"MUSTAFAI - MIKU I TË GJITHËVE"
-Monografi-
Autor: Fatmir Gjestila
Redaktorë: Behar Gjoka, Basir Bushkashi
Kopertina: Mariglen Gjestila
Shtepia Botuese “WEST PRINT
Autor: Fatmir Gjestila
Redaktorë: Behar Gjoka, Basir Bushkashi
Kopertina: Mariglen Gjestila
Shtepia Botuese “WEST PRINT
Pjesa I
VENDLINDJA
Makina, krejt pa e kuptuar, doli nga autostrada dhe mori në të djathë duke hyrë në “Rrugën e Kombit.” Pas pak, pasi la në të majtë urën me harqe, e cila prej vitesh nanuritej vetmitare, veçse nga valët e lumit, në shkërmoqjen e përditshme, makina doli në të djathtë të lumit, i cili ende shkumëzonte tek-tuk, edhe pse merrte frymë i qetësuar, duke u lëshuar i paqtë në shtratin e tij të gjerë. Në të majtë, atje ku fusha, pak e nga pak, në një përballje të kahmotshme me lumin, ua lëshonte vendin kodrinave, një grykë e ngushtë, në pjerrësinë e majtë të së cilës po dredhonte makina, afrohej gjithnjë e më shumë, duke u përshfaqur me tërë bukurinë e saj, e cila të joshte aq shumë saqë shkëmbinjtë e murrmë, që epoheshin mbi kryet e njëri-tjetrit, e njëherësh disa qindra metra mbi makinë, i merrje për cjepë të stërlashtë, që vrapojnë mbi pyje veçse në përrallat e moçme.
Liqeni Shkopetit |
Makina gulçoi teksa nisi të ngjitej duke dredhuar ngadalë nëpër leqet e sajuara nga ngrënia e shkëmbinjëve, gjersa erdhi një çast kur njëri nga biologët u ngrit nga ndenjësja. Drejtuesi i makinës, një djalë rreth të njëzetepesave, vështroi në pasqyrën e brendshme të makinës. Ezmer, me pak mjekër, me sy të zinj e zhbirues, vetulla të harkuara, ballë të përvjeluar dhe flokë të shkurtër, ai drejtoi makinën në të djathtë duke hapur krahun.
Grupi i biologëve doli nga makina.
- Ç’pamje e rrallë!
Ishte Diana, në krah të kolegëve të saj, që kishte vënë dorën mbi ballë në formën e një strehe për të shikuar më mirë nën rrezet e para të diellit që sapo kishte marrë udhën mbi luginë. Flokët e zinj e të dendur, të prera rreth qafës dhe mbi ballë, ia përkëdhelte flladi mëngjesor.
- E rrallë, e bukur dhe madhështore, vajzë! - tha njëri nga biologët, më i moshuari mes tyre, duke vënë syzet optike. - Çudi që s’keni qenë më parë këtyre anëve.
- Vonë, por më në fund erdha, profesor! - qeshi biologia, të cilën, edhe pse në një moshë jo aq të re, ish-pedagogu i saj e kishte thirrur vajzë. Ashtu i kishte thirrur gati gjithëherë, siç kishte thirrur edhe shoqet e saj të kursit. Ndërsa shokët e shoqet e saj e thërrisnin Ana.
Rreth pesëqind metra nga ku kishin qëndruar, biologët vështronin përpara, atje ku dy shkëmbinj të larmë afroheshin aq shumë me njëri-tjetrin, thikë mbi dy anët e luginës, saqë gati nuk piqeshin krye më krye. Herë-herë, teksa e sodisje gjatë përpjekjen e tyre të dëshpëruar për t’u takuar, të dukej sikur natyra e kishte ndaluar kohën e tyre atë çast, ashtu siç shkopi i bariut fikson me ndalesën e tij kërcimet e ndërkryera të dy cjepëve të stërmëdhenj, të ngritur vrikthi në dy anët e lumit, si për të mos i lënë të shkërmoqin kryet në atë përplasje viganësh, gjerkur diga e hekurbetontë të ngrihej mes tyre, lumi të fryhej e të fryhej dhe të ngjitej në shpatet e shkëmbinjëve, si për t’ua ftohur zemërimin gjithëshekullor.
Pasi çdonjëri prej tyre shkrepi disa herë aparatin fotografik, u afruan pranë makinës. Djali shtatlartë e disi hollak, që kishte qëndruar disa hapa larg tyre, duke i vështruar me një buzëqeshje të përmbajtur, me një pamje disi të menduar, u afrua dhe zuri vend në timon. Pasi biologët u rehatuan në ndenjëset e makinës, ajo mori udhën drejt tunelit që dukej si një shpellë e frikshme. Me të hyrë në tunel, e gjithë pamja madhështore e shkëmbinjve-cjepë u përvodh e mbeti e ngurtësur veçse në mijëra e mijëra pikëza të fikësuara në aparatet fotografike. Errësira u bë e plotë. Por, pas disa sekondash, ende pa u bërë i plotë harku i një minute, hapësira e tunelit nisi të zgjerohej e zgjerohej, si për të përpirë në barkun e tij të unshëm e të errët kaltërsinë e liqenit, që përndizej nga flakërima e rrezeve të diellit. Ana lëshoi një klithmë habie. Liqeni: i kthjelltë, i paqtë e i përndritur nga rrezet, atë çast, për vizitorët, s’ishte veçse një pasqyrë e stërmadhe e hedhur në luginë, ku retë që vozitnin në qiellin e pastër, lisnaja e harlisur, e kthyer kryeposhtë në kaltërsinë e ujit, me ndonjë shtëpi që, tek-tuk, bardhonte mes gjelbërimit, përkundeshin në valëzimet e qeta si në një djep ëndrrash.
- Kjo është një mrekulli! Ç’pamje e paqtë!
Ura e Ulzes mbi liqen |
Djaloshi vështroi portretin e Anës në pasqyrë dhe buzëqeshi, ndërsa ajo, teksa pikasi vështrimin e tij, puliti sytë si e zënë në faj dhe më pas u përhumb në kujtime. Makina la në të djathtë një urë dhe, pak nga pak, kthesë pas kthese, nisi të ngjitej, disi i lodhur, gjersa pjerrësitë e grykave mbetën pas. Kur e përmalja sosi mbi kryet e një dige, atje ku shtrihej si në pëllëmbë një qytezë, u shfaq liqeni i dytë, ende i përgjumur, nën një tis të hollë mjegulle, që kishte nisur të përvidhej gjelbërimit të harlisur duke përhumbur shtëpitë e shpërndara fushave dhe pjerrësive të kodrinave. Më pas, makina dredhoi në të djathtë dhe ndaloi buzë liqenit. Ana doli nga makina dhe nxitoi t’i afrohej më shumë bregut. Qëndroi me vështrimin e tretur mbi hapësirën e kaltër. Vështrimi i saj, që ishte mësuar të kapte kaltërsinë e gjerë të detit në mëngjeset pranverore dhe valët e bardha të tij që përndizeshin në mbrëmje nga rrezet e diellit, tani qëndronte gati i palëvizur. Pas pak, Ana puliti sytë dhe doli shpejt nga vegimet, që e kishin kthyer pas në kohë. Vështrimi i saj bëri përpara duke ngërthyer një pamje të gjerë. Atje ku liqeni i fshihej syrit, i rrokur në tërthoret e kodrinave të blerta, vështrimi ngjitej lart, pak e nga pak, duke u epuar mbi maja kodrash e brigjesh, gjersa pushonte mbi një valle kepnajash që dukej sikur mbante mbi supe, prej mijëra e mijëra vitesh, peshën e një mali të lartë, krenaja e të cilit bardhonte ende.
- E mahnitshme! Është Deja!
Mali i Dejes |
Ana u drithërua dhe u kthye në anë, disi e trembur. Pranë saj, që prej disa çastesh, kishte qëndruar njëri nga kolegët e saj. Iu duk sikur thirrja e tij e beftë epoj që nga krenaja e bardhë e malit.
Sytë iu mjegulluan.
- Ti, po qan?!
- S’e di si të të them… s’e di… Është e çuditshme… disa herë nuk mund të themi as pse përlotemi. Kjo natyrë e paqtë dhe e bukur duhet të ketë gatuar edhe një shpirt të madh njerëzor.
- Dhe ne e kemi ndjerë një pjesë të atij shpirti… para shumë vitesh… Ishte mirësi që e patëm në shoqërinë tonë.
- Si është jeta…
- Duhet të marrim varkën, kolegë!
Profesori kishte ngritur zërin.
- Po kafenë, profesor, nuk do ta pimë këtu? - pyeti djaloshi.
- Jo këtu, Eri! Atje, pranë Gurrës së Shutrresë! O burra, djalosh, ndiz motorrët!
Biologët qeshën me fjalët e profesorit, që kishte thirrur si një kapiten anije, dhe bënë për nga varka. Pas pak ajo u lëshua përmes kaltërsisë së qetë të liqenit. Ndërsa pluskonte, gjithnjë e më shumë afroheshin kodrinat e buta të fshatit Laç, gjersa u dukën shtëpitë e para që feksnin me bardhësinë e tyre mes gjelbërimit, ndërsa, përtej tyre, nisën të merrnin lartësi gryka e Blazit, pylli i Majedhës, Kepi i Falkoit, gryka e sertë e Urakës, kepi i thiktë i Gërshotit dhe kurrizi i valëzuar i kashnjetit të Prellit, gjersa erdhi një çast që krenaja bardhane e malit të Dejës u fsheh pas tyre.
(Majedha, Gershoti,Gryka e Urakes |
Varka hyri në një ngushticë, atje ku brigjet gati sa nuk cikeshin me njëra-tjetrën dhe, pas disa sekondash, hapësira mori frymë. Një pamje e bukur, e fshehur gjer në atë çast nga kodrinëzat që mbetën pas, u shfaq befas. Në të majtë, brigjeve të liqenit, ngriheshin shtëpi të modeluara, një, dy e tri katëshe, dhe, vetëm diku, mbi një kurrizore të butë, mbante ende veten një kullë e moçme. Pak nga pak, liqeni nisi të humbas thellësi dhe hapësirë, ujënaja e tij u kthjellua, valëzimet nisën të shushurinin, teksa varka mori shtratin e fryrë të një lumi. Pas disa sekondash para u shfaq një shtjellë e paqtë në të cilën ujërat rrokeshin në një përqafim të gjatë, kushedi prej sa e sa motesh e që zinte fill me puthjen e parë që ende s’ishte tretur nga muzgu i lashtësisë. Gurra e Shutrresë dhe lumi Urakë, që rridhnin në të dy anët e një fushe, ndaleshin për një hop aty, në Përzej dhe, më pas, humbisnin vrullin në qetësinë e liqenit të Ulzës. Motorrët gulçuan të lodhur, varka u zgjat ngadalë dhe u pështet në breg. Para, në fushën e bleruar, si një ujëdhesë e paktë, që merr gjithçka nga toka dhe uji, ishte Bruçi.
Shutrreja fshihej shelgjishteve, duke përcjellë me shushurimën e saj, në të dy anët e brigjeve, freskinë e ujit të akullt. Profesori u ndal dhe hodhi vështrimin në të majtë.
- Nuk po e shoh as një shenjë të hidrocentralit tuaj, - tha duke qeshur, si për të ngacmuar djaloshin.
- Ai ishte dikur... sot nuk është më... Të tjerë do të ndërtohen.
- Dikur këndohej një këngë që niste me emrat e fshatrave...
- Dikur po... Gurra e Shutrresë-perlë e vërtetë e falë bujarisht nga natyra, Mynyr Shehu-mjeshtër i këngës së re popullore, Feride Kurti-zë brilant i lirizmit matjan e më gjerë, mundësuan këngën në vargjet e së cilës diku tregohet:
Laçi-Bruçi dhe Uraka
seç na janë bashku,
një hidrocentral të vogël
seç e kan’ ndërtu ...
- Këta fshatra janë në krah e në sy të njëri-tjetrit... Pse është dashur t’i bashkojë një hidrocentralth?
- Realisht nuk ishte hidrocentrali, as ideologjia e kohës e as kënga nismëtarë të bashkimit të këtyre fshatrave, - nisi të tregojë djaloshi. - Fillimisht ishte fshati Laç e më pas, brenda shtrirjes territoriale të tij, u formësua si i tillë fshati Bruç.
- Bruç! Ç’emër! - e ndërpreu njëri nga biologët. - E gjejmë edhe në krahina të tjera si mbiemërim.
Shutrreja |
- Këtu jo, - tha duke qeshur djaloshi. - Është thjesht emri i fshatit. Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe bruç emërohet një lloj bubuzheli që dëmton pemët e drurët, sidomos hardhitë.
- Ej, djalosh, ti po hyn në fushën tonë! Kështu të jetë vallë? - iu kthye profesori duke qeshur.
- S’besoj! Nëse i drejtohemi defterit osman të vitit 1467, i cili, përmes të dhënave mbi numrin e fshatrave dhe emërtimin e tyre saktëson edhe kryefamiljarët, do të gjejmë edhe regjistrimet e kryera për Vilajetin e Urakës. Në këtë defter emërtimi i fshatit Laç gjendet qartësisht, ashtu si dhe i disa fshatrave të tjerë: Kita (Keta), Selita, Dardas (Darës), Dirjan (Derjan) etj. Në këtë defter gjejmë mbiemërime të cilat jo vetëm mund të çojnë kah një hamendësim i vlefshëm në lidhje me emrin e sotëm të fshatit Bruç, por mund të tregojnë edhe më shumë. Pra, fillesën e këtij emërtimi duhet ta kërkojmë në regjistrimet e defterit të viti 1467, te emrat e kryefamiljarëve Gjon Bruxhi dhe Martin Biruçi, të cilët (ata apo pasardhësit e tyre) mund të kenë qenë zotëruesit e territoreve të fshatit të sotëm Bruç.
Ndërsa djali fliste, grupi kishte lënë pas pikëpjekjen e Urakës me Shutrrenë dhe kishte qëndruar në anë të një baseni prej betoni ku lëvrinin troftat.
- Duket se po ua tregon të gjitha, - ndërhyri duke qeshur profesori. - A s’më premtuat se do t’i lexoja në librin tuaj?
- Mbase fola shumë, - tha djaloshi. - Kur flet për vendlindjen gjithkush bëhet poet e historian. Apo jo, profesor?
- Por ti ke të drejtë, djalosh. Ky fshat të bën të ndjehesh krenar. Është aq i bukur, aq i qetë... Shikoni, shikoni se sa me butësi e presin horizontin kodrinat rretheqark! Kësisoj ata kanë sajuar një prehër të butë ku prehet i qetë fshati.
Bruci i fotografuar nga lagjia Gjestilaj |
- Përtej kodrinave zë fill Mirdita, - e mori përsëri fjalën djaloshi. - Laç-Bruçi ciket me Mirditën duke ndarë një kufi natyror me fshatrat Perlat dhe Lufaj. Si pjesë e semtit të Prellit, Laç-Bruçi është një ndër fshatrat më të lashtë e me bukuri natyrore nga më të rrallat në Mat. Me një shtrirje të harkuar nga veriperëndimi në lindje, masivi kodrinor, i veshur me një shumëllojshmëri drurësh, sillet si një kufi i pastër natyror i Laç-Bruçit me Mirditën, por dhe si një pasuri e kahershme për banorët e zonës. Ky masiv ndikon në përcaktimin e një klime relativisht të butë përreth Laç-Bruçit, duke luajtur rolin e një shpinoreje mbrojtëse nga erërat e veriut. Ndërsa harliset nga ngjyrat dhe freskitë e një pranvere me plot diell, përcjell nën freskinë e burimeve, përrenjve, gurrave dhe lumit Urakë një verë relativisht të nxehtë, pret një vjeshtë gati të trishtë, por të begatë dhe nis një dimër të butë e me shumë baltë që, pak nga pak, po largohet prej rrugëve, të cilat po ndërtohen nga viti në vit.
- Kjo gropë natyrore duhet të jetë banuar që në lashtësi, - vërejti Ana. - Lartësia mbi nivelin e detit duket se është e vogël.
Bruci -Zall Prell- |
- Mendimi juaj përkitet shumë me vërtetësinë, - pohoi djaloshi. - Lartësia në fushat dhe kodrinat e Urakës, Bruçit dhe Laçit sillet mesatarisht në rreth 250 m mbi nivelin e detit. Në këtë minihapësirë gjeografike gjejmë gjurmë të pakundërshtueshme të lashtësisë. Gjetjet arkeologjike, sidomos ato që i përkasin gërmimeve në shpellat e Blazit, Këputës dhe Pëllumbave, të cilat ndodhen në lartësitë anësore të Luginës së Valit, flasin qartazi se kjo hapësirë ishte e banuar që nga epoka e paleolitit e në vashdimësi. Vazhdimësinë e këtyre vendbanimeve e pohojnë edhe gjetjet arkeologjke në shpellën e Nezirit, si një vendbanim i bakrit dhe bronxit. Toponimia e pasur e kësaj zone, veç të tjerash, nënvizon edhe periudhën e mëvonshme, atë të Gjergj Kastriotit, gjatë së cilës matjanët luajtën rol kryesor. Studiuesi Dilaver Kurti, i spikatur në prurjet shkencore mbi historinë e hershme të Matit, nënvizon: “Në numrin e qytezave dhe kalave mesjetare të Matit, ban pjesë edhe një vendbanim i kësaj natyre që gjindet në katundin Bruç të Matit me emnin “Gjyteza e Skanderbegjut.”1 Rrënojat e qytezës, me shenja të qarta që flasin për një fortifikim të gjithanshëm, ndodhen edhe sot e kësaj dite në veri të fshatit Bruç. Gojëdhëna popullore sjell gjer në ditët tona faktin se kjo qytezë ka qenë e Skënderbeut. Po t’i referohemi Barlecit, kur flet për fortifikime, ndërtime e rindërtime të fortesave të Skënderbeut në Mat, arrijmë në përfundimin se gojëdhëna përkitet qartazi me historinë barleciane në lidhje me Qytezën e Skënderbeut.
Bruci - Qender- |
Megjithë ndarjet e përcaktimet e mëvonshme administrative, Laç-Bruçi, përgjatë zhvillimeve historike, njihet për kontributet e mëdha në gjithë historinë matjane. Të përfshirë në organizimet e semtit të Prellit, bijtë e këtyre fshatrave morën pjesë masivisht në kuvendet dhe kryengritjet për liri e pavarësi.
Me shtimin natyror të popullsisë dhe zhvillimet historike e sociale, Laçi dhe Bruçi nisën të përmendeshin si fshatra më vete. Fshati Bruç njihet si i tillë, i ndarë nga fshati Laç, në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar.
Pak nga pak, duke ecur përmes fshatit që kishte veshur rrobën e gjelbërt, disi të errët e të lagur, biologët, ndërsa dëgjonin mikpritësin e tyre, ndjenin freskinë e ujit që përhapej nëpër fshat në formën e një puhize çlodhëse. Ajo puhizë përhapte një aromë ndjellëse të sajuar nga poleni i luleve, avujt e tokës, njomështia e misrit dhe e bimëve të tjera... Sapo kishin arritur në qendër të fshatit, përballë shkollës, në krye të një fushe të mbjellë me misër.
Fusha e Nerdyse |
- Jemi në qendër të fshatit Bruç, - vazhdoi djaloshi. - Kjo është fusha e Nërdysë e cila mendohet se (mbi bazën e gjetjeve arkeologjike sipërfaqësore) ruan nën vete rrënojat e një qendre të lashtë banimi. Fusha e Nërdysë njihet dhe si vendi ku janë organizuar shumë kuvende krahinore dhe ndërkrahinore. Një ndër kuvendet, i përmendur edhe në dokumente historike shqiptare, është ai i mbajtur më 26 Korrik të vitit 1943, i njohur si Kuvendi i Bruçit. Në këtë kuvend, pjesëmarrësit e forcave nacionaliste dhe ato partizane të Matit, të pritur nga plaku i urtë patriot Ahmet Beqiri, vendosën të sulmonin forcat pushtuese fashiste që ishin vendosur në Burrel.
Në një kohë më të mëvonshme, pjesë e fshatit Bruç natyrshëm janë edhe disa lagje të vendosura thuajse përgjatë rrjedhës së poshtme të lumit Urakë. Këto lagje së bashku emërtohen Zall-Prell. Në fshatin Bruç, duke u nisur sipas orientimit gjeografik veri-jug, vendosen shtëpitë e fiseve Gjestilaj, Nezirimerraj, Alisenaj (pjesë e njërës nga dy degëzimet e fisit Gjestilaj), Stafaj, Likaj, Barlikaj, Mamicaj, Xhakrosaj, Klosaj, Xhomaraj, Kurbneshaj, Kicaj dhe Kasmaj.
- Duket që Uraka ka qenë shumë bujare me Bruçin, - vërejti njëri nga biologët.
- Uraka? Po ne harruam Shutrrenë! - ngriti zërin Ana. - Nuk e ndjeni shushurimën e saj?
Djaloshi qeshi dhe priu nën shkollë. Sapo dolën mbi Mullirin e Ferrës ndjenë ajrin e ngopur me freskinë që përcillnin shkulmet e bardha të gulfimeve të Shutrresë.
- Atje, nën ato shelgjishte do ta pimë kafenë, - tha Ana. - Sa bukur!
Pas disa minutash, teksa shijonin kafenë, ulur shesh mbi bar, nën hijen e shelgjishteve, në anë të njërës prej gurrave të Shutrresë, u dëgjua boria e një makine. Ishte një “Tyota”.
- Mund të ecim edhe në këmbë, - tha profesori. - Duke u ngjitur, nga lart, mund të shohim edhe më qartë bukuritë e fshatit.
- Do të ndalojmë herë pas here, profesor, - tha Eri. - E përmalja nuk është aq e lehtë.
Nuk qëndruan gjatë nën shelgjishte. Pasi mori një tërthore të butë e doli mbi një kodrinë, “Tyota” u ndal. Në anë të rrugës zinte fill lagjia Gjestilaj dhe dalloheshin shtëpitë e bardha të saj, ndërsa, që nga kodra, syri të rrokte gjithë fshatin Bruç.
- Këtu po! Këtu mund të na flasësh pa mbarim për fshatin tënd, djalosh!
- Ja, ky është Bruçi! - tha djaloshi duke treguar me dorë. - Duket si ujëdhesë e paktë, e shtrirë mes rrjedhës së Gurrës së Shutrresë dhe lumit të Urakës, që bashkohen në Përzej dhe, prej këtej, derdhen në liqenin e Ulzës. Në mesin e shekullit të XX e më pas (sidomos me kooperativizmin socialist nën diktaturë) nisi të formësohej edhe si qendër administrative e zonës. Kjo zonë do të përmblidhte fshatrat Urakë, Laç, Bruç, Prell, Rukaj dhe Rremull. E caktuar natyrshëm si qendër e kësaj zone, në Bruç u vendos administrata e drejtimit monist të jetës politike, ekonomike dhe social-kulturore. Shkolla e ciklit fillor u pasua nga ngritja e shkollës 8-vjeçare (sot 9-vjeçare) dhe e shkollës së mesme që përgatiste nxënës të arsimit të përgjithshëm dhe të arsimit profesional bujqësor. Në mënyrë krejt arbitrare, për interesa, ritregimi i të cilave të bëjnë të qeshësh me përmbajtjen tepër anekdotike, që në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, qendra administrative e zonës quhet Rukaj. Është emri i një fshati që, deri vonë në kohë, ishte lagje e fshatit Rremull. Por emërtimi Rukaj lexohet vetëm në vulën e administratës së komunës, ndërsa godina e saj, me gjithë administratën, shkolla e mesme, qendra shëndetësore e zonës dhe institucione të tjera sociale e tregtare janë në Bruç.
Pozicioni gjeografik-qendër në lidhje me fshatrat e tjerë të zonës, vazhdimësia historike si qendër, qenia ndër vendbanimet më të lashta dhe referencë arkeologjike, pasuritë dhe bukuritë natyrore, e pozicionojnë Bruçin pakrahasueshmërisht me fshatrat e tjerë, si qendrën administrative, kulturore e sociale, gjeografike e historike të zonës Laç-Rremull e më gjerë. Vitet që do të pasojnë do ta kthejnë Bruçin në një qendër me pasuri e bukuri të rrallë natyrore, çka do të bëjë të kujtohen me humor përpjekjet e “eleminimit” të zërit dhe memories së historisë së tij të vjetër e të re.
...................................................................................................................................................................
Hapat e parë të shkollimit
Shkolla e sotme “26 Korriku” në Bruç zë fill në vitin 1947, në një ditë marsi, kur hapi dyert shkolla fillore me klasën e parë, klasën e dytë, klasën e tretë dhe klasën e katërt. Për disa vite kjo shkollë përgatiti vetëm nxënës me arsimi fillor.
Shkolla Fillore Bruc |
Veprimtaria mësimore dhe edukative zhvillohej në një ndërtesë të vjetër përdhese. Hyrja në këtë godinë bëhej nga ana perëndimore e saj, përmes një dere të lartë që të nxirrte në një korridor të ngushtë. Në anë të majtë të këtij korridori, një derë e sajuar me dërrasa, të lejonte të hyje në një kthinë të vogël, që zakonisht përdorej edhe nga mësuesit e ardhur në fshatin Bruç. Përballë, përmes një dere të ngushtë, hyje në njërën nga klasat e ciklit fillor. Ndërsa në të djathtë, përmes një dere disi më të madhe, hyje në klasën që kishte më shumë dritë. Dritaret e saj ishin më të mëdha dhe gjatë periudhës së dimrit qëndronte më gjatë në sy të diellit. Kur të hyje në këtë klasë duhet të bëje kujdes, pasi mund të rrëzoheshe keq. Dikush që hynte për herë të parë e kishte të vështirë të vinte re shpejt se dyshemeja e saj ishte disa centimetra poshtë hyrjes në derë, kështu që anohej befas përpara. Megjithatë kjo klasë ishte më e gjerë, me më shumë dritë, me tavan më të lartë dhe me dysheme të shtruar me çimento.
Klasa përballë portës hyrëse të godinës ishte më e errët, me dritare të ulta në drejtim të lindjes. Tavolina e mësuesit ishte e vendosur në hyrje të saj, ndërsa nxënësit uleshin në ca banka të vjetra e të mëdha prej dërrase të trashë ahu. Në këto banka, mbi syprinën e tyre, ishin sajuar të thelluara ku nxënësit vinin shishet me bojë dhe penat me bisht të gjatë druri.
Dyshemeja ishte prej dërrase, ca dërrasa të gjata e të kthyera si ulluqe uji. Tavani ishte gati në të rënë dhe gjatë ditëve me shi pikonte vazhdimisht, pasi tjegullat, ca tjegulla të vjetra që kishin humbur formë e ngjyrë, ishin gati të gjitha të dëmtuara.
Dyshemeja, siç thamë, ishte prej dërrase dhe nxënësit e vegjël hiqnin shumë për ta pastruar. Bruçi njihej për baltën e madhe në kohë me shi. Së pari, me ndonjë bel, nxënësit hiqnin baltën nga dyshemeja dhe pastaj mbushnin ujë në Gurrën e Shutrresë, me një kovë të madhe metalike. Zakonisht e mbushnin te Vija e Mullirit të Ferrës dhe ngjitnin me mund termalen drejt shkollës. Duart u mavijoseshin ca nga të ftohtit e ca nga uji i akullt i Shutrresë.
Për të marrë mësimet e para në shkollën fillore këta vogëlushë vinin nga fshati Bruç, disa të tjerë edhe nga lagjet e poshtme të fshatit Laç, që shtriheshin përgjatë rrjedhës së Gurrës së Shutrresë. Në mjediset e kësaj shkolle mësimi zhvillohej në klasa kolektive.
Bruç. Shtator 1966. Kanë kaluar nëntëmbëdhjetë vite që prej hapjes së shkollës fillore. Tani, poshtë godinës së vjetër të saj, është ndërtuar një godinë tjetër, në të cilin, prej nëntë vitesh, zhvillon mësim cikli i lartë i shkollës 8-vjeçare.
Mëngjesi është i bukur. Sapo ka marrë udhë një ditë vjeshte e cila, ndërsa nis e pi freskinë e Shutrresë, për disa minuta, ndalet e dëgjon të qeshurat dhe thirrjet e gëzuara të fëmijëve. Mes fëmijëve, që zbresin të gëzuar teposhtën e lagjes Gjestilaj, për të nisur një vit të ri shkollor, janë edhe më të vegjlit e atij grupi nxënësish: Mustafai dhe Ahmeti. Mustafai është pak më i gjatë, më i qetë, duket më i shëndetshëm dhe hapin e hedh me kujdes në rrugën plot gurë, ndërsa Ahmeti është më i imët në trup, më i lëvizshëm, flokëkaçurrel dhe vetëm qesh. Ata janë moshatarë dhe kanë kaluar fillimet e fëmijërisë bashkë, ndërsa tani presin me padurim të ulen në bankat e klasës së parë. Mësuesi i tyre do të jetë Xhelal Lika: i dashur, me një vështrim depërtues, me një humor dhe të qeshur karakteristike, mjeshtër i orës së mësimit.
Klasa e 8, Bruc 1974 |
Shtatëvjeçari, me sytë dhe flokët e zinj të krehur me kujdes e që i bien hijshëm mbi ballë, me vetullat e harkuara dhe ballin e gjerë, me buzëqeshjen e ëmbël që i endet gjithnjë buzëve, ulet në bankën e dytë të klasës së parë në pritje të orës së parë të mësimit. Në regjistrin e klasës së parë, bri numrit dymbëdhjetë, mësuesi i tij do të shkruajë emrin Mustafa Gjestila. Ky emër, që në vitet e para të shkollimit, do të bëhej i njohur, i dashur dhe i paharruar jo vetëm për bashkëmoshatarët e tij, por për një komunitet edhe më të gjerë.
Që në fillimet e klasës së parë, Mustafa Gjestila dallohet për vëmendje në orën e mësimit, për përvetësimin e shpejtë të njohurive të para dhe sidomos për shkrimin e hijshëm e të pastër.
Shkruhej me penë. Mbajtja e shishes së bojës, për nxënësit e moshës së vogël, ishte një telash i përditshëm jo vetëm në bankat e shkollës, por dhe gjatë rrugës. Jo rrallë boja dirdhej në bankë nga lëvizjet e shumta që bënin nxënësit, dirdhej në çanta nga lojërat që nuk i linin as rrugës. Në ditët e nxehta, kur ajo shpërthente në çantë, bojatiste librat dhe fletoret. Në atë kohë rrallë shikoje çantë të panjollosur nga boja.
Eh, çantat, çantat! Ato ishin të sajuara nga nënat me beze. Po, po, me beze, në të dy anët e së cilës qepeshin dy doreza, po prej bezeje. Por kishte edhe nga ata nxënës që i shpëtonin bojatisjes, pra ishin shumë të rregullt dhe të kujdesshëm me mjetet mësimore. I tillë ishte dhe Mustafai i vogël. Ai kishte sajuar në anë të çantës një xhep të vogël në të cilin vinte bojën, ndërsa, si edhe të tjerë nxënës, gjatë rrugës, shishen e mbante edhe në dorë.
Në përfundim të klasës së parë Mustafai vlerësohet me notën maksimale në të gjitha lëndët mësimore dhe dëftesa e tij e parë shkollore me numër amze 534 shoqërohet me një “Fletë Nderi”, me motivacion të qartë për rezultate të shkëlqyera. Ky motivacion do të shoqëronte dëftesat përfundimtare të të gjitha klasave të shkollës 8-vjeçare që do të kryente Mustafai.
Nxënësit e klasës së parë, që do të nisnim vitin e parë shkollor në vitin 1968, do të ishim në një klasë me Mustafain, Ramazan Klosin (Bruç), Ahmet Gjestilën, Sabie Lleshin, Qemal Stafën e shumë nxënës të tjerë që kishin mbaruar klasën e dytë dhe do të fillonin klasën e tretë. Mësimi ende zhvillohej në klasa kolektive: klasa e parë me klasën e tretë dhe klasa e dytë me klasën e katërt. Mësuesi e niste mësimin me njërën nga klasat dhe, pasi i vinte nxënësit e saj në punë të pavarur, merrej me drejtimin e klasës tjetër.
...................................................................................................................................................................
Mësuesi Xhelal Lika ishte një mësues punëtor, herë-herë dhe i rreptë, sidomos me nxënësit që vinin pa u përgatitur. Ndodhte diçka e tillë në këto raste: Mustafai dhe Ramazani, kur e ndjenin se përgjigja e ndonjërit prej nxënësve të klasës së dytë nuk ishte e saktë, gjenin gjithmonë një mënyrë për t’i ndihmuar.
.............................................................................................................................................................................
Shkollën fillore Mustafa Gjestila e kreu në qershor të vitit 1970, me mbarimin e klasës së katërt me rezultate të shkëlqyera. Mjafton të përmendim që në dëftesat e tij të katër viteve të ciklit fillor nuk është shënuar asnjë nëntë dhe se të katër dëftesat janë të shoqëruara me diplomën e cilësisë që atëherë i quanim “Fletë Lavdërimi”, ose “Fletë Nderi”. Ato u jepeshin nxënësve cilësorë me ceremoni, para gjithë nxënësve të shkollës dhe prindërve.
Gjatë këqyrjes së dokumenteve shkollore të arshivuara në vite, sidomos të amzave, rasti i Mustafait është ndër më të rrallët përsa i përket cilësisë së mbarimit të ciklit fillor.
Kalimi i Mustafait dhe i nxënësve të tjerë të klasës së katër në klasën e pestë, për nxënësit që kalonin në klasën e tretë, ishte i prekshëm. Për ata, por dhe për nxënësit e tjerë të klasës së dytë e të katërt, shembulli i Mustafait dhe i nxënësve të tjerë kishte mbetur i pashlyer. Mustafai dhe nxënës të tjerë, pas fillimit të vitit të ri shkollor, shpesh shkonin t’i takonin shokët e tyre më të vegjël, në kohën e pushimeve mes orëve mësimore. Në këto raste, mësuesi Xhelal Lika i priste me dashamirësi ish-nxënësit e tij, sidomos Tafën. Për mësues Xhelalin Mustafai mbetej një ndër nxënësit e rrallë e të dashur.
...................................................................................................................................................................
Nxënës dhe mësues – së bashku
në veprimtari të larmishme
Cikli i lartë i shkollës në Bruç, i krijuar mbi bazën e prurjeve të ciklit fillor, fillimisht e nisi veprimtarinë me klasën e pestë, të gjashtë dhe të shtatë në vitin 1957. Vite më pas, zgjerimi i këtij cikli me klasën e tetë, arriti plotësimin e viteve të shkollimit duke u njohur si shkolla 8-vjeçare “26 Korriku”.
Godina e ciklit të lartë të shkollës 8-vjeçare u ngrit thuajse në zemër të fshatit, buzë Shutrresë, ndërsa cikli fillor, edhe për shumë vite, vazhdoi veprimtarinë në po atë ndërtesë të vogël e të vjetër.
Godina e re e ciklit të lartë, njëkatëshe, në formën e një E-je, e shtrirë në krye të fushës së Nërdysë e kishte hyrjen përballë hyrjes së ndërtesës së ciklit fillor. Kështu, mes dy ndërtesave ishte ruajtur një hapësirë e vogël që ishte edhe oborri i shkollës 8-vjeçare.
Mustafa Gjestila nisi mësimet në ciklin e lartë të shkollës tetëvjeçare “26 Korriku", në shtatator të vitit 1970. Tashmë ai kishte edhe më shumë shokë e shoqe, ishte pjesëtar i një klase të madhe në numër. Në klasën e pestë nuk ishin vetëm nxënësit që kishin mbaruar ciklin fillor në Bruç. Në këtë klasë, që fillimisht do të kishte njëzetë nxënës, Musafai takohet me shoqe e shokë të rinj si Ramiz Koxhën, Agim Hysën, Nadire Brahilikën, Ramazan Klosin (Laç), Martine Ndreun, Musa Klosin, Rifat Osmanin, Medi Pepën, Murat Klosin..., që vinin nga lagjia Harvataj në Laç dhe nga Kodër-Laçi e Brahilikajt. Bashkë me vitet tani i ishin shtuar edhe shokët, edhe lëndët, edhe mësuesit.
Për kohën e atyre viteve, shkolla e Bruçit ishte ndër më të spikaturat në rrethin e Matit, falë dëshirës së fëmijëve të zonës për të mësuar, por dhe falë një stafi mësuesish të përgatitur e të përkushtuar. Mësues të përmendur ndër ato vite si Ferit Këputa, Xhelal Lika, Sabri Ramsaliu, Asllan Xhetani, Osman Hoxha, Shahin Stafasani, Ramiz Doçi, Preng Përshqefa, Xheladin Xhekaliu, Fatmir Klosi, Mustafa Kolaveri, Naze Klosi, Mine Brahilika, Bashkim Frangu, Ramiz Mara, Petraq Simo, Liri Frangu, Davë Xhekaliu, Abaz Xhakrosa... punonin me plot pasion me nxënësit dhe jepnin shembullin e tyre në veprimtaritë e shumta që kryheshin në shkollë dhe më gjerë.
Në atë kohë veprimtaritë e shumta mësimore, seminaret, ekskursionet, olimpiadat në lëndë të ndryshme, konkurset artistike dhe shkencore, takimet sportive dhe kulturore, të cilat përveçse në mes klasave zhvilloheshin edhe mes shkollave Prell, Urakë, Rremull, Bruç etj., ishin veprimtari që gjallëronin jetën e vaktë e të vështirë të fshatarëve të zonës. Te shkolla ata kishin sytë dhe veshët, ndaj dhe mësuesit e shkollës qëndronin në lartësinë e edukatorit dhe të veprimtarit të palodhur.
Sot, kur prekim çdo ditë mundësitë e munguara në ato vite të vështira, del se me sa mund e përkushtim kryheshin procesi mësimor dhe veprimtaritë e ndryshme nga mësuesit dhe nxënësit. Sigurisht, “filli i kuq”, që kërkohej të përshkonte gjithë veprimtarinë mësimore dhe edukative, e ngërthente procesin mësimor në një darë të hekurt. Pjesëmarrja e vetë mësuesve në veprimtaritë artistike, fizkulturore dhe sportive ishte një shembull i mirë për nxënësit. Mësues si Ferit Këputa, Sabri Ramsaliu, Abaz Xhakrosa, Xhelal Lika, Behare Stafa (Nika)... jo vetëm i jepnin orës së mësimit seriozitetin dhe korrektesën shkencore, por ishin pjesëmarrës cilësorë të veprimtarive të ndryshme me nxënësit, duke i organizuar ato me shumë dashuri, përkushtim dhe cilësi.
Rreth mësuesit të gjuhës dhe letërsisë Ferit Këputa, i aftë dhe i rreptë në kuptimin e disiplinës që kërkonte një orë mësimi cilësore, mblidheshin nxënës me prirje letrare dhe muzikore, të cilët ai i ndihmonte me dashamirësi duke i aktivizuar në gupet e ndryshme artistike.
Nën kujdesin e mësuesve, pak nxënës mbeteshin spektatorë të veprimtarive të ndryshme: disa aktivizoheshin në grupin e instrumentistëve, të tjerë në grupin e valltarëve, disa në atë të korit e të solistëve, recituesve etj. Përgatitja e këtyre grupeve, jo vetëm për kohën, por krahasuar dhe me vitet e sotme, ku ndihet një mangësi në organizimin e këtyre veprimtarive, ishte me të vërtetë cilësore. Veprimtaritë artistike kryesore, në prag festash a në konkurimet mes shkollave, zhvilloheshin në fushë, krah lapidarit të Kuvendit të Bruçit, që ngrihej pranë shkollës. Në këto raste dekori dhe veshjet e nxënësve - artistë të vegjël, siguroheshin nga mësuesit dhe nën kujdesin e tyre, duke i dhënë, qoftë dhe për pak çaste, gëzim dhe harresë jetës së vështirë.
Këto veprimtari shoqëroheshin dhe nga akte të vogla skenike si skeçe, recitime humoristike, parodi etj. Në role luanin nxënës dhe mësues, ku spikatnin mësuesit Xhelal Lika, Ferit Këputa, Sabri Ramsaliu, Abaz Xhakrosa..., të cilët ishin autorë, regjizorë dhe aktorë kryesorë në këto lloje veprimtarish.
Veprimtaritë sportive ishin në rivalitet me ato artistike. Thuajse të gjithë mësuesit merrnin pjesë në veprimtaritë sportive dhe artistike. Ata s’ishin vetëm mjeshtër të organizimit të veprimtarive sportive, por edhe sportistë të shkëlqyer amatorë. Sabriu, dhe pse disi trupvogël para rrjetës së volejbollit, por i shpejtë, shpërthyes e disi impulsiv në lojë, ishte me të vërtetë i frikshëm për kundërshtarët kur hidhej, siç thuhej, në tri hapësh dhe gozhdonte me forcë topin. Ndërsa Abazi, me të djathtën e tij të idhtë, nga një pozicion i vështirë në anën e djathtë të sulmit, ishte gjithëherë i paparashikuar nga blloku kundërshtar. Mësues Feriti, trupgjatë dhe i fuqishëm nuk ngrihej shumë nga vendi. Dora e tij e fuqishme s’të falte. Mënyrën e shërbimit të tij, një harkore e fuqishme që merrte përpara me gjithë forcën e shpatullës, ishte shpëtimtare kur kërkohej të prishej organizimi i sulmit të kundërshtarit.
Në ato vite, në vjeshtë dhe në pranverë, por edhe në dimër, kur fusha ishte e papërbaltur, gati çdo ditë, nxënësit dhe mësuesit luanin së bashku volejboll. Ndërsa në takimet me rininë e fshatit, me shkollat e tjera apo fshatrat përreth, thirreshin në skuadër dhe disa nga nxënësit më të mirë në volejboll të cilët luanin si të barabartë me mësuesit e tyre. Një ndër to ishte edhe Mustafai, i cili, si edhe Gëzim Xhakrosa, shërbente pranë rrjetës. Skuadrat e futbollit dhe volejbollit trainoheshin veçmas përmes stërvitjeve, ndeshjeve mes klasave dhe mes shkollave të tjera. Me Mustafa Gjestilën, Agim Hysën, Elez Nezirin, Ahmet Gjestilën, Arben Nezirin, Gëzim Xhakrosën... shkolla “26 Korriku” kishte formuar një ekip futbolli që ishte i pathyeshëm në takimet mes shkollave në zonë.
Gjatë stinës së dimrit në qendër të fshatit bëhej shumë baltë. Por mësuesit, nxënësit dhe prindërit mundoheshin të shtronin me gurë rrugët, sidomos ato kryesore. Gurët i merrnin në Shutrre e më shumë në lumin e Urakës. Këtu merrnin edhe gurët për parullat që shkruanin bashkë me mësuesit në vende të dukshme. Ishte një punë e lodhshme, por, nxënësit e shkollës së Bruçit, ishim disi më me fat se nxënësit e shkollës së Prellit dhe të Rremullit: kishin pak vende të dukshme e të zhveshura. Më e dukshme ishte Kodra e Mullirit. E mbushnin plot e përplot me parulla. Ajo e dinte se ç’hiqte!
Duke bërë fjalë kryesisht për periudhën e shkollimit të Mustafait në Bruç, përmendim si pjesëmarrës në veprimtaritë artistike e sportive nxënësit Sanie Mamica, Dylaver Hysa, Osman Osmani, Haxhi Gjestila, Mexhite Gjestila, Man Neziri, Dylbere Gjestila, Bajram H. Neziri, Sabije Lleshi, Ramazan Klosi (Laç), Martine Ndrea, Agim Hysa, Vera Brahilika, Ramazan Klosi (Bruç), Gëzim Këputa, Ahmet Gjestila, Musa Klosi, Elez Neziri, Qemal Stafa, Elvadie Xhakrosa, Arben Neziri, Gëzim Xhakrosa, Ramiz Koxha, Petrit Neziri, Ibrahim Lleshi, Luan Brahilika, Xhemal Cara, Servete Klosi, Sabije Gjestila, Astrit Neziri etj.
Mustafa Gjestila njihej si një nxënës i veçuar cilësor, por dhe një pjesëmarrës i dalluar në veprimtaritë artistike: valltar, recitues, instrumentist, volejbollist e futbollist i ekipeve sportive të shkollës. Binte në sy sidomos në vallet e kombinuara djem-vajza. Ishin valle të mbështetura mbi motivet e valleve të bukura të krahinës, por të thyera, duke krijuar një koreografi me pozicionime dhe lëvizje më dinamike, të reja e të zhdërvjellta. Mustafai do të ishte në çdo valle solisti që mbante peshën dhe figuracionin kryesor të saj.
Duhet nënvizuar se nxënësit, me të cilët Mustafai nisi ciklin e lartë të shkollës 8-vjeçare, ishin përgjithësisht nxënës me cilësi të lartë përvetësuese e përgatitjeje, por dhe me të dhëna artistike të spikatura. Gjatë katër viteve kjo klasë do të ishte një ndër klasat më cilësore që kishte mbaruar ndonjëherë ciklin e lartë të shkollës 8-vjeçare në Bruç.
...................................................................................................................................................................
PJESA IV
NË SHKOLLËN E MESME
Gjimnazist në Burrel
Fëmijëve, shtatori shpesh u dukej disi i largët, kur lodheshin në punët që bënin në verë. Edhe pse në fundmaj e qershor ditët e fundit të mësimeve i kalonin me gëzimin e afrimit të pushimeve verore, u dukej se ditët e pjesës së dytë të gushtit nuk do të soseshin kurrë. Dëshira për të nisur sa më shpejt vitin e ri shkollor dhe për të trokitur sa më shpejt në dyert e klasave kishte arsyet e veta: përgjithësisht fëmijët e donin shkollën, por edhe pushimet verore nuk u jepnin mundësinë e çlodhjes dhe argëtimit. Puna e lodhshme në ditët përvëluese të korrikut dhe të gushtit, mungesa e lojërave dhe veprimtarive të ndryshme, pamundësia ekonomike për të kaluar në mënyrë të organizuar pushimet verore... ishin faktorë të tjerë që i shtynin shpejt drejt dyerëve të shkollës.
Ne nje pjese teatrale |
Në verën e vitit 1974, jo vetëm për këto arsye, edhe Mustafai e priste shtatorin me gëzim. Në këtë vit ai do të niste shkollën e mesme si gjimnazist në Burrel. Si një ndër nxënësit më të dalluar në rreth për shkollat 8-vjeçare, ai kishte mundësinë që të merrte të drejtën e studimit me bursë të plotë në ndonjë degë të pëlqyer e, kësisoj, të vazhdonte studimet në një nga shkollat e mesme profesionale të vendit. Më pas, me mbarimin e kësaj shkolle do t’i hapeshin dyert e shkollës së lartë në një profil të caktuar. Por ai vendos të vazhdojë studimet në Burrel, në gjimnazin “Haki Fejzo.”
Gjimnazet mblidhnin edhe nxënës që nuk kishin mundur të siguronin një të drejtë studimi në shkollat me drejtim profesional. Por, në gjimnaz, regjistroheshin edhe nxënës cilësorë të shkollave 8-vjeçare. Këta pak nxënës, ngaqë ishin të shkëlqyer në mësime zgjidhnin të përballonin vështirësitë e gjimnazit, i cili do t’u jepte një mundësi më të madhe përzgjedhjeje për studime të larta në fakultete që ata parapëlqenin.
Me këtë qëllim vendosi të regjistrohej në gjimnazin e Burrelit edhe Mustafai. Gjimnazi i Burrelit njihej si ndër gjimnazet më cilësore jo vetëm në rrethin e Matit, por dhe në mbarë Shqipërinë.
Kjo shkollë e mesme, që sot mban emrin e poetit të parë të letërsisë shqipe, Pjetër Budi, u hap në vitin 1960. Hapat e parë si qendër e dijes në rrethin e Matit kjo shkollë i nisi si shkollë e mesme 11-vjeçare. Mësuesit e parë të saj ishin: Gani Mërzira, Erifili Tavanxhi, Ali Zajmi, Adem Kuka (zv. drejtor) dhe Agim Kodraliu (drejtor). Matura e parë i përket vitit 1964. Nga kjo maturë 15 nxënës vazhduan studimet e larta.
Ndër vite, në këtë shkollë kanë zhvilluar veprimtari mësimore edhe mësues që vinin kryesisht nga Tirana, Durrësi, Korça... si Albert Frashëri, Xhelal Gjeçovi, Urim Bujari, Drita Doçi, Dragush Caci, Bojko Themelko, Mikel Boriçi, Rajmonda Çika, Apostol Kotani, Luan Hysa, Robert Konomi..., disa prej të cilëve sot janë pedagogë e specialistë me tituj shkencorë.
Ne nje pjese teatrale: Mustafai, Astriti, Behari |
Mësuesit Ahmet Tafaj, Ali Zeneli, Murat Bajraktari, Lirika Lleshi, Adem Kuka, Behar Sinani, Ismail Patushi, Shpresa Kondi, Xhelil Pasha, Qirjako Kola... mbahen mend dhe nderohen për nivelin e lartë shkencor, metodat e larmishme të mësimdhënies dhe punën pasionante e të palodhur me gjimnazistët.
Në vitet që do të vijonte veprimtarinë e tij, gjimnazi do të pranonte në mjediset e tij mësues të një brezi më të ri, që dikur kishin dalë nga dyert e saj si nxënës me një përgatitje të lartë shkencore si Behar Gjoka, Cevan Cevani, Mustafa Gjestila, Myslim Zeneli....
Disa nga nxënësit e maturës së vitit 1978, të shkollës “Pjetër Budi”, do të riktheheshin në mjediset e kësaj shkolle jo vetëm si mësues, por edhe si drejtues. Në fillim të viteve nëntëdhjetë do të ishte Behar Gjoka drejtor i kësaj shkolle, ndërsa, në mesin e këtyre viteve, drejtimin e shkollës së mesme “Pjetër Budi” do ta merrte Mustafa Gjestila.
Nxënës dhe veprimtar i dalluar
Mustafai u regjistrua në vitin e parë të gjimnazit të Burrelit në shtator të vitit 1974.
Nxënësit që vazhduan studimet në një klasë me Mustafain vinin nga qyteti i Burrelit dhe nga fshatrat e rrethit të Matit. Siç theksuam më sipër, në gjimnaz konkurrenca ishte e lartë, sepse në bankat e tij përgjithësisht uleshin nxënës cilësorë që kishin si synim thellimin e studimeve në auditoret e fakulteteve sipas degëve që ata preferonin. Disa nga këto gjimnazistë më vonë do të ndiqnin studimet e larta.
Ne ekskursion |
Që në fillimet e studimeve, në vitin e parë, Mustafai bie shpejt në sy për përgatitje sistematike në mësime dhe përfshirjen në veprimtaritë e ndryshme në klasë e në shkollë. Kësisoj dhe vlerësimet e para nga mësuesit, në lëndë të ndryshme janë shumë të mira. Kushtet e studimit dhe koha për kryerjen e tyre për të, si për nxënësit e tjerë, tashmë ishin disi më të favorshme, pasi ata ishin shkëputur nga ndonjë detyrim i punëve në familje. Gjithsesi ishin më të organizuar në studim. Konvikti ishte pranë ndërtesës së shkollës dhe kjo lehtësonte edhe më shumë mundësinë e një studimi korrekt. Megjithatë, Mustafai ishte mësuar me një disiplinë të qartë studimi dhe përpikmëri në zbatimin e gjithë orarit mësimor.
...................................................................................................................................................................
Përveçse një nxënës me përparim shumë të mirë në mësime, Mustafa Gjestila, në gjimnazin e Burrelit, u dallua për pjesëmarrje në rrethet shkencore, kulturore, artistike dhe fizkulturore e sportive.
Gjimnazi i Burrelit ishte atëherë një ndër mbështetjet kryesore të drejtuesve të veprimtarive artistike e sportive që zhvilloheshin në qytet e më gjerë. Klasa ku bënte pjesë Mustafai mbante peshën më të madhe të veprimtarive artistike. Behar Gjoka, Vitore Kavalli, Astrit Kola dhe Mustafa Gjestila ishin interpretues të spikatur të pjesëve të dramatizuara që viheshin në skenën e Shtëpisë së Kulturës në Burrel.
Behar Gjoka, shok klase me Mustafa Gjestilën në gjimnazin e Burrelit, njëri nga interpretuesit e pjesëve të dramatizuara që vinte në skenë kjo shkollë, sot studiues i njohur i letrave shqipe, tregon: “Mbaj mend që ishte një pjesë me gjeolog. Mustafai kishte rolin e një gjeologu shqiptar të vendosur dhe të paepur, kurse Astrit Kola luante rolin e një të huaji, që sabotonte kërkimin e mineralit. Shfaqja u dha disa herë në qytetin e Burrelit, shkuam edhe në Krastë, në qytetin e minatorëve. Teatri ishte bërë pjesë e dytë e jona, e jetës kulturore të shkollës dhe të qytetit të mollëve dhe trëndafilave, siç e thërrisnin dikur Burrelin.”
Mustafai ishte pjesë e trupës së teatrit amator por edhe futbollist i ekipit të të rinjve të “31 Korrikut”, një skuadër e gjallë me djem plot talent, e njohur edhe në rrethet futbollistike në vend si skuadër e fortë dhe burrërore. Në këtë ekip do të ishte mbrojtës i krahut të djathtë, mjaft rezultativ dhe i përhershëm në formacion. “Me ne, të rinjtë e skuadrës së futbollit “31 Korriku” punonte Hysen Kuka, - tregon Nazif Gjoka, shok klase i afërt me Mustafain dhe sulmues i kësaj skuadre. - Mustafai ishte mbrojtës i djathtë, mjaft pozicional por dhe shumë aktiv në fushën e lojës. Herë-herë shpërthente në krahun e djathtë me një hap plot elegancë duke u bërë problem me gjuajtjet e tij për mbrojtjen kundërshtare. Atëherë në qendrën e sulmit tonë ishte Dali Farruku, një talent i rrallë, jo vetëm i futbollit matjan. Nuk ishte e lehtë të ruaje rezultate të larta në mësime duke kaluar një kohë jo të paktë në stërvitje dhe duke “humbur” ditë edhe në qytete të tjera në përballje me skuadrat e tyre të futbollit. Por Mustafai e bënte të mundur edhe këtë gjë.”20
Në gjimnazin e Burrelit Mustafai do të bënte edhe të tjerë shokë të rinj me të cilët do të ishte edhe në FShN, pas disa vitesh. Me Myslim Zenelin dhe Cevan Cevanin, por edhe me shumë e shumë të tjerë do të ritakohej gjatë studimeve në Tiranë dhe më vonë pas përfundimit të studimeve të larta. Por gjatë viteve në gjimnazin e Burrelit nuk do të shkëpuste lidhjet shoqërore me shokët e fëmijërisë: Ahmet Gjestilën, Ramazan Klosin (Laç), Ramazan Klosin (Bruç), Agim Hysën, Ramiz Koxhën... që vazhdonin shkollat e mesme profesionale në qytete të tjera të vendit. Ndërsa me njërin nga shokët e tij të viteve të fëmijërisë, Gëzim Xhakrosën, do të takohej në vitin e dytë dhe do të ishin bashkë për tre vite rresht.
...................................................................................................................................................................
Edhe në vitet e gjimnazit në Burrel, Mustafai mbeti cilësor në mësime, shoqërisht i pëlqyeshëm në marrëdhëniet me njerëzit dhe i dashur me ta.
...................................................................................................................................................................
Në vitin e tretë dhe të katërt të gjimnazit Mustafai shfaqet dukshëm si një shembull edhe për nxënësit e tjerë të kësaj shkolle. Në tërësi u afirmua si një nxënës me kualitet të gjithanshëm. Shfaqet si i veçantë edhe në lëndët shoqërore e sidomos në letërsi. I dhënë që në bankat e shkollës 8-vjeçare pas leximeve ishte një lexues i pasionuar i letërsisë artistike. Gjithashtu, falë formimit të tij fizik e kulturor, ishte një mbështetje e fuqishme e klasës dhe shkollës në përfaqësimet me veprimtaritë artistike dhe sportive.
...................................................................................................................................................................
Në shtator të vitit 1977 Mustafai nis vitin e fundit në gjimnazin e Burrelit. Në vitin shkollor 1977-1978, vit që do të përmbyllte veprimtarinë e tij mësimore si gjimnazist, përpjekjet për të fituar sa më shumë nga përgatitja mësimore i shtoi edhe më tepër. Nga provimet e lirimit që nisën në fillimverën e viti 1978 del me rezultate mjaft cilësore. Dëftesa e pjekurisë me nr. 589, e lëshuar më 30.06.1978, e klasifikon Mustafa Gjestilën si një nga nxënësit më cilësorë në vite që kanë dalë nga bankat e shkollës së mesme të përgjithshme në Burrel duke e cilësuar si “nxënës me përparim shumë të mirë që ka punuar për një ngritje të lartë shkencore dhe ka ndihmuar në aktivitetet kulturore.”24 Kësisoj kishte arritur qëllimin e tij për të kërkuar dhe merituar denjësisht fillimin e studimeve në një nga fakuletet e Universitetit të Tiranës.
...................................................................................................................................................................
PJESA V
NË UNIVERSITETIN E TIRANËS
Shokë e miq të rinj
Viti 1979 shënonte thellimin e mëtejshëm të krizës së përgjithshme që kishte mbërthyer jetën ekonomike dhe politike në Shqipëri. Vitet në vazhdim, gjer në shpërthimet e shpresës në fund të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, ishin vetëm skenat e fundme të një drame të përgjakshme e të unshme gjithsesi, që luhej prej disa dhjetëvjeçarësh në Shqipëri. Por, pas prishjes së marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës, Partia e Punës e kishte futur Shqipërinë në rrugën e një izolimi edhe më të frikshëm. Politika e saj, që kontrollonte me çdo mjet shoqërinë shqiptare, gjer në qelizë, e mbështetur mbi parimet leniniste e staliniste të diktaturës së proletariatit, ishte kthyer gjer në një eksperiment të rrezikshëm, që po e çonte ekonominë e vendit, përmes thellimit të skajshëm të varfërisë, drejt një humnere. Dalldia që kishte mbërthyer lidershipin e kësaj partie për të zbatuar me një fanatizëm idiotesk, në më të shumtën e herëve të përçudnuar, ideologjinë dhe praktikën marksiste-leniniste, e kishte kthyer Shqipërinë në një burg të egër të mendimeve dhe ideve, të vetë qenies, ku përditë e më shumë radha e pakohë, tolloni i pavlerë, supa e shpëlarë, edhe nga mungesa e orizit kinez, buzëqeshja e vrarë, faqet e vrerosura, gjer dhe veshja e klonuar, ishin kthyer në skena të një filmi gati surrealist, ku luhej tragjikomedia e një populli të etur për liri dhe demokraci.
Ne Kruje |
Megjithatë shpresa ende gjallonte dhe, përderisa shpresat e popullit nuk mund të vriten, dëshirat rinore mundoheshin të merrnin krahë duke besuar në një të ardhme më të mirë. Ishin nxënësit dhe rinia studentore që, në çdo fillim shtatori, gjallëronin disi rrugët dhe trotuaret e vetngrëna të kryeqytetit shqiptar, klasat e shkollave të mesme dhe auditoret e fakulteteve. Ato ditë dukej se Tirana rimerrte frymëmarrjen e drobitur, duke të kujtuar ditët e para të pranverës kur ia behin dallëndyshet. Dukej se edhe drejtuesit e lartë partiakë mezi prisnin shtatorin për të shfrytëzuar buzëqeshjen dhe shpresën ende të pavrarë të rinisë si retushim të portretit të vrenjtur e të drobitur të Shqipërisë. Por, pas shtatorit e më pas, ditët nisnin të përcillnin përsëri zymtësinë e tyre të zakonshme.
Si shumë studentë të ardhur në Tiranë nga fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë në krahët e ëndrrave për të ardhmen dhe etjen për dije, Mustafa Gjestila zbret në stacionin e trenit, ditën e enjte, më 30 gusht të vitit 1979. Me një çantë-valixhe prej lëkure në dorë, me vështrimin mbi sheshin kryesor të Tiranës, të emërtuar Sheshi Skënderbej, merr bulevardin dhe ndalet në anë të tij, para Fakultetit të Shkencave të Natyrës në auditoret e të cilit do të kalonte katër vite si një ndër studentët cilësorë të atyre viteve. Atë ditë dhe në ditët e mëpasme do të njihet me shumë shokë e shoqe, që do të përbënin edhe kursin e vitit të parë të degës Biologji-Kimi 1979-1983.
Mustafai, shpejt do të bie në sy të bashkëmoshatarëve me natyrshmërinë e komunikimit, çiltërsinë dhe thjeshtësinë e paraqitjes, elegancën dhe maturinë e lëvizjes, me sytë e zinj e të thellë dhe vetullat e harkuara, mollëzat e faqeve disi të kërcyera, flokët e zinj e
Ne Tirane |
Që në ditët e para të fillimit të jetës studentore do të njihet me shokë dhe shoqe të ardhur nga të gjitha rrethet e Shqipërisë. Në ditën e parë të fillimit të studimeve, më 1 shtator të vitit 1979, studentët e degëve Matematikë, Fizikë, Biologji-Kimi, Kimi Industriale do t’i përshëndeste prof. Osman Kraja, dekan i FShN-s. Më pas, studentët e vitit të parë të kursit Biologji-Kimi 1979-1983, do të ndiqnin leksionin e parë në jetën e tyre studentore në lëndën Zoologji me profesor Islam Zekon. Në ditët në vazhdim ky kurs do të ndahej në dy gurpe. Në grupin e parë vijojnë studimet Adnan Pëllumbi, Agron Gjeka, Albina Plasa, Alma Koruni, Arjan Bardhi, Avni Kajo, Bajram Cekrezi, Burbuqe Hoti, Elsa Kalo, Fatbardha Duka, Jak Ndoci, Leonard Shkurti, Majlinda Turhani, Merita Shehu, Nina Hoxha, Reshat Ago, Sadete Zani, Shaqir Muja, Sherif Daci, Vjollca Nazarko dhe, në grupin e dytë, Alma Stermazi, Baftjar Murati, Edmira Bozgo, Elida Shkurti, Idriz Hajdini, Irena Dusha, Josif Shyti, Mimoza Kambo, Mustafa Gjestila, Ndue Ndrezaj, Niko Murati, Peçi Naqellari, Pjetër Marku, Qazim Lataj, Selfo Oruci, Sose Bengu, Suzana Gjylapi, Vjollca Kodheli, Xhevaire Lataj.
Studentët e kursit Biologji-Kimi, ku bënte pjesë Mustafa Gjestila, edhe në vitin mësimor 1980-1981 do të vijonin studimet të ndarë në dy grupe. Më pas, me rifillimin e studimeve pas pushimeve të verës, në shtator të vitit 1981, që zë fill vitin e tretë të studimeve universitare, për arsye se nga ky kurs ishin larguar 14 studentë, të dy grupet bashkohen. Kësisoj, ndjekja e leksioneve, zhvillimi i seminareve dhe kolokiumeve bëhej në një grup, ndërsa zhvilloheshin të ndarë në dy grupe, për arsye teknike, vetëm punët laboratorike.
...................................................................................................................................................................
Student që u jepte zë auditoreve
Mustafai vinte nga bankat e një shkolle të mesme që po u afrohej njëzetë viteve të jetës së saj. Por, shkolla e mesme e përgjithshme në Burrel, ndonëse relativisht e re, brenda pak viteve ishte formësuar si një gjimnaz i “fortë” dhe konkurues. Nxënësit e dalë nga dyert e kësaj shkolle vinin në auditoret e Universitetit të Tiranës si studentë cilësorë, falë formimit të lartë shkencor të mësuesve të lëndëve bazë, disiplinës në realizimin e programeve për shkollat e mesme të përgjithshme dhe përgatitjes sistematike të vetë nxënësve.
Vite më pas, nxënësit e kësaj shkolle, dilnin nga auditoret e fakulteteve të Universitetit të Tiranës si specialistë të zot. Edhe kjo traditë e krijuar ndikonte në kërkesat e studentëve matjanë për të qenë studentë të rregullt dhe kërkues gjatë viteve të tyre studimore.
Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, Mustafa Gjestila vinte si një nga nxënësit më të përgatitur që gjimnazi i Burrelit kishte nxjerrë ndër vite. Si për ta përforcuar këtë fakt, në provimin e parë, Analizë matematike, ai është një ndër studentët që provon suksesin e parë. Njëri nga shokët e tij, Reshati, nënvizon në kujtimet e tij: “Më 13 shkurt 1980 matëm forcat në provimin e parë, Analizë matematike, me pedagogët Pranvera Baholli dhe Maksim Raco. Tafa dhe disa shokë të tjerë, të ardhur në FShN, me një bazë njohurishë të fuqishme matematike nga gjimnazi, patën epërsi të padiskutueshme dhe jo vetëm nuk e patën problem këtë provim, por arritën edhe rezultate të mira.”
Ne Tirane |
Që në javët e para Mustafai u pranua nga shokët dhe shoqet e kursit, por dhe nga pedagogët, që ende nuk kishin arritur një njohje të përgjithshme të studentëve të tyre, si një ndër studentët e rregullt në ndjekjen e leksioneve dhe të seminareve të para. Ajo çka e karakterizonte ishte serioziteti dhe forca përqëndruese në orët e leksioneve, kategorizimi i njohurive sipas shkallës së rëndësisë së tyre, përqëndrimi i vëmendjes në njohuritë më të qenësishme dhe natyrshmëria e çiltërisa në pyetjet që bënte, përgjigjet që jepte me thjeshtësi dhe sinqeritet.
Në një grup prej afro pesëdhjetë studentësh (të ardhur nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, të panjohur ende mirë me njëri-tjetrin) që përbënin edhe kursin Biologji-Kimi në të cilin bënte pjesë, emri i tij u bë shpejt i njohur. Ishte nga ata studentë që përshfaqen shpejt jo nga cilësi egoiste dhe të qëllimshme për të rënë në sy, duke marrë pjesë vend e pavend në përgjigje dhe pyetje gjatë seancave në auditore, në komunikim me shokët dhe shoqet e kursit, por nga një përgatitje e vijueshme, sjellje korrekte dhe dashamirëse me të gjithë, përgjigje të menduara dhe ndërhyrje tepër të matura. Gjithashtu, që në fillimet e para të njohjes, ai ishte nga ata studentë me një sens të theksuar bashkëpunimi dhe këmbime të ndërsjellta të mendimeve dhe të materialeve studimore.
...................................................................................................................................................................
Që në provimet e para studenti Mustafa Gjestila u vlerësua me nota cilësore, duke u veçuar nga pedagogët për kapjen dhe dhënien e së qenësishmes gjatë përgjigjeve, në mënyrë logjike dhe të argumentuar. Nuk ishte vetëm argumenti dhe logjika e qartë, por edhe mënyra e komunikimit, qetësia dhe saktësia në dhënien e përgjigjeve dhe përshfaqjes së mendimeve që e veçonin studentin matjan.
...................................................................................................................................................................
Mustafa Gjestila u kthye në vendlindje në ditët e para të korrikut, duke lënë pas një vit nga studimet që kishte nisur në Universitetin e Tiranës. Kishte qenë një vit i paharruar në ditët, javët dhe muajt e të cilit njohjet dhe shoqëria me djem e vajza nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, njohuritë e përftuara në lëndë të ndryshme dhe veprimtaritë në drejtim të kulturimit të gjithanshëm që të mundësonte kryeqyteti e kishin motivuar më shumë studentin matjan.
Përballja me jetën e varfër në fshat, ende pa u shuar jehona e zërave të gëzuar në auditore dhe mjediset e Qytetit Studenti, nuk do t’i sjellë ende ndjenjën e mërzitjes, por jo të pakënaqësisë.
Pasi kalon disa ditë me njerëzit e tij të dashur, do të nis punën si pjesë e ekspeditës së dytë arkeologjike në kompleksin shpellor të Valit në vendlindje. Atij si dhe studentëve të tjerë do t’i duhet të punojë për të ndihmuar në sigurimin e një veshmbathjeje të re në shtator, me fillimin e vitit të dytë të studimeve.
...................................................................................................................................................................
Në shtator të vitit 1980 Mustafai do të niste vitin e dytë të studimeve. Përgjatë këtij viti do të vijojë një përgatitje më e organizuar dhe do të shlyej me sukses provimet në Kimi organike me pedagogët Kosta Koci dhe Pandeli Traja; Kimi inorganike me pedagogun Sami Meqemeja, Loreta Pashko; Botanikë me pedgogun Sali Mborja dhe Leonard Topuzi dhe Ekonomi politike me pedagogun Niko Ketri.
Edhe në përballjen e vitit të tretë të studimeve në lëndët Ekologji me pedagog Niko Peja; Kimi fizike me pedagog Hasan Karagjozi, Materializëm Dialektik dhe Historik me pedagogët Afërdita Stefani dhe Miti Koci; Pedagogji me pedagogun Sinan Baboci dhe Sistematikë bimësh me pedagogun Murat Xhulaj, Mustafa Gjestila ishte në grupin e studentëve cilësorë.
Në përfundim të dy viteve studimi nga kursi Biologji-Kimi 1979-1983 u larguan dymbëdhjetë studentë, ndërsa në vitin e tretë do të largohen edhe dy të tjerë. Grupi që u konsolidua qe mjaft cilësor e në këtë grup spikatnin studentët Nina Hoxha, Peçi Naqellari, Selfo Oruçi, Reshat Ago, Jak Ndoci e, midis tyre, Mustafa Gjestila.
...................................................................................................................................................................
I dashur dhe i respektuar nga të gjithë
Nga bisedat me ish-studentë të kursit Biologji-Kimi 1979-1983, del se mes tyre ka patur një lidhje të ngushtë dhe të sinqertë, që shprehej në marrrëdhëniet e përditshme në auditore, në veprimtari të ndryshme jashtëmësimore, në ekspedita mësimore, në interesimin dhe kujdesin e ndërsjelltë për njëri-tjetrin.
Sipas kujtimeve të Peçi Naqellarit dhe Reshat Agos, në një nga ditët e fundmarsit 1982, ndërron jetë i ati Shaqir Mujës. Shokët e kursit mblidhen dhe, në pamundësi për të shkuar të gjithë në ditëmortin e babait të shokut të tyre, vendosin të dërgojnë në Shtiqën të Kukësit një përfaqësi prej tre studentësh: Mustafa Gjestila, Peçi Naqellari dhe Reshat Ago. “Në atë udhëtim të gjatë, në një krahinë që nuk e njihnim, - shkruan Reshati, - unë dhe Peçi e kishim syrin të hapur, pasi kishim pranë njeriun që na ngjallte besimin se gjithçka do të shkonte mirë. Mustafai e njihte ku e ku më mirë se ne zakonin e traditën e atyre anëve, veç kësaj takti dhe maturia na bëri që të mos e ndjenim veten të huaj në atë vajtje ngushëllimi.”45
Peçi Naqellari kujton se, edhe pse nisen nga Tirana në mëngjes, arrijnë në Kukës vonë, pas rreth 7 orëve udhëtim nëpër një rrugë të vështirë. Në dalje të Kukësit, në rrugën për në Shtiqën zë e bie mbrëmja. Si do t’ia bënin? Asnjëri prej tyre nuk kishte qenë atyre anëve. Mustafai piqet me një vendas dhe i kërkon ndihmë për t’i treguar rrugën, ndërsa njëri prej shokëve të grupit e shikon të udhës të pushojnë atë natë në Kukës e të nisen të nesërmen.
- E mira dhe zakoni i këtyre anëve e do që sonte të jeni te shtëpia e Mujëve, - vëren kuksiani.
- Edhe ne do të shkojmë, - thotë Mustafai, - veç na oriento disi rrugën.
- Do ta keni të vështirë, bre djem… nata po afrohet... rrugën nuk e dini... Do të vij unë me ju, - vendos kuksiani, - veç më pritni pak sa të vë në dijeni njerëzit e shtëpisë.
Kuksiani nuk vonohet dhe të katër marrin rrugën për në Shtiqën. Arrijnë vonë e të lodhur, por priten me respekt e mirënjohje në derën e Mujëve. Peçi kujton: “Tafa, edhe atë natë tregoi se kishte një aftësi të rrallë komunikimi dhe sjellje për t’u admiruar në të gjitha marrëdhëniet me njerëzit. Ai u vu në krye të vendit dhe, pas përshëndoshjes me të parët e shtëpisë, u foli atyre edhe për ne, duke u thënë edhe se nga cilat vise ishim.
Ishim të lodhur dhe të uritur, rruga na kishte bërë copë, por në shtëpinë e Shaqirit, shokut tonë të grupit e ndjemë veten si në shtëpinë tonë. Pak nga pak, të ulur shesh mbi shtroje e morëm veten. Megjithatë, me nisjen e bisedës, fillimisht e ndjemë veten disi ngushtë, pak dinim si të flisnim e të bisedonim në raste të tilla, por kishim fat që kishim Tafën në krye. Ai u hyri shpejt në zemër burrave që ishin atë natë me ne në odë. Dikur, kur biseda u end larg ndër vite, një i moshuar kujtoi se në ato anë kishte qenë edhe Abdyl Frashëri dhe, pasi foli me respekt e krenari për të, u kthye nga unë:
- Je përmetari i dytë që mbaj mend në këto anë, or djalë. Qofsh i nderuar e paç jetë të gjatë!
U ndieva disi keq: për një hop mendova se po më shpotiste. U bëra gati t’i jepja përgjigje, por më parë hodha vështrimin mbi Tafën. Ai më vuri dorën mbi gjunjë dhe më buzëqeshi. Ishte kjo një shenjë e mjaftë që unë ta falenderoja të moshuarin për fjalët e thëna. Megjithatë Mustafai nuk e harroi fjalën e të moshuarit edhe pasi u kthyem në Tiranë. Në ndonjë rast, me humor, duke i shoqëruar fjalët me të qeshurën e tij të sinqertë, thoshte:
- Veç dy burra përmetarë kanë shkuar në Shtiqën: Abdyl Frashëri e Peçi Naqellari.
Ne, që e dinim se ai e thoshte këtë gjë me dashamirësi dhe humor të paqtë, qeshnim, ndërsa ndonjë shok i yni ngrinte supet. Atëherë Tafa shtonte duke qeshur, kinse për të sqaruar:
- Hapni faqet e historisë nëse nuk ju besohet, atje e gjeni këtë fakt. Apo kërkoni literaturë shtesë?”
Edhe gjatë peridhës së studimeve të larta që kreu Mustafa Gjestila, në fakultetet e Universitetit të Tiranës ndiqnin studimet në degë të ndryshme shumë studentë matjanë. Një pjesë e madhe e tyre vinin në këto fakultete pasi kishin përfunduar gjimnazin e Burrelit dhe gjimnaze të tjera të hapura në atë kohë në rrethin e Matit, por vinin edhe nga shkollat e mesme profesionale në rrethe të ndryshme të vendit.
Studentët e ardhur nga gjimnazi i Burrelit në nisje e përcjellje të viteve shtatëdhjetë, dalloheshin qartazi për njohuritë e qëndrueshme, cilësore dhe konkuruese. Këto studentë nuk dalloheshin vetëm për vijueshmërinë e studimeve, por dhe për organizimin e veprimtarive të ndryshme mes tyre. Duke qenë nëpër fakultete të ndryshme këto veprimtari i organizonin kryesisht në Qytetin Studenti, atje ku mundësia e komunikimit ishte më e madhe. Kontaktet, shoqëria e krijuar mes studentëve matjanë dhe studentëve të ardhur nga qytetet e tjera të vendit ishin të shpeshta dhe plot gjallëri. Në ato vite studionin në Tiranë mjaft studentë, të cilët, vite më vonë, pasi do të linin auditoret, do të dëshmonin me veprimtaritë e tyre profesionale, shoqërore dhe të angazhuar, shembuj të intelektualitetit, të përqafimit dhe realizimit të ideve dhe arritjeve të reja në rrethin e Matit. Fillimisht do të punonin si mësues, mjekë, inxhinierë, oficerë, juristë, ekonomistë... në Burrel dhe nëpër zona të ndryshme të rrethit të Matit, por më pas do të merrnin në dorë pika drejtuese të veprimtarisë prodhuese, shkencore, fizkulturore, sportive, kulturore dhe artistike. Studentët matjanë që do të nisin dhe do t’i kryejnë studimet në caqet e kësaj periudhe, do të kishin gjithnjë mes tyre, në organizimet e përbashkëta edhe Mustafa Gjestilën. “Mustafa Gjestila, - kujton Gëzim Xhakrosa, - nuk ishte vetëm pjesëmarrës i rregullt i takimeve dhe mbrëmjeve rinore të studentëve matjanë, por edhe iniciues dhe organizator i tyre.”47
Astrit Kola, pasi mbaron shkollën e mesme Teknologjike në Shkodër, nis studimet e larta në FShN në vitin 1978. Ai veçon në kujtimet e tij: “Me Mustafain jam njohur në shtator të vitit 1979 në FShN. Ditë pas dite njohja jonë u thellua. Që në ato vite Mustafai spikaste për vyrtyte që nderonte çdo student matjan. Gjatë viteve tona si studentë në Tiranë ende kishte vijimësi tradita e takimeve mes studentëve që vinin nga i njëjti rreth. Në këto takime në formë veprimtarishë Mustafa Gjestila ishte ndër më të kërkuarit me natyrën e tij të ëmbël e tolerante. Kishte shoqëri pothuajse me të gjithë studentët matjanë dhe gëzonte respektin e veçantë të tyre."
Në këto takime do të konturohej edhe shoqëria e vlerë që më vonë do të shpalosej në drejtime të ndryshme të jetës në Mat. Ish-studentët e kufijve kohorë të kësaj periudhe, me kalimin e viteve, morën drejtime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, por shoqërinë dhe marrëdhëniet mes tyre i ruajtën gjithnjë. Mustafai kishte qenë për ta shoku, miku, vëllai dhe kolegu i dashur e i respektuar. I tillë ka mbetur dhe në kujtesën e tyre.
Matjanët Myslim Zeneli, Cevan Cevani dhe Astrit Kola ishin shokët e afërt të Mustafait në FShN, përveç shoqeve dhe shokëve të tij të kursit Biologji-Kimi 1979-1983. I cilësuar nga studentët e tjerë që vinin nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë si mjaft korrekt, tolerant dhe i afrueshëm në grupet studentore, Mustafa Gjestila ishte pjesëtar i një rrethi të gjerë shoqëror studentësh jo vetëm në FShN. Ai njihej dhe respektohej veçanërisht nga grupi i studentëve të Matematikës: Kristaq Mosko, Xhelal Keca, Koçi Zhupani, Koçi Baba, Aleks Jaso, Seriozha Nika, Vasil Skënderi, Koço Kokëdhima, Besnik Pumo, Asqeri Hysesani, Tonin Maxhuni...; Fizikës: Robert Mecani, Agron Begatore, Qemal Kola, Behar Cuedari, Irfan Metohu, Gazmend Hoxha, Alfred Dani, Andonaq Bicolli, Nuri Domi... dhe grupi i studentëve të degës Biologji-Kimi: Fadil Nasufi, Bashkim Manaj, Arefi Cake, Agim Fejzo, Neshat Hyka, Lavdi Hasani...
...................................................................................................................................................................
Pjesa VI
NË SHKOLLËN E MESME TË BASHKUAR, BRUÇ
Arti i komunikimit
Shkolla e mesme “26 Korriku” në Bruç nisi udhën e saj në shtator të vitit 1977, fillimisht si shkollë e mesme bujqësore. Në këtë vit ende nuk kishte një ndërtesë të veçantë për nxënësit e saj të parë, ndaj kjo shkollë e nisi veprimtarinë në një nga klasat e shkollës 8-vjeçare. Ndërkohë godina e shkollës së mesme bujqësore nisi të ndërtohej përbri ndërtesës së shkollës 8-vjeçare. Drejtori i parë i kësaj shkolle ishte Bashkim Frangu. Në vitet që pasuan, në shkollën e mesme nisi të zbatohej edhe programi mësimor për shkollat e mesme të përgjithshme. Kësisoj shkolla e mesme “26 Korriku” u kthye në shkollë të bashkuar, në dy ndërtesat e së cilës zhvilluan mësim shkolla 8-vjeçare, drejtimi i mesëm bujqësor dhe drejtimi i mesëm i përgjithshëm. Pas vitit 1990 drejtimi i mesëm bujqësor u mbyll dhe shkolla vazhdoi veprimtarinë e saj si e mesme e përgjithshme.
Me vendim të Komitetit Ekzekutiv të K.P. të rrethit Mat, nr. 74, më 17.09.1983, Mustafa Gjestila emërohet mësues i lëndëve biologji dhe kimi në shkollën e mesme të bashkuar në Bruç. Ditë më përpara do të emërohej specialist i Ministrisë së Ushqimit në Ulëz, por nuk i tha jo kërkesës së të atit për të nisur rrugën e mësuesisë në fshatin e lindjes. Kështu që rikthehet në vendlindjen e tij, në shkollën ku kishte marrë mësimet e para, pas nëntë vitesh. Edhe pse ishte më i rritur, më i pjekur dhe i arsimuar cilësisht, vinte në vendlindje me thjeshtësinë e spikatur, me dashurinë dhe respektin e sinqertë për bashkëfshatarët e tij, i gatshëm për të dhënë ndihmesën në arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve mbi baza edhe më shkencore, edhe më cilësore.
Në shkollën e mesme në Bruç, në shtator të vitit 1983, do të emërohej mësues i lëndës së fizikës edhe Myslym Zeneli. Këto dy emërime, krahas emërimeve të tjera, tregonin edhe mbështetjen që po i jepej fillimit të jetës së një shkolle, ndërsa, për dy mësuesit e rinj, kënaqësia që ishin përsëri bashkë, që nga viti i parë në gjimnazin e Burrelit, ishte i ndërsjelltë.
Mjediset e shkollës nuk ishin të panjohura për mësuesin e ri. Fillimisht, në klasat e shkollës 8-vjeçare, që tani e thërrisnin “e vjetër”, ai kishte hyrë (vite më parë) si nxënës, ndërsa tani hynte si mësues dhe nën peshën e kujtimeve për shokët dhe shoqet e fëmijërisë që nuk i gjente më në ish-klasën e tyre. Në mjediset e shkollës se mesme hynte edhe si ndërtues i saj: gjatë kryerjes së stazhit në prodhim, para se të niste studimet universitare kishte dhënë ndihmesën e tij në ngritjen e shkollës. Në vitet e fundit si student kishte krijuar lidhjet e para me shkollën, duke ndihmuar mjaft në përmirësimin dhe pasurimin e mjeteve mësimore dhe bazës didaktike të kësaj shkolle.
Në shkollën “26 Korriku” gjeti mësues të moshave të ndryshme: pak prej tyre i takonte për herë të parë, shumë i njihte dhe e njihnin, disa prej tyre dikur kishin qenë mësuesit e tij, ndonjëri edhe shok gjimnazi apo i njohur në vitet studentore. Para ish-mësuesve të tij, me sjelljen dhe komunikimin e ngrohtë, tregohej gjithëherë dashamirës dhe korrekt, duke mos harruar t’i thërriste si dikur: mësues. Edhe pse me shumë prej tyre, tashmë, e diferenconte standardi i lartë i njohurive të fituara, mendimet dhe idetë, të cilat i kapërcenin kufijtë e momenteve që kalonte shkollimi i atyre viteve, mësuesi i ri i respektonte dhe i vlerësonte ata si dikur, kur ishte nxënës i tyre.
Kolektivi i mesuesve, shkolla e mesme Bruc |
Përveçse do të merrte përsipër një ngarkesë të madhe, siç është ajo e mësuesit të biologjisë dhe kimisë, në një shkollë mjaft konkuruese në rrethin e Matit, Mustafai do të ishte edhe një veprimtar i dalluar në gjallërimin e jetës shkencore, sportive dhe kulturore në shkollë e më gjerë. Gjithashtu, do të ngarkohej të kujdesej për njërën prej klasave të shkollës së mesme.
Në ditët që do të pasonin veprimtarinë e tij mësimore dhe edukative, mësuesit e shkollës do të provonin se kishin në gjirin e tyre një metodist të veçantë, që zotëronte njohuri bashkëkohore dhe, për më shumë, që i përcillte këto njohuri me një stil dhe metodë të admirueshme.
Në vitet kur Mustafai shërbeu si mësues në shkollën e mesme të bashkuar në Bruç, udhëhiqnin veprimtari mësimore dhe edukative mësues me emër në zonë e në rreth, por dhe mësues të ardhur nga rrethet e tjera, të cilët edhe pse kishin një përvojë të gjatë në arsim, kishin hasur jo pak vështirësi në udhëheqjen e klasave kujdestare. Teksa vërenin dashamirësisht ecurinë e punës së Mustafait me klasën nën kujdes, ata gjetën edhe elementet e sekretit të kësaj pune rezultateve: natyra e komunikimit, shembulli dhe korrektësia në marrëdhëniet me nxënësit.
Shpejt puna e Mustafait me klasën u bë referim i mësuesve të tjerë, që mund të kishin një përvojë të gjatë pune si mësues. Ata që e kanë njohur nga afër Mustafain, mësues e nxënës, por dhe njerëz të moshave të ndryshme, janë në një mendje përsa i përket formulimit: forca e tij komunikuese ishte art më vete. Dhe për të qenë e tillë, pra “art më vete”, komunikimi duhet të plotësojë të paktën tri kushte: të jetë i thjeshtë por jo i varfër, të sjellë në vëmendje detaje që kanë të bëjnë me bashkëbiseduesin dhe të ketë në vëmendje të veçantë veçoritë psikologjike në lidhje me grupmoshat. Thjeshtësia në komunikim, problematika e interesuar si objekt komunikimi dhe paranjohja e veçorive psikologjike të grupmoshave, s’ishin të vetmet përparësi të mësuesit të ri, por edhe durimi për të dëgjuar bashkëbiseduesin.
Vitin shkollor 1984-1985, Mustafai nuk do ta nis nga shtatori. Gjatë muajve shtator, tetor dhe nëntor do të kryej përgatitjen ushtarake të grupuar, e cila ishte pjesë e detyrimeve pas mbarimit të studimeve të larta. Mbarimi i kësaj përgatitje, e cila kishte karakteristikat e një kursi në një specialitet ushtarak, e paiste ish-studentin me një librezë ushtarake.
Gjatë kësaj periudhe kohore Mustafai do të ritakohet edhe me disa nga shokët e tij të jetës studentore, ndërsa, kur do të kthehet në fund të nëntorit, do të gjejë në shkollë edhe një koleg të ri.
...................................................................................................................................................................
Frymë e re, metoda të reja
Brezi i ri i mësuesve, ai i pas viteve tetëdhjetë të shekullit që lamë pas, që vinte nga degët e mësuesisë në universitetet e vendit, solli në shkollat e arsimit parauniversitar një frymë të re në organizimin dhe drejtimin e veprimtarisë mësimore dhe edukative. Erërat e perëndimit, edhe pse të vakta, kishin nisur të ndihen, kësisoj, edhe pse nën mbikëqyrjen ende të rreptë të “fillit të kuq”, ato ndikuan jo pak në formimin e mësuesve të rinj të kësaj periudhe, sidomos në mënyrën e konceptimit të metodave të mësimdhënies. Ishte pikërisht kjo plejadë mësuesish që nisi të freskojë veprimtarinë mësimore edukative me një mendim të ri, sidomos në mënyrën e menaxhimit të klasës, të përdorimit të metodave mësimore dhe organizimit të veprimtarive me karakter shkencor, kulturor dhe sportiv.
Nga ana tjetër, një grup nxënësish të kësaj periudhe po linte pas jo pak sjellje e mendësi të një veprimtarie mësimore që i përkiste një periudhe në kapërcyellin e viteve shtatëdhjetë. Kësisoj, brezi i mësuesve të rinj gjente në bankat e shkollës një grup nxënësish më të motivuar për një arsimim më të plotë e më cilësor si kohëzgjatje dhe si shërbesë investuese në të ardhmen e tyre. Ishte bërë disi më i “vështirë” për t’u kujdesur për këta nxënës, pikërisht pse kërkonin më shumë dije e në forma më të avancuara jo vetëm në drejtim të arsimimit të tyre, por dhe për sa u përket veprimtarive argëtuese dhe edukuese.
Mësuesit e rinj i plotësonin më së miri kërkesat kohore të këtij grupi nxënësish, ndaj që në fillim të veprimtarisë së tyre mësimore dhe edukative u mirëpritën nga nxënësit, duke u inkurajuar në zbatimin e një disipline shkencore të avancuar dhe duke u frymëzuar për larmitet veprimtarishë në funksion të procesit mësimor dhe edukativ.
Në shkollën e mesme të bashkuar në Bruç, mësuesit e rinj si Mustafa Gjestila, Gëzim Këputa, Isuf Neli, Myslim Zeneli, Sabri Kola... u mbështetën në veprimtarinë e tyre nga mësuesit më të vjetër në moshë. Ajo çka u krijua shpejt nga ky grup mësuesisht ishte një bërthamë mjaftë shkencore e cila, edhe pse në drejtime të ndryshme, dinte të harmonizonte drejt veprimtarinë mësimore dhe edukative duke kristalizuar bashkëpunimin në grup. Këtë bashkëpunim ata e reflektuan edhe në klasat e tyre kujdestare duke i dhënë shkollës një frymë të re drejtuese.
Në veprimtaritë e shumta ndërmësimore dhe jashtëmësimore, që zhvilloheshin në shkollën e mesme të bashkuar, ishin ato me drejtim sportiv, kulturor dhe artistik. Nën drejtimin e mësuesve të edukimit fizik Aqif Shehu dhe Gëzim Këputa, mjaft pasionantë dhe të aftë jo vetëm në zhvillimin e veprimtarive sportive por dhe në krijimin e trajnimin e ekipeve të ndryshme, përfaqësimi i ekipeve sportive të shkollës 8-vjeçare e të mesme në veprimtaritë konkuruese në zonë e në rreth ishte mjaft dinjitoz dhe sfidues për mjaft ekipe të forta. Nga këta dy mësues profesionistë e të përkushtuar u arrit që të ngriheshin edhe klasa sportive, me të cilat punohej në mënyrë të diferencuar.
Së bashku me veprimtaritë artistike që mbështeteshin edhe nga shtëpia e kulturës, veprimtaritë sportive zhvilloheshin edhe në përballjet me disa nga shkollat e Mirditës, sidomos me ato të Perlatit dhe Kurbneshit. Një ndër mbështetësit dhe organizatorët e këtyre veprimtarive, edhe si pjesëmarrës në ekipet sportive, ishte mësuesi Mustafa Gjestila. Forca organizuese, aplikimet metodike dhe shkencore në punën e Mustafait u shfaqën sidomos në zhvillimin e veprimtarive shkencore midis klasave të shkollës së mesme përmes ideimit dhe realizimit të konkurseve dhe olimpiadave jo vetëm në lëndën e biologjisë dhe kimisë. Takimet konkuruese midis klasave dinte t’i stimulonte për të siguruar pjesëmarrje e motivime në procesin e të nxënit dhe zgjimin e kërkesave më të avancuara të nxënësve në udhën e gjerë të dijes. Në finalet e këtyre konkurimeve kishte mundur të formonte një grup nxënësish mjaft cilësorë, të cilët u ballafaquan denjësisht në konkurimet me shkollat e mesme të rrethit të Matit. Në shumë raste ky grup nxënësish i drejtuar nga mësuesi i kimisë dhe i biologjisë, doli në fazën përmbyllëse të konkursit, atë finale dhe në dy raste fitoi çmimin e parë në shkallë rrethi.
Mustafa Gjestila, që drejtonte veprimtarinë mësimore në një lëndë mjaft me peshë në shkollën e mesme të bashkuar, spikati shpejt për përdorimin e mjaft metodave të reja në mësimdhënie dhe në kontrollin e njohurive. Dobësimin e metodave të përvetësimit verbal dhe gjallërimin e motivimin e metodave praktike, hulumtuese, ballafaquese dhe eksperimentuese, mbi një bazë të frytshme mjetesh konkretizuese mësimore, mësuesi i pasionuar i synoi që në javët e para mësimore.
Më tej, në përshtatje me lëndën dhe temat mësimore, duke gërshetuar veprimtarinë mësimore me atë edukuese, nisi të praktikonte miniekspeditat e mirëfillta krijuese, hulumtuese dhe zbatuese në mjedisin natyror përreth shkollës dhe në fshatrat e zonës së Prellit.
Duke u vënë në krye të shumë veprimtarive në shkollë, Mustafa Gjestila u cilësua nga ekipet e ndihmës e kontrollit të rrethit e të ministrisë së arsimit, që në vitet e para si mësues, si mësimdhënës dhe specialist me aftësi të spikatura. Kësisoj ai zgjodh në krye të komisionit të biologjisë dhe kimisë për shkollat e rrethit të Matit.
Mustafa Gjestila ishte i vetëdijshëm se këto veprimtari do ta çonin drejt kërkesave të reja që kishin të bënin me sigurimin e një baze materiale më të bollshme dhe të një kabineti me karakter të mirëfilltë shkencor. Realizimin e ambicieve të tij në këtë drejtim, gjithnjë në shërbim të arsimimit të nxënësve e kërkoi nga përpjekjet e tij, duke dhënë një ndihmesë jo të vogël në krijimin e mjeteve mësimore konkretizuese. Nga ana tjetër diti të siguronte mbështetjen e drejtorisë së shkollës.
Sigurisht që një mbështetje të madhe gjeti te mjeshtri i punimit të drurit, miku i mirë mësuesve, Sami Osmani. Në atë kohë, ai, edhe pse jo në moshën e këtij brezi mësuesish, por prapë ende i ri, kishte ditur që me punë dhe korrektesë të fitonte zemrat e mësuesve të rinj. Me Mustafain marrëdhënia ishte edhe më ndryshe, ai e respektonte si të ishte bashkëmoshatar me të, me sjelljen, komunikimin e ngrohtë dhe ndjenjën e humorit që mbizotëronte në komunikimin mes tyre. Ideve të reja të Mustafait për pasurimin e orëve mësimore me mjete konkretizuese, rifreskimin e kabineteve të kimisë dhe biologjisë dhe sistemimin e tyre Samiu iu përgjigj me sa mundi në kushtet dhe mundësitë e kohës.
Në ato vite, kur nisi punën si mësues Mustafai, shkolla e mesme e bashkuar në Bruç zotëronte një sipërfaqe jo të vogël toke si bazë prodhuese dhe aplikuese në të cilën punonin disa kooperativistë. Ata kujtojnë se Mustafai nuk bënte ndonjë dallim mes tyre dhe kolegëve të tij kur vinte në bazën eksperimentuese të shkollës, përkundrazi, sillej me respekt e korrektesë, duke treguar gjithëherë një sjellje të paharruar përmes një komunikimi të thjeshtë e të urtë.
...................................................................................................................................................................
Specializimi pasuniversitar
Në shtator të vitit 1987 Mustafa Gjestila nuk do të niste punën në shkollën “26 Korriku” si në katër vitet e shkuara. Ditë më vonë ai do të fillonte specializimin pasuniversitar në Tiranë, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës.
Specializimet njëvjeçare, që kishin për qëllim përgatitjen e mëtejshme të specialistëve të profesioneve të ndryshme, përfshinin edhe mësuesit që kishin mbaruar arsimin e lartë. Sigurisht, të drejtën për specializim nuk e fitonin të gjithë mësuesit, por vetëm ata që kishim mbaruar me rezultate cilësore studimet e larta dhe që kishin shfaqur aftësi të dallueshme në veprimtarinë mësimore dhe edukative me nxënësit për disa vite rresht.
Gjatë katër viteve të studimit në FSHN, Mustafa Gjestila kishte arritur rezultate cilësore, ndërsa në katër vitet e punës gjatë ushtrimit të profesionit të tij si mësues, kishte spikatur për zbatimin e një sërë aftësishë shkencore, metodike, shkencore dhe komunikuese, ndër më konkurueset në rreth e më gjerë.
Kryerja e specializimit pasuniversitar nuk ishte vetëm një synim i Mustafait, por dhe një kërkesë e institucionit qendror të arsimit në rreth, i cili, përmes kontrolleve dhe inspektimeve, seminareve dhe trainimeve të ndryshme kishte dalluar te mësuesi Mustafa Gjestila aftësitë e larta mësimdhënëse dhe organizuese, të cilat i kishte përgjithësuar si përvojë e spikatur dhe bashkëkohore në punën me nxënësit.
Megjithatë, edhe pse synim i mësuesit të ri të talentuar dhe kërkesë e institucioneve arsimore qendrore, Mustafa Gjestila do ta kishte të vështirë të vendoste nisjen e specializimit pasuniversitar. Arsyeja kryesore e këtij ngurrimi do të ishte gjendja e përkeqësuar shëndetësore e të atit, i cili vuante prej vitesh nga një sëmundje e rëndë.
..................................................................................................................................................................
Edhe pse në merak të madh për gjendjen shëndetësore të babait, Mustafai nis specializimin pasuniversitar në Tiranë. Atë vit nisën specializimin edhe mësues të tjerë nga rrethe të ndryshme të vendit me të cilët Mustafai ishte njohur në jetën studentore. Për disa muaj, tashmë pas katër vitesh, Agron Gjeka, Cevan Cevani, Robert Meçani, Mustafai... do të jenë përsëri bashkë. Me Cevanin, Mustafai e kishte përforcuar shoqërinë e jetës studentore edhe gjatë viteve të ushtrimit të profesionit të tyre si mësues në Mat. Cevani si mësues fizike në shkollën e mesme të bashkuar në Derjan dhe Mustafai si mësues biologji-kimie në Bruç spikatnin si mësues të zot e me një komunikim për t’u admiruar me nxënësit dhe komunitetin ku shërbenin. Ndërsa me Robert Meçanin, që vinte nga Rrësheni, ishte takuar më rrallë pas mbarimit të studimeve universitare. Me Agron Gjekën takohej pas një viti nga dita e ritakimit më 5 korrik 1986. Ditët, javët dhe muajt gjatë specializimit do ta bënin edhe më të fortë miqësinë mes tyre, tashmë në një moshë më të pjekur.
Siç e kishte menduar vetë ai, koha e specializimit për Mustafain nuk do të ishte aq e lehtë. Gjatë një viti iu desh të ishte shumë herë në shtëpi. Meraku për të atin dhe gjendja e tij shëndetësore që aty përmërësohej e aty përkeqësohej më shumë, vinte gjithnjë duke u rënduar. Gjithashtu, edhe pse i angazhuar me specializimin në Tiranë, Mustafai do të ishte i pranishëm edhe në raste të ndryshme të të afërmëve të tij të shumtë. Gjatë këtij viti ai u ndodh edhe më pranë motrës së tij, Ferides e cila vazhdonte studimet e larta në Institutin Bujqësor të Kamzës. Prof. Idriz Haxhiu, me të cilin Mustafai mbajti gjithëherë marrëdhënie miqësore, kujton: “Gjatë mujave të specializimit me Mustafain u takuam edhe më shpesh. Veç të tjerash, çka s’qe e vështirë të mësoja në ato ditë, ishte se Mustafai dukej shumë i ngarkuar me probleme nga më të ndryshmet, por ai dinte të dallonte ato më të rëndësishmet dhe të futej në rrugën e zgjidhjes së tyre me qetësi e maturi.”70
Me gjithë ngarkesën e madhe dhe vështirësitë e shumta, Mustafai mundi të përballonte më shumë sukses muajt e specializimit dhe të vlerësohej si një ndër specializantët më të mirë ndër vite.
Mustafa Gjestila e mbaroi specializimin shkëlqyeshëm, duke u vlerësuar maksimalisht në përfundim të tij. Kjo nuk tregonte vetëm përgatitjen e lartë shkencore të tij, por para së gjithash një karakter të fortë, të vendosur, kurajoz e tepër optimist. Ashtu siç nuk shuhej në buzët e tij buzëqeshja, nuk u shua asnjëherë optimizmi për ardhjen e më të mirës, e më të bukurës, e më të vlefshmes.
Në vlerësimin e përgjithshëm me shkrim për specializimin njëvjeçar në Universitetin e Tiranës, të firmuar nga dekani i FShN-s Rexhep Mejdani, më 06.08.1988, nënvizohet: “I ka të gjitha cilësitë për të udhëhequr kualifikimin e mësuesve të tjerë”71 dhe “mund të punojë fare mirë pranë kabinetit metodik të rrethit.”72 Të tilla rekomandime vlerësuese nënvizoheshin edhe për mësues a specialistë të tjerë por vetëm në ndonjë rast ndonjëri mbahej në qendër si potencial organizues, drejtues e trainues. Në përgjithësi degdiseshin nëpër fshatra, sepse “atje i duheshin atdheut dhe partisë.” Ky argumentim i “kopetentëve” në zyrat qëndrore në rrethe që u përplasej specialistëve nëse ata shprehnin pakënaqësinë më të vogël, ishte sa zhgënjyes për të dytët aq edhe hakmarrës e sarkastik për të parët.
Edhe me kryerjen e specializimit nga Mustafa Gjestila, arsimi në Mat do të kishte në dispozicion një specialist të zot në fushën e mësimdhënies dhe të shkencës. Megjithatë, të tërhequr më shumë nga interesa personale e të grupit, institucionet drejtuese në rreth, siç edhe në jo pak raste të tjera, nuk e vlerësuan vlerësimin maksimal në specializim të Mustafa Gjestilës. Ndërkohë në seksionin e arsimit (sot zyra arsimore) Mat shërbenin edhe punonjës e specialistë që, megjithse me përvojë pune, vërtetësisht nuk ishin në nivelin shkencor e profesional të Mustafa Gjestilës. Megjithatë, edhe emërimi në pozicionin e drejtorit të shkollës së mesme të bashkuar Bruç, ishte një vlerësim.
Drejtues i shkollës së mesme në Bruç
Pas përfundimit të specializimit, në Universitetin e Tiranës, Mustafa Gjestila emërohet drejtor i shkollës “26 Korriku” në fshatin e tij të lindjes. Emërimi i tij si drejtues i njërës prej shkollave më të mëdha në rreth, që kishte një numër të madh nxënësish dhe një staf pedagogjik jo pak të kualifikuar, vinte krejt natyrshëm. Ishte një emërim tepër i besueshëm, që kishte si qëllim nxitjen e përpjekjeve për të përballuar përshpejtimet e punës në këtë shkollë dhe për më tepër për të aplikuar forma e metoda të reja pune.
Shkolla e mesme e bashkuar në Bruç ishte një shkollë relativisht e re në llojin e saj.
Nxënësit vinin përgjithësisht nga fshatrat Urakë, Laç, Bruç, Prell, Rukaj e Rremull. Një numër i konsiderueshëm nxënësish vinte edhe nga Mirdita, nga fshatrat Lufaj dhe Bardhaj. Nxënësit e këtyre fshatrave udhëtonin rreth një orë e gjysëm për në Bruç. Në shkollën e mesme të bashkuar ndiqnin mësimet edhe një numër i kufizuar nxënësish të ardhur nga zona të tjera, të cilët banonin tek të afërmit e tyre në fshatrat e Laç-Rremullit. Edhe ndjekja e kësaj shkolle nga ky numër i vogël nxënësish, të ardhur nga zona të tjera, e vlerësonin stafin pedagogjik dhe drejtimin e saj për korrektesë e disiplinë shkencore të admirueshme.
Përveç shkollës 8-vjeçare, shkolla e mesme e bashkuar kishte dhe dy drejtime studimi: arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe arsimin e mesëm bujqësor. Në ato vite, përveç kryerjen e arsimit të mesëm të përgjithshëm, nxënësit synonin edhe kryerjen e arsimit të mesëm bujqësor që do t’u mundësonte atyre, në mos arsimin e lartë, statusin e punëtorit të kualifikuar në kooperativën bujqësore.
Ndjekja masive e shkollës së mesme të bashkuar në Bruç vinte edhe për faktin se në këtë shkollë jepte mësim një trupë mësimore e aftë dhe se në krye të saj kishin qenë drejtues të zot. Siç kemi shkruar drejtimi i kësaj shkolle kishte nisur me Bashkim Frangun, një drejtues këmbëngulës dhe i palodhur. Ndër drejtuesit e kësaj shkolle, që edhe sot e kësaj dite mbahen mend për drejtimin me një disiplinë të mirë shkencore, përmes një menaxhimi dhe delegimi të zgjuar të drejtimit të përgjithshëm, ata që i dhanë një autoritet të qartë disiplinor e shkencor kësaj shkolle, ishin Xheladin Xhekaliu dhe Besim Gjestila. Në marrëdhënie të ngushtë me stafin pedagogjik, arritën një konsolidim të shpejtë të shkollës së mesme të bashkuar. Sigurisht që aftësitë menaxhuese të tyre mbështeteshin edhe në punën dhe përvojën e disa prej mësuesve të kësaj shkolle.
Përparësia tjetër e kësaj shkolle vinte nga zotërimi prej saj i një baze të bollshme mësimore dhe i një sipërfaqeje jo të vogël eksperimentale që atëherë quhej bazë prodhuese. Këtu punonin jo pak punonjës të kualifikuar.
Padyshim që Mustafa Gjestila ishte një drejtues i një dimensioni të ri, në të gjithë ngarkesën e kësaj fjale. Ishte i aftë shkencërisht dhe zotëronte një dhunti të spikatur në komunikim dhe marrëdhënie me të tjerët. Komunikimi dhe marrëdhëniet ishin padyshim gjithpërfshirëse përsa i përket grupmoshave dhe niveleve të zhvillimit intelektual. Nëse drejtuesit e asaj kohe, të çdo niveli që ishin, ngërtheheshin në një sfond burokratik të mendimit e të veprimit, ai nuk ishte njëri prej tyre. Përqëndrimi tek thelbi i problemit dhe ndërtimi i punës drejtuese mbi njohjen e arsyes së të vepruarit me efektivitet do ta çlironte punën e mësuesve dhe nxënësve në shkollë nga mjaft angazhime që ishin larg zgjidhjeve të shpejta.
Marrja e drejtimit të shkollës nga Mustafa Gjestila u prit mjaft mirë nga nxënësit dhe mësuesit. Nxënësit e ndjenë se do të ishin më të lirshëm për t’u përshfaqur në tërë gjerësinë e thellësinë e veprimtarisë së tyre mësimore dhe edukative. Ata, në vitet e punës së Mustafait si mësues kishin ndjerë lirshmërinë e vetëveprimit në veprimtaritë mësimore dhe ato jashtëshkollore. Kësisoj besonin se metodologjia e drejtuesit të ri do të kishte një ndikim edhe më të gjerë.
Mësuesit që, prej vitesh, bashkë me Mustafain kishin qenë pjesë e një kolektivi, por edhe mësuesit e ardhur rishtas në këtë shkollë, e njihnin dhe e pranonin drejtuesin e ri si të spikatur mes tyre në punë dhe në thjeshtësinë e një marrëdhënie dhe komunikimi të rrallë.
...................................................................................................................................................................
Veç të tjerash, risia që solli në punën drejtuese Mustafai ishte stimulimi i punës në grup, ndërveprimi efikas në gjithë veprimtarinë mësimore edukative. Gjithashtu ai inicioi, përmes ndërveprimit të grupimeve të drejtimeve të ndryshme të punës edukative në klasë e në shkollë, organizime veprimtarishë të larmishme në drejtime artistike, shkencore dhe fizkulturore e sportive. Përveçse i bindur në efektshmërinë e një organizimi gjithpërfshirës, ai, që në shkollën 8-vjeçare, të mesme e të lartë, kishte qenë pjesëmarrës aktiv i këtyre veprimtarive dhe e dinte fort mirë se ç’forcë kanë ata në gjenerimin e përpjekjeve të nxënësve për një përvetësim edhe më cilësor në mësime.
Organizimi i veprimtarive të ndryshme gjallëronte edhe jetën e komunitetit përreth shkollës dhe sidomos të rinisë kooperativiste, e cila përveçse mungesën e lirisë së veprimit e mendimit, vuante edhe varfërinë materiale, nivelin e ulët të argëtimit dhe mungesën e punësimit. Shkolla e mesme e bashkuar në Bruç, me sa mundësi kishte ajo në atë kohë, mundohej që të zbuste sadopak plagë të cilat, edhe ajo, si i gjithë vendi, i vuante shumë.
Arritjet në procesin mësimor dhe në të gjithë veprimtarinë e shkollës së mesme ndër vite, kishin të bënin jo vetëm me drejtimin, por edhe me praninë e jo pak mësuesve specialistë të mirëfilltë. Ata ishin të njohur në zonën e Laç-Rremullit e më gjerë për kulturimin e gjerë të tyre dhe përballjen e problemeve në grup. Disa prej tyre: Aqif Klosi, Isuf Neli, Myslim Zeneli, Sabri Kola, Gëzim Këputa, Halit Ruka, Haxhi Neziri, Astrit Neziri... më vonë do të ishin drejtues institucionesh, sidomos arsimore dhe inspektorë në drejtorinë arsimore të rrethit e më gjerë. Musafai, pasi u largua nga fshati i lindjes, në biseda të zakonshme do të kujtonte: “Të punoje me këta mësues ishte një fat për çdo drejtues, por unë, disa prej tyre i kisha edhe kolegë, edhe shokë të shkollës së mesme e të lartë, por asnjëherë nuk më penguan në punën time, përkundrazi më ndihmuan shumë.”
Megjithatë, pas largimit të Mustafa Gjestilës nga drejtimi i shkollës së mesme të bashkuar në Bruç, nisi dhe vijoi një rënie e dukshme në punën mësimore dhe edukative në këtë shkollë. Në fakt kjo gjë nuk vinte vetëm nga mungesa e një menaxhimi dhe autoriteti shkencor e metodik të spikatur, por edhe nga mungesa e kujdesit për shkollën gjatë zhvillimeve të vrullshme që kishte marrë jeta në vend pas viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Pas marrjes së drejtimit të shkollës, Astrit Neziri, në bashkëpunim me trupën pedagogjike, mundi të siguronte përmes shumë përpjekjesh normalitet në ecurinë mësimore përgjatë një viti, por më pas ai u largua për të sjellë në vend të tij militantë partiakë. Më pas pati largime të disa mësuesve cilësorë, tërheqje të nxënësve nga vazhdimi i studimeve, probleme të bazës materiale etj. Drejtimi i shkollës tashmë ishte më i kontrolluar, vërtetësisht më i lehtë: së pari se ishin eliminuar shumë procedura burokratike dhe se rënia përfundimisht e “fillit të kuq” kishte çliruar mendime e forca të reje lirie e veprimi. Megjithatë, gjithsesi, shkolla e mesme u zbeh, puna e trupës mësimore u mjegullua dhe militantizmi partiak nisi të lëkundtte fort themelet e qëndresës kryesore të një shkolle: arsimimin dhe edukimin e lirë, por të organizuar e nën një disiplinë të fortë shkencore.
..................................................................................................................................................................
Pjesa VII
I DENJË NË RRUGËT E DEMOKRACISË
Fillim i vështirë në një rrugë të re
Në ditët, javët, muajt, gjer dhe në vitet e para pas shembjes së simboleve të diktaturës komuniste shqiptare, ende gjallonte, përmes rektimave të kobshme, kundërshtia e egër, herë-herë tejet armiqësore, ndaj fillesës së veprimtarisë së forcave demokratike.
Përgjithësisht, anëtarët e thjeshtë të Partisë së Punës në bazë, duke përjashtuar eksponentë të përbetuar dhe nostalgjikë të verbër, të paktën e kishin kuptuar se tashmë nuk kishte kthim pas. Deri diku, këtë fakt, edhe pse po e përjetonte dhimbshëm, kjo kategori nisi ta pranojë edhe si një mundësi për të rifilluar një jetë ndryshe: përgjithësisht ata ishin në varfëri të plotë dhe gjer në ato ditë kur diktatura ra, ata i bënte të “pasur” vetëm qenia anëtarë partie. Edhe pse ironike, kjo gjë ishte një fakt.
Megjithatë, disa krerë të Partisë së Punës në rreth, fill pas daljes në skenën politike të Partisë Demkratike, ku më pak e ku më shumë, gjatë atyre ditëve e javëve, në takimet me anëtarët dhe simpatizantët e tyre, rrekeshin më kot, përmes fjalimeve me nuanca urrejtjeje për forcat demokratike, të rikthenin kohën e sapo rënë. Mbase urrejtja patologjike, mbase këndvështrimi mediokër, mbase tronditja që po sillte rrufeshëm shkërmoqjen e statusit të tyre ekonomik dhe shoqëror, mbase të gjitha së bashku, i çoi këto krerë t’i kërcënonin njerëzit e thjeshtë me pasigurinë e jetës duke klithur të marrosur se forcat demokratike s’ishin gjë tjetër veçse forca të qarta fashiste që do t’i bënin popullit gjëmën.
Në një nga këto takime, ku pjesëmarrja ishte disi e gjerë: anëtarë partie, mësues dhe specialistë të tjerë të fushave të ndryshme, pa e lënë të flasë më gjatë të deleguarin e Partisë Punës në rreth, Mustafa Gjestila ngrihet e thotë:
- S’kanë kaluar veçse pak vite kur disa prej nesh kanë lënë auditoret dhe godinat e Qytetit Studenti. Mund të pranojmë shumë gjëra, por s’mund të pranojmë që lëvizja studentore i hapi rrugë një partie fashiste. Unë do desha të kisha qenë një nga studentët pjesëmarrës të kësaj lëvizjeje. Megjithatë shumë gjëra i vendos koha: unë jam këtu ku jam, ne jemi këtu ku jemi dhe në këtë pozicion duhet të dimë si të orientohemi, si të sillemi e si të flasim. Këto ditë unë kam mësuar se shokë, miq, por dhe të afërm të mi i janë radhitur kësaj force politike. A thua janë fashistë? Jo dhe jo! Ndaj duhet kujdes kur flasim.
Kuptohet, për intelektin që zotëronte, për forcën argumentuese dhe popullaritetin që gëzonte, jo pak shokë, miq dhe të afërm, që po pozicionoheshin përkrah forcave të reja demokratike, u përpoqën që ta përfshinin në radhët e tyre. Asnjëherë nuk iu kërkoi të kundërtën, asnjëherë nuk pati as më të voglën lëkundje për të ftohur marrëdhëniet me ta, por, në biseda të lira, pyeste, duke qeshur dhe me humor:
- Ore, jeni apo s’jeni për pluripartitizëm ju?
- Po! - i përgjigjeshin ata.
- E kuptoni se çfarë mund të ndodh sikur të bëhemi të gjithë anëtarë të Partisë Demokratike?
E ndërsa ata qeshnin dashamirësisht me fjalët e Mustafait, ky vazhdonte, po duke qeshur:
- Nuk e dini? Ua them unë: shkojmë prapë aty ku kemi qenë.
Ishin fjalë të thëna me humor, por që, në një farë mënyre, shprehnin, veç të tjerash, përmes kundërshtishë e pohimesh shpirtërore e morale, meditimesh dhe reflektimesh të vazhdueshme, pranimin e gjendjes shoqërore dhe shpirtërore të jo pak të rinjve të arsimuar si refleksione ndaj realiteteve të reja për një investim demokratik në kuadrin e pluripartitizmit shqiptar, pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Këta të rinj, të arsimuar nëpër shkollat e mesme e të larta e që punonin ndershmërisht në drejtime të ndryshme të veprimtarisë jetësore, nuk e patën të lehtë të pohohen realisht, siç ata ndjenin, kuptonin e vepronin, edhe pse nuk kishin dhënë asnjë lloj investimi negativ në të kaluarën e tyre.
...................................................................................................................................................................
Gjatë periudhës tetor 1992-shtator 1996 Mustafa Gjestila ka kaluar ditë dhe javë mjaft të vështira. Forca dhe bota e madhe shpirtërore e tij, qetësia, durimi, maturia, toleranca, besimi te shokët, miqtë... janë vënë në provë si rrallë herë. Ai nuk e humbi arsyen, nuk e pa veten si një ashkël në breg edhe pse i ndodhur në rrymë (fuqishëm dhe mbase edhe nën presionin e saj) jo për mangësi të formimit të gjithanshëm por, paradoksalisht, për të dhëna dhe aftësi të cilësuara, përvojë dhe drejtim të suksesshëm. Ai nuk u lodh e nuk u dha për të hyrë në hulli të përbaltura, ku disa u tërhoqën si kuaj të mëgojëzuar.
Jo në pak raste qenka thënë të pranohet se aftësia dhe ndershmëria nuk njihen si të tilla veç prej kulturimit cilësor dhe vyrtytit të papërlyer, por më shumë prej qëndresës dhe guximit për t’i përshfaqur ato atëherë kur të mohojnë a s’të vlerësojnë, nëse jo nga mosdashja, nga mosdija. Një ndër lëngatat e demokracisë shqiptare, që me fitoren e saj ndaj diktaturës e gjer sot e kësaj dite, është vlerësimi dhe mosvlerësimi i kapaciteteve intelektuale nga frëngjitë e bastioneve politike, nga ato frëngji ku realisht qëndrojnë partiakët dhe deputetët të cilët tërheqin mëgojzën e disa kuajve që kanë vënë në drejtim për t’i shërbyer pushtetit të tyre më shumë se sa për t’i shërbyer njerëzve dhe demokracisë.
Sipas regjistrit të administrimit të lëvizjeve dhe emërtimeve të punonjësve në zyrën arsimore, për Mustafa Gjestilën takojmë në lëvizje të herë pas hershme, brenda një harku kohor të shkurtër (01.10.1992-15.11.1994) herë si metodist në kabinetin pedagogjik, herë si specialist, herë si përgjegjës i Qendrës Ekonomike të Arsimit, herë si inspektor në drejtorinë e arsimit Mat. Koha më e shkurtër e tij në këto pozicione është prej dyzetë e pesë ditësh në drejtorinë arsimore si inspektor nga 01.10.1994 deri më 15.11.1994, ndërsa koha më e gjatë është ajo prej gjashtëmbëdhjetë muajsh si përgjegjës i Qendrës Ekonomike të Arsimit të rrethit Mat. Të tjerë specialistë, disa prej të cilëve shumë larg dimensioneve profesionale e kulturimit të përgjithshëm që zotëronte Mustafa Gjestila, nuk i provuan këto lëvizje. Mustafai po. Donin ta mëgojëzonin, por ai dinte të fliste me gojën dhe mendimin e tij dhe pse respektonte fjalën e mendimin e të tjerëve.
...................................................................................................................................................................
Për Mustafa Gjestilën emërimi përgjegjës i Qendrës Ekonomike të Arsimit të rrethit duket se ka qenë një emërim jo aq i mirëpritur prej tij. Sigurisht që nuk i mungonte aftësia drejtuese, porse, në një formë a në një tjetër, ishte disi jashtë profesionit. E ka pranuar këtë detyrë duke e njohur jo pak natyrën e punës që do të kryente. Përpara se të pranonte këtë detyrë, si për të marrë edhe mendimin e punonjësve, një buzëmbrëmje, ka kërkuar të takojë njërin ndër punonjësit më të vjetër e më të zot të qendrës ekonomike të arsimit, i njohur thuajse nga të gjithë mësuesit e drejtuesit e shkollave në rreth.
..................................................................................................................................................................
Por edhe në këtë detyrë Mustafa Gjestila qëndroi pak. E larguan më 01.10.1994. Edhe pse nuk mund të mos ishin në dijeni të kryerjes së FShN-s me nota të nivelit të lartë, të kryerjes së specializimit pasuniversitar me notën maksimale, të përvojës drejtuese dhe të forcës intelektuale të tij, nuk u kujdesën as për një vend pune, të paktën si specialist i biologji-kimisë në një nga shkollat e qytetit të Burrelit.
Fatin e tij e pësuan jo pak mësues specialistë të cilët qëndruan, më pas, me vite nën kontrollin e disa prej drejtuesve të shkollave, të cilët, veç të tjerash, nuk dinin t’u kontrollonin as planet mësimore dhe ato ditore, por që dinin, gjer në fanatizëm dhe ironi, të ndiqnin dhe të dënonin, jo vetëm verbalisht, përkatësinë dhe simpatitë partiake të mësuesve të tyre.
Disa prej këtyre specialistëve të zot, me kulturë të gjerë e ndikim pozitiv në komunitet, u shkëputën me dhimbje edhe nga mësimdhënia. Një ndër ta ishte edhe Mustafai.
..................................................................................................................................................................
Në shkollën e mesme “Pjetër Budi”
Më 15 shtator të vitit 1996 Mustafa Gjestila rifillon përsëri punën në arsim si mësues në shkollën e mesme të përgjithshme “Pjetër Budi”. Drejtori i kësaj shkolle ishte Isuf Neli. Në “Pjetër Budi” Mustafai gjen edhe Myslim Zenelin dhe Cevan Cevanin. Vite më parë Isufi, Mustafai dhe Myslimi kishin qenë kolegë në shkollën e mesme të përgjithshme “26 Korriku” në Bruç. Ndërsa Mustafain, Myslimin dhe Cevanin i kishte bashkuar përsëri “Pjetër Budi”, tani jo më si nxënës, por si mësues të kësaj shkolle. Të tre, tashmë mësues me përvojë dhe zotësi të spikatura në mësimdhënie, ata do të provonin se ishin të denjë për të qenë mësues të një shkolle me emër.
Me nisjen e vitit shkollor 1996-1997 si mësues i biologjisë dhe kimisë në shkollën e mesme të përgjithshme “Pjetër Budi”, Mustafai, gjer atëherë, veç të tjerash, disi edhe i vetpenguar nga një botë shpirtërore e socializuar në ndonjë rast me tepri, nis punën në rrethe pedagogjike konkuruese, çka ai e kërkonte prej vitesh, më shumë me heshtjen e tij. Këtë gjendje të tij, njëri prej specialistëve të zot në Drejtorinë Arsimore në Mat gjatë peridhës 1993-2001, Kujtim Mërzira, e shpjegon në mënyrë të figurshme: “Mustafai ishte lojtar elegant, i fuqishëm dhe i një niveli të lartë, por që herë-herë pranonte të qëndronte në stolin e rezervave gjersa trainieri hidhte në fushën e lojës lojtarë të dobët.”
Në “Pjetër Budi”, Isufi si drejtor dhe Mustafai e Myslimi si mësues, ritakohen përsëri si anëtarë të një trupe pedagogjike. Nga Bruçi ishte larguar në fillim Isufi, pastaj Myslimi dhe Mustafai. Ritakimi ndodhte pas gjashtë vitesh nga përmbysja e diktaturës komuniste. Gjatë gjashtë viteve takimet mes tyre kanë qenë të rralla, por përherë të ngrohta dhe në frymën e një respekti të ndërsjellë. Në këto vite Mustafai ka qëndruar në Shqipëri, ndërsa Isufi dhe Myslimi kanë emigruar për një kohë të shkurtër në Itali dhe Greqi.
Si edhe të tjerë mësues e specialistë, Isufi, Mustafai dhe Myslimi duhet të kenë qenë nën presionin e kërkesave të partive politike për t’i përfshirë në forumet drejtuese të tyre. Viti 1996, sidomos muajt pas bërjes së zgjedhjeve parlamentare të 26 majit qenë tepër të vështira për demokracinë e brishtë shqiptare. Në këtë muaj e më pas, gjatë vitit 1997, ndërsa u tundën keqas themelitë ende të njoma të kësaj demokracie, u shkërmoqën jo pak institucione shtetërore. Këto ngjarje bënë që, gjatë përpjekjeve për daljen nga vorbullat e errëta dhe “përfitimet” prej tyre, për partitë politike, një ndër synimet organizuese të ishte tërheqja në formacionet e tyre drejtuese e disa prej specialistëve të spikatur, që ende qëndronin disi mënjanë. Duke u munduar të ruajnë njohjet dhe shoqërinë e pacënuar gjer në ato ditë të vështira, edhe ata vetë, nisën të “negocionin” me njëri-tjetrin, dikush i paqtë e mendimlirë, dikush i vrazhdë e me ndonjë hije egoizmi, për t’u bashkëpërfshirë në formacione politike. Këto “negocime”, herë të drejtpërdrejta e herë “diplomatike”, paramenduan dhe provuan edhe “lëshime” në emërime e afrime “kundërshtarësh” në punë e pozicione disi të lakmueshme, që në një moment të përshtatshëm të mund t’ju kërkohej “shpërblimi”, zakonisht duke milituar në radhët e tyre.
Viti shkollor 1996-1997 ka qenë tepër i vështirë, me plot e plot probleme, me orë mësimi që shokoheshin nga krismat e armëve e për pasojë një varg dashurie në orën e letërsisë merrte arratinë, një formulë në shkencat ekzakte kalamendej, notat e një kënge nguroseshin, buzëqeshja e dy të rinjve mpihej, puthja e tyre dridhej e përvidhej dhe vetë jeta kërcënohej. Nuk bjerritet aspak roli i mësuesve të tjerë të trupës pedagogjike “Pjetër Budi” për përkujdesjen ndaj nxënësve dhe kohës mësimore gjatë këtij viti nëse të tjerë kanë nënvizuar se profesionalizmi i Mustafa Gjestilës, dhuntia e tij në komunikim dhe në marrëdhënie, sensi i spikatur i tolerancës dhe paqëtisë, ndikoi mjaft në zgjidhjen e problemeve dhe forcimin e marrëdhënieve të komunitetit me shkollën. Në atë vit të vështirë Mustafa Gjestila u respektua gjerësisht nga nxënësit dhe thjeshtësisë e natyrshmërisë së marrëdhënieve të tij me ta iu referuan edhe mësuesit e tjerë.
Marrja e drejtimit të shkollës “Pjetër Budi” nga Mustafa Gjestila në mars të vitit 1997 ka qenë një çast mjaft i vështirë për të. Situata ishte aq e brishtë saqë nga pakujdesia dhe mungesa e vëmendjes, gjithçka mund të dilte jashtë kontrollit. “Në ato ditë të vështira kërkohej qetësi, njohje, ekuilibër dhe marrëdhënie e mençur, - tregon Myslim Zeneli. - Mustafai ishte jo vetëm një zotërues i mirë i këtyre të dhënave, por eshe një mjeshtër në realizimin e tyre.” 83
Edhe vitin shkollor 1997-1998 Mustafa Gjestila e nisi si drejtor i shkollës “Pjetër Budi”, por, më pas, në muajin tetor do të largohet nga kjo shkollë.
Në Drejtorinë Arsimore, Mat
Që herët, kur ishte nxënës në vendlindje, më pas gjimnazist në Burrel e student në Tiranë, rrethi shoqëror: nxënës e studentë, mësues e pedagogë, kishin provuar dhe promovuar në veprimtaritë mësimore dhe shoqërore se, Mustafa Gjestila, zotëronte të dhënat dhe prirjet e një lideri që shfaqej përmes anëve më pozitive të qenies njerëzore. Sa ishte student në universitetin më në zë të vendit, i cili mblidhte në auditoret e tij krenajën e të rinjve të Shqipërisë, mbeti lider në marrëdhënie. Shoqet dhe shokët e fakultetit, të cilët në ditët e sotme janë pedagogë, mësues e drejtues institucionesh, kujtojnë se nuk mund të zhvillohej një veprimtari pa praninë dhe pjesëmarrjen spikatëse të Mustafait. Pedagogu i tij, profesor Idriz Haxhiu vërente se “... gjatë katër viteve studenti Mustafa Gjestila ishte model i një të riu me kulturë të gjerë. Me shembullin dhe pjekurinë e tij të rrallë për moshën ishte gjithmonë shembull për mendimet e vyera që i shërbenin gjithë shoqeve dhe shokëve të tij të kursit e më gjerë. Për t’u theksuar është se te ai që herët spikaste, intuita, përgatitja dhe pasioni për punë shkencore.”84 Më pas, si mësues dhe drejtues, si shok dhe si mik, si vëlla dhe i afërt, si bir dhe si at... pozitiviteti te ai ngërtheu në një harmonizim nga më të rrallët: zgjuarsinë, sensin bashkëpunues, metodikën e thjeshtë rezultative, njohjen psiko-pedagogjike, durimin, tolerancën, qetësinë dhe kthjelltësinë në problemzgjidhje, dashurinë për njeriun dhe natyrën, këndvështrimin pozitiv në marrëdhënie për eleminimin e negativitetit, komunikimin brilant dhe drejtpeshimin e gjërave edhe atëherë kur ato nisin të epohen drejt rënies.
Rrethanat, mentaliteti, koha dhe disa prej drejtuesve të saj në zonë e në rreth, vështirësitë dhe varfëria e përgjithshme ekonomike-të gjitha në një e asnjëra për padijeninë e Mustafait, bënë që ai (si edhe disa mësues të tjerë) të qëndronte rreth dhjetë vite rresht në një shkollë fshati, kur do të ishte edhe më i dobishëm në vazhdimin e punës shkencore në fushën e biologjisë, ashtu siç u rekomandua nga pedagogë të tij, ose, të paktën, si fillim, të niste punën si specialist në Ulëz për studimin dhe menaxhimin e faunës ujore.
Ardhja e Mustafa Gjestilës në mjediset pedagogjike dhe institucionet drejtuese në qytetin e Burrelit, fillimisht si mësues dhe drejtor në shkollës e mesme “Pjetër Budi” e më pas përgjegjës i sektorit të kontrollit e kualifikimit dhe drejtor i Drejtorisë Arsimore të rrethit Mat, përshfaqi dukshëm dhe shpejt potencialin e tij njerëzor, intelektual, profesional dhe drejtues.
Pas zgjedhjeve të parakohshme që u mbajtën më 29 qershor 1977, në Drejtorinë Arsimore të rrethit Mat, si drejtues i saj, vjen Ismail Patushi, një ndër mësuesit e përmendur ndër vite në gjimnazin e Burrelit. Ndërkohë Mustafa Gjestila kishte nisur vitin e ri shkollor, 1997-1998, si drejtor i shkollës së mesme “Pjetër Budi”. Në tetor të vitit 1997 Mustafai afrohet në Drejtorinë Arsimore të rrethit Mat dhe ngarkohet me detyrën e përgjegjësit të sektorit të kontrollit dhe kualifikimit. Në Drejtorinë Arsimore gjeti edhe Sabri Kolën, përgjegjës i sektorit të gjuhës dhe letërsisë, edhe Gëzim Këputën, përgjegjës i sektorit të edukimit fizik. Në ditët pas emërimit të Mustafait, në Drejtorinë Arsimore do të vinte edhe Myslim Zeneli. Dikur, para viteve nëntëdhjetë, për disa vite rresht, Mustafai, Myslimi, Sabriu dhe Gëzimi ishin kolegë në trupën pedagogjke të shkollës së mesme në Bruç.
...................................................................................................................................................................
Inspektorë dhe punonjës me të cilët punoi në Drejtorinë Arsimore, drejtorë dhe mësues të grupeve pedagogjike të shkollave në rreth kujtojnë se, në marrëdhënie pune dhe në komunikime me Mustafa Gjestilën, ndjenin natyrshëm përgjegjësinë dhe kënaqësinë e të qenit mësues. Në gjithçka që përcillte me sjelljen dhe komunikimin e ngrohtë ata veçojnë se, në metodikën e punës së tij me specialistët, drejtorët e shkollave dhe mësuesit, gjithsesi, parim i punës së tij me njerëzit ishte: “ejani të veprojmë së bashku dhe jo veproni siç ju thonë”. Specialistët e arsimit në rreth dhe drejtuesit e shkollave, gjer dhe mësuesit e fshatrave më të largëta të Matit, e kishin cilësuar Mustafa Gjestilën si mjeshtër të organizimit të punës në grupe të mëdha e të vogla, të krijimit të hapësirave në bashkëbisedime për të arritur në një vendimmarrje të pjekur, por dhe si drejtues me vizion të gjerë dhe botë shpirtërore të pasur.
...................................................................................................................................................................
Specialistët e arsimit në Drejtorinë Arsimore që punuan në grupin e inspektorëve sjellin mjaft raste, në të cilat, gjatë kontroll-kualifikimit nëpër shkolla, Mustafai merrte krejt natyrshëm rolin e mësuesit apo të drejtuesit të shkollës si ndihmë në zgjidhjen e problemeve përmes shembullit. Përkundrejt disa drejtuesve që, rëndom, zgjidhjen e problemeve e kërkojnë thjesht mbi bazën e zbatimit të ligjit a një akti normativ, ai thellohej në natyrën e problemit dhe shkaqet e lindjes së tij.
...................................................................................................................................................................
Afrimi i një brezi të ri drejtuesish politikë, me një ndikim më të paktë të mentalitetit ndarës e kundërshtues të së resë, edhe në rrethin e Matit bëri të mundur krijimin e një klime më të qetë e tolerante në jetën e njerëzve të thjeshtë. Këta drejtues ndikuan mjaft pozitivisht në ndasitë që ishin krijuar edhe për shkak të emërimeve politike dhe të pamerituara në arsim. Ata, veç të tjerash, u orientuan kah intelektualë, specialistë dhe profesionistë të zot për freskimin e pozicioneve kyçe të drejtimit të jetës ekonomike, arsimore e kulturore të rrethit.
Në interesim të Ministrisë së Arsimit, me fillimin e vitit shkollor 2001-2002, Partia Socialiste e rrethit Mat propozon tri kandidatura për drejtimin e ri të Drejtorisë Arsimore të rrethit. Ministria e Arsimit miraton njërën prej tyre, atë të Mustafa Gjestilës. Emërimi i tij në këtë detyrë u prit mjaft mirë në rrethin e specialistëve të Drejtorsë Arsimore që kishin punuar prej disa vitesh me të dhe në përgjithësi nga gjithë kolektivat pedagogjike në Mat.
Shumë shpejt drejtuesi i ri i arsimit në rrethin e Matit u bë i njohur, i mirëpritur dhe i respektuar në të gjitha kolektivat arsimore. Me thjeshtësinë që e karakterizonte, përmes një njohje të thellë të veçorive psikologjike të moshave dhe të problemeve të arsimit, mundohej të ishte sa më racional e praktik në zgjidhjen e shumë problemeve.
...................................................................................................................................................................
Mustafa Gjestila, me punën dhe fjalën e tij, kishte dhënë një shembull mjaft të qartë e rezultativ në kompaktësimin e një grupi specialistësh të zot në qendrën arsimore të rrethit e që vinin nga pozicione të ndryshme përkatësish partiake dhe bindjesh politike. Emërimi në drejtimin e Drejtorisë Arsimore i dha mundësi për të krijuar shpejt përmasat e një hapësire të gjerë pune, ku primare do të ishin aftësitë, merita, puna dhe përkushtimi i mësuesve dhe drejtuesve të shkollave dhe jo bindjet e qasjet e tyre politike. Në sektorin e arsimit, në vitet e para të zhvillimeve demokratike, ishin shfaqur shenja dhe jo rrallë edhe veprime që, si dikur kur “filli i kuq” lidhej në grykën e mësimdhënies dhe të nxënit, disa drejtues të arsimit përdornin mjediset pedagogjike, më shumë se sa si të tilla, si sfonde politike dhe kuraturë e frymëmarrje mitingjesh, sidomos në valët e përballjeve në fushata zgjedhore. Në jo pak raste mësues e drejtues shkollash u cënuan në dinjitetin e tyre profesional me zëvendësime dhe largime të pamerituara ndërsa ndaj shumë të tjerëve u përshkallëzua presioni i stërholluar politik në forma e mënyra të ndryshme. Kësisoj drejtori i shkollës u kthye në një emisar të vrazhdë politik.
Mustafa Gjestila mbase mbetet i vetmi në radhët e drejtuesve në vite të qendrës arsimore në Mat që përçoi mesazhe të qarta për mbylljen e dyerve të shkollave ndaj lojrave dhe luftës politike që në vite kishin cënuar pedagogjinë dhe demokracinë e vërtetë në shkollë. Që me javët e muajt e parë si drejtor i Drejtorisë Arsimore në rreth, me njohje gjer në detaje dhe ndershmëri, me argumente në pohim të profesionalizmit, meritës dhe zotësisë në drejtim ai u bë barrierë ndaj disa prej përpjekjeve partiake për të imponuar përzgjedhje e zëvendësime me sens politik në emërimin e drejtuesve të shkollave. Kriteri që do ta udhëhiqte në këto raste do të ishte aftësia dhe profesionalizmi. Edhe në rastet kur pozicioni që mbante në grupin e inspektorëve si përgjegjës i kontroll-kualifikimit nuk e lejonte të bënte më shumë, fjala e tij thuhej pamëdyshje në përkrahje të profesionalizmit dhe meritës në punë.
...................................................................................................................................................................
Për të qenë rezultativ në drejtim do të duhet jo vetëm një njohje e thellë e objektit të punës dhe e së drejtës tënde, por edhe njohja e një sërë faktorësh dhe institucionesh që, edhe pse mund të jenë jashtë rrezes së të drejtave tuaja urdhëruese, ndikojnë fuqimisht në rezultatin e punës. Drejtuesi i ri i sistemit arsimor në Mat i njihte dhe i respektonte me thjeshtësi dhe gjer në detaje këto faktorë që ndikonin fuqimisht në mbarëvajtjen e veprimtarisë arsimore në rreth. Në këndvështrimin e tij, qenia kryetar i komunës a i bashkisë, që kishte mandatin e komunitetit në mjedisin e të cilit zhvillohej edhe veprimtaria arsimore, nuk merrte vlerë nga përkatësia politike, por nga cilësia e shërbesës ndaj komunitetit. Në këtë drejtim drejtuesit e njësive vendore në rreth ishin njëlloj të respektuar në funksion të mbarëvajtjes së veprimtarisë arsimore. Kësisoj, mes drejtorit të ri të arsimit dhe kryetarëve të njësive vendore ishte vendosur shpejt një marrëdhënie pune e sinqertë dhe rezultative. Për Mustafa Gjestilën, gjatë daljeve në terren për problemet e arsimit, takimi me drejtuesit e njësive vendore kishte një përparësi të veçantë.
...................................................................................................................................................................
Për specialistët e Drejtorisë Arsimore, të pranishëm në një takim të gjerë në gusht të vitit 2002, në lidhje me përgatitjet që bëheshin për fillimin e vitit shkollor 2001-2002, ka qenë një befasi pjesëmarrja e të gjithë kryetarëve të komunave në këtë mbledhje edhe pse s’kishin asnjë lidhje detyruese për pjesëmarrjen e tyre. Befasia qëndronte jo vetëm në faktin se prej vitesh s’ishin mësuar me pjesëmarrje të tilla, por pse kryetarët e komunave e pritën mjaft mirë ftesën dhe fjalën e Mustafa Gjestilës, duke premtuar se do të ndiqnin me shumë përparësi lyerjet e mjediseve të shkollave dhe meremetimet e mjeteve mësimore. Duket që, më shumë se institucionin drejtues të arsimit në rreth, jashtë çdo paragjykimi partiak, ata respektonin edhe personalitetin e drejtuesit të këtij institucioni të cilin e njihnin për profesionalizmin, përkushtimin, ndershmërinë dhe ndërtimin e marrëdhënieve të sinqerta e rezultative pune.
...................................................................................................................................................................
Kryetar i këshillit bashkiak, Burrel
Më 1 tetor të vitit 2000 u zhvilluan zgjedhjet e treta vendore në Shqipëri. Ishin zgjedhjet që u mbajtën tre vite pas krizës së thellë politike, zhvillimet e së cilës bënë që vendi të epohej frikshëm buzë humnerës, si rrallë herë në historinë e tij. Gjithashtu, zgjedhjet e treta vendore u zhvilluan një vit para zgjedhjeve parlamentare. Kësisoj ato u ndjenë si tepër të rëndësishme dhe si një provë e pastër politike për të matur rikthimin e kthjelltësisë së lidershipit të partive politike në interes të fatit të vendit dhe qytetarëve, pas kalamendjeve të viteve 1996, 1997, 1998.
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nxorën fituese Partinë Socialiste. Ajo mori drejtimin e bashkive kryesore të vendit, të cilat përgjithësisht ishin drejtuar, që pas zgjedhjeve të korrikut të vitit 1992, nga partia Demokratike.
Në raundin e parë të zgjedhjeve Partia Socialiste fitoi 28 bashki dhe 110 komuna, ndërsa Partia Demokratike mori 9 bashki dhe 58 komuna, PBDNJ-ja 5 komuna dhe PLL-ja 1 komunë. Më pas, në raundin e dytë të zgjedhjeve u votua për 28 bashki, 128 komuna dhe për 10 minibashki në Tiranës. Në përfundim të raundit të dytë, PS-ja mori 114 njësi vendore, ndërsa PD-ja 21 njësi vendore.
Në rrethin e Matit, në krye të bashkisë kryesore, atë të qytetit të Burrelit, u zgjodh Ramiz Palluçi, i nderuar nga komuniteti, me një përvojë të suksesshme profesionale dhe një ndër intelektualët e shquar të rrethit të Matit. Në zgjedhjet që u zhvilluan me 1 tetor të vitit 2000, populli votoi edhe për këshillat komunale dhe këshillat bashkiake. Këshilli Bashkiak i qytetit të Burrelit, prej 17 këshilltarësh, u formësua nga 8 anëtarë të PS-së, 6 të PD-së, 2 të PSD-së dhe një i PAD-së. Përgjithësisht qytetarët e Burrelit kishin votuar për specialistë të fushave të ndryshme, me ndikim në komunitet, mes të cilëve spikatnin intelektualë të mirëfilltë.
Një ndër këta intelektualë ishte Mustafa Gjestila, i cili u zgjodh kryetar i këshillit të bashkisë me shumicë votash. Kredoja drejtuese e kryetarit të këshillit bashkiak, e kthyer në realitet gjatë periudhës tetor 2000 - shtator 2002, gjer në ditën kur ra në detyrë, shprehet edhe në një fragment të intervistës së tij dhënë gazetës “Mati”: “Dua të theksoj se nuk ka patur ndarje në “të miat dhe të tuat”, por problemet janë trajtuar gjithnjë në bazë të ligjit, në mënyrë që Këshilli Bashkiak të jetë në bllok, një forum për të gjithë qytetarët, pa dallime partiake dhe bindje shoqërore."
Gjatë një periudhe afro dyvjeçare si kryetar i këshillit bashkiak të qytetit të Burrelit dhe drejtor i Drejtorisë Arsimore, Mustafa Gjestila solli modelin e ri të drejtuesit, për të cilin rrethi i Matit dhe qyteti i Burrelit, edhe pse një qytet i vogël, kishte aq shumë nevojë. Ky qytet sapo kishte nisur të rifitonte qetësinë e tij që, përmes një ploje të pazakontë për matjanët e mençur e të paqtë, e kishte humbur tragjikisht për disa vite rresht. Të gjithë ata që i kanë përjetuar nga afër ato ditë, besojmë se pranojnë se ka qenë një ogur i bardhë ardhja e disa intelektualëve në pozicione drejtuese të veprimtarisë shtetërore e shoqërore në rrethin e Matit fill pas asaj kalamendje të frikshme të jetës shoqërore, të institucioneve shtetërore, ekonomike, arsimore dhe kulturore, të rrugëve dhe rrugicave të qytetit të Burrelit.
Pas atyre viteve kërkoheshin njerëz me ndikim pozitiv në komunitet, drejtues që të dëgjonin përpara se të flisnin, të shikonin përpara se të ecnin, të mendonin para se të vepronin, të guxonin me mençuri dhe të qëndronin me trimëri. Pa dyshim që Mustafai ishte një ndër të rrallët nga këta drejtues.
Tomor Bukaçi, ish-inspektor i gjuhëve të huaja në Drejtorinë Arsimore të rrethit Mat dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Burrelit, i dalë nga zgjedhjet lokale të tetorit të vitit 2000, vlerëson se “Mustafai ishte dukshëm i aftë në profesion dhe një menaxhues shumë i mirë. Maturia dhe ekuilibriteti i tij të bënin ta respektoje, teksa te ai spikaste këmbëngulja për ta ndihmuar tjetrin dhe jo për ta shtyrë. Si rrallë njerëz që kam njohur ai dinte të mendonte dhe të vendoste përpara se të vepronte, ndaj edhe ishte rezultativ.”92
Gjithëherë, por sidomos pas atyre viteve kërkohej: njeriu mbi partiakun, bashkëpunimi mbi ndasinë, mirëkuptimi mbi keqkuptimin, toleranca mbi impulsivitetin, paqëtimi mbi agresivitetin, dorëdhënia mbi ngasjen dhe zemërimin, marrëveshja mbi mosmarrëveshjen, buzëqeshja mbi vrenjtjen... Padyshim që Mustafai ishte mishërim i këtyre vlerave njerëzore dhe intelektuale.
Në punën me njerëzit spikatin gjithëherë intelektualë me kulturë të gjerë, që zotërojnë njohuri të gjithanshme mbi interesat, gjendjen sociale, psikologjinë, marrëdhëniet dhe shqetësimet e komunitetit. Mustafa Gjestila i zotëronte këto njohuri.
Mustafa Gjestila zotëronte natyrshëm një art të rrallë, atë të komunikimit. Ai dinte të ishte: fëmijë buzagaz me fëmijët, adoleshent gazmor me adoleshentët, i barabartë me të pabarabartin e rritur, plak i mençur me të moshuarit.
..................................................................................................................................................................
VIII
DHIMBJE DHE KRENARI
4 Shtator 2002
Edhe Mustafai e dinte se e prisnin në Burrel. Shumë. E prisnin, ndaj dhe nxitoi të ecte drejt makinës teksa një erë e lehtë, pasi u lëshua mbi pllajë nga gryka veriore e malit, u ndal mbi krenajën e lisnajës, para shkollës. Mbi majën e Dejës, pak nga pak, nisën të kulmoheshin bajrakët e reve. Gjithnjë duke u afruar me njëra-tjetrën, ata zgjatnin kryet si për të mbajtur kupolën blu mbi malin e Dejës që, ashtu i shtrirë, dukej sikur dremiste nën zjarrminë e rrezeve të diellit. Pak nga pak retë u dendësuan, u murrëtyen mbi njëra-tjetrën duke lënë nga bardhësia e tyre veçse ca fasho të holla që shtilleshin nga era që kishte nisur t’i vinte përpara.
Një flakërimë e beftë çau ajrin e tejnxehur dhe, sakaq, u dëgjua një gjëmim i fortë. Era nisi të lëkundtte krenajën e lisave.
- Do të kemi shi sot, - tha duke u afruar te makina.
- Nisemi, drejtor?
- Lëre drejtorin, - tha me të qeshur, duke hapur derën e pasme të makinës, - drejtor je ti tani.
Liriu qeshi dhe hodhi vështrimin në pasqyrën e brendshme.
Si edhe shumëherë në këto ditë, edhe sot është ulur në ndenjësen e pasme, por sot duket edhe më i menduar, mendoi Liriu.
Makina mori rrugën përmes shakullimës së pluhurit që kishte nisur të çonte era dhe flakërimave që çanin retë dhe lëshoheshin frikshëm mbi pllajë të pasuara, aty për aty, nga gjëmimet. Dukej se nga çasti në çast do të shpërthente një stuhi e pazakontë edhe pse shiu ende s’kishte nisur. Shpejt, duke lënë pas shtëpitë e bardha të mbuluara me rrasa guri, makina mori rrugën e kalldrëmtë. Liriu shikoi edhe njëherë në pasqyrën e brendshme, i shtyrë nga heshtja që ishte krijuar në makinë. Vështroi portretin e drejtorit të ri dhe preu timonin në të majtë.
Ai ishte i menduar. .........................................................................................................................................
Gjatë gjithë udhëtimit nga Burreli në Macukull i tillë kishte qenë, i menduar. Kishte folur pak me Liriun, si rrallë herë gjatë udhëtimit. Në ditë e fundit të gushtit dhe ditët e para të shtatorit nxitonte, siç nxitonin vetë ditët drejt hapjes së dyerve të shkollave. Ndihej disi i shqetësuar edhe pse kishte ditë që shumë pak pushonte, aq sa për t’u parë me fëmijët e bashkëshorten, ndërsa si rrallë herë kishte kaluar nëpër disa ditë pa i parë sytë e nënës. Në ditët e përgatitjes së shkollave për zilen e parë, sa vinte nga një zonë nisej drejt një tjetre, teksa e kërkonin për një intervistë, e priste një mbledhje në këshillin bashkiak, i kërkohej një informacion... Ai ishte pasionant në marrëdhëniet me njerëzit e ca më shumë me mësuesit e drejtuesit e shkollave. Fryma e besimit ndaj tyre që lidhej me seriozitetin e punëve për fillimin mbarë të vitit shkollor, ishte një vlerë e arritur si rrjedhojë e stilit të tij të veçantë të punës dhe bashkëpunimit të përhershëm. Gjithashtu, kjo frymë besimi lidhej dhe me respektin që gëzonte në radhët e kolektivave arsimore përmes thjeshtësisë dhe komunikimit të drejtpërdrejtë.
Retë, të ulura gjer poshtë, përndizeshin ende nga flakërimat e rrufeve, vendi trandej nga gjëmimet dhe shiu u lëshua me rrebesh. Njëherësh, rrëketë që lëvareshin në të djathtë të rrugës u kthyen në përrenj të vrullshëm që herë pas here shtronin rrugën me ledh. Në makinë ende rëndonte heshtja. Në fakt ajo vetëm sa dukej e tillë. Fytyra e Liriut ishte tendosur dhe vështrimi i tij mundohej të ngërthente gjithçka para dhe anash, ndërsa në sytë e Mustafait endej një shqetësim i dukshëm.
Ndërkohë arritën mbi shkollën e Dukagjinit, në Qafën e Shën Kollit. Makina nuk po bindej dhe herë pas here anohej frikshëm.
Kthesa në të majtë mbi Urxallë ishte bërë edhe më e vështirë. Ishte një rrugë e ngushtë në të djathtë të së cilës lëshohej rrëpira mbi shtëpitë e para të Urxallës. Mundën të ulen në atë teposhte të frikshme. Kur lanë pas teposhtën, u kthyen në të djathtë dhe shpejt u gjendën përballë Përroit të Thatë.
I thatë? I tharë? Si i tharë? Ai ishte kthyer në një lum të frikshëm. E pra, gjatësia e tij nga ku do të kalonte makina e gjer në Qafën e Shën Kollit, ku zinte fill, ishte aq e shkurtër. Dhe s’kishte asnjë burim që ta furnizonte me ujë, të paktën gjatë muajve të verës. Gjatë këtyre muajve ai s’ishte gjë tjetër vetëm se një kalldrëm gurësh që rreshkej për një rrëke uji. Veçse atë çast uturonte nga zhurma e gurëve që rrëkëlleshin mbi njëri-tjetrin. Dukej sikur gurët po përbluanin me kërkëllima vetë bubullimat, të cilat, edhe pse gjëmonin përbindshëm, tulateshin nën rrebeshin që sapo kishin krijuar vetë, a thua se kishin frikë krijesën e tyre. Ndërsa rrëketë, që lëshoheshin si përrenj nga shpatet e kashnjetit, gëlltiteshin sakaq nga etja e përbindshme e Përroit të Thatë. Ato çaste shtrëngata sapo kishte skicuar siluetën e vet të kobshme dhe epohej ende lart, gati për të lëshuar gjithë verbërinë e saj shkaktuar prej zjarrit që ndiznin e shuanin rrufetë në gji të shkulmeve të reve.
Makina ndaloi në anë të përroit. Nën zhurmën e saj, që mezi dëgjohej, dy burrat vështruan njëri-tjetrin. Nën atë vështrim u shuan distancat ndërmjet drejtorit dhe punonjësit, edhe pse asnjëherë s’ishin përmendur. Nën atë vështrim disa sekondash mbase u zhvillua dialogu më i shpejtë, përmes pyetjesh dhe përgjigjesh të rrufeshme.
“Është keq. Edhe mund të ndalojmë pak.”
“Na presin.”
“Të ecim?”
“Tani është koha, vërshimi veçse po rritet.”
“Do të mund ta çajë? Është kthyer në një lumë?!”
Makina gulçoi.
“Më është bindur gjithmonë, s’ka si të më lërë sot.”
“Ti je timonieri...”
Makina gulçoi, tani disa herë, si për t’i dhënë zemër vetes, si për t’u dhënë zemër atyre, si për të sfiduar gjëmimet, si për t’u thënë kolegëve: “Po vijmë!” Pastaj nisi të lëvizte përmes vërshimit të ujërave, duke u përkundur me ritmin kërcëllues të gurëve.
“Edhe pak... edhe pak...”
“Shtrëngata po largohet.”
“E, ashtu duket... Kujdes! Kujdes!”
“Nuk ka si t’më lërë, e kam dashur gjithë jetën... Shumë!”
Makina ishte kthyer në një qenie me shpirt, me një shpirt që dukej se po lëshohej pak nga pak, centimetër pas centimetri, valë pas valë, goditje pas goditje... Ndaloi. Duke lëshuar frymën e fundit, një ofshamë të lehtë, u drodh si në ethe dhe më pas heshti.
“Mos! Ah! Mos! Mos!”
Duart u përplasën fort mbi timon. Atë çast shtrëngata u kthye përsëri, ndonëse s’ishte larguar për asnjë çast. U kthye më e egër, më inatçore dhe ironike ndaj makinës që sapo kishte dhënë shpirt. Ashtu siç mjeku rikthen edhe njëherë, dëshpërimisht, një jetë të rrezikuar, me shpresë se do ta ngrejë në këmbë përsëri, provë pas prove, Liriu mundi ta sillte edhe njëherë makinën në gjendje pune, por vetëm për disa sekonda.
- Dalim, Liri! Vërshimet veç po rriten, - tha kur makina, e shuar dhe e mundur nga dallgët, nisi të trandej e të epohej dhe uji nis të hyjë brenda. Pasi hapi me vështirërsi derën u hodh në ujë. Uji, i turbullt, gjithë ledh, e kapërcente gjurin. Teksa bënte drejt bregut ktheu kokën pas. Liriu ende nuk kishte zbritur. Ndërkohë vërshimi i ujërva shtohej e shtohej. Shkulmet e valëve rrëkëllenin gurë e drurë. Shtrati i përroit trandej frikshëm sikur mbi të po kalonte një krijesë e stërmadhe, e përbindshme dhe e gjithë fuqishme. U kthye dhe me kujdes e mund iu afrua përsëri makinës.
- Dil, Liri! Gjithçka është e kotë, kjo makinë nuk bën më përpara.
Liriu e vështroi një hop, teksa makina lëkundej nga goditjet e gurëve. Pak nga pak po zhvendosej drejt teposhtës, nga ku uji lëshohej me rrapëllimë.
- Dil, Liri! - thirri, këtë herë më zë edhe më të lartë, duke shtrirë dorën.
- Si mund ta lë, Mustafa? - thirri Liriu teksa dilte nga makina, duke shtrënguar fort dorën e shtrirë të Mustafait.
Ashtu, të mbërthyer me njëri-tjetrin, të prerë në fytyrë, me vështrimin drejt bregut, dy burrat u munduan të qëndronin, ndërsa dallgët e turbullta lëshoheshin me egërsi mbi ta dhe gurët u përplaseshin këmbëve. Hodhën një hap, edhe një tjetër, ashtu të mbërthyer me njëri-tjetrin, por... Dallga përgjoi rastin dhe i shtyu poshtë. Nuk ishin dorëzuar, por as nuk mund të ecnin drejt bregut. Qëndruan dhe vështruan gjatë njëri-tjetrin.
“Është tepër vonë për të lëvizur, vëlla!”
“Do të qëndrojmë!”
“Të shtrënguar fort.”
“Dallga po rritet... po rritet...”
“Dy janë më shumë se një.”
“A thua do të qëndrojmë?”
“Oh, ç’dhimbje!”
“Janë gurët.”
“Po na i coptojnë këmbët.”
“Po ecim… po ecim… edhe pak…”
“Eh, po bëhemi pjesë e dallgëve, vëlla!”
“Po na marrin.”
“Qëndro! Edhe pak, mos ik!”
“Nuk mundem… Oh, jo! Kaq ishte…Lamtumirë!”
“Ku je? Ku humbe? Mos u largo! Qëndro vëlla, mos u largo! Oh, ç’fushë e gjelbërt! Sa lule! Ç’ngjyra!”
Kur dy burrat humbën në turbullirën e ujit, në breg u dëgjuan klithma. Ato klithma çanë retë, rrapëllima e vrundujve të valëve thuajse u mpak për një hop, retë nisën të përndahen, gjëmimi i një bubullime u shua pak nga pak, siç shuhet klithma e përvajshme e një egërsire teksa largohet nga vendi i përleshjes, rrebeshi pushoi dhe një rreze dielli, ende e flashkët, përndriti shelgjishtet që ende lotonin.
Burra, gra, pleq e fëmijë u gjendën sakaq në brigjet e atij lumi të përbindshëm që ishte sajuar në ato pak minuta për t’u larguar, ashtu sikur s’kishte qenë, ende pa zbritur mbrëmja, si në gojëdhënat që viset përreth i kanë aq të shumta sa herë-herë e ke të vështirë të mos u besosh. Një plak moçëm, ulur galiç mbi një gur, me duart e rreshkura mbi kokë, qëndronte si i ngrirë dhe diç murmuriste, duke psherëtirë herë pas here me vështrimin e tretur në shkulmet e valëve. Dukej sikur merrte e dëgjonte lajme, sikur i përcillte ato larg, me dhimbje... me dhimbje... Ndërkohë në Qafën e Lisave u dukën makinat e para që vinin nga Burreli. Shokë, miq, të afërm, këshilltarë, gazetarë, mësues, nxënës vinin për Mustafain dhe Liriun. I kishin pritur të vinin për intervistën që nuk dha, për takimin që nuk u bë, për bisedën që u la përgjysmë, për kafen që nuk u pi... Por s’kishin mundur të shkonin. Kishin ardhur t’i merrnin. Dikur karvani i makinave u kthye. Tani ecte ngadalë, herë-herë duke mos e ditur as se ku shkonte. Ndërkohë lajmi tronditës kishte nisur të përbluhej në zemrat e të afërmëve, të shokëve, miqve...
Nga të gjithë fshatrat e rrethit të Matit u nisën në drejtim të qytetit të Burrelit të afërm, miq e shokë, mësues, burra e gra... Në buzëmbrëmje, qyteti i Burrelit, i përlotur e i mpirë edhe ai nga dhimbja, do t’i priste e do t’i përcillte pranë familjarëve të Mustafait dhe Liriut. Qyteti i vogël nisi të shpalosë në mbrëmjen e 4 shtatorit një ndër vlerat e matjanëve, të cilët, edhe pse në përditshmërinë e jetës disi dyshues në frymën e bashkëpunimit mes njëri-tjetrit, në kësi rastesh, ashtu si dhe në ngjarjet me peshë në historinë e tyre, bëheshin një në një vëllazëri, paqëtim, tolerancë dhe fisnikëri të rrallë. Matjanët nuk i kanë ndarë djemtë në të mirë e në jo të mirë, as kur u kanë ardhur në këtë botë e as kur u kanë ikur prej saj, por kur djemtë kanë lartësuar vlerat morale, historike e kulturore të prejardhjes, së pari i kanë ngritur mbi tehun e fjalës dhe të krenarisë së tyre.
Atë natë qyteti u përgjumë vonë dhe u zgjua herët nën peshën e dhimbjes për të nisur një ceremoni të rrallë në nderim të bijëve të tij. Do të ishte një ditë që do të memorizohej në jetën e qytetit dhe të gjithë rrethit të Matit. Një ditë e përlotur e një dhimbjeje krenare.
5 shtator 2002
Kortezhi mortor, pasi del në rrugën kryesore hyrëse për në qytet, pritet nga qindra e qindra njerëz: burra, gra, pleq dhe të rinj të qytetit të Burrelit dhe të tjerë të ardhur nga të gjitha fshatrat e rrethit të Matit. Kur lumi i madh i njerëzve të heshtur e të përlotur merr udhën përmes sheshit kryesor të qytetit, arkëmorti ngrihet lart mbi supet e njerëzve dhe sheshi shpërthen në duartrokitje nderuese.
Mëngjeseve, këtë udhë, në këmbë, përmes njerëzve që e përshëndetnin, Mustafai e merrte çdo ditë, ashtu i qetë, me hapin e ngadaltë e të hedhur mirë dhe buzëqeshjen e dëlirë buzëve, drejt ndërtesës së bashkisë, për të nisur një ditë të re pune në shërbim të njerëzve. Ndërsa sot, i vrenjtur-ai që qeshte gjithnjë; i heshtur-ai që ligjëronte ëmbël në oda, auditore, salla konferencash, zyra institucionesh në pritje të njerëzve që kishin plot halle; i lodhur-ai që nuk përtonte kurrë, hesht mbi supet e shokëve, të afërmve, miqve... duke shkruar në heshtje, në faqen e asaj dite të përlotur, lamtumirën e fundit.
Pas i vijnë të dashurit e tij të zemrës: nënë Sedija-shamibardha fisnike ndërron çapet me qetësinë e trimëreshës para gjëmës që i ka copëtuar shpirtin, Shpresa-bashkëshortja dhe shoqja e rrugëve të vështira, gëzimeve dhe hidhërimeve të jetës, Erjoni-djali dhe shoku që e ka të vështirë të pranojë realitetin e kobshëm e prapë qëndron si burrë i pjekur para kohe, Doruntina-vajza e dashur që lotët ia mjegullojnë përkohësisht ëndërrat dhe poezinë, ndërsa e motra, Eridona e vogël pret në shtëpi t’i kthehet babai nga çasti fatkeq i një nisje pa kthim.
Artani dhe motrat: Mexhitja, Dylberja, Bukurija, Feridja, Lulja, Drita që Mustafai e thërriste “motra ime e gjashtë”, të gjithë që e kanë pritur e përcjellë me dashuri e shpresë, ashtu siç dinte t’i priste e t’i përcillte vetëm ai, vëllai i tyre, ecin të drithëruar nën peshën e dhimbjes për t’i dhënë lamtumirën e fundit vëllait që iu bë edhe shok e baba, edhe mik e mësues në përpjekjet për një jetë të ndershme përmes punës dhe përqafimit të dijes.
Arkëmorti ndalet në hollin e bashkisë. Në krye të hollit, shkallët që të ngjitin në katin e dytë, heshtin. Por Mustafai nuk mund t’i ngjit dot ato shkallë. Ai do të ndalet. Për ta përcjellë kanë ardhur përfaqësues të pushtetit qendror e vendor, të të gjithë forcave politike, shokë e miq, mësues nga i gjithë Mati: Macukulli e Shlliu, Lisi e Burgajeti, Prelli e Rremulli, Ulëza e Bazi, Dukagjini e Gjoçaj, Klosi e Cëruja, Krasta e Martaneshi, Laçi dhe Uraka, Zenishti e Kurdaria... Mes të ardhurve, banorët e Bruçit lotojnë për djalin, mikun, shokun e tyre të rrallë e të paharruar.
Kanë ardhur shokë shkolle, drejtues të arsimit dhe mësues nga rrethe të tjera të Shqipërisë: Fieri e Vlora, Lushnja e Berati, Mirdita e Lezha, Kruja e Kurbini, Tirana e Durrësi... Kanë ardhur nga ministria e arsimit dhe Instituti i Studimeve Pedagogjike, pedagogë e profesorë për të përcjellë studentin, drejtuesin, mikun dhe shokun.
Përveç mijëra banorëve të Matit janë të pranishëm ministri i Arsimit dhe Shkencës, Luan Memushi, ministri i Rendit Luan Rama, deputeti Gani Hoxha, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës Agim Minxhozi, zv. ministri i Pushtetit Vendor Halil Lalaj, prefektja e Qarkut të Dibrës Hamdie Beqiri...
Të gjithë kanë ardhur për t’iu gjendur pranë nënës, familjes, vëllait, motrave e të afërmëve që i vështrojnë me respekt përmes lotëve të dhimbjes.
Intelektualët dhe veprimtarët që nguliten në memorien e kohës, drejtuesit e zot dhe të thjeshtë, të admiruar nga njerëzit, vijnë e përshfaqen pak nga pak, përmes një pune të lodhshme, duke lënë gjurmë në gjithë hapësirën e veprimtarisë së tyre. Ata hyjnë në marrëdhënie me njerëzit dhe në gjithanshmërinë e jetës duke ngjarë me zjarret që ushqehen pak nga pak e që nuk shuhen prej hirit, por që rindizen e mbahen gjallë në shumë vatra nga urët e marra prej tyre. Nga ky soj intelektualësh ishte edhe Mustafa Gjestila. Nderimi për këtë soj intelektualësh, të cilët zënë e ndrijnë mes njerëzve e që mbajnë të ndezur zjarrin e mençurisë, urtisë dhe fisnikërisë së popullit, vjen së pari nga vetë populli.
Këshilli Bashkisë Burrel, me një vendim të posaçëm, shpall “Qytetar Nderi” Mustafa Gjestilën dhe Liri Ballabanin, ende pa kaluar një ditë nga rënia. Vendimi pritet dhe vlerësohet lart nga qytetarët e Burrelit dhe mijëra matjanë të tjerë që kishin mbushur sheshin kryesor të qytetit. Populli duartroket me sy të përlotur këtë vendim.
Dhe kur populli duartroket para arkëmortit emri dhe kujtesa s’kanë mortje. Vlerësimi “Qytetar Nderi” duket që është një vendim i marrë nga vetë populli, anëtarët e këshillit bashkiak kishin ditur ta lexonin mirë atë. Sigurisht që, në nderim të ish-kryetarit të këshillit, drejtorit të Drejtorisë Arsimore, intelektualit të spikatur Mustafa Gjestila dhe të punonjësit të papërtuar e të sakrificës Liri Ballabani, futbollistit që dikur e kishin duartrokitur në fushën e blertë, këshillëtarët kanë marrë një vendim të posaçëm. Si rrallëherë vendimi i tyre ka qenë i padebatueshëm, unanim.
Ka qenë një vendim i marrë pas mesnatës së 4 shtatorit, fill pas mbledhjes së këshillit bashkiak. Thirrjes së këshilltarëve të majtë iu janë përgjigjur menjëherë këshilltarët e djathtë. Të heshtur dhe në grup ata kanë zënë vend rreth tavolinës së rrumbullakët duke lënë të palëvizur karrigen ku ishin mësuar të shikonin Mustafain dhe kanë votuar njëzëri vendimin për t’i shpallur ata “Qytetar Nderi” të qytetit të Burrelit.
Në këtë mbledhje, këshilli bashkiak u propozoi institucioneve të tjera të shtetit që Mustafait dhe Liriut t’u jepeshin tituj të tjerë në vazhdim të vlerësimit të veprimtarisë së tyre.
Radhës së figurave historike, politike, shkencore, artistike e kulturore - “Qytetar Nderi” të qytetit të Burrelit, me 5 shtator 2002 iu shtuan edhe Mustafa Gjestila e Liri Ballabani. Në shkrimin- homazh, të botuar në gazetën “Mati”, drejtuesi i kësaj gazete, Qemal Cenaj, do të përfundonte shkrimin: “Këtu nuk mbaron biseda e kujtesa. Shkollat do të hapen e jeta do të vazhdojë. Mësues e nxënës tani kanë si udhërrëfyes edhe sakrificën e vetëmohimin e Mustafait dhe Lirimit, e dy pishtarëve të dritës."
Meritë dhe nder
Shkollat do të hapeshin, nxënësit do të uleshin të gëzuar në bankat e dijes, ndërsa kujtimi për mësuesin, këshilltarin dhe drejtuesin nuk do të shuhej. Ditët, javët dhe muajt do të kalonin, por nxënës, prindër e mësues, njerëz të thjeshtë, shokë e miq nuk do ta harrojnë Mustafa Gjestilën.
Zjarret nuk shuhen përderisa rindizen. Mustafa Gjestila e nisi rrugën e dijes në një klasë të vogël në fshatin e tij të lindjes dhe mori mësimet e para nga mësues që para se të jepnin njohuritë e para shkencore edukonin me dashurinë për dijen. Ata, mësuesit e tij të parë, ndjenë të rektijë te Mustafai etja për dituri, inkurajuan zgjuarësinë dhe këmbënguljen e tij për të qenë nxënësi më i spikatur përgjatë viteve të shkollës 8-vjeçare.
Mësuesit e shkollës së mesme të përgjithshme në Burrel, mësues që përvijuan me talent e profesionalizëm rrugën e dijes për shumë nxënës të talentuar që në vitet e mëvonshme u bënë mësues, pedagogë, mjekë, inxhinierë, poetë, shkrimtarë, gazetarë e studiues të zot, gjer doktorë shkencash e profesorë. Një ndër këta nxënës ishte edhe Mustafa Gjestila i cili nisi punën e tij në vendlindje me një pasion dhe dashuri të madhe për profesionin e bukur të mësuesisë. Siç duket fati kishte paracaktuar që ai të mbetej në memorien e brezave si njeriu që u sakrifikua në emër të dijes dhe të edukimit, duke treguar me aktin e tij kulmor se zjarret nuk shuhen përderisa rindizen.
Nga gjiri i popullit matjan në vite kanë dalë specialistë të dalluar në lëmin e arsimit dhe të edukimit, të shkencës dhe të artit, disa prej të cilëve kanë qenë edhe mësues të Mustafa Gjestilës. Ata e kanë përmbyllur me sukses misionin e tyre duke e lënë procesin e mësimdhënies e të edukimit në duart e nxënësve të tyre. Disa nuk rrojnë më, por emri dhe kontributi i tyre ruhet në kujtesën e komuniteteve ku ata jetuan dhe punuan. Të tjerë kalojnë pleqërinë e bardhë dhe me mendimet e tyre ende mbajnë gjallë pasionin për arsimimin dhe edukimin e të rinjve. Por njëri nga nxënësit e tyre, vite më pas kolegu me të cilin krenoheshin kur e ndiqnin tek drejtonte edhe punën arsimore në rrethin e Matit, u këput në moshë të re, duke mbetur kësisoj simbol i dijes, sakrificës dhe dashurisë njerëzore.
Padyshim që për të gjithë mësuesit, pedagogët, kolegët, nxënësit, shokët dhe miqtë e tij që përpiqen për të fituar në fushën e dijes, ai mbetet rendës i një kohe të re. Si të gjithë rendësit e rënë në fushën e dijes dhe për dijen, Mustafa Gjestila ngrihet në piedestal me hapin dhe vështrimin e hedhur në gjithkohësinë e dijes.
Intelektualët matjanë, mësuesit dhe nxënësit, njerëzit e thjeshtë do të propozonin që me emrin e Mustafa Gjestilës të thirrej një ndër shkollat e qytetit të Burrelit. Të njëjtën kërkesë do të bënte edhe Drejtoria e Arsimit. Këshilli Bashkiak i qytetit të Burrelit i mori në shqyrtim këto kërkesa dhe vendosi njëzëri miratimin e tyre. Kësisoj, krejt natyrshëm e me meritë, në vend të emrit “Drita”, duke mos nënkuptuar një zëvendësim emrash, por një këmbim ekuivalent të së figurshmes me realen, Mustafa Gjestila do të vazhdonte të ishte simbol i dritës që përçon udha e dijes.
Ceremonia e dhënies së emrit “Mustafa Gjestila” do të zhvillohej para nxënësve, mësuesve dhe banorëve të qytetit në Ditën e Mësuesit, më 7 mars 2003. Në historinë e emrave dhe emërtimeve, në zëvendësimet e rivëniet e tyre për institucionet, rrugët dhe sheshet ka ndodhur jo rrallë që njerëzit të përdorin emërtimet e para edhe pas riemërtimeve. Ndërsa, që në ditët e para pas emërtimit të ri të shkollës, emri “Mustafa Gjestila” u shqiptua dhe shqiptohet nga nxënësit, mësuesit dhe banorët e qytetit të Burrelit me respekt dhe nderim. S’kishte si të ndodhte ndryshe: populli nuk i harron bijtë e tij që bien për arsimimin dhe kulturimin e tij. Ky emërtim u bë për mësuesit dhe nxënësit e kësaj shkolle edhe një shtysë tjetër për të rritur cilësinë në mësime dhe konkurencën me shkollat e tjera. Sot, në takimet e ndryshme kulturore dhe artistike, olimpiada dhe konkurrime, nxënësit krenohen me emrin e shkollës së tyre.
Në fillimet e jetës së saj me emërin e ri “Mustafa Gjestila”, kjo shkollë pati dhe, për disa vite, do të ketë edhe një nxënëse të dalluar në mësime, Eridonën e vogël, të bijën e Musatafait. Në ditën e dhënies së emrit shkollës së saj ajo ishte e vogël dhe, e pranishme në atë ceremoni, nuk mund të kuptonte gjithçka thuhej atë ditë, ndërsa priste me padurim kalimin e viteve të shkonte në klasën e parë. Në këto vite Dona po rritet bashkë me emrin e shkollës së saj. Përveçse një nxënëse e spikatur, këndon bukur dhe me zërin e saj si cicërimë zogu është ngjitur edhe në skenën e madhe të Qendrës Kulturore në Mat, ku dikur, babai i saj, Mustafai, luante role dramash kur ishte ende nxënës i gjimnazit të qytetit të Burrelit.
Në ato ditë nderimi Myslim Zeneli, drejtor i Drejtorisë Arsimore, një ndër intelektualët e rrethit të Matit dhe pjesë e shoqërisë së ngushtë të Mustafait që në vitet e shkollimit në gjimnazin e Burrelit, nën titullin “Meritë dhe nder” të botuar në gazetën “Mati” nënvizon: “Ishte meritë e tij që punoi në vende nderi, pse ai dinte të justifikonte detyrën ashtu siç pat justifikuar me kontributin e tij dhe drejtimin e këshillit bashkiak për dy vite rresht. Ishte merita e tij që bënte të dukshme mungesën e Mustafa Gjestilës në arsim, ndaj duhej të thirrej me emrin e tij njëra nga vatrat e tempullit të dijes.”
Dëshmor i Atdheut
Krahina e Matit është një nga krahinat shqiptare më të kthjellta ku historia ka folur pastër shqip. Kultura dhe tradita popullore: kënga, vallja, melodia, ritmi, harmonia, veshja, zejet, të folurit, kuvendimi, gojëdhënat, frazeologjia, toponimet, janë përshfaqur ndër shekuj vetëm shqip, duke ruajtur në hapësirën e luginës dhe përreth saj, brenda qerthullit të vargmaleve nga veriu në lindje, nga lindja në jug e nga jugu në perëndim, një vazhdimësi të kulluar iliro-arbërore deri në ditët tona. Por Mati dhe vlerat e tij në kohësi ende nuk janë pohuar sa e si duhet. Në 45 vite nën diktaturë, Mati e ndjeu më shumë se rrallë krahina në Shqipëri egërsinë e verbër të luftës së klasave, ironinë e përçmimin për historinë dhe bijtë e tij të përmendur në zhvillimet historike shqiptare. Në ato vite të egra jo të gjithë pohonin me zë a nën zë historinë matjane dhe ata matjanë-burra shteti, prijës e luftëtarë, flamurtarë e patriotë, mendimtarë e poetë, mes të cilëve Gjergj Kastrioti, Pjetër Budi, Ahmet Xhetani, Rexhep Pashë Mati, Ahmet Zogu, Shahin Toçi… mbeten krenajëbardhë edhe në historinë e kombit, gjersa mendimi dhe vepra e tyre kanë spikatur në kthesa të rëndësishme të saj.
Mustafa Gjestila, i prirur që në fëmijëri për marrëdhënie të qeta, tolerante dhe të gëzueshme, pak vite më pas, i etur për dije e kulturë ishte, që në adoleshencën dhe rininë e tij, shembull tipik i formimit hap pas hapi dhe të shpejtë të një personaliteti që u ngrit mbi formimin e përgjithshëm kulturor të mjedisit shoqëror ku zhvillohej veprimtaria e tij. Në vitet e rinisë së tij, si gjimnazist dhe sidomos si student, falë intuitës dhe aftësisë së tij për t’u përshtatur shpejt në rrethana dhe mjedise të ndryshme arriti një kulturim të shpejtë. Si jo ndër të vetmit, por ndër të paktët si ai, Mustafa Gjestila, që kur qe student, në një kohë mjaft të egër për të pohuar gjithçka, ndjehet krenar kur i përmendin përkatësinë e tij matjane dhe në një rreth të gjerë studentësh deklaron se e pranon qenësinë e Ahmet Zogut si burrë shteti dhe mbret të shqiptarëve. Njëri prej shokëve të tij, Reshat Ago, dikur student cilësor, më vonë drejtues i arsimit dhe i proceseve demokratike në rrethin e Kolonjës e më gjerë vlerëson se: “... Tafa reflektonte një personalitet tepër të admirueshëm, saqë unë shpesh e shikoja si një pinjoll dhe vazhdues të një treve që i pat dhënë dhuruar Shqipërisë Pjetër Budë e mbretër. Nuk e harroj një ditë maji të vitit 1981, kur po bisedonim lirshëm në një nga dhomat tona. Në bisedë e sipër ra fjala për nofkën “zogistë” që përdorej për matjanët në atë kohë. Megjithse fliste pas një hop pushimi, Mustafai u hodh e tha: “Të moshuarit në Mat kanë respekt për mbretin Zog. Me aq sa kam dëgjuar, por dhe me aq sa kam ditur të lexoj përtej nga çfarë na thuhet sot, ai mbetet mbret, i denjë për të qenë i tillë.” Për një moment ne mbetëm pezull. Ato fjalë, të thëna aty për aty, ishin me shumë zarar në atë kohë. Tafa dallohej ndër ne edhe për të folurën e nënkuptueshme. Nënkuptimi ishte i qartë: sot ne dëgjojmë të flitet keq për mbretin, por asgjë s’është e vërtetë përderisa të moshuarit, dëshmitarë të kohës mbretërore, e vlerësojnë lart atë kohë dhe mbretin Zog.”
Jeta dhe veprimtaria janë dëshmime të qarta se formimin dhe veprimtarinë e gjithanshme të Mustafa Gjestilës e udhëhiqte njohja, dashuria, ndershmëria, përkushtimi dhe sakrifica për njerëzit dhe punën si përpjekje dhe ndihmesë në shërbim të dijes dhe zhvillimit.
Këshilltarët e bashkisë morën një vendim dinjitoz kur e radhitën Mustafa Gjestilën krahas personaliteteve matjane - nder dhe krenari të qytetit të Burrelit. Përtej përkatësive dhe bindjeve partiake, ata, më shumë se zërin e tyre, dëgjuan zërin e matjanëve dhe ndjenë edhe më shumë, tashmë edhe në mungesë të Mustafa Gjestilës, përkushtimin, profesionalizmin dhe zotësinë e tij si kontribut me vlerë në përshpejtimet e proceseve demokratike në rrethin e Matit. Votimi njëzëri e pamëdyshje pohoi gjithkohësinë në të cilën duhej të mbeteshin Mustafai e Liriu, si nder, krenari dhe shembull pune e dinjiteti për të sotmen dhe të ardhmen.
Në mbledhjen e tij të jashtëzakonshme, të datës 5 shtator 2002, Këshilli Bashkiak vendosi gjithashtu të propozojë që Mustafa Gjestila dhe Liri Ballabani, të rënë në detyrë, të shpallen “Dëshmorë të Atdheut”. Këtij propozimi do t’i bashkoheshin propozime të tjera që vlerësonin punën dhe sakrificën e Mustafait dhe Liriut në shërbim të së tashmes dhe të ardhmes.Mustafa
Gjestila dhe Liri Ballabani shpallen “Dëshmorë të Atdheut” në qershor të vitit
2005.
Shënim:
Këto pjesë janë marrë nga monografia “Mustafai – Miku i të gjithëve”
No comments:
Post a Comment