12/14/2013


Nga Viktor CANOSINAJ


 Një arritje cilësore në letërsinë për fëmijë 



Është kënaqësi dhe emocion të marrësh pjesë në promovimin e një libri të shkruar prej një miku të vjetër, një shoku të jetës shkollore, por emocionin e jep në radhë të parë vlera e librit.Duke qenë redaktor i romanit “E fshehta e Kështjellës së Zezë” dhe lexuesi i parë i tij që në dorëshkrim, më ka tërhequr shumë fakti që vepra plotëson kriteret që duhet të ketë një roman për fëmijë: aventurën, aksionin, të papriturën, zbulimin e një të fshehte etj. Duke plotësuar këto e kritere të tjera të një vepre për fëmijë, romani zbulon edhe një periudhë të panjohur për fëmijët e sotëm, periudhën e diktaturës komuniste gjatë së cilës njerëzit dënoheshin jo më për një libër, por edhe për disa vjersha të cilat nuk i pëlqenin kësaj diktature.Është një fragment i atij realiteti që në romanin “E fshehta e Kështjellës së Zezë” sillet me mjaft qartësi, por që para fëmijëve të sotëm është krejt i panjohur. Kam patur rastin të provoj me librat e mi shprehjen e habisë  jo vetëm nga lexuesit fëmijë, por edhe nga më të rritur, a thua se ngjarjet të kenë ndodhur në një vend tjetër e jo në Shqipëri. Habia shkon deri atje sa fëmijët e të rinjtë çuditen se si mund të shkonte njeriu në burg për një palë xhinse, për një tekst kënge a për një vjershë. Nuk është faji i fëmijëve, është një problem më i gjerë shprehja e kësaj habie, por autori ia ka dalë mbanë që në roman ta japë qartë këtë periudhë, kuptohet në lidhje me moshën fëminore, duke e vendosur gjithçka prapa një të fshehte para 
katër fëmijëve kureshtarë.


Duke mbyllur fjalën time ruaj mendimin që “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është një vepër cilësore e letërsisë për fëmijë dhe do t’i sugjeroja autorit ta paraqesë pamëdyshje në konkurse të ndryshme. Nëse do të ish pjesë e një jurie të një konkursi të tillë të letërsisë për fëmijë, s’do të nguroja aspak t’i jepja vlerësimet maksimale këtij romani.



Duke qenë një njohës i mirë i botës fëminore, në romanin “E fshehta e Kështjellës së Zezë” autori ka sjellë një punim disi ndryshe në letërsinë tonë për fëmijë.
Kam patur rastin të lexoj disa nga librat e autorit dhe shumë më ka tërhequr edhe romani “Aventurat në pyllin me pisha”, që kaloi, për fat të keq, disi pa u vënë re e pa u vlerësuar, por “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është një nga veprat më të arrira të Fatmir Gjestilës. Mendoj se është më e realizuara në gjithë krijimtarinë e tij të deritanishme për fëmijë.


 Kjo vepër vjen edhe në një periudhë disi me mungesa të autorëve të moshës së re që nuk po afrohen drejt kësaj letërsie. Unë gjykoj se kjo gjendje është një nga problemet më serioze të letërsisë së sotme për fëmijë e të rinj, por Fatmir Gjestila sot plotëson me meritë një boshllëk të ndjeshëm, sidomos në zhanrin e prozës së gjatë, që është një nga zhanret më të rëndësishme të kësaj letërsie.








No comments:

Post a Comment