Behar GJOKA
studiues
Një roman që
spikat në letërsinë e sotme për fëmijë
Marrëdhënia me
librin është e vështirë, por romani për fëmijë “E fshehta e Kështjellës së Zezë” e lehtëson
mjaft këtë mërrëdhënie. Sipas mendimit tim libri s’ka moshë, ashtu si edhe ky
roman që u drejtohet të gjithëve, fëmijëve dhe të rriturve.
Në tërësinë e krijimtarisë së shkrimtarit dhe
poetit Fatmir Gjestila ka pjesë që e njoh gjer në detaje, ashtu siç ka pjesë që
e njoh fare pak, ose nuk e njoh. Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është
njëri prej librave të autorit që e kam lexuar para se të botohet. Ai padyshim përcjellë
kënaqësi artistike përmes fabulës së thjeshtë dhe rrëfimit të arrirë
artistikisht.
Fatmir Gjestila është autor i mjaft librave për fëmijë e të rritur. Por numri i librave nuk do të thotë gjithçka. Ardhja e këtij
romani, si i tetëmbëdhjeti në radhën e librave të autorit, cilësia e tij si edhe e disa librave të tjerë, tregon se krijimtaria e
Fatmir Gjestilës ka hyrë në një rrjedhë serioze. Vetë Fatmiri ka mote që letërsinë
e ka marrë shumë seriozisht dhe në këtë seriozitet, në këtë rrekje për të thënë
fjalën e vet, ai ka portretizuar shumë natyrën e një krijuesi serioz.
Teksa lexon pjesë
nga krijimtaria e larmishme e tij, mëson shpejt se Fatmir Gjestila është i lidhur
fort me vendlindjen nga e cila (të krijohet përshtypja) se nuk shkëputet për
asnjë çast, edhe pse larg saj. Është sa krijues edhe njohës e ndjekës i
vendlindjes, i historisë së saj dhe letërsisë shqipe, dhe sidomos i asaj për
fëmijë. Mbase kjo lidhje me vendlindjen është një nga cilësitë mjaft pozitive të
autorit që na mundëson të themi më shumë se diçka për krijimtarinë e tij.
Pjesën e letërsisë
për fëmijë të autorit e njoh pjesërisht, por, me leximin e këndshëm të “E
fshehta e Kështjellës së Zezë”, them se jam dëshmitar i një prej librave më të
mirë të letërsisë për fëmijë, ndërsa jam në dijeni se një ndër librat më cilësorë
të tij ka qenë prej vitesh në listën e miratuar nga bordi i letërsisë për fëmijë.
Fatmir Gjestila
njihet si shkrimtar e poet për të rritur e fëmijë, megjithatë, nëse themi shkrimtar shumë i mirë për fëmijë, kemi lënë diçka
mangët, por, edhe nëse e cilësojmë autorin
si shkrimtar e poet gjithnjë në rritje edhe për të rritur, përsëri kemi lënë diçka
mangët. Fatmir Gjestila është edhe autori i dy monografive “Shahin Toçi – një
jetë për flamur” dhe “Miku i të gjithëve”, të shkruara me një stil të veçantë
dhe mjaft të arrirë. Të merresh me monografi është mjaft e vështirë, por
Fatmiri ka qenë mjaft i suksesshëm edhe në këtë drejtim. Pra autori në fjalë është
poet shumë i mirë për të rritur, një ndër fabulistët cilësorë, ndër të paktët
që meritojnë të quhen të tillë në ditët e sotme, shkrimtar serioz dhe me mjaft
arritje në letërsinë për fëmijë dhe një monograf mjaft i zoti.
Romani “E
fshehta e Kështjellës së Zezë” mendoj se na përcjell edhe nota biografike, pse
jo edhe autobiografike të autorit përmes sendërtimit metaforik. Fëmijët s’duan
të dinë thjesht marrëzitë e sistemit që lamë pas, ato duan të marrin
informacionin estetikisht, metaforikisht, artistikisht dhe pa i lodhur. Kjo është realizuar mjaft mirë në romanin e ri të autorit.
Ky libër rreket
të na thotë mjaft artistikisht edhe se letërsia nuk është ajo çka dashur të
thotë autori, apo çka ne duam të thotë ai përmes rreshtave në libër; letërsia është rrëfim, është figurë, është marrëdhënie,
është risendërtim i botës autoriale.
Ardhja e romanit
“E fshehta e Kështjellës së Zezë” aq sa është moment kulmor për autorin është
moment kulmor edhe për letërsinë e sotme për fëmijë, në këto ditë ku dëgjojmë zëra
kukuvajkash e të paditurish, njerëz të çuditshëm që s’kanë lidhje me letërsinë
e që thonë se në këto vite s’ka letërsi për fëmijë. Duke rithënë se romani “E
fshehta e Kështjellës së Zezë” shënon një pikë kulmore në krijimtarinë e autorit,
themi edhe se ky moment duhet të shënojë një ndjenjë më të lartë përgjegjësie
ndaj krijimtarisë së tij të ardhshme.