Nga
Niko TYTO
Shkrimtar
Vlera letrare dhe edukative në vëllimin me tregime "Era"
Në dhjetë vitet e fundit, prurjet negative në letërsinë për fëmijë janë të
shumta. Vitrina e kësaj letërsie po përjeton me dhimbje një inflacion të fjalës
artistike. S’është fjala për morinë e emrave të rinj që janë prezantuar, as për
librat që ata po botojnë, por për vlerat letrare, për fjalën poetike, për
misionin që ka kjo letërsi, sidomos në kushtet e reja, kur fëmijët po rriten me
kompjuterin dhe internetin.
Si lëvrues i letërsisë për fëmijë, jam dashamirës për ardhjen e penave të
reja, për ata shkrimtarë që jo vetëm kënaqin shijet e lexuesve të vegjël, por nxitin
dhe zhvillojnë fantazinë e lexuesit, duke qenë larg mendimeve anemike, moralizuese,
të stisura me fjalë të rëndomta.
Natyrisht, në këto vite me kërkesa të reja, kemi prurje artistike që janë bërë
ushqim shpirtëror për fëmijët. Rol parësor kanë luajtur revistat e shumta letrare,
si dhe një sërë botimesh të reja, apo
ribotime nga vlerat më të mira që, fatbardhësisht, nuk i kemi të pakta. Një ndër
shkrimtarët për fëmijë, që ka ardhur me modesti, larg publikimeve komerciale
dhe për emër, por me plot elegancë, me një përkushtim dhe magji ndershmërie, me
potencë fjale e mendimi, është padyshim Fatmir Gjestila.
Pena e Fatmirit është bërë e njohur dhe e dashur për lexuesin jo vetëm në
revistat letrare për fëmijë, sidomos tek “Cicërima”,
revista kombëtare e fëmijëve krijues, që ai e drejtoi për shumë vjet, por
edhe në shtypin letrar periodik, duke arritur nivele cilësore në botimet që janë
pritur ngrohtë si: “E bukura e liqenit”, “Nori
dhe Matematika”, “Vallja e numrave”, “Edhe të qeshim”, “S’të fal drejtor ujku”,
“Miqtë e hënës”, “Arta”, “Era”, “Përtej ëndrrës”, “Aventurat në pyllin me pisha”,
“Lule dhe nektar”, “E fshehta e Kështjellës së Zezë”etj. Ajo që të bie në
sy e të tërheq vëmendjen, është fakti se Fatmiri në botimet e tij (trembëdhjetë
vëllime vetëm për fëmijë), shkruan në zhanre të ndryshme: poezi, fabul,
tregime, përrallë, raman, monografi dhe publicistikë.
Unë që e kam shijuar ëmbëlsinë e veprës letrare të autorit në fjalë, kam kënaqësinë
të shpreh konsideratën time për këtë vepër, e cila, nga botimi në botim, është
më cilësore dhe më e denjë, e larmishme dhe aktuale. Një pjesë e saj, ajo për fëmijë,
është e pasur me aparat pedagogjik cilësor, me kërkesa didaktike të programit mësimor,
që vlerat artistike i përçon te lexuesi me mjete lehtësuese, duke u krijuar një
hapësirë të madhe pë të nxitur e zhvilluar mendimin logjik, krijues dhe aftësinë
për të ngjallur debat në analiza, kryesisht në tregime. Ky aparat ndërtohet nga
një fjalor i pasur, emocionues, mendim lakonik, larg skematizimit e vulgarizimit.
Për të dhënë disa mendime konkrete dhe për t’i bërë një vlerësim dashamirës
kësaj pene të re, që i është shtuar me cilësi lexuesit, dua të nënvizoj në këtë
shkrim modest vlerat tek vëllimi me tregime “Era”.
Kur lexon tregimin “Fotografia”,
me të cilin çelet vëllimi, të del përpara një botë fëminore e pasur, e gjallë,
ku mbizotëron një çiltërsi mendimi, një temë e prekshme, e ditës në jetën
shkollore të ciklit të ulët dhe që ka një zgjidhje bindëse. Mësuesja dhe nxënësit,
në një raport të ngrohtë midis tyre, plotësojnë dëshirën e Albit, shokut të
tyre, duke fituar respekt dhe mirënjohje.
Interesante dhe bindëse, përmes skenave artistike emocionuese, është dhënë
bota fëminore e fëmijëve tek “Boboja”,
një tregim që shpreh dashurinë dhe kujdesin e fëmijëve për kafshët. Kujdesi i
Gencit për qenin Bobo, dialogu me plakun, zemërgjërësia e djalit dhe zgjidhja e
konfliktit me aq realizëm, e bën tërheqës tregimin dhe lartëson vlerat e
personazhit. Nuk është vetëm fjala për dashurinë e fëmijës për kafshët shtëpiake,
të një qeni që tanimë është në modë, por është bindës harmonizimi i ndjenjave
njerëzore të Gentit e të plakut për të cilat lexuesi ka nevojë të mësojë e të
edukohet me këto virtyte.
Tek tregimi “Lulezonja” e shkruar
me mjeshtëri, sipas një gojëdhëne matjane, kemi një kombinim të saktë artistik
ku dialogu, fjala emocionuese, bota shpirtërore, pleqësojnë mesazhin që jep
autori se dashuria prindërore, kudo e në çdo kohë është e përjetshme. Shprehjet
frazeologjike të përdorura me kujdes si “...
ju pre kënga në buzë”, “mbeti pa gojë”, “nuk vuri gjumë në sy”, etj. të
sjellin kënaqësi e pasurojnë fjalorin aktiv për të cilin kemi aq shumë nevojë.
Janë cilësore tregimet si “Ajkuna”,
“Buzëqeshja e Dorit”, “Përbindëshi”, “Guva ime”, “Era” etj., në të cilët
spikat jeta e përditshme e nxënësit. Fjala vjen, nxënësit e një klase jetojnë
me botën dhe shqetësimet shpirtërore të shokut të tyre, ku sinqeriteti,
motivimi, dashuria reciproke, është e sinqertë dhe konfliktet kanë një zgjidhje
pozitive, jo të stisura e të rëndomta, por me finesë bindëse. Po ashtu,
personazhet, në fjalë e veprime janë të gjallë, jo statikë, por plot jetë. Në leximin
e tregimeve të vëllimit ngjall interes pasqyrimi me elegancë e me një stil të
zhdërvjelltë, me fjalë të kursyera, nxitëse e plot emocione i botës shpirtërore
të fëmijëve.
Ndërkohë, autori pasqyron tabllo me ngjyra të reja, plotë dritë e gjallëri
duke i bërë subjektet e tregimeve më të kapshme e më të dashura, gjë që flet
për shpirtin e ndjeshëm dhe poetik të shkrimtarit me aftësi origjinale për të
dhënë mesazhe të reja e bindëse. Rrëfimi i shpejtë dhe elegant të mban në
tension e kërshëri, ndërsa përshkrimet e natyrës, të gjendjes shpirtërore të
personazheve flasin për një nerv poetik të qartë dhe joshës.
Qenia e Fatmirit mësues prej vitesh dhe sidomos dashuria me të cilën ai
përkujdeset për nxënësit i kanë dhënë mundësinë që jo vetëm ta njohë nga afër
botën shpirtërore të fëmijëve, por dhe ta pasqyrojë atë me një nivel artistik
për t’u admiruar. Mbase dhe ky fakt ka bërë që fëmijët t’i lexojnë me kënaqësi
dhe t’i vlerësojnë tregimet e vëllimit “Era”.
Ardhja e këtij shkrimtari me vlera të qarta pozitive në letërsinë për fëmijë,
në këto vite ku kjo letërsi ka aq shumë nevojë, është një ogur i bardhë. I
bashkohem pa mëdyshje mendimit të shkrimtarit të spikatur të letërsisë së sotme
për fëmijë dhe të rinj, Viktor Canosinaj që nënvizon se “... ardhja e një shkrimtari të talentuar është një ngjarje e shënuar në
letërsinë e një vendi dhe sidomos për letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj, ku
emrat e shkrimtarëve të rinj, që njohin mirë botën fëminore, po mungojnë prej
vitesh. E tillë është dhe ardhja në prozë e Fatmir Gjestilës.”
No comments:
Post a Comment