3/26/2023

Kanë shkruar për romanin e fshehta e kështjellës së Zezë

 






FSHEHTA 
KËSHTJELLËS 
SË ZEZË






Pandeli KOÇI

Shkrimtar

Tema të reja me një tingëllimë të re

     

   Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është një prurje cilësore në letërsinë për fëmijë në këto vite, një roman që trajton në një mënyrë të veçantë temën e lirisë në regjimin diktatorial.

    Në qendër të romanit janë pesë fëmijë dhe një njeri i panjohur për fëmijët, të cilët në hapësirën kohore prej disa muajsh bëhen personazhe mjaft të këndshëm e të dashur për lexuesit e vegjël.

    Duke kërkuar ditë pas dite të gjejnë të fshehtat e Kështjellës së Zezë (një kullë e braktisur në anë të fshatit), ata hyjnë në një rrjedhë ngjarjesh që pasojnë njëra-tjerën me plot befasi e kureshtje. Mari, që del më në dukje mes fëmijëve, një djalë i zgjuar, i guximshëm dhe i dashur, bashkë me Ridin, Gencin, Albin dhe Algin arrijnë të zbulojnë të fshehtat e Kështjellës së Zezë dhe të fshehta të tjera.

    Por e fshehta e fundit që zbulon në faqet e fundit të romanit, e drithëron Marin aq sa ai kalon në një gjendje të rëndë shpirtërore. Përcjellja e kësaj gjendje është bërë me mjaft mjeshtri nga Gjestila, përmes një gjetje të re, bisedës me vetveten, që e dyzon personazhin kryesor, duke na e paraqitur si Mari1 dhe Mari2.

    Një tjetër gjetje e re është përmbyllja e romanit përmes leximit të ditarit të njeriut misterioz. Leximi i ditarit sqaron mjaft ndodhi duke rimarrë kështu pothuajse të gjithë ngjarjen nga fillimi. Mjaft pikëpyetje në mendjen e lexuesve nisin e marrin përgigje të këndshme duke bërë që të rikthehesh në jo pak raste në ngjarjet e kaluara.

    Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” vjen pas romanit “Aventurat në pyllin me pisha”, edhe ky një roman mjaft interesant që trajton, si edhe Kështjella e Zezë, temën e lirisë. Këta dy romane kanë arritur që me gjuhën dhe mjetet shprehëse të moshës fëminore, të trajtojnë një temë mjaft të vështirë dhe disi të rrallë në letërsinë tonë për fëmijë.         

 

Behar GJOKA

   studiues

Një roman që spikat në letërsinë e sotme për fëmijë


  Marrëdhënia me librin është e vështirë, por romani për fëmijë “E fshehta e Kështjellës së Zezë” e lehtëson mjaft këtë mërrëdhënie. Sipas mendimit tim libri s’ka moshë, ashtu si edhe ky roman që u drejtohet të gjithëve, fëmijëve dhe të rriturve.

  Në tërësinë e krijimtarisë së shkrimtarit dhe poetit Fatmir Gjestila ka pjesë që e njoh gjer në detaje, ashtu siç ka pjesë që e njoh fare pak, ose nuk e njoh. Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është njëri prej librave të autorit që e kam lexuar para se të botohet. Ai padyshim përcjellë kënaqësi artistike përmes fabulës së thjeshtë dhe rrëfimit të arrirë artistikisht.

    Fatmir Gjestila është autor i mjaft librave për fëmijë e të rritur. Por numri i librave nuk do të thotë gjithçka. Ardhja e këtij romani, cilësia e tij si edhe e disa librave të tjerë, tregon se krijimtaria e Fatmir Gjestilës ka hyrë në një rrjedhë serioze. Vetë Fatmiri ka mote që letërsinë e ka marrë shumë seriozisht dhe në këtë seriozitet, në këtë rrekje për të thënë fjalën e vet, ai ka portretizuar shumë natyrën e një krijuesi serioz.

   Teksa lexon pjesë nga krijimtaria e larmishme e tij, mëson shpejt se Fatmir Gjestila është i lidhur fort me vendlindjen nga e cila (të krijohet përshtypja) se nuk shkëputet për asnjë çast, edhe pse larg saj. Është sa krijues edhe njohës e ndjekës i vendlindjes, i historisë së saj dhe letërsisë shqipe, dhe sidomos i asaj për fëmijë. Mbase kjo lidhje me vendlindjen është një nga cilësitë mjaft pozitive të autorit që na mundëson të themi më shumë se diçka për krijimtarinë e tij.

   Pjesën e letërsisë për fëmijë të autorit e njoh pjesërisht, por, me leximin e këndshëm të “E fshehta e Kështjellës së Zezë”, them se jam dëshmitar i një prej librave më të mirë të letërsisë për fëmijë, ndërsa jam në dijeni se një ndër librat më cilësorë të tij ka qenë prej vitesh në listën e miratuar nga bordi i letërsisë për fëmijë.  

  Fatmir Gjestila njihet si shkrimtar e poet për të rritur e fëmijë, megjithatë, nëse themi shkrimtar shumë i mirë për fëmijë, kemi lënë diçka mangët, por, edhe nëse  e cilësojmë autorin si shkrimtar e poet gjithnjë në rritje edhe për të rritur, përsëri kemi lënë diçka mangët. Fatmir Gjestila është edhe autori i dy monografive “Shahin Toçi – një jetë për flamur” dhe “Miku i të gjithëve”, të shkruara me një stil të veçantë dhe mjaft të arrirë. Të merresh me monografi është mjaft e vështirë, por Fatmiri ka qenë mjaft i suksesshëm edhe në këtë drejtim. Pra autori në fjalë është poet shumë i mirë për të rritur, një ndër fabulistët cilësorë, ndër të paktët që meritojnë të quhen të tillë në ditët e sotme, shkrimtar serioz dhe me mjaft arritje në letërsinë për fëmijë dhe një monograf mjaft i zoti.

      Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” mendoj se na përcjell edhe nota biografike, pse jo edhe autobiografike të autorit përmes sendërtimit metaforik. Fëmijët s’duan të dinë thjesht marrëzitë e sistemit që lamë pas, ato duan të marrin informacionin estetikisht, metaforikisht, artistikisht dhe pa i lodhur. Kjo është realizuar mjaft mirë në romanin e ri të autorit.

     Ky libër rreket të na thotë mjaft artistikisht edhe se letërsia nuk është ajo çka dashur të thotë autori, apo çka ne duam të thotë ai përmes rreshtave në libër; letërsia është rrëfim, është figurë, është marrëdhënie, është risendërtim i botës autoriale.

    Ardhja e romanit “E fshehta e Kështjellës së Zezë” aq sa është moment kulmor për autorin është moment kulmor edhe për letërsinë e sotme për fëmijë, në këto ditë ku dëgjojmë zëra kukuvajkash e të paditurish, njerëz të çuditshëm që s’kanë lidhje me letërsinë e që thonë se në këto vite s’ka letërsi për fëmijë. Duke rithënë se romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” shënon një pikë kulmore në krijimtarinë e autorit, themi edhe se ky moment duhet të shënojë një ndjenjë më të lartë përgjegjësie ndaj krijimtarisë së tij të ardhshme. 

      


Viktor CANOSINAJ
        shkrimtar

 Një arritje cilësore në letërsinë për fëmijë 


Është kënaqësi dhe emocion të marrësh pjesë në promovimin e një libri të shkruar prej një miku të vjetër, një shoku të jetës shkollore, por emocionin e jep në radhë të parë vlera e librit. Duke qenë redaktor i romanit “E fshehta e Kështjellës së Zezë” dhe lexuesi i parë i tij që në dorëshkrim, më ka tërhequr shumë fakti që vepra plotëson kriteret që duhet të ketë një roman për fëmijë: aventurën, aksionin, të papriturën, zbulimin e një të fshehte etj. Duke plotësuar këto e kritere të tjera të një vepre për fëmijë, romani zbulon edhe një periudhë të panjohur për fëmijët e sotëm, periudhën e diktaturës komuniste gjatë së cilës njerëzit dënoheshin jo më për një libër, por edhe për disa vjersha të cilat nuk i pëlqenin kësaj diktature.Është një fragment i atij realiteti që në romanin “E fshehta e Kështjellës së Zezë” sillet me mjaft qartësi, por që para fëmijëve të sotëm është krejt i panjohur. Kam patur rastin të provoj me librat e mi shprehjen e habisë  jo vetëm nga lexuesit fëmijë, por edhe nga më të rritur, a thua se ngjarjet të kenë ndodhur në një vend tjetër e jo në Shqipëri. Habia shkon deri atje sa fëmijët e të rinjtë çuditen se si mund të shkonte njeriu në burg për një palë xhinse, për një tekst kënge a për një vjershë. Nuk është faji i fëmijëve, është një problem më i gjerë shprehja e kësaj habie, por autori ia ka dalë mbanë që në roman ta japë qartë këtë periudhë, kuptohet në lidhje me moshën fëminore, duke e vendosur gjithçka prapa një të fshehte para 
katër fëmijëve kureshtarë.

    Duke mbyllur fjalën time ruaj mendimin që “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është një vepër cilësore e letërsisë për fëmijë dhe do t’i sugjeroja autorit ta paraqesë pamëdyshje në konkurse të ndryshme. Nëse do të ish pjesë e një jurie të një konkursi të tillë të letërsisë për fëmijë, s’do të nguroja aspak t’i jepja vlerësimet maksimale këtij romani. 

    Duke qenë një njohës i mirë i botës fëminore, në romanin “E fshehta e Kështjellës së Zezë” autori ka sjellë një punim disi ndryshe në letërsinë tonë për fëmijë.Kam patur rastin të lexoj disa nga librat e autorit dhe shumë më ka tërhequr edhe romani “Aventurat në pyllin me pisha”, që kaloi, për fat të keq, disi pa u vënë re e pa u vlerësuar, por “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është një nga veprat më të arrira të Fatmir Gjestilës. Mendoj se është më e realizuara në gjithë krijimtarinë e tij të deritanishme për fëmijë.

     Kjo vepër vjen edhe në një periudhë disi me mungesa të autorëve të moshës së re që nuk po afrohen drejt kësaj letërsie. Unë gjykoj se kjo gjendje është një nga problemet më serioze të letërsisë së sotme për fëmijë e të rinj, por Fatmir Gjestila sot plotëson me meritë një boshllëk të ndjeshëm, sidomos në zhanrin e prozës së gjatë, që është një nga zhanret më të rëndësishme të kësaj letërsie.



Një nga ato romane që të mbajnë të mbërthyer gjatë leximit.


Luan Sinamati
shkrimtar

    Që në faqet e para, kupton se duke u shtrirë në brendësi të romanit “E fshehta e Kështjellës së Zesë” të Gjestilës do të gjesh aventurën. Duhet thënë se është një aventurë e karakterit shqiptar, e një epoke të dhimbshme, një kohe të vështirë si për të rriturit dhe për fëmijët. Edhe pse një roman tipik për fëmijë, aty hyjnë me forcën e karaktereve edhe personazhe të rritur të cilët mbajnë mbi supe një realitet të dhimbshëm por që përcillet te fëmijët dhe bota e tyre me delikatesën e dashurisë së prindit e pa u prishur ëndrrat e tyre foshnjore.

    Romani për fëmijë, nga vetë natyra është i vështirë për tu realizuar. Por kjo me sa duket nuk është e thënë të jetë ashtu për të gjithë autorët që shkruajnë për fëmijë. Këtë e ka provuar Gjestila me rrjedhshmërinë me të cilën ndërton botën fëminore tek KËSHTJELLA E ZEZË.

    Fakt është se, për të qenë tërheqës dhe i lexuar nga fëmijët duhet të futesh në botën e tyre me mjete të cilat të rriturit i disponojnë por që jo të gjithë dinë t’i përdorin. Në ëndrrat, dëshirat, tekat, dështimet apo simpatitë e një moshe e cila po prek për herë të parë shumicën e gjërave nga të cilat rrethohet, në një vepër letrare duhet të dish se si të arrish që me mjete si fjala e shkruar t’i bësh lexuesit e vogjël ta ndjejnë apo ëndërrojnë atë përceptim ditor që sapo kanë kaluar. Kështu që, pasojë e një të shkruari mirë janë edhe reagimet e moshës së lexuesit të vogël, impulset e tyre apo qëndrimet e drejtpërdrejta, të sinqerta, komike apo edhe frikëse sa edhe të guximshme, kurioze, të befta, apo aventurore.

    Siç e thamë edhe në fillim, aventura është rruga nga ku autori gjen terren për të shprehur idetë e tij. Per të treguar dhimbjen apo varfërinë e kohës, ai e ka të lehtë të mbështetet në realitetin e saj. Një top lecke për të luajtur, një personazh plake, e leckosur, e rrjedhur dhe e braktisur, një burrë i paemër, i paformëzuar me qëllim, por edhe mjaft i dashur. Një fshat banorët e të cilit në pamundësi për të jetuar jetën e fshatit ashtui siç edhe Natyra Nënë ka paracaktuar e të cilët ëndërrojnë për ta braktisur në rastin më të parë duke shkuar drejt qytetit dhe, nga ana tjetër e gjithë natyra e bukur e terrenit shqiptar që vështron njellmët njerëzit fatkeqë në mesin e të cileve ka me tepri vagabondë të veshur me pushtet e që u nxijnë jetën prindërve dhe fëmijëve bashkë.

    Gjestila, duke qëndruar besnik natyrës së personazheve fëmijë i kalon këto anë të errëta të realitetit komunist ashtu siç edhe bota fëmijërore i shikon pa i ndarë se çfarë sistemi politik është. Në një lojë me top futet edhe e çmendura, në një gjueti peshku merr pjesë edhe njeriu i mistershëm i quajtur përbindësh, në një udhëtim rruge fshati dikush rrihet barbarisht duke i kërkuar ditarin e shënimeve, e më tej dikush hesht, mbyll sytë apo porosit më të vegjlit që të mos shkojnë në akësh vend apo të mos flasin për ix person me të tjerët. Dhe siç duhet të ndodhë normalisht, ndodh e kundërta e asaj çfarë porositet duke i bërë kështu personazhet fëmijë aktiv, kuriozë dhe ndjekës të parandjenjës se në këtë mishmash trazirash sociale apo këndvështrimesh, marrin pjesë madje kontribuojnë për një botë më të mirë.

     Romani fillon me dialogje dhe biseda të përditshme fëmijësh aq sa mendon se romani i Gjestiles me sa duket nuk do sjellë ndonjë gjë të re. Madje, në faqet e para, edhe pse të shkruara me një gjuhë të pasur, ende nuk arrin të formësosh mendim të qartë se ku synohet të arrihet. Kjo kapërcehet çuditërisht pa u kuptuar dhe nga një lexim pritës kupton se ke hyrë në një rrjedhë ngjarjesh të cilave nuk mund t’ua dish fundin, për më tepër nis e lexon me kënaqësi e kureshtje. Dhe, kur të duket se ke arritur shpejt në fund të romanit, edhe personazhi i vogël nuk është më i tillë pasi gjatë gjithë tregimit të autorit ka qenë subjekt dhe objekt i shtjellimit e kështu bashkë me rritjen e dramës janë rritur edhe personazhet që mbartin dramën.

    Romani është parë e aresyeshme që të shkruhet në vetën e parë. Kuptohet, nuk ka një recetë se në ç’vetë duhet të shkruhet ai, por duke u treguar në vetën e tretë mendoj se, tek—tuk, do të ishte eleminuar njëfarë pranie subjektive në faqet e romanit. Gjatë leximit të romanit, ndjehet se i është lënë hapësirë imagjinatës së lexuesit, megjithatë, mbase ka patur mundësi të copëtohet e të fragmentohet ngjarja, që kjo hapësirë të ishte edhe më e gjerë.

        Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është tërheqës, një roman i mirëfilltë për fëmijë, një nga ato romane që të mbajnë të mbërthyer gjatë leximit. Me këtë libër autori ka pasuruar fondin e tij të botimeve, u ka dhënë lexuesve të vegjël një dritare më shumë për të parë dy botë, njëherësh u bashkohet denjësisht autorëve të tjerë shqiptarë me veçoritë dhe stilin e tij.

I urojmë Gjestilës botime të tjera të mëtejshme.

 

 

3/20/2023

"ZEMËRIMI I ARIUT"

 

Nga prof. Astrit Bishqemi


Një temë interesante e trajtuar me njohje të thellë të lëndës, me mjeshtëri e talent

- Shënime për romanin “Zemërimi i ariut” të Fatmir Gjestilës -


E themi qysh në fillim që romani me titullin intrigues “Zemërimi i ariut” është një vepër e suksesshme; një arritje për autorin e saj dhe, në plan më të gjerë, në letërsinë tonë të sotme për fëmijë.
Fabula e saj është e thjeshtë: Njerës të panjerëzishëm, i kanë rrëmbyer dy voglushët e saj një arushe. E zemëruar nga kjo grabitje, egërsira mban peng një njeri të rastit, vajzën Bora, të cilën e ka zënë nata duke udhëtuar për në fshat te xhaxhai i saj. Libri trajton përpjekjet për ta shpëtuar nga kjo robëri.
Po përse e vlerësojmë të sukseshme këtë vepër?
Një pjesë të suksesit ky roman e ka të siguruar qysh në fillim, me temën që merr të trajtojë. Dihet që bota shtazore dhe ajo bimore (ndryshe: fauna e flora) paraqesin për moshat e reja sfera tërë kërshëri e interesim. Nevoja e komunikimit të njeriut me natyrën edhe sot vjen duke u shtuar dita-ditës. Fëmijët duan ta shikojnë me sytë e tyre një kafshë, ta prekin, ta përkëdhelin, ta ledhatojnë e ta bëjnë “shok” një qëngj, por edhe një mackë, një bub, një dele, një kaproll, një qen, një ari. Pra, bota e kafshëve është një “lëndë e pasur” mjaft cilësore, e dorës së parë për shkrimtarët e letërsisë për fëmijë. Dhe autori Gjestila e njeh këtë veçori të psikologjisë fëminore dhe e shfrytëzon duke i vënë kafshët dhe egërsirat e pyllit në dy raporte: si kafshë me kafshë (ariun me ariun, ariun me ujqërit, me riqebullin, me qenin), po edhe kafshë - njeri (arushën dhe arushin e saj me fëmijën Bora).
Shkrimtar e quaj veten edhe unë, madje shkrimtar për fëmijë e të rinj. Mund ta kisha trajtuar këtë temë me fabulën e këtij romani, megjithatë jam i sigurtë që nuk do ta kisha arritur nivelin e Fatmit Gjestilës. Përse? Për faktin e thjeshtë sepse nuk e zotëroj siç duhet “lëndën e parë” të këtij krijimi artistik. Ndaj shkrimtari lipset ta ngjyejë penën e tij në mjedise që i njeh mirë, që i zotëron me kompetencë. Një shembull i mirë për ta ilustruar këtë tezë është romani që shqyrtojmë. Pra, vepra “Zemërimi i ariut” është e pasur me informacion nga jeta e shtazëve dhe e shpendëve të pyllit, informacion që jepet dora-dorës në mënyrë të pakuptuar e të këndshme artistike.
Lexuesi njihet me shumë kafshë e shpezë të pyllit: ariun, ujkun, riqebullin, drerin, lepurin; thëllëzën, grifshën etj. Për ndonjërën prej tyre ka edhe ndonjë pasazh poetik. Ja:
"Një rreze ra mbi grifshën dhe, atë çast, një lulnajë xixëllimash shndriti pendët e saj, që nisën të vetëtinin me grimca flakërimash. Borës po i dukej se zogu, nga çasti në çast, do të merrte flakë". (f. 35) 
Madje, vajza nuk mendon vetëm për shpëtimin e vet, por edhe të arushëve të grabitur. Çlirohet nga prangosja, por nuk ia mbath vrapit. Nuk largohet pa shpëtuar edhe dy arushët e robëruar. Pra, kemi një heroinë nga e cila mund të mësojmë shumë si lexues.
Autori realizon disa ide në këtë vepër.
Së pari, nga sa thamë, kultivon dashurinë ndaj natyrës sonë të bukur në përgjithësi, ndaj relievit dinamik, ndaj florës e faunës së saj.
Por Gjestila, pa e përmendur fare, realizon edhe ide të tjera në romanin e tij. Për shembëll, ai zgjon asociacione të reja kur na rrëfen për arushën. Megjithëse ajo ka zënë rob një fëmijë (Borën) dhe e bën atë të përjetojë gjithë ato peripeci të mundimshme. Por këtë e bën për të gjetur e shpëtuar të voglin e saj. Kjo dashuri sikur ia zbeh egërsinë egërsirës dhe patjetër që lexuesi fëmijë e adoleshent do ta respektojë e do ta dashurojë në njëfarë mënyre atë, do ta bëjë, siç thuhet, “shok të imagjinuar” arushën e romanit. Ja pra, në mënyrë të tërthortë autori i ngre himn dashurisë prindërore nënë-fëmijë. Dhe kur në botën shtazore kjo dashuri na qenkërka kaq e madhe (arusha vetmohohet, përleshet për jetë a vdekje me egërsira të tjera për të mbrojtur pjellën e saj), atëherë na lind vetiu pyetja: ç’mund të themi për atë ndjenjë në botën e arsyeshme njerëzore?
Autori ka përvojë në shkrimtari. Ka shkruar për të rritur e për fëmijë. Për këta lexuesit e fundit nuk është krijimi i parë në prozën e gjatë. Mjafton të ndërmendim dy romanet e tjera të tij: “Aventura në pyllin me pisha” dhe “E fshehta e kështjellës së zezë”. Dhe kjo përvojë i shërben atij për ta mbajtur në tension lexuesin rreth ngjarjes, për ta ndjekur hap pas hapi, faqe pas faqeje fatin e vajzës së zënë peng nga arusha. 
Në roman del mirë ndihma që i japin vajzës të afërmit, bashkëfshatarët e tyre, si dhe punonjësit e Policisë në rast nevoje e rreziku (Sokol Blaza e Dren Balca i bashkohen grupit kërkimor për mbesën e Dardanit). Veç meritë e autorit është jo vetëm shpërfaqja e këtij solidariteti të njerëzve tanë për shpëtimin e Borës. Heroinën e romanit autori na e jep vajzë aktive. Kemi madje edhe një ide tjetër që buron nga kjo figurë. Ja, Bora ka çaste dobësie: edhe frikësohet nga nata që e zë të vetme në pyll, edhe loton, e kap vaji për një çast nga gjendja ku ka rënë, madje, siç shprehet autori, ajo edhe “laget përfund”, kur përballet me egërsirën (gjë që është e natyrshme për një fëmijë), por ajo është trime, e zgjuar dhe e guximshme. I kupton mirë veprimet e kafshës, qëllimet e egërsirës, dhe nuk e pret shpëtimin vetëm nga të tjerët. Në radhë të parë lufton vetë për të shpëtuar nga egërsira apo edhe nga keqbërësit, gjuetarët e paligjshëm të arinjve… E pra: trim nuk është vetëm ai që nuk ka frikë, por ai që ngrihet mbi të, ai apo ajo që e mposht frikën.
Mjeshtërinë e autorit kemi mundësi ta vemë re në përshkrimet e mjediseve ku e vendos aksionin. Po ka edhe anë të tjera. Ja, portretin fizik të heroinës së tij, Borës, ai nuk e bën vetë, por na e jep në një mënyrë më interesante, indirekt, duke ia lënë penelat shoferit të autobusit:
"Shoferi e mati me sy për një hop, pastaj buzëqeshi. Para tij ishte një vajzë rreth të njëmbëdhjetave, e veshur me një kostum sportiv të lehtë e me ngjyrë të kaltër dhe me një palë atlete. Flokët kuqalashë e të shndritshëm, të rrumbulluara me kujdes, vetëm sa i ciknin mbi supe, ndërsa përpara, të ndara përmes, ato i binin gjer mbi vetulla. Sytë e saj gështenjë e disi të përndezur, zhbirues e plot gjallëri, e shikonin shoferin me çiltërsi. Atë çast, buzëqeshja e saj kishte sajuar poshtë mollëzave të faqeve, pakëz të kërcyera e pakëz të përskuqura, dy quka të hijshme. Diku e kishte parë atë vajzë…" (f. 9)
Një tjetër gjetje është edhe ai me dialogun. Ky roman, siç kuptohet më së shumti ka një fabul ku vajza Bora endet nëpër pyll bashkë me arushën. Në këto kushte mungon dialogu, i cili është një komponent i rëndësishëm në letërsinë për fëmijë. Por autori ia del mbanë duke përdorur madje dy forma të tilla: dialogun Bora-vetvetja, zëri i brendshëm, hija [Unë, si redaktor i librit, i pata sugjeruar autorit që këto pasazhe edhe mund t’i dallonte grafikisht duke përdorur shkrimin kursiv]. Gjithashtu shkrimtari, duke ndenjur gjithmonë në zhanrin realist, e vë heroinën e tij t’i bëjë arushës vërejtje të shumta me zë (ndonëse nuk merr përgjigje nga egërsira). Madje këto batuta janë edhe me humor, që e zbusin ca atmosferën e rëndë që zotëron. P. sh:
- Ç’ke që më vështron ashtu, ë? Apo s’ma ke atë kokë… Sa një top basketbolli! E po… Me kë flas edhe unë! Ti s’mbushke fare! (f. 64)
Për ta zhdërvjelltësuar rrëfimin e tij, herë pas here autori e thyen monotoninë duke futur copëza retrospektive që vajza ndërmend. Këto pasazhe të jetës së lumtur të dikurshme, me kontrastin e tyre, na e theksojnë edhe më tepër disnivelin, humnerën e fatkeqësisë ku ka rënë vajza robinë e arushës. Veç këto copëza janë jo dosido, por të studiuara, detaje që do të na duhen më vonë  për ta bërë sa më interesant subjektin. Një studiues i dramës thotë se në skenë duhet të ekzpozohen objekte të qëmtuara me kujdes. Nëse varim p.sh. në mur një armë, ajo duhet patjetër të kërcasë në aktin e fundit. Edhe Gjestila, në një nga këto copëzat retrospektive që përmendëm, na jep psh. sesi Bora  Rrugën e Ariut e ka përshkuar dikur me makinën e të atit, për të mësuar timonin. Kjo “armë” - fakti që vajza mund ta ngasë makinën- do të “kërcasë” në fund të romanit, në befasinë e tij.
Kaluam kësisoj edhe në një anë tjetër të artit për fëmijë, te befasia artistike. E theksojmë kjo është një kërkesë kryesore e mjeshtërisë së shkrimtarit për moshat e reja. Dhe Gjestila e përdor me shumë sukses. Ja, si mbaron kreu i parafundit në f. 163:
"…makina zhurmonte lehtë rreth njëzet hapa mbi rrugën automobilistike. Tani në makinë ishin vetëm arushët e lidhur me zixhirë në kafaz dhe gjahtarët ende nuk kishin dalë jashtë. Ç’të bënte?"
Se ç’bëri vajza e kuptojnë në kreun pasues, 36 faqe më tej. Aty përshkruhet ndjekja e bllokimi që i bën policia kësaj makine nën shënjestrën e armëve. Dhe kur ne presim të arrestohet shoferi keqbërës, nga makina del… Bora. Me zgjuarsinë e guximin e saj, ajo (që di ta ngasë makinën- detaj që autori na e ka bërën të njohur qysh më parë) na e paska shfrytëzuar rastin duke vënë veten në rrezik, ka kërcyer me shkathtësi në sediljen e shoferit, na e paskësh rrëmbyer makinën vetëm e vetëm për të shpëtuar dy arushët…
E mbyllim këtë vështrim duke shënuar se autori ka gjuhë të rrjedhshme, madje përdor edhe fjalë të reja ose pak të njohura. Ja, ne i njohim fjalët tërma e tërmale, por jo fjalët përmale, përmalen që përdor Gjestila; këto nuk do ta gjeni as në fjalorin e gjuhës shqipe të 1954-s e as në atë të Akademisë të 1980-s. Atje do të gjeni vërtet emrin jerm, por jo ndajfoljen jermthi (brofi jermthi, f. 42). Mos u mundoni më kot të gjeni në ato fjalorë edhe ndajfoljen tjetër kapatruc (Bora ishte mbledhur kapatruc, f. 153), foljen çaraveshem (Ishte e kotë të çaraveshej më tej me kundërshtarin, f. 77) etj. etj.
A nuk flasin gjithë sa thamë për një talent të fuqishëm të letrave për fëmijë e të rinj?



7/20/2019

VEÇORI RRËFIMORE NË PROZËN E SHKURTËR
                                               TË AGIM GJAKOVËS


Fjalë e mbajtur në tryezën shkencore: Shkrimtari Agim Gjakova në letrat shqipe.
Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi”,
13 prill 2019.
Biblioteka Kombëtare, “Pjetër Bogdani”, Prishtinë.

     Në tërësinë e krijimtarisë së shumanshme të Agim Gjakovës, proza, veç të tjerash, spikat edhe për larminë tematike, trajtesën origjinale, mjeshtrinë e rrëfimit, përshkrimin funksional e të përgjithshëm, portretizimin e personazheve dhe ecurinë e zhvillimit të fabulës.
Pjesë e rëndësishme e prozës së Gjakovës është tregimi. 
     Veçmas dy vëllimet me tregime “Nën hijen e pavdekësisë” dhe “Shtëpia në udhëkryq”, në tërësinë e tyre përshfaqin veçori të rrëfimit, thurjes së fabulës dhe mënyrës së zhvillimit të saj, përshkrimit në funksion të gdhendjes së personazheve, dialogut si udhë e skalitjes së dyanshme të personazhit: fizik dhe psikologjik, të përshkrimit të mjediseve dhe të gjendjeve. 
     Në udhën e rrëfimit, në thuajse gjithë tregimet e vëllimeve të përmendura, rekton fjala e thjeshtë, e organizuar dhe e thurur mirëfilli e me mjeshtri në fjali, paragraf e tekst, në të cilën spikat edhe amza e epërme e mënçurisë dhe filozofisë popullore. 
     Karakteristikë e këtij rrëfimi është natyra e ecurisë së tij, që ka të bëjë jo vetëm me përshkrimet e mjediseve në të cilin marrin frymë tregimet, përmes qenive të gjalla e njerëzore në veçanti, por edhe me frymën artistike të sendeve. Në ndonjë tregim (Arka te “Arka e gjyshit”, Sofra te “Sofra e heshtur”, Gryka te “Gryka e Kaçnikut”, Flamuri te “Nën hijen e pavdeksisë”) sendet, për nga zënia e hapësirës në trajtesë, por edhe për rolin e tyre në thurjen e fabulës, sillen në rrëfim gati-gati në rolin e personazheve. Kësisoj ato shërbejnë artistikisht jo vetëm si element të thurjes dhe zhvillimit të fabulës, por edhe si kërshëri e motivim për lexim, çka rrit ndjenjën e të lexuarit dhe të gjallimit të mendimit te lexuesit. 
     Pyetjet në brendësi të rrëfimit, si kundërshti apo pohime argumentuese, ruajnë ritmin e leximit dhe përvijojnë portretizimin e gjithanshëm të personazheve, herë në harmoni e herë në kundërshti me botkuptimin e tyre. Rrëfimi që, i gjallëruar nga ritmi i dialogut të matur dhe ecuria e zhdërvjelltë e fabulës, tërheq vëmendjen e lexuesit e, për më tepër kërshërinë e kthen në hapësirë të të menduarit, e bën lexuesin jo vetëm të jetë i motivuar, por edhe të ndjej veten pjesë të tryezës krijuese të autorit. Në mjaft tregime të Gjakovës përjetimi i tillë shumëplanësh, nxitja e të menduarit dhe e pjesëmarrjes artistike, estetike e psikologjike, për lexuesin janë emocionalisht të ndjeshme e të prekshme.
     Raporti fjalë ndërhyrëse e autorit me rrëfimin e kursyer e të zhdërvjelltë, si masë mjaft e gjetur dhe letraritet i spikatur, mundësojnë jo vetëm leximin e gjendjes emocionale të personazheve, por edhe kënaqësinë e përjetimit të këtyre gjendjeve, aq sa, si lexues zë e përfytyron mjedise, situata, porterete fizike shpirtërore personazhesh, madje edhe kur ata zënë një vend episodik në rrëfim. 
     Ky fakt të jep të drejtë të pohosh për më tej se aftësia përshkrimore e autorit në vëllimet e përmenduara shpalohet dukshëm. Dhe gjithë përpjekja përshkruese ngërthen jo vetëm përshkrimin e mjediseve, por dhe të situatave ku shfaqet ndërveprimi dhe vetë personazhet e tregimeve. 
     Përveç forcës përshkruese, në formimin e karaktereve lot rol të dukshëm dialogu. Krahas përshkrimit, dialogu, përveçse përvijon dallueshmërinë mes personazheve, pak nga pak i skicon ata si parqitje fizike dhe si qeni sociale, morale e psikologjike. Në këtë proces, përshkrimi dhe dialogu ndikojnë dhe plotësojnë njëri-tjetrin. Kësisoj të duket se autori rri vërtet mënjanë dhe here-herë e në të rrallë hyn në brendësi të dialogut, për t’i dhënë dorën e fundme, vizatimit të herë pas hershme të gjendjes emocionale të personazheve. (Dashi i Salës, Nën hijen e pavdekësisë, Nusja etj.)
     Në heshtjen e zakonshme të pas leximit, në atë heshtje që përftohet këndshëm pasi del nga rreshtat e rrëfimit dhe ndikimi i autoritetit letrar të personazheve, zë e ndërton natyrshëm emocionalisht përfytyrime të mjegulluara, të cilat, pak nga pak kthjellohen falë mjeteve letrare efikase individualizuese që, përgjithësisht, përshfaqen nëpër rreshtat e dialogjeve.
   Këto mjete, për nga masa e përdorimit, por më së shumti për nga intensiteti letrar i shpalimit të tyre, herë-herë të krijojnë idenë e pranimit të mosqenies së autorit nëpër rreshtat e rrëfimit, përkundrejt gjithë së vërtetës letrare të krijuar nga vetë autori si dialog i zhdërvjelltë, rrëfyes, polemizues, krijues personazhesh, përshfaqje të vërtetash, idesh e mesazhesh. Atje ku autori, me fjalë e fjali të kërkuara, të gjetura e të shprehura me mjaft kursim letrar, përball e paralelizon dukuri natyrore e gjendje shpirtërore të personazheve, dialogu rrjedh edhe së brendshmi. 
     Ngjyrat e humorit, herë të lehta e herë më të gjalla, takohen e përcillen me maturi thuajse në gjithë tregimet e vëllimeve, por, te “Shtëpia në udhëkryq”, nga një tregim në tjetrin, këto ngjyra humori kthehen në trajta të qarta të notave vibruese të ironisë, sarkazmës dhe groteskut (Ëndrrashpërndarësi, Biseduesi me qentë, Hajgare në tempullin e mediave, Koha për gjumë, Kodra etj)
     Ndiesia e qartë e humorit, veçmas ironisë e sarkazmës provohet jo vetëm gjatë gjithë rrëfimit dhe në situata përshkruese, por edhe në dialog, gjatë pyetje-përgjigjeve dhe përdorimit të një leksiku të kërkuar me kujdes. 
Leksiku, dukshëm i kërkuar dhe i venduar qëllimisht në situate të ndryshme dialogjesh, i marrë në jo pak raste edhe nga ligjërimi krahinor, përvijon edhe stilin e të shkruarit dhe të modelimit të personazheve si ndryeshueshmëri karakteresh.
     Edhe më shumë shenja letrare nga se u munduam të përcjellim nga pasleximi i dy vëllimeve me tregime “Shtëpia në udhëkryq” dhe “Nën hijen e pavdekësisë”, tregojnë se Agim Gjakova, edhe në prozën e shkurtër, vërtet ka krijuar hapësirën e tij letrare në prozën shqipe, duke vazhduar të mbetet një zë i spikatur dhe origjinal i saj.


8/26/2017

UNË E PASHË GJERGJIN

Nxënësit e shkollës “Udha e Dritës” kishin dëgjuar shumë gojëdhëna për Gurin e Prerë, qytezën dhe kalanë e Stelushit, por asnjëri prej tyre nuk kishte qenë atje. Po ja, në një ditë maji, kishin marrë përmalen më këmbë e kishin mbërritur te ato vise që shtrihen në prehër të maleve.

Pasi kishin shëtitur shesheve e bregoreve mbi rrënojat e qytezës, kishin zënë këngën dhe vallen rreth Gurit të Prerë. Në krye kishin vënë kurora të thurura me lule shumëngjyrshe dhe, të lidhur dorë për dorë, silleshin rreth Gurit të Prerë duke kënduar. Kënga e gojëdhënës thoshte:

Erdh dragoi nga përroi
e një zë e lëshoi,
porse grindja nuk pushoi,
shpata gurin copëtoi,
të ligut frikën i tregoi,
dhe të gjithë i shpëtoi.

Befas, Kastrioti la vallen dhe u hodh mbi Gurin e Prerë. U kacavar me duar dhe me këmbë përgjatë faqes së pjerrtë të tij dhe doli në majë. Atje zuri të hidhej e të rrotullohej gjithnjë duke thirrur e kënduar. Poshtë tij, fëmijët duartrokitnin e thërrisnin:
– Joti! Joti!
Teksa hidhej e thërriste e këndonte, u epua dhe mori rrokullimën teposhtë.
Kastrioti ra përdhè. Bëri të ngrihej, po nuk mundi. Gjithçka zuri t’i sillej përreth. Po i bëhej se fluturonte mbi maja malesh të thepisura. Një klithmë e hollë e bëri të dridhej. Sakaq trupi iu lehtësua dhe e pa veten shaluar mbi një shpend gjigant. Ishte një shqiponjë.
Shqiponja u rrotullua mbi hapësirën mes tri majave dhe u lëshua teposhtë e zuri vend mbi një gur të lartë mes ca shtëpive të gurta. Zbriti nga shpendi gjigant dhe mori udhën përmes shtëpive të gurta. Shqiponja klithi dhe u ngrit në fluturim. Ia bëri me dorë dhe rendi e humbi mes njerëzve që shkonin e vinin rrugicave të shtruara me rrasa të bardha.

Diku ndaloi: një kala e lartë në formë rrethore u shfaq befas mbi një kodrinë gurishtore. Ndërsa kundronte kalanë, njerëzit e shikonin disi me habi, por asnjëri prej tyre nuk i fliste. Tingëllima e ca shpatave e bënë të kthehej mënjanë. Pa pesë burra që, me mëngët përveshur, suleshin mbi tre të tjerë. Mes tyre, krejt i paarmatosur, hyri një burrë me flokë të gjatë dhe një rubë të kuqe të lidhur rreth ballit. Ishte Gjoka, kryekështjellari.
– Largohu Gjokë, pash qiell e dhè! -  briti njëri prej burrave.
– Në emër të Prijësit, ulni shpatat, burra! – urdhëroi Gjoka.
– Largohu Gjokë, me të mirë! Ata na rënduan në nder, or ti! Largohu!
Gjakrat ishin ndezur keq. Burrat nuk po i bindeshin as kryekështjellarit. Shpatat flakëronin nën dritën e diellit të buzëmbrëmjes dhe tingëllima e tyre dëgjohej gjer në Krojet e Orëve. Përreth kishte rënë një heshtje e frikshme. Banorët e qytezës kishin mbetur pa gojë. Por, ca trokëllima kuajsh mbi kalldrëmin e gurtë, i lehtësuan pakëz banorët e qytezës që prisnin me zemër të ngrirë fundin e asaj përleshje.
– Prijësi! Prijësi! Erdhi Prijësi! – thirri dikush me zë të lartë.
Për një hop shpatat mbetën lart e pezull, të kryqëzuara, por, përsëri, burrat u sulën me më shumë furi mbi njëri-tjetrin.
Prijësi sosi në sheshtinën ku ishin ndezur gjakrat dhe tërhoqi me zemëratë frerin e kalit të bardhë. Kali hovi lart mbi dy këmbët e pasme dhe hingëlliu i egërsuar.
– Ulni shpata, burra! – gjëmoi zëri i Prijësit.
Të tetë burrat nuk i ulën shpatat. Atëherëshpata e Prijësit përndriti në ajër e ra me forcë mbi Gurin e Kuq. Guri u nda në tetë pjesë. Tetë burrat ulën shpatat dhe i futën ato në millKastrioti, i mahnitur nga pamja dhe forca e Prijësit, u mundua ta thërriste në emër, po nuk mundi. Ishte i etur. Gjuha i qe ngjtur për qiellëze. Kërkoi ujë. Një djalë rreth të tetëmbëdhjetave i tregoi një rrasë të bardhë nga ku gurgullonte një burim i kristaltë. U sul përpara dhe u shtri e vuri buzët në gulfet e akullta të burimit. Piu dhe u ngrit vrikthi më këmbë, gati për të thirrur emrin e Prijësit, por ai nuk ishte më aty. Nuk ishte as Prijësi, as kalaja, as shtëpitë e gurta, as kalldrëmet me rrasa të bardha. Vetëm burimi gulfonte ende. Pranë kishte mësuesin që i mbante kryet në duar dhe shokët e shoqet që e vështronin të përlotur.
– Unë... Unë e pash Gjergjin! – tha dhe u shtri përsëri mbi barin e njomë. – Po, po! E pashë Gjergjin.
Ndihej i lodhur dhe koka i dhimbte ende. Tanimë shoqet dhe shokët e vështronin buzagaz e të habitur.





Nga vëllimi me tregime "ERA"




8/05/2017

SAINT EUPHEMIA

    Besohet se ushtarët romakë e torturojnë çnjerëzisht. Pasi e lënë për pak kohë mënjanë, kujtohen t’i japin fund, po përmes torturave, duke e hedhur në arenë, para luanëve, që ta asgjesonin tërësisht. Çuditërisht, pasi brofin drejt saj të uritur, luani dhe luanesha ndalin hovin, i afrohen dhe zënë e i lëpijnë plagët e shkatuara nga ushtarët dhe, pak nga pak, e shërojnë.
    Ushtarët romakë, edhe më të ndërkryer nga veprimi i luanëve, e marrin dhe e lidhin në thellësi të pyllit. Atje e copëtojnë dhe e hanë ujqërit.
Murale që përshkruan martirizimin e Shën Eufemisë
(Kisha e Shën Eufemisë, Rovinj, Kroaci)




   Vjen gjer në kohët e sotme, në kufijtë e legjendës dhe fakteve të besimit, historia e martirizimit të Eufemisë së Kalcedonisë.
Po cila ishte Eufemia? 
Perandori romak Diokleciani

     Besohet të ketë qenë bija e senatorit Filofronos. Eufemia, që në rini të saj u shenjtërua si virgjëreshë. Emri i Eufemisë[1] dhe viti i vdekjes regjistrohen në shekullin e 5-të në listën më të hershme të martirëve të krishterë. Në vitin 303, nën urdhërat e Dioklecianit[2], zuri fill një përndjekje e egër e të krishterëve. Eufemia qe një ndër viktimat para të këtij persekutimi. 
    Gjithnjë sipas gojëdhënës së krishterë gjithçka zuri fill kësisoj: guvernatori i Kalcedonisë, Priscus, kërkonte përmes një urdhëri që të gjithë banorët e qytetit të merrnin pjesë në sakrificat për nder të hyjnisë Ares[3]. Eufemia, në krye të shumë besimtarëve të tjerë të krishterë, e kundërshtoi urdhërin e guvernatorit. Për këtë shkak ajo u kap dhe iu nënshtrua torturave nga më çnjerëzoret, gjersa u hodh në arenë, para luanëve.

Saint Euphemia
Andrea Mantegna, 1454
    Sipas dokumenteve liturgjike, Eufemia vdiq më 16 shtator. Gjithashtu, Egeria[4], pasi bëri pelegrinazhin e saj në Tokën e Shenjtë, në përmbledhjen e udhëtimeve të saj tregon se vendi i martirizimit të Eufemisë është në Kalcedoni, që ndodhej përgjatë Bosforit. Pas vdekjes së Dioklecianit dhe fundit të përndjekjeve të të krishterëve, relike të shenjta të Shën Eufemisë u vendosën në një sarkofag të artë, brenda kishës që iu kushtua asaj.[5]  Ndër ditët që i kushtohen Shën Eufemisë, 16 shtatori, dita e martirizimit të saj, përkujtohet në shumë vende, ngaqë emri i kësaj shenjtoreje është përhapur gjerësisht jo vetëm thjesht për martirizimin e saj, por qëllimisht edhe për përhapjen e besimit ortodoks. Gjithashtu, për nder të Shën Eufemisë, janë ngritur kisha në shumë vende të botës.[6] Një ndër këto kisha, e shenjuar në nder të Shën Eufemisë, është ngritur edhe në Mat.


Shën Xhmeja e Prellit

Msuç
(ku ka qene kisha e Shen Teodorit)
    Edhe sot e kësaj dite, përgjatë shtrirjes së krahinës së Prellit e më gjerë: në  Urakë, Laç, Bruç, Prell, Rremull, Rukaj, Msuç, Derjan, Dukagjin, Gjoçaj, Urxallë, Shtjefën, Shëlli, Macukull etj., përkujtohen e festohen në muaj të ndryshëm të vitit ditë të tilla si: Shën Kolli, Shën Gjergji, Shën Refi (Shëmetri a Shënreu) etj. Por, përpara vitit 1967 janë festuar edhe ditë të tjera të shënuara me emra shenjtorësh. Edhe gjatë viteve të diktaturës, në fshehtësi e përmes shenjave simbolike, qoftë edhe të përmendjes së tyre, këto festa nuk u harruan, sidomos nga brezi i njerëzve që i kishin përkujtuar hapur ato.
Qafa e Shen Kollit
(ku ka qene Kisha e Shenkollit)

    Në fillimin e viteve nëntëdhjetë, liritë demokratike risollën në vatrat dhe mjediset e fshatrave të kësaj zone festat në përkujtim të shenjtorëve. Megjithatë, ndonjëra prej këtyre ditëve nuk u “ringjall” si festë e dikurshme. Një ndër to, e thirrur sipas të folmes së zonës: Shën Xhmeja e Prellit, që nga viti 1967 nuk rezulton të festohet më masivisht në këtë fshat.

Po ç’është Shën Xhmeja e Prellit?
GERSHOTI
(ne krenajën e te cilit ka qene kisha e Shënmrisë)
    Është kisha e Shën Eufemisë e ngritur që në shekullin 17 në Prell të Matit. Sipas Robert Elsie “Shën Eufemia, shqip Shën Mia (Saint Euphemia) ishte martirizuar në Kalcedoni afër Konstantinopojës më 16 shtator të vitit 303 (ose 307) me tortura të ndryshme."[7] Pasi përshkruan veprimtari dhe ngjarje në kujtim e në nderim të Shën Eufemisë, Robert Elsie nënvizon: “Në Shqipëri është një kishë kushtuar asaj në Prell-MT, në shekullin XVII. Në shekullin XIX kishat të cilat i janë kushtuar asaj janë: në Qafën e Malit-MR, e njohur si Zoja Shën Mia dhe në Kallmet-LE.”[8]
    Siç del edhe nga të dhënat e mësipërme, siaps Robert Elsie, kisha më e hershme në nder të Shën Eufemisë, është ajo e ngritur në Prell të Matit. Edhe pse sot nuk festohet, ajo ndërmendet e thirret në Prell si Shën Xhmeja. Ky emërtim (Xhmeja) ka ardhur si i tillë për pasojë të ndryshimeve fonteke dhe e të folmes së krahinës.
    Gjer në vitin 1967, gjatë festimeve në shenjë të Shën Eufemisë, në krye të muajit gusht, në Prell vinin për të festuar edhe nga fshatrat përreth që nga viset e Mirditës e fshatrat e tjera të Matit.

Përse Prelli?

    Ndërsa pranon të vërtetën mbi ngritjen e kishës më të hershme të Shën Eufemisë në trevat shqiptare, mbase për shumëkënd lind pyetja: Përse në Prell? Mund të jetë një vendim i planifikuar e i radhës i hierarkisë kishtare të asaj kohe? Mbase, por nuk mund të jetë rastësor.
Fragment nga Prell
(në sfond vargkodrina me geshtenja)
    Pa pretenduar të dritësojmë të vërtetën rreth kësaj pyetje, mund të shpalojmë disa të dhëna e veçori të një pjese të krahinës së Prellit. Në të gjithë këtë zonë ka dëshmi që pohojnë vendbanime të hershme. Kësisoj, gjetjet në kompleksin e shpellave në Laç-Bruç, janë referenca (tashmë të pranuara nga emrat më në zë të arkeologjisë shqiptare e më gjerë) të lashtësisë dhe vijimësisë iliro-arbërore në Shqipëri. Po kështu, gjetjet rastësore e në vijimësi në Fushën e Nërdysë në Bruç, në disa vende në Prell e në Msuç si dhe në muranat, kodërvarret e shumta etj., tregojnë jo vetëm për vendbanime të hershme, por dhe të qëndrueshme në vijimësinë e tyre, që nga lashtësia e gjer në ditët tona.
Fshatrat Laç, Bruç, Prell
    Hapësira gjeografike në të cilën shtrihet kjo zonë, për këdo që e vështron nga larg, është një harkore që zë e ngrihet me kodrinat e buta të Laçit, merr lartësi me Qytezën e Skënderbeut (Kalanë e Bruçit), ngrihet e butë me Majën e Shën Kollit, merr në të djathtë për nga lindja e lartësohet më shumë me Kepin e Falkoit, hedh më në lindje Grykën e Urakës, kulmon me lartësinë më të madhe të zonës, me Majën e Gërshotit mbi Prell, zë e zbret në Msuç e përgjatë Kodrave të Gështenjave dhe merr teposhten mbi Zmaç e ulet në Rukaj e gjer rrëzë Pujkës. 
    Fshatrat e kësaj zone shtrihen thuajse të gjithë në gji të këtij amfiteatri natyror me një shumëllojshmëri bimësh e drurësh dhe me burime të shumta ujore. Lumi Uraka dhe Gurra e Shutrresë janë një pasuri tjetër e kësaj zone.
Lumi Uraka
(fragment kanioni)

    Kësisoj, e gjithë zona, e sidomos Prelli, ka gëzuar një mjedis natyror të begatë e një mikroklimë të favorshme për të ruajtur e të shtuar të ardhurat bujqësore e blegtorale. Qe fat për mua që të zë fill, në moshën 24-vjeçare, punën si mësues në Prell e të largohem prej andej pas trembëdhjetë vitesh. 

    Njerëz të mrekullueshëm: punëtorë e arsimdashës, krenarë e të mençur, me plot humor e këngë, me troje të hershme e plot histori, gojëdhëna, zakone, tradita, valle, këngë e veshje brilante të traditës! Udha që merrja çdo ditë mbi Gurin e Larmë e nën Shpellën e Vashës, mbi Urën e Keqe e nën hijen e Gërshotit dhe gjithë viset e natyrës së bukur dhe të dëshmisë së vendbanimeve, kulturës e historisë së hershme që zura të mësoj mbeten ende një libër i hapur e magjepsës për mua dhe besoj për këdo që ka mësuar fjalën, ka pirë ujin e ka ngrënë bukën e dhënë me plot bujari në Prell, atje ku harliset hardhia e mjaft lloje drufrutorësh, ndërsa kashnjeti epohet hijshëm si një kurorë madhështore e me plot prodhimtari nga veri-lindja e gjer në jug-lindje të tij.  
Fshati Prell
(fragment)
    Përgjatë harkores që përmbledh fshatrat e zonës, janë shenjat e një sërë kishave që zënë fill me muret dhe rrënojat e kishave Shën Vlash e Shënmri në Laç, Shënkoll e Shën Balaz në Bruç, Shënmri në Gërshot, Shën Teodori i Arbës në Msuç e Shën Kolli në Dukagjin (e njohur për Kuvendin Mbarëkombëtar të mbajtur pas vdekjes së Skënderbeut) dëshmojnë se në këtë zonë kanë ekzistuar kisha të shumta, “të gjitha në sfondin dhe dekorin e gështenjës”.[9]
    Në prehërin e këtyre kishave, më në afërsi të njërës prej tyre, asaj të Shënmrisë të ngritur në sheshtinën e krenajës së Gërshotit mbi Prell që dominon gjithë hapësirën e gjërë nga ku syri të ngërthen një pjesë të madhe të Mirditës dhe thuajse gjithë luginën e Matit, është ngritur, në shekullin e 17 (sipas Robert Elsie), kisha e Shën Eufemisë së Prellit. Nëse e përfytyrojmë si një trekëndësh (ashtu siç thuajse është realisht) hapësirën në të cilën Gërshoti përshfaq pjesën ballore të tij, drejtëza pingule e hequr nga kulmi i këtij trekëndëshi lidh Shënmrinë e ndërtuar në krenajën e malit me Shën Eufeminë e ndërtuar thuajse rrëzë tij.
Fshati Prell
(fragment)
    Nuk mund të mos merret në shqyrtim edhe ndikimi i Skënderbeut dhe i historisë së tij në këtë zonë, adhurimi e përkujtimi prej banorëve të këtyre visve i bëmave të figurës më madhore të kombit tonë, përmes këngëve, gojëdhënave, memorizimit të kthjelltë të toponimisë në lidhje me Gjergj Kastriotin etj.  
    Përcjellja ndër shekuj, nga brezi në brez, e vetëdijës dhe kujtesës se Gjergj Kastrioti qe bir i trojeve matjane, u kthyen në simbole qëndrese gjatë gjithë përpjekjes për liri të kësaj krahine.   
    Tjetërsoj, për përkujdesjen e hierarkisë kishtare në ruajtje të qëndrimit të saj në këto vise e për të forcuar ndikimin e mëtejshëm përballë islamizimit të gjithë vendit, flasin mjaft fakte, tashmë të njohura përmes veprimtarive të ndryshme kishtare e patriotike në krahinën e Prellit. Mendime të ndryshme rreth kohës së përfundimit të islamizimit të kësaj krahine janë në të drejtën e shprehjes së tyre, por, gjithsesi, edhe sipas nënvizimit të Robert Elsie (“Në Shqipëri është një kishë kushtuar asaj në Prell-MT, në shekullin XVII." ) në radhën e përpjekjet për ta kundërshtuar islamizimin mund të ketë qenë edhe ngritja e Shën Eufemisë në Prell të Matit.

Dita që ende ndërmendet

Shkolla dhe sipër Teqja e Prellit
    Pas vdekjes së Skenderbeut, vala e luftës për islamizimin e shqiptarëve u u rrit. Mbi krahinën e Prellit kjo valë u lëshua me një egërsi të pashoqe, jo vetëm mbi njerëzit, por edhe mbi gurin dhe drurin, mbi objektet kishtare dhe gjithë përpjekjet e praktikimit të fesë së krishterë. Gjithçka u rrafshua, pior dëshmitë mbetën. 
    Besohet se, me islamizimin e kësaj krahine, mbi muret e kishës së Shën Eufemisë, u ngrit një tjetër objekt kulti, një teqe që, sot e kësaj dite, njihet si Teqja e Prellit. Më pas edhe ajo u rrënua gjer në themeli.
     Teqja e Prellit pati një ndikim të theksuar jo vetëm në fshatrat përreth saj, por edhe në një pjesë te Matit. Beja “Për atë teqe të Prellit” qe një be e fortë si në të dhënë, ashtu edhe në të besuar. 
    Megjithatë, fakte memorizuese nga banorë të këtij fshati dhe të tjerëve përreth, dëshmojnë se dita e Shën Eufemisë përkujtohej në të dielën e fundit të muajit gusht, të paktën gjer në vitin 1967. 





[1] .Ευφημία:nga greqishtja:“e folur mirë”
[2] Perandorit romak, ilir, që kërkoi të thirrej “perëndi”.
[3] . Zoti i Luftës,  biri i Zeusit dhe Hera
[4] . Etheroiua ose Aetheria, autore e një ditari të detajuar të një pelegrinazhi në Tokën e Shenjtë.
[5] . //en.wikipedia.org/wiki/Euphemia
[6] //en.wikipedia.org/wiki/Euphemia
[7] . Revista DRITA, e permujshme fatare – kulturore e Kishes Katolike, 20 maj 2015.
[8] .Po aty.
[9] .Xhomara, Idriz, Druri i bukës dhe i historisë.Gështenja, fq.33, Tiranë, “Dita 2000”
Burimi: Robert Elsie. A dictionary of Albanian Religion, Methodology, and Folk Culture.
Rererence: F. Nopcsa Religiose Anschauungen; F. Cordignano 1934; G. Valentini 1944, p. 186-187; F. Halkin 1965.
Idriz Xhomara, Druri i bukës dhe i historisë.Gështenja, fq.33, Tiranë, “Dita 2000”