7/09/2014







FABULA TË ARRIRA ARTISTIKISHT, 
ME NJË POETIKË TË HOLLË E MJESHTËRORE

Nga

Ndue DEDAJ




                                                                          








… Fatmir Gjestila, në librat që ka botuar vitet e fundit, ka dëshmuar talentin e tij si poet me prirje lirike, por dhe si prozator i kultivuar i letërsisë për fëmijë.











Përveçse lëvrues i poezisë lirike, Fatmir Gjestila po spikat edhe në gjininë e fabulës, duke u rradhitur me krijuesit më në zë të saj.















Duket se ai nuk ka trokitur rastësisht në këtë zhanër, por i sigurtë në lëvrimin e tij, duke na përcjellë të vërteta jetësore përmes lakonizmit karakteristik të kësaj natyre poezie.






     Në fabulat e këtij autori ndihen aludimet e sensit politik, nënteksti i qartë, ironia e hollë, urtësia proverbiale, satira e dukshme…




Nuk ka qenë e rastit që në krye të herës fabula ka fshikulluar aristokracitë parazitare, oborret dhe oborrëtarët vanitozë, veset e të mëdhenjve nëpër poste e kulisa.






















Duke ndërtuar fabula fshikulluese për moralin shpesh të dyshimtë të politikës së sotme shqiptare, autori sikur na thotë se kohët ndryshojnë, por oborret dhe oborrëtarët duhen parë në sy dhe iu duhen thënë të vërtetat po në sy.






 Ndoshta fabula është gjinia që nuk bën kompromis, por i bie barra të godas hapur e drejpërdrejt mbrapshtitë e njerëzve të politikës, sigurisht pa dalë nga lëkura e vet.



    










Fabulat e këtij libri janë të arrira artistikisht, shpesh me një poetikë të hollë e mjeshtërore, larg disa shfaqjeve banale të humorit të sotëm…”

3/04/2014

Nga
Niko TYTO
Shkrimtar


Vlera letrare dhe edukative në vëllimin me tregime "Era"

Në dhjetë vitet e fundit, prurjet negative në letërsinë për fëmijë janë të shumta. Vitrina e kësaj letërsie po përjeton me dhimbje një inflacion të fjalës artistike. S’është fjala për morinë e emrave të rinj që janë prezantuar, as për librat që ata po botojnë, por për vlerat letrare, për fjalën poetike, për misionin që ka kjo letërsi, sidomos në kushtet e reja, kur fëmijët po rriten me kompjuterin dhe internetin.
Si lëvrues i letërsisë për fëmijë, jam dashamirës për ardhjen e penave të reja, për ata shkrimtarë që jo vetëm kënaqin shijet e lexuesve të vegjël, por nxitin dhe zhvillojnë fantazinë e lexuesit, duke qenë larg mendimeve anemike, moralizuese, të stisura me fjalë të rëndomta.
Natyrisht, në këto vite me kërkesa të reja, kemi prurje artistike që janë bërë ushqim shpirtëror për fëmijët. Rol parësor kanë luajtur revistat e shumta letrare, si dhe një sërë  botimesh të reja, apo ribotime nga vlerat më të mira që, fatbardhësisht, nuk i kemi të pakta. Një ndër shkrimtarët për fëmijë, që ka ardhur me modesti, larg publikimeve komerciale dhe për emër, por me plot elegancë, me një përkushtim dhe magji ndershmërie, me potencë fjale e mendimi, është padyshim Fatmir Gjestila.
Pena e Fatmirit është bërë e njohur dhe e dashur për lexuesin jo vetëm në revistat letrare për fëmijë, sidomos tek “Cicërima”, revista kombëtare e fëmijëve krijues, që ai e drejtoi për shumë vjet, por edhe në shtypin letrar periodik, duke arritur nivele cilësore në botimet që janë pritur ngrohtë si: “E bukura e liqenit”, “Nori dhe Matematika”, “Vallja e numrave”, “Edhe të qeshim”, “S’të fal drejtor ujku”, “Miqtë e hënës”, “Arta”, “Era”, “Përtej ëndrrës”, “Aventurat në pyllin me pisha”, “Lule dhe nektar”, “E fshehta e Kështjellës së Zezë”etj. Ajo që të bie në sy e të tërheq vëmendjen, është fakti se Fatmiri në botimet e tij (trembëdhjetë vëllime vetëm për fëmijë), shkruan në zhanre të ndryshme: poezi, fabul, tregime, përrallë, raman, monografi dhe publicistikë.
Unë që e kam shijuar ëmbëlsinë e veprës letrare të autorit në fjalë, kam kënaqësinë të shpreh konsideratën time për këtë vepër, e cila, nga botimi në botim, është më cilësore dhe më e denjë, e larmishme dhe aktuale. Një pjesë e saj, ajo për fëmijë, është e pasur me aparat pedagogjik cilësor, me kërkesa didaktike të programit mësimor, që vlerat artistike i përçon te lexuesi me mjete lehtësuese, duke u krijuar një hapësirë të madhe pë të nxitur e zhvilluar mendimin logjik, krijues dhe aftësinë për të ngjallur debat në analiza, kryesisht në tregime. Ky aparat ndërtohet nga një fjalor i pasur, emocionues, mendim lakonik, larg skematizimit e vulgarizimit.
Për të dhënë disa mendime konkrete dhe për t’i bërë një vlerësim dashamirës kësaj pene të re, që i është shtuar me cilësi lexuesit, dua të nënvizoj në këtë shkrim modest vlerat tek vëllimi me tregime “Era”.
Kur lexon tregimin “Fotografia”, me të cilin çelet vëllimi, të del përpara një botë fëminore e pasur, e gjallë, ku mbizotëron një çiltërsi mendimi, një temë e prekshme, e ditës në jetën shkollore të ciklit të ulët dhe që ka një zgjidhje bindëse. Mësuesja dhe nxënësit, në një raport të ngrohtë midis tyre, plotësojnë dëshirën e Albit, shokut të tyre, duke fituar respekt dhe mirënjohje.
Interesante dhe bindëse, përmes skenave artistike emocionuese, është dhënë bota fëminore e fëmijëve tek “Boboja”, një tregim që shpreh dashurinë dhe kujdesin e fëmijëve për kafshët. Kujdesi i Gencit për qenin Bobo, dialogu me plakun, zemërgjërësia e djalit dhe zgjidhja e konfliktit me aq realizëm, e bën tërheqës tregimin dhe lartëson vlerat e personazhit. Nuk është vetëm fjala për dashurinë e fëmijës për kafshët shtëpiake, të një qeni që tanimë është në modë, por është bindës harmonizimi i ndjenjave njerëzore të Gentit e të plakut për të cilat lexuesi ka nevojë të mësojë e të edukohet me këto virtyte.
Tek tregimi “Lulezonja” e shkruar me mjeshtëri, sipas një gojëdhëne matjane, kemi një kombinim të saktë artistik ku dialogu, fjala emocionuese, bota shpirtërore, pleqësojnë mesazhin që jep autori se dashuria prindërore, kudo e në çdo kohë është e përjetshme. Shprehjet frazeologjike të përdorura me kujdes si “... ju pre kënga në buzë”, “mbeti pa gojë”, “nuk vuri gjumë në sy”, etj. të sjellin kënaqësi e pasurojnë fjalorin aktiv për të cilin kemi aq shumë nevojë.
Janë cilësore tregimet si “Ajkuna”, “Buzëqeshja e Dorit”, “Përbindëshi”, “Guva ime”, “Era” etj., në të cilët spikat jeta e përditshme e nxënësit. Fjala vjen, nxënësit e një klase jetojnë me botën dhe shqetësimet shpirtërore të shokut të tyre, ku sinqeriteti, motivimi, dashuria reciproke, është e sinqertë dhe konfliktet kanë një zgjidhje pozitive, jo të stisura e të rëndomta, por me finesë bindëse. Po ashtu, personazhet, në fjalë e veprime janë të gjallë, jo statikë, por plot jetë. Në leximin e tregimeve të vëllimit ngjall interes pasqyrimi me elegancë e me një stil të zhdërvjelltë, me fjalë të kursyera, nxitëse e plot emocione i botës shpirtërore të fëmijëve.
Ndërkohë, autori pasqyron tabllo me ngjyra të reja, plotë dritë e gjallëri duke i bërë subjektet e tregimeve më të kapshme e më të dashura, gjë që flet për shpirtin e ndjeshëm dhe poetik të shkrimtarit me aftësi origjinale për të dhënë mesazhe të reja e bindëse. Rrëfimi i shpejtë dhe elegant të mban në tension e kërshëri, ndërsa përshkrimet e natyrës, të gjendjes shpirtërore të personazheve flasin për një nerv poetik të qartë dhe joshës.
Qenia e Fatmirit mësues prej vitesh dhe sidomos dashuria me të cilën ai përkujdeset për nxënësit i kanë dhënë mundësinë që jo vetëm ta njohë nga afër botën shpirtërore të fëmijëve, por dhe ta pasqyrojë atë me një nivel artistik për t’u admiruar. Mbase dhe ky fakt ka bërë që fëmijët t’i lexojnë me kënaqësi dhe t’i vlerësojnë tregimet e vëllimit “Era”.
Ardhja e këtij shkrimtari me vlera të qarta pozitive në letërsinë për fëmijë, në këto vite ku kjo letërsi ka aq shumë nevojë, është një ogur i bardhë. I bashkohem pa mëdyshje mendimit të  shkrimtarit të spikatur të letërsisë së sotme për fëmijë dhe të rinj, Viktor Canosinaj që  nënvizon se “... ardhja e një shkrimtari të talentuar është një ngjarje e shënuar në letërsinë e një vendi dhe sidomos për letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj, ku emrat e shkrimtarëve të rinj, që njohin mirë botën fëminore, po mungojnë prej vitesh. E tillë është dhe ardhja në prozë e Fatmir Gjestilës.”





2/25/2014

Nga
Pandeli KOÇI
Shkrimtar
                                     Tema të reja me një tingëllimë të re

 
Shoqata Mbarëkombëtare e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj sjell në vëmendje të lexuesit, të krijuesve për fëmijë dhe të kritikës letrare romanin “E fshehta e Kështjellës së Zezë.”
Autori i këtij romani prej vitesh lëvron me sukses edhe në letërsinë për fëmijë, por sidomos në këto vitet e fundit krijimtaria e tij ka qenë e vrullshme dhe cilësore. Në këto vite, krijimtarinë e Gjestilës e dallon jo vetëm larmishmëria në lëvrimin e zhanreve, por edhe trajtimi i temave të reja me një formë të re artistike.
Poezia, fabula dhe tregimi i tij për fëmijë përcjellin tema të reja me një tingëllimë të mjaft të pëlqyer për lexuesit e vegjël.
Libri i tetëmbëdhjetë i autorit, romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” është një prurje cilësore në letërsinë për fëmijë në këto vite, një roman që trajton në një mënyrë të veçantë temën e lirisë në regjimin diktatorial.
Ngjarjet që zhvillohen në një fshat, të cilit natyra i ka falë një bukuri të rrallë, përcillen para lexuesve të vegjël me mjaft sens krijues, veçori autoriale dhe të papritura.
Në qendër të romanit janë pesë fëmijë dhe një njeri i panjohur për fëmijët, të cilët në hapësirën kohore prej disa muajsh bëhen personazhe mjaft të këndshëm e të dashur për lexuesit e vegjël.
Duke kërkuar ditë pas dite të gjejnë të fshehtat e Kështjellës së Zezë (një kullë e braktisur në anë të fshatit), ata hyjnë në një rrjedhë ngjarjesh që pasojnë njëra-tjerën me plot befasi e kureshtje. Mari, që del më në dukje mes fëmijëve, një djalë i zgjuar, i guximshëm dhe i dashur, bashkë me Ridin, Gencin, Albin dhe Algin arrijnë të zbulojnë të fshehtat e Kështjellës së Zezë dhe të fshehta të tjera.
Por e fshehta e fundit që zbulon në faqet e fundit të romanit, e drithëron Marin aq sa ai kalon në një gjendje të rëndë shpirtërore. Përcjellja e kësaj gjendje është bërë me mjaft mjeshtri nga Gjestila, përmes një gjetje të re, bisedës me vetveten, që e dyzon personazhin kryesor, duke na e paraqitur si Mari1 dhe Mari2.
Një tjetër gjetje e re është përmbyllja e romanit përmes leximit të ditarit të njeriut misterioz. Leximi i ditarit sqaron mjaft ndodhi duke rimarrë kështu pothuajse të gjithë ngjarjen nga fillimi. Mjaft pikëpyetje në mendjen e lexuesve nisin e marrin përgigje të këndshme duke bërë që të rikthehesh në jo pak raste në ngjarjet e kaluara.
Romani “E fshehta e Kështjellës së Zezë” vjen pas romanit “Aventurat në pyllin me pisha”, edhe ky një roman mjaft interesant që trajton, si edhe Kështjella e Zezë, temën e lirisë. Këta dy romane kanë arritur që me gjuhën dhe mjetet shprehëse të moshës fëminore, të trajtojnë një temë mjaft të vështirë dhe disi të rrallë në letërsinë tonë për fëmijë.