalë i zgjuar, i guximshëm dhe i dashur, bashkë me Ridin, Gencin, Albin dhe Algin arrijnë të zbulojnë të fshehtat e Kështjellës së Zezë dhe të fshehta të tjera.

    Por e fshehta e fundit që zbulon në faqet e fundit të romanit, e drithëron Marin aq sa ai kalon në një gjendje të rëndë shpirtërore. Përcjellja e kësaj gjendje është bërë me mjaft mjeshtri nga Gjestila, përmes një gjetje të re, bisedës me vetveten, që e dyzon personazhin kryesor, duke na e paraqitur si Mari1 dhe Mari2.

    Një tjetër gjetje e re është përmbyllja e romanit përmes leximit të ditarit të njeriut misterioz. Leximi i ditarit sqaron mjaft ndodhi duke rimarrë kështu pothuajse të gjithë ngjarjen nga fillimi. Mjaft pikëpyetje në mendjen e lexuesve nisin e marrin përgigje të këndshme duke bërë që të rikthehesh në jo pak raste në ngjarjet e kaluara.

    Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” vjen pas romanit “Aventurat në pyllin me pisha”, edhe ky një roman mjaft interesant që trajton, si edhe Kështjella e Zezë, temën e lirisë. Këta dy romane kanë arritur që me gjuhën dhe mjetet shprehëse të moshës fëminore, të trajtojnë një temë mjaft të vështirë dhe disi të rrallë në letërsinë tonë për fëmijë.         

 

Behar GJOKA

   studiues

Një roman që spikat në letërsinë e sotme për fëmijë


  Marrëdhënia me librin është e vështirë, por romani për fëmijë “E fshehta e Kështjellës së Zezë” e lehtëson mjaft këtë mërrëdhënie. Sipas mendimit tim libri s’ka moshë, ashtu si edhe ky roman që u drejtohet të gjithëve, fëmijëve dhe të rriturve.

  Në tërësinë e krijimtarisë së shkrimtarit dhe poetit Fatmir Gjestila ka pjesë që e njoh gjer në detaje, ashtu siç ka pjesë që e njoh fare pak, ose nuk e njoh. Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është njëri prej librave të autorit që e kam lexuar para se të botohet. Ai padyshim përcjellë kënaqësi artistike përmes fabulës së thjeshtë dhe rrëfimit të arrirë artistikisht.

    Fatmir Gjestila është autor i mjaft librave për fëmijë e të rritur. Por numri i librave nuk do të thotë gjithçka. Ardhja e këtij romani, cilësia e tij si edhe e disa librave të tjerë, tregon se krijimtaria e Fatmir Gjestilës ka hyrë në një rrjedhë serioze. Vetë Fatmiri ka mote që letërsinë e ka marrë shumë seriozisht dhe në këtë seriozitet, në këtë rrekje për të thënë fjalën e vet, ai ka portretizuar shumë natyrën e një krijuesi serioz.

   Teksa lexon pjesë nga krijimtaria e larmishme e tij, mëson shpejt se Fatmir Gjestila është i lidhur fort me vendlindjen nga e cila (të krijohet përshtypja) se nuk shkëputet për asnjë çast, edhe pse larg saj. Është sa krijues edhe njohës e ndjekës i vendlindjes, i historisë së saj dhe letërsisë shqipe, dhe sidomos i asaj për fëmijë. Mbase kjo lidhje me vendlindjen është një nga cilësitë mjaft pozitive të autorit që na mundëson të themi më shumë se diçka për krijimtarinë e tij.

   Pjesën e letërsisë për fëmijë të autorit e njoh pjesërisht, por, me leximin e këndshëm të “E fshehta e Kështjellës së Zezë”, them se jam dëshmitar i një prej librave më të mirë të letërsisë për fëmijë, ndërsa jam në dijeni se një ndër librat më cilësorë të tij ka qenë prej vitesh në listën e miratuar nga bordi i letërsisë për fëmijë.  

  Fatmir Gjestila njihet si shkrimtar e poet për të rritur e fëmijë, megjithatë, nëse themi shkrimtar shumë i mirë për fëmijë, kemi lënë diçka mangët, por, edhe nëse  e cilësojmë autorin si shkrimtar e poet gjithnjë në rritje edhe për të rritur, përsëri kemi lënë diçka mangët. Fatmir Gjestila është edhe autori i dy monografive “Shahin Toçi – një jetë për flamur” dhe “Miku i të gjithëve”, të shkruara me një stil të veçantë dhe mjaft të arrirë. Të merresh me monografi është mjaft e vështirë, por Fatmiri ka qenë mjaft i suksesshëm edhe në këtë drejtim. Pra autori në fjalë është poet shumë i mirë për të rritur, një ndër fabulistët cilësorë, ndër të paktët që meritojnë të quhen të tillë në ditët e sotme, shkrimtar serioz dhe me mjaft arritje në letërsinë për fëmijë dhe një monograf mjaft i zoti.

      Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” mendoj se na përcjell edhe nota biografike, pse jo edhe autobiografike të autorit përmes sendërtimit metaforik. Fëmijët s’duan të dinë thjesht marrëzitë e sistemit që lamë pas, ato duan të marrin informacionin estetikisht, metaforikisht, artistikisht dhe pa i lodhur. Kjo është realizuar mjaft mirë në romanin e ri të autorit.

     Ky libër rreket të na thotë mjaft artistikisht edhe se letërsia nuk është ajo çka dashur të thotë autori, apo çka ne duam të thotë ai përmes rreshtave në libër; letërsia është rrëfim, është figurë, është marrëdhënie, është risendërtim i botës autoriale.

    Ardhja e romanit “E fshehta e Kështjellës së Zezë” aq sa është moment kulmor për autorin është moment kulmor edhe për letërsinë e sotme për fëmijë, në këto ditë ku dëgjojmë zëra kukuvajkash e të paditurish, njerëz të çuditshëm që s’kanë lidhje me letërsinë e që thonë se në këto vite s’ka letërsi për fëmijë. Duke rithënë se romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” shënon një pikë kulmore në krijimtarinë e autorit, themi edhe se ky moment duhet të shënojë një ndjenjë më të lartë përgjegjësie ndaj krijimtarisë së tij të ardhshme. 

      


Viktor CANOSINAJ
        shkrimtar

 Një arritje cilësore në letërsinë për fëmijë 


Është kënaqësi dhe emocion të marrësh pjesë në promovimin e një libri të shkruar prej një miku të vjetër, një shoku të jetës shkollore, por emocionin e jep në radhë të parë vlera e librit. Duke qenë redaktor i romanit “E fshehta e Kështjellës së Zezë” dhe lexuesi i parë i tij që në dorëshkrim, më ka tërhequr shumë fakti që vepra plotëson kriteret që duhet të ketë një roman për fëmijë: aventurën, aksionin, të papriturën, zbulimin e një të fshehte etj. Duke plotësuar këto e kritere të tjera të një vepre për fëmijë, romani zbulon edhe një periudhë të panjohur për fëmijët e sotëm, periudhën e diktaturës komuniste gjatë së cilës njerëzit dënoheshin jo më për një libër, por edhe për disa vjersha të cilat nuk i pëlqenin kësaj diktature.Është një fragment i atij realiteti që në romanin “E fshehta e Kështjellës së Zezë” sillet me mjaft qartësi, por që para fëmijëve të sotëm është krejt i panjohur. Kam patur rastin të provoj me librat e mi shprehjen e habisë  jo vetëm nga lexuesit fëmijë, por edhe nga më të rritur, a thua se ngjarjet të kenë ndodhur në një vend tjetër e jo në Shqipëri. Habia shkon deri atje sa fëmijët e të rinjtë çuditen se si mund të shkonte njeriu në burg për një palë xhinse, për një tekst kënge a për një vjershë. Nuk është faji i fëmijëve, është një problem më i gjerë shprehja e kësaj habie, por autori ia ka dalë mbanë që në roman ta japë qartë këtë periudhë, kuptohet në lidhje me moshën fëminore, duke e vendosur gjithçka prapa një të fshehte para 
katër fëmijëve kureshtarë.

    Duke mbyllur fjalën time ruaj mendimin që “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është një vepër cilësore e letërsisë për fëmijë dhe do t’i sugjeroja autorit ta paraqesë pamëdyshje në konkurse të ndryshme. Nëse do të ish pjesë e një jurie të një konkursi të tillë të letërsisë për fëmijë, s’do të nguroja aspak t’i jepja vlerësimet maksimale këtij romani. 

    Duke qenë një njohës i mirë i botës fëminore, në romanin “E fshehta e Kështjellës së Zezë” autori ka sjellë një punim disi ndryshe në letërsinë tonë për fëmijë.Kam patur rastin të lexoj disa nga librat e autorit dhe shumë më ka tërhequr edhe romani “Aventurat në pyllin me pisha”, që kaloi, për fat të keq, disi pa u vënë re e pa u vlerësuar, por “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është një nga veprat më të arrira të Fatmir Gjestilës. Mendoj se është më e realizuara në gjithë krijimtarinë e tij të deritanishme për fëmijë.

     Kjo vepër vjen edhe në një periudhë disi me mungesa të autorëve të moshës së re që nuk po afrohen drejt kësaj letërsie. Unë gjykoj se kjo gjendje është një nga problemet më serioze të letërsisë së sotme për fëmijë e të rinj, por Fatmir Gjestila sot plotëson me meritë një boshllëk të ndjeshëm, sidomos në zhanrin e prozës së gjatë, që është një nga zhanret më të rëndësishme të kësaj letërsie.



Një nga ato romane që të mbajnë të mbërthyer gjatë leximit.


Luan Sinamati
shkrimtar

    Që në faqet e para, kupton se duke u shtrirë në brendësi të romanit “E fshehta e Kështjellës së Zesë” të Gjestilës do të gjesh aventurën. Duhet thënë se është një aventurë e karakterit shqiptar, e një epoke të dhimbshme, një kohe të vështirë si për të rriturit dhe për fëmijët. Edhe pse një roman tipik për fëmijë, aty hyjnë me forcën e karaktereve edhe personazhe të rritur të cilët mbajnë mbi supe një realitet të dhimbshëm por që përcillet te fëmijët dhe bota e tyre me delikatesën e dashurisë së prindit e pa u prishur ëndrrat e tyre foshnjore.

    Romani për fëmijë, nga vetë natyra është i vështirë për tu realizuar. Por kjo me sa duket nuk është e thënë të jetë ashtu për të gjithë autorët që shkruajnë për fëmijë. Këtë e ka provuar Gjestila me rrjedhshmërinë me të cilën ndërton botën fëminore tek KËSHTJELLA E ZEZË.

    Fakt është se, për të qenë tërheqës dhe i lexuar nga fëmijët duhet të futesh në botën e tyre me mjete të cilat të rriturit i disponojnë por që jo të gjithë dinë t’i përdorin. Në ëndrrat, dëshirat, tekat, dështimet apo simpatitë e një moshe e cila po prek për herë të parë shumicën e gjërave nga të cilat rrethohet, në një vepër letrare duhet të dish se si të arrish që me mjete si fjala e shkruar t’i bësh lexuesit e vogjël ta ndjejnë apo ëndërrojnë atë përceptim ditor që sapo kanë kaluar. Kështu që, pasojë e një të shkruari mirë janë edhe reagimet e moshës së lexuesit të vogël, impulset e tyre apo qëndrimet e drejtpërdrejta, të sinqerta, komike apo edhe frikëse sa edhe të guximshme, kurioze, të befta, apo aventurore.

    Siç e thamë edhe në fillim, aventura është rruga nga ku autori gjen terren për të shprehur idetë e tij. Per të treguar dhimbjen apo varfërinë e kohës, ai e ka të lehtë të mbështetet në realitetin e saj. Një top lecke për të luajtur, një personazh plake, e leckosur, e rrjedhur dhe e braktisur, një burrë i paemër, i paformëzuar me qëllim, por edhe mjaft i dashur. Një fshat banorët e të cilit në pamundësi për të jetuar jetën e fshatit ashtui siç edhe Natyra Nënë ka paracaktuar e të cilët ëndërrojnë për ta braktisur në rastin më të parë duke shkuar drejt qytetit dhe, nga ana tjetër e gjithë natyra e bukur e terrenit shqiptar që vështron njellmët njerëzit fatkeqë në mesin e të cileve ka me tepri vagabondë të veshur me pushtet e që u nxijnë jetën prindërve dhe fëmijëve bashkë.

    Gjestila, duke qëndruar besnik natyrës së personazheve fëmijë i kalon këto anë të errëta të realitetit komunist ashtu siç edhe bota fëmijërore i shikon pa i ndarë se çfarë sistemi politik është. Në një lojë me top futet edhe e çmendura, në një gjueti peshku merr pjesë edhe njeriu i mistershëm i quajtur përbindësh, në një udhëtim rruge fshati dikush rrihet barbarisht duke i kërkuar ditarin e shënimeve, e më tej dikush hesht, mbyll sytë apo porosit më të vegjlit që të mos shkojnë në akësh vend apo të mos flasin për ix person me të tjerët. Dhe siç duhet të ndodhë normalisht, ndodh e kundërta e asaj çfarë porositet duke i bërë kështu personazhet fëmijë aktiv, kuriozë dhe ndjekës të parandjenjës se në këtë mishmash trazirash sociale apo këndvështrimesh, marrin pjesë madje kontribuojnë për një botë më të mirë.

     Romani fillon me dialogje dhe biseda të përditshme fëmijësh aq sa mendon se romani i Gjestiles me sa duket nuk do sjellë ndonjë gjë të re. Madje, në faqet e para, edhe pse të shkruara me një gjuhë të pasur, ende nuk arrin të formësosh mendim të qartë se ku synohet të arrihet. Kjo kapërcehet çuditërisht pa u kuptuar dhe nga një lexim pritës kupton se ke hyrë në një rrjedhë ngjarjesh të cilave nuk mund t’ua dish fundin, për më tepër nis e lexon me kënaqësi e kureshtje. Dhe, kur të duket se ke arritur shpejt në fund të romanit, edhe personazhi i vogël nuk është më i tillë pasi gjatë gjithë tregimit të autorit ka qenë subjekt dhe objekt i shtjellimit e kështu bashkë me rritjen e dramës janë rritur edhe personazhet që mbartin dramën.

    Romani është parë e aresyeshme që të shkruhet në vetën e parë. Kuptohet, nuk ka një recetë se në ç’vetë duhet të shkruhet ai, por duke u treguar në vetën e tretë mendoj se, tek—tuk, do të ishte eleminuar njëfarë pranie subjektive në faqet e romanit. Gjatë leximit të romanit, ndjehet se i është lënë hapësirë imagjinatës së lexuesit, megjithatë, mbase ka patur mundësi të copëtohet e të fragmentohet ngjarja, që kjo hapësirë të ishte edhe më e gjerë.

        Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është tërheqës, një roman i mirëfilltë për fëmijë, një nga ato romane që të mbajnë të mbërthyer gjatë leximit. Me këtë libër autori ka pasuruar fondin e tij të botimeve, u ka dhënë lexuesve të vegjël një dritare më shumë për të parë dy botë, njëherësh u bashkohet denjësisht autorëve të tjerë shqiptarë me veçoritë dhe stilin e tij.

I urojmë Gjestilës botime të tjera të mëtejshme.

 

 

No comments:

Post a Comment