12/22/2013


Nga
Behar GJOKA
   studiues

Një roman që spikat në letërsinë e sotme për fëmijë


        Marrëdhënia me librin është e vështirë, por romani për fëmijë “E fshehta e Kështjellës së Zezë” e lehtëson mjaft këtë mërrëdhënie. Sipas mendimit tim libri s’ka moshë, ashtu si edhe ky roman që u drejtohet të gjithëve, fëmijëve dhe të rriturve.
          Në tërësinë e krijimtarisë së shkrimtarit dhe poetit Fatmir Gjestila ka pjesë që e njoh gjer në detaje, ashtu siç ka pjesë që e njoh fare pak, ose nuk e njoh. Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është njëri prej librave të autorit që e kam lexuar para se të botohet. Ai padyshim përcjellë kënaqësi artistike përmes fabulës së thjeshtë dhe rrëfimit të arrirë artistikisht.

      Fatmir Gjestila është autor i mjaft librave për fëmijë e të rritur. Por numri i librave nuk do të thotë gjithçka. Ardhja e këtij romani, si i tetëmbëdhjeti në radhën e librave të autorit, cilësia e tij si edhe e disa librave të tjerë, tregon se krijimtaria e Fatmir Gjestilës ka hyrë në një rrjedhë serioze. Vetë Fatmiri ka mote që letërsinë e ka marrë shumë seriozisht dhe në këtë seriozitet, në këtë rrekje për të thënë fjalën e vet, ai ka portretizuar shumë natyrën e një krijuesi serioz.
      Teksa lexon pjesë nga krijimtaria e larmishme e tij, mëson shpejt se Fatmir Gjestila është i lidhur fort me vendlindjen nga e cila (të krijohet përshtypja) se nuk shkëputet për asnjë çast, edhe pse larg saj. Është sa krijues edhe njohës e ndjekës i vendlindjes, i historisë së saj dhe letërsisë shqipe, dhe sidomos i asaj për fëmijë. Mbase kjo lidhje me vendlindjen është një nga cilësitë mjaft pozitive të autorit që na mundëson të themi më shumë se diçka për krijimtarinë e tij.
       Pjesën e letërsisë për fëmijë të autorit e njoh pjesërisht, por, me leximin e këndshëm të “E fshehta e Kështjellës së Zezë”, them se jam dëshmitar i një prej librave më të mirë të letërsisë për fëmijë, ndërsa jam në dijeni se një ndër librat më cilësorë të tij ka qenë prej vitesh në listën e miratuar nga bordi i letërsisë për fëmijë.  
      
 Fatmir Gjestila njihet si shkrimtar e poet për të rritur e fëmijë, megjithatë, nëse themi  shkrimtar shumë i mirë për fëmijë, kemi lënë diçka mangët, por, edhe nëse  e cilësojmë autorin si shkrimtar e poet gjithnjë në rritje edhe për të rritur, përsëri kemi lënë diçka mangët. Fatmir Gjestila është edhe autori i dy monografive “Shahin Toçi – një jetë për flamur” dhe “Miku i të gjithëve”, të shkruara me një stil të veçantë dhe mjaft të arrirë. Të merresh me monografi është mjaft e vështirë, por Fatmiri ka qenë mjaft i suksesshëm edhe në këtë drejtim. Pra autori në fjalë është poet shumë i mirë për të rritur, një ndër fabulistët cilësorë, ndër të paktët që meritojnë të quhen të tillë në ditët e sotme, shkrimtar serioz dhe me mjaft arritje në letërsinë për fëmijë dhe një monograf mjaft i zoti.

      Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” mendoj se na përcjell edhe nota biografike, pse jo edhe autobiografike të autorit përmes sendërtimit metaforik. Fëmijët s’duan të dinë thjesht marrëzitë e sistemit që lamë pas, ato duan të marrin informacionin estetikisht, metaforikisht, artistikisht dhe pa i lodhur. Kjo është realizuar mjaft mirë në romanin e ri të autorit.
     Ky libër rreket të na thotë mjaft artistikisht edhe se letërsia nuk është ajo çka dashur të thotë autori, apo çka ne duam të thotë ai përmes rreshtave në libër; letërsia është rrëfim, është figurë, është marrëdhënie, është risendërtim i botës autoriale.


       Ardhja e romanit “E fshehta e Kështjellës së Zezë” aq sa është moment kulmor për autorin është moment kulmor edhe për letërsinë e sotme për fëmijë, në këto ditë ku dëgjojmë zëra kukuvajkash e të paditurish, njerëz të çuditshëm që s’kanë lidhje me letërsinë e që thonë se në këto vite s’ka letërsi për fëmijë. Duke rithënë se romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” shënon një pikë kulmore në krijimtarinë e autorit, themi edhe se ky moment duhet të shënojë një ndjenjë më të lartë përgjegjësie ndaj krijimtarisë së tij të ardhshme. 

No comments:

Post a Comment