5/06/2016

       
                                                                              Qazim MUSKA


Hapësira letrare të denja për t’u përshëndetur dhe lavdëruar

-Shënime rreth romanit të shkrimtarit Fatmir Gjestila-

          


       Dihet që letërsia për fëmijë, në krahasim me letërsinë për të rritur, në sistemin tonë letrar, ka mangësi sasiore dhe cilësore. Por në zhanre të tillë si romani, kjo është edhe më e theksuar. Ndaj, përpjekjet që bëjnë autorë të ndryshëm për të plotësuar e zhvilluar me krijimet e tyre letërsinë për fëmijë, ndër ta edhe Fatmiri, i cili ka hapësirën e vet në këtë mjedis letrar, janë për t’u përshëndetur dhe lavdëruar.

Vërej me kënaqësi se si Fatmiri ia ka dalë të mbetet një romancier i mirë i kësaj letërsie edhe me veprën e tij të fundit.

Romani “Zemërimi i Ariut” e ngre sigurisht më lart stekën e standartit të tij letrar. Mendoj se ky roman është një qenie letrare që ngërthen në vetvete sa magjinë e rrefimit romanor, aq edhe magjinë e përrallës, elementë të së cilës, në trajtën e ficsionit, janë ndërfutur racionalisht dhe me kujdes duke ruajtur ekuilibrat dhe duke vendosur raporte të caktuara mes tyre.

Nisur nga një aksion narrativ i thjeshtë, nëse përmendim termat e Grimasit, që është dëshira e Borës për ta njohur drejtpërsëdrejti nëpërmjet një udhëtimi  në këmbë Udhën e Arinjve,  papritur lindin disa aksione dhe kundëraksine të tjera që sjellin një shumësi veprimesh, ngjarjesh, skenash, të pariturash dhe befasish deri në zgjidhjen fare të paparashikuar të avanturës së saj.

Ajo që të bën përshtypje është se e gjithë kjo dinamikë me densitet kaq të madh ndodh në një hapësirë dhe kohë mjaft të kufizuar; vetëm në një pyll dhe vetëm në dy ditë. Brenda kësaj dinamike, veç shumë e shumë gjërash që mund të analizohen, unë dua të përqëndrohem në dy elementë, të cilët më ngacmuan gjatë leximit; larmishmëria e toponimeve dhe përzgjedhja e emrave të personazheve.

Nëse, ashtu si Vladimir Propi, do të bëjmë pak a shumë një analizë të morfologjisë së këtij romani me elementë të dukshëm përrallorë, që i përshtaten botës së fëmijës si në rrëfimtari edhe në konceptimin e strukturës letrare, me rezulton të jenë përdorur njëzet e katër toponime, me etimiologji  vendesh, sendesh apo objektesh natyrore, me konotacione të veçanta, që sjellin në imagjinatë vegime të ndryshme, të cilat reflektojnë pikërisht domethëniet e tyre.

Etimilogjia është e shumëllojshme duke përfshirë botën e luleve (Maja e luleleve), të kafshëve dhe shpezëve (Udha e Arinjve, Shpella e Lakuriqëve), të ngjyrave (Maja e Bardhë, Lugina e Blertë, Djerrinat e Kuqe), të vendeve (sheshi Kuvendi i Dukagjinit, Lugu i Dasnjanjës, Liqeni i Unzës), të njerëzeve (Qyteza e Gjergjit, Udha e Gjergjit) dhe deri te kozmosi (Lëndina e Hënës).

Ajo që të bën përshtypje është se shumica e tyre kanë një konotacion pozitiv duke ngjallur në përfytyrime besimin, shpresën dhe jetën. Të tillë janë p.sh.Maja e Luleve, Maja e Bardhë, Lugina e Blertë, Livadhet e Bardha, etj, ashtu siç ka edhe toponime me konotacione negative që e futin botën e lexuesit të vogël në përfytyrime aventureske dhe të ankthshme si Laku i Theqafjes, Udha e Arinjve, Shpella e Lakuriqëve, Puset e Thata, Përroi i Keq etj.

Edhe toponime të tjera janë të pranishme, të cilët zgjojnë ëndërrime e fantazi kozmogonike si Lëndina e Hënës. Të gjitha këto toponime me etimiologji nga më të ndryshmet dhe me efekt perceptimesh dhe përjetimesh në botën e fëmijëve, janë, si dhe elemetë të tjerë të romanit, në një hapësirë mjaft të ngushtë; brenda ca kilometrave katrorë, dhe kjo mendoj është ajo që u jep vlerë të vecantë në roman për rolit e tyre në funksion të përcjelljes emocionale të veprës artistike.

          Sa i përket emrave të personazheve, mendoj se edhe këtu Fatmiri ka bërë kujdes që ata të jenë jo thjesh “emra si kapistall”, sipas shprehjes popullore, por të përcjellin edhe valencë karakteresh, të tillë si emrat e Borës, Blerinës, Flakorit, Sokolit, Drenit, duke i bërë ata pjesë të estetikes artistike, ashtu si qëllimisht ka vepruar, mendoj, me të tjerë emra personazhesh që revokojnë etno-historinë e shqiptarëve si p.sh. emrat e Dardanit, Arbërit, Kastriotit etj. Këto besoj janë vlera të shtuara në veprën artistike, ashtu siç janë vlera gjuhësore fjalë të tilla të përshtatura krahinarisht, apo dhe thjesht lokalizma të mirëfillta si sheshtinë, krenajë, bardhan, laran, përmale, çaraveshem, kapatruc, curis etj.

Duke u ndalur në keto elemente, në dukje dytësore, por që duke qenë në funksion të qëllimit të veprës; atë të përsosmërisë artistikë, mendoj se ia vlente te evidentoheshin.
          

5/03/2016


Riza Braholli

Përpjekje për të lexuar një roman për fëmijë, në thellësitë që fsheh sipërfaqja

(për romanin “Zemërimi i ariut” të shkrimtarit Fatmir Gjestila)

“Zemërimi i ariut” është një roman ku pesha kryesore i jepet rrëfimit fabulistik, veprimit, duke ruajtur thjeshtësinë e gjuhës së pangarkuar me retorikë, duke na kujtuar postulatin e Hofthmanstalit që: “thellësia artistike te letërsia për fëmijë fshihet... Ku? Në sipërfaqe.” Për ta thjeshtuar këtë këndvështrim në rastin e këtij libri, më duhet të spikat disa momente, veçori e përfundime, (për aq sa mund të japësh në kësi rastesh festive) që më lindën nga leximi i këtij romani.
Nuk po shpërndahemi në vlerat njohëse, didaktike, etj. që vepra natyrisht i ka; po rrekemi të themi modestisht, vetëm disa gjëra rreth vlerave estetike që sjell ky roman. (Jemi të gjithë dakord që nëse një vepër nuk manifeston cilësitë e duhura artistike, nuk vlen as për një lloj ideje apo mesazhi sado i madh e i prekshëm që të jetë).
Rrëfimi dhe ndërtimi i subjektit përqendrohet te personazhi i Borës, që është dhe heroina e këtij libri. Dëshira e përjetshme, kërshëria e njeriut për të njohur e zbuluar botën, sidomos atë të kafshëve, por edhe më shumë se aq, atë të njohjes së mundësive të vetes, bëhet energjia lëvizëse e vepruese dhe sjell gjithë krijimin e ngrehinës së subjektit.
Ngjarja fillon në një realitet të sotëm: në një qytet të vogël, të rrethuar nga male e pyje, si të dojë të na rrëfejë skenën ku do të zhvillohet aventura e nisur nga një shtëpi e zakonshme. Bora zgjohet nga një ëndërr, por për të ringritur një ëndërr tjetër, me dorën e shkrimtarit, të lakmuar në jetën reale. Atë që një fëmijë, një njeri, di ta ndërmarrë vetëm në ëndrra, shkrimtari e merr personazhin (Borën) përdore dhe e çon edhe tek më të pamundurat.
Rrëfimet i kanë ndezur në kokë asaj një udhëtim për të parë rrugën apo shtegun ku kalojnë arinjtë; vetëm shtegun apo në të vërtetë arinjtë e gjallë që lëvizin, jetojnë në pyll? Rrëfimi është i kursyer nga këto shpjegime, por pas tërheqjes që ka vajza e vogël fshihet një nëntekst i tërë mungesor që na thotë se ç’dëshira fsheh brenda qenia e saj. Ajo ka dëgjuar ungjin e saj t’i flasë për ta. Po ajo i ka parë arinjtë edhe në pellushe të butë e të ngrohtë. Mbase ka folur e ka gëzuar me ta në bisedat e saj imagjinare. Jeta e një fëmije jetohet si lojë. Ka lexuar gjëra të tjera pa fund për këtë kafshë të mrekullueshme.
Kjo e bën të ndërmarrë atë aventurë që do ta bëjë lexuesin e vogël ta ndjekë pas me nje dëshirë e etje përvëluese plot kërshëri nëpër pyje, në shtigje, lëndina, qafa, humnera, guva pemë e në kontakte me kafshë që popullojnë pyjet. Fantazia çlirohet dhe Borës i jepet guximi, përpjekja, lufta, të shpalosë ëndrrat dhe lojërat e të gjithë brezit të saj fëmijëror; dhe jo vetëm për t’i çuar fëmijët në natyrën e virgjër, deri dhe në strofullat e arinjve dhe në betejat e tyre me kafshët e tjera të egra, deri dhe në betejat me njeriun, me gjuetarët trafikues të kafshëve, por, më shumë se kaq, në përpjekjen njerëzore, për të dhënë dashuri, si dhe për të luftuar në emër të kësaj dashurie kundër së keqes duke e trajtuar dhe konsideruar botën si një, unike, ku e keqja dhe e mira janë gjithmonë e kudo përballë njëra tjetrës.




5/01/2016



Pandeli KOÇI


Botim artistik me vlerë në lëmin e letërsisë për fëmijë




Prozatori, poeti, fabulisti dhe mësuesi i nderuar Fatmir Gjestila është tashmë autori i 13 librave për fëmijë dhe i 7 librave për të rritur me një përfshirje të gjerë të zhanreve të letrave: poezi, fabula, tregime, monografi, romane dhe publicistikë.

Sigurisht që nuk është gjithçka numri i librave të botuar, por ecuria në rritje me vlera të qarta e reale artistike si karakteristikë e krijimtarisë së Gjestilës.

Çdo botim artistik me vlerë në lëmin e letërsisë për fëmijë është një gëzim më tepër se për një botim për të rritur. Nënvizojmë se romani i ri i autorit “Zemërimi i ariut” është një ndër këto botime.

Duke e krahasuar me romanin e botuar para dy viteve “E fshehta e Kështjellës së Zezë”, certifikuar me çmimin “Skënder Hasko”, në romanin e ri vërehet një konsolidim stilistik, pasqyrim me tabllo, detaje dhe elemente psikologjike e rrëfimtare.

Edhe në këtë roman autori nuk e ka braktisur suspensin, mbajtjen gjallë të ngjarjes që e bën subjektin mjaft tërheqës. Lexuesi i vogël dhe i rritur përcjellë me kureshti dhe ankth aventurën e Borës, vajzës guximtare e të zgjuar.

Në romanin “Zemërimi i ariut” autori ka synuar të gërshetojë të besueshmen me të pabesueshmen nëpërmjet ngjarjeve reale me elemente fantastike dhe psikologjike si Hija, Zëri dhe përfytyrimet e së shkuarës.

Njohja e thellë e deri në detaje e mjedisit ku zhvillohen ngjarjet përcjellin me një freski e besueshmëri të madhe tablo të natyrës, të florës dhe faunës së maleve tona. Kësisoj vepra dallohet për mjaft vlera njohëse.

Përvoja e gjatë si mësues dhe kërkesat e vazhdueshme në lëmin psikologjik kanë bërë që Gjestila ta njohë mjaft mirë psikologjinë e moshës fëminore. Kjo mundësi e fituar kohë pas kohe i ka dhënë autorit një epërsi të njohur tashmë për të skalitur personazhe që mbeten gjatë në mendjen e lexuesit.


Duke vënë re konsolidimin dhe rritjen cilësore nga botimi në botim, besojmë se shkrimtari Fatmir Gjestila do të vazhdojë të na sjellë libra të këndshëm e me vlera artistike të niveleve të larta. 

4/29/2016


Prof. as. Dr. Astrit Bishqemi




Një temë interesante e trajtuar me njohje të thellë të lëndës, me mjeshtëri e talent



- Shënime për romanin “Zemërimi i ariut” të Fatmir Gjestilës -


E themi qysh në fillim që romani me titullin intrigues “Zemërimi i ariut” është një vepër e suksesshme; një arritje për autorin e saj dhe, në plan më të gjerë, në letërsinë tonë të sotme për fëmijë.
Fabula e saj është e thjeshtë: Njerës të panjerëzishëm, i kanë rrëmbyer dy voglushët e saj një arushe. E zemëruar nga kjo grabitje, egërsira mban peng një njeri të rastit, vajzën Bora, të cilën e ka zënë nata duke udhëtuar për në fshat te xhaxhai i saj. Libri trajton përpjekjet për ta shpëtuar nga kjo robëri.
Po përse e vlerësojmë të sukseshme këtë vepër?
Një pjesë të suksesit ky roman e ka të siguruar qysh në fillim, me temën që merr të trajtojë. Dihet që bota shtazore dhe ajo bimore (ndryshe: fauna e flora) paraqesin për moshat e reja sfera tërë kërshëri e interesim. Nevoja e komunikimit të njeriut me natyrën edhe sot vjen duke u shtuar dita-ditës. Fëmijët duan ta shikojnë me sytë e tyre një kafshë, ta prekin, ta përkëdhelin, ta ledhatojnë e ta bëjnë “shok” një qëngj, por edhe një mackë, një bub, një dele, një kaproll, një qen, një ari. Pra, bota e kafshëve është një “lëndë e pasur” mjaft cilësore, e dorës së parë për shkrimtarët e letërsisë për fëmijë. Dhe autori Gjestila e njeh këtë veçori të psikologjisë fëminore dhe e shfrytëzon duke i vënë kafshët dhe egërsirat e pyllit në dy raporte: si kafshë me kafshë (ariun me ariun, ariun me ujqërit, me riqebullin, me qenin), po edhe kafshë - njeri (arushën dhe arushin e saj me fëmijën Bora).
Shkrimtar e quaj veten edhe unë, madje shkrimtar për fëmijë e të rinj. Mund ta kisha trajtuar këtë temë me fabulën e këtij romani, megjithatë jam i sigurtë që nuk do ta kisha arritur nivelin e Fatmit Gjestilës. Përse? Për faktin e thjeshtë sepse nuk e zotëroj siç duhet “lëndën e parë” të këtij krijimi artistik. Ndaj shkrimtari lipset ta ngjyejë penën e tij në mjedise që i njeh mirë, që i zotëron me kompetencë. Një shembull i mirë për ta ilustruar këtë tezë është romani që shqyrtojmë. Pra, vepra “Zemërimi i ariut” është e pasur me informacion nga jeta e shtazëve dhe e shpendëve të pyllit, informacion që jepet dora-dorës në mënyrë të pakuptuar e të këndshme artistike.
Lexuesi njihet me shumë kafshë e shpezë të pyllit: ariun, ujkun, riqebullin, drerin, lepurin; thëllëzën, grifshën etj. Për ndonjërën prej tyre ka edhe ndonjë pasazh poetik. Ja:
"Një rreze ra mbi grifshën dhe, atë çast, një lulnajë xixëllimash shndriti pendët e saj, që nisën të vetëtinin me grimca flakërimash. Borës po i dukej se zogu, nga çasti në çast, do të merrte flakë". (f. 35) 
Madje, vajza nuk mendon vetëm për shpëtimin e vet, por edhe të arushëve të grabitur. Çlirohet nga prangosja, por nuk ia mbath vrapit. Nuk largohet pa shpëtuar edhe dy arushët e robëruar. Pra, kemi një heroinë nga e cila mund të mësojmë shumë si lexues.
Autori realizon disa ide në këtë vepër.
Së pari, nga sa thamë, kultivon dashurinë ndaj natyrës sonë të bukur në përgjithësi, ndaj relievit dinamik, ndaj florës e faunës së saj.
Por Gjestila, pa e përmendur fare, realizon edhe ide të tjera në romanin e tij. Për shembëll, ai zgjon asociacione të reja kur na rrëfen për arushën. Megjithëse ajo ka zënë rob një fëmijë (Borën) dhe e bën atë të përjetojë gjithë ato peripeci të mundimshme. Por këtë e bën për të gjetur e shpëtuar të voglin e saj. Kjo dashuri sikur ia zbeh egërsinë egërsirës dhe patjetër që lexuesi fëmijë e adoleshent do ta respektojë e do ta dashurojë në njëfarë mënyre atë, do ta bëjë, siç thuhet, “shok të imagjinuar” arushën e romanit. Ja pra, në mënyrë të tërthortë autori i ngre himn dashurisë prindërore nënë-fëmijë. Dhe kur në botën shtazore kjo dashuri na qenkërka kaq e madhe (arusha vetmohohet, përleshet për jetë a vdekje me egërsira të tjera për të mbrojtur pjellën e saj), atëherë na lind vetiu pyetja: ç’mund të themi për atë ndjenjë në botën e arsyeshme njerëzore?
Autori ka përvojë në shkrimtari. Ka shkruar për të rritur e për fëmijë. Për këta lexuesit e fundit nuk është krijimi i parë në prozën e gjatë. Mjafton të ndërmendim dy romanet e tjera të tij: “Aventura në pyllin me pisha” dhe “E fshehta e kështjellës së zezë”. Dhe kjo përvojë i shërben atij për ta mbajtur në tension lexuesin rreth ngjarjes, për ta ndjekur hap pas hapi, faqe pas faqeje fatin e vajzës së zënë peng nga arusha. 
Në roman del mirë ndihma që i japin vajzës të afërmit, bashkëfshatarët e tyre, si dhe punonjësit e Policisë në rast nevoje e rreziku (Sokol Blaza e Dren Balca i bashkohen grupit kërkimor për mbesën e Dardanit). Veç meritë e autorit është jo vetëm shpërfaqja e këtij solidariteti të njerëzve tanë për shpëtimin e Borës. Heroinën e romanit autori na e jep vajzë aktive. Kemi madje edhe një ide tjetër që buron nga kjo figurë. Ja, Bora ka çaste dobësie: edhe frikësohet nga nata që e zë të vetme në pyll, edhe loton, e kap vaji për një çast nga gjendja ku ka rënë, madje, siç shprehet autori, ajo edhe “laget përfund”, kur përballet me egërsirën (gjë që është e natyrshme për një fëmijë), por ajo është trime, e zgjuar dhe e guximshme. I kupton mirë veprimet e kafshës, qëllimet e egërsirës, dhe nuk e pret shpëtimin vetëm nga të tjerët. Në radhë të parë lufton vetë për të shpëtuar nga egërsira apo edhe nga keqbërësit, gjuetarët e paligjshëm të arinjve… E pra: trim nuk është vetëm ai që nuk ka frikë, por ai që ngrihet mbi të, ai apo ajo që e mposht frikën.
Mjeshtërinë e autorit kemi mundësi ta vemë re në përshkrimet e mjediseve ku e vendos aksionin. Po ka edhe anë të tjera. Ja, portretin fizik të heroinës së tij, Borës, ai nuk e bën vetë, por na e jep në një mënyrë më interesante, indirekt, duke ia lënë penelat shoferit të autobusit:

"Shoferi e mati me sy për një hop, pastaj buzëqeshi. Para tij ishte një vajzë rreth të njëmbëdhjetave, e veshur me një kostum sportiv të lehtë e me ngjyrë të kaltër dhe me një palë atlete. Flokët kuqalashë e të shndritshëm, të rrumbulluara me kujdes, vetëm sa i ciknin mbi supe, ndërsa përpara, të ndara përmes, ato i binin gjer mbi vetulla. Sytë e saj gështenjë e disi të përndezur, zhbirues e plot gjallëri, e shikonin shoferin me çiltërsi. Atë çast, buzëqeshja e saj kishte sajuar poshtë mollëzave të faqeve, pakëz të kërcyera e pakëz të përskuqura, dy quka të hijshme. Diku e kishte parë atë vajzë…" (f. 9)

Një tjetër gjetje është edhe ai me dialogun. Ky roman, siç kuptohet më së shumti ka një fabul ku vajza Bora endet nëpër pyll bashkë me arushën. Në këto kushte mungon dialogu, i cili është një komponent i rëndësishëm në letërsinë për fëmijë. Por autori ia del mbanë duke përdorur madje dy forma të tilla: dialogun Bora-vetvetja, zëri i brendshëm, hija [Unë, si redaktor i librit, i pata sugjeruar autorit që këto pasazhe edhe mund t’i dallonte grafikisht duke përdorur shkrimin kursiv]. Gjithashtu shkrimtari, duke ndenjur gjithmonë në zhanrin realist, e vë heroinën e tij t’i bëjë arushës vërejtje të shumta me zë (ndonëse nuk merr përgjigje nga egërsira). Madje këto batuta janë edhe me humor, që e zbusin ca atmosferën e rëndë që zotëron. P. sh:
- Ç’ke që më vështron ashtu, ë? Apo s’ma ke atë kokë… Sa një top basketbolli! E po… Me kë flas edhe unë! Ti s’mbushke fare! (f. 64)
Për ta zhdërvjelltësuar rrëfimin e tij, herë pas here autori e thyen monotoninë duke futur copëza retrospektive që vajza ndërmend. Këto pasazhe të jetës së lumtur të dikurshme, me kontrastin e tyre, na e theksojnë edhe më tepër disnivelin, humnerën e fatkeqësisë ku ka rënë vajza robinë e arushës. Veç këto copëza janë jo dosido, por të studiuara, detaje që do të na duhen më vonë  për ta bërë sa më interesant subjektin. Një studiues i dramës thotë se në skenë duhet të ekzpozohen objekte të qëmtuara me kujdes. Nëse varim p.sh. në mur një armë, ajo duhet patjetër të kërcasë në aktin e fundit. Edhe Gjestila, në një nga këto copëzat retrospektive që përmendëm, na jep psh. sesi Bora  Rrugën e Ariut e ka përshkuar dikur me makinën e të atit, për të mësuar timonin. Kjo “armë” - fakti që vajza mund ta ngasë makinën- do të “kërcasë” në fund të romanit, në befasinë e tij.
Kaluam kësisoj edhe në një anë tjetër të artit për fëmijë, te befasia artistike. E theksojmë kjo është një kërkesë kryesore e mjeshtërisë së shkrimtarit për moshat e reja. Dhe Gjestila e përdor me shumë sukses. Ja, si mbaron kreu i parafundit në f. 163:

"…makina zhurmonte lehtë rreth njëzet hapa mbi rrugën automobilistike. Tani në makinë ishin vetëm arushët e lidhur me zixhirë në kafaz dhe gjahtarët ende nuk kishin dalë jashtë. Ç’të bënte?"

Se ç’bëri vajza e kuptojnë në kreun pasues, 36 faqe më tej. Aty përshkruhet ndjekja e bllokimi që i bën policia kësaj makine nën shënjestrën e armëve. Dhe kur ne presim të arrestohet shoferi keqbërës, nga makina del… Bora. Me zgjuarsinë e guximin e saj, ajo (që di ta ngasë makinën- detaj që autori na e ka bërën të njohur qysh më parë) na e paska shfrytëzuar rastin duke vënë veten në rrezik, ka kërcyer me shkathtësi në sediljen e shoferit, na e paskësh rrëmbyer makinën vetëm e vetëm për të shpëtuar dy arushët…
E mbyllim këtë vështrim duke shënuar se autori ka gjuhë të rrjedhshme, madje përdor edhe fjalë të reja ose pak të njohura. Ja, ne i njohim fjalët tërma e tërmale, por jo fjalët përmale, përmalen që përdor Gjestila; këto nuk do ta gjeni as në fjalorin e gjuhës shqipe të 1954-s e as në atë të Akademisë të 1980-s. Atje do të gjeni vërtet emrin jerm, por jo ndajfoljen jermthi (brofi jermthi, f. 42). Mos u mundoni më kot të gjeni në ato fjalorë edhe ndajfoljen tjetër kapatruc (Bora ishte mbledhur kapatruc, f. 153), foljen çaraveshem (Ishte e kotë të çaraveshej më tej me kundërshtarin, f. 77) etj. etj.

A nuk flasin gjithë sa thamë për një talent të fuqishëm të letrave për fëmijë e të rinj?

3/13/2016

 HIJA


– E theu qafën, më në fund,– foli Bora duke gulçuar. – Torollaku! Po me mua, ç’pati?
“Dikush e ka inatosur”.
Borës iu bë se iu përgjigj dikush. Vështroi përreth dhe u ul edhe njëherë shesh mbi gur që të merrte veten. Ende dridhej dhe gjithçka që kishte parë e dëgjuar po i dukej e çuditshme. 
– Ç’pati ai torollak? E pabesueshme! Pse m’u vërsul mua ashtu? Çfarë i bëra? 
“Asgjë nuk bëre, po gjithë inatin që kishte ndaj burrit me armë ta nxori ty”. 
Kush po i përgjigjej? Nga po i vinte ai zë? S’po i bëhej të ulej e të merrte rrugën për në Dejanë. U soll përreth e tromaksur, gjersa e ndali vështrimin në majat e ca shkëmbinjve që ngriheshin  pranë  njëra–tjetrës  mbi Udhën e Arinjve. 
– Ariu mori sipër, mbi udhë, drejt pishnajës… Po unë… 
“Ai mund të kthehet përsëri”,– iu bë se i tha dikush.
– Po sikur ta kaloj natën mes atyre  shkëmbinjve? 
“ Atje nuk mund të ngjitet ai deng leshi… Atje shko!” 
E dëgjoi përsëri atë zë, atë zë që s’po e kuptonte se nga vinte. E dëgjoi dhe iu bind atij zëri. 
U lëvar shpejt e shpejt e zbriti nga shkëmbi. Si një lepur i trembur, pak e kërrusur përpara, u hodh gur më gur e doli mbi rrugë. Me të arritur te shkëmbinjtë, iu kacavar njërit prej tyre dhe doli në majë. 
– Këtu do ta kaloj natën,– tha duke vështruar përreth.– Pastaj, me të aguar do të dal në udhë dhe... Oh, po ai zjarr!? 
“Pa prit pak! Këmborë! I dëgjon?”
Po e pyeste ai zë që s’po e kuptonte ende se nga vinte, po ajo iu përgjigj menjëherë:  
– Janë këmborët e bagëtive në...
“Po, po, duhet të jenë stanet e fshatarëve te Livadhet e Bardha”.
– Po ti, nga e di?
“Si nuk e ditkam? Unë jam me ty!”
– Me mua?
Bora vështroi përreth. Edhe pse s’pa askënd pyeti:
– Si t’ia bëj? Të kaloj natën këtu apo të shkoj te stanet? 
“Më mirë te stanet”,– iu përgjigj përsëri zëri i çuditshëm.
– Po, po, më mirë atje,– tha Bora dhe zuri të ulej nga maja e shkëmbit. – Po të dëgjoj ty... Nuk e ke keq. 

Me të zbritur, nxitoi përpara, por, dhjetë metra larg shkëmbit, u kthye e vështroi krenajën e tij. Iu bë se atje, në trajtën e një hijeje, qëndronte pezull një krijesë e çuditshme që po i fliste. Ajo, Hija, si një shkulm mjegulle, herë zgjatej e zmadhohej, e herë kthehej në anë e zvogëlohej, gjithnjë duke u epuar pezull mbi krenajën e gurit. Kur qëndroi një hop pa lëvizur, Bora pyeti: 
– Po ti, s’do të vish?
“Ec, ti, ec,– iu përgjigj atë çast Hija, që u hollua e u hollua sa mezi po e shihte.– Ja, po vij dhe unë… po ti mos e kthe kokën pas.  Asnjëherë!”
Picërroi sytë, që ta dallonte edhe më qartë Hijen, po nuk foli. U kthye e zuri të ndërrojë çapet ngadalë, po diku shkeli mbi ca karthje. Ata kërcitën me zhurmë dhe një zog u tremb. Atë çast u kthye e kërkoi me sy Hijen. Qëndroi për një hop e përkulur, me hapin e shtrirë përpara dhe veshët pipëz, gjersa përreth s’pipëtiu më asgjë, pastaj ra në udhë dhe nisi të ecte me hapa të shpejtë e të lehtë. 
Hëna, sapo feksi mbi Majën e Bardhë, lau me një ngjyrë argjendi syprinën e lisnajës, hyri me frymën e saj të mjegullt në hapësirat mes degëve dhe sajoi poshtë tyre lloj–lloj hijesh memece e të ftohta, të frikshme e të çuditshme. Ecte dhe ndalej herë pas here rrëzë ndonjë kaçubeje e pas ndonjë guri. Kësisoj përgjonte dhe ndiente zemrën që i hidhej në kraharor si një zog i trembur në kafaz. Veshët i oshëtinin dhe sytë i mjegulloheshin shpesh e më shpesh. Sa herë kthehej e vështronte pas, trembej edhe më shumë dhe ia kriste vrapit kuturu. Në ato shenja kohe i bëhej se edhe cungjet e ndiqnin, e ndiqnin dhe e mbërthenin për këmbe me ca degëza të errëta në formë gishtërinjsh. 
Po i merrej fryma dhe zemra mend po i dilte nga kraharori. 
“Kaq frikacake je?” 
U kthye nga i erdhi zëri dhe pa hijen që vraponte përkrah saj. 
“S’duhet të shikosh pas, të thashë!– i foli nëpër dhëmbë kërcënueshëm ajo.– S’duhet as të vraposh kaq shumë...”
– As unë s’dua, por...
“I dëgjon tingujt e këmborëve? Ec drejt tyre, por mos vrapo!”
E la Udhën e Arinjve dhe nxitoi nëpër një rrugë të gurtë. Në krye të një sheshtine qëndroi. Teksa mbushej me frymë iu bë se dëgjoi një zhurmë: zhap–zhup, zhap–zhup... Me veshët pipëz u rrotullua ngadalë duke vështruar përreth. Qetësi. Mendoi se i kishin bërë veshët, ndaj u qetësua disi dhe hodhi vështrimin poshtë, në anë të sheshtinës. 
– Ç’janë ato gurë të bardhë? Ë? 
“S’janë gurë... janë dele!”
Bora vuri buzën në gaz. Hija hidhej e i dilte herë në të majtë e herë në të djathtë. 
– Barinjtë duhet ta njohin xhaxhi Dardanin,– tha pastaj.
“Ç’pret? Bëju zë!”
 U bë gati të thërriste, po kë? 
– Unë nuk ia di emrin asnjërit prej tyre...
“’O bariii!’ Ja, kështu thirr!” 
Hija u kthye në një shtjellë të errët dhe, pak nga pak, u zgjat lart e nisi të tretej. Bora thirri me sa kishte në kokë, por, me ta dëgjuar, u lëshua përmes lirishtës një qen i madh, duke lehur me një zë që dukej se dilte nga ndonjë shpellë. Pas i ranë edhe dy të tjerë, ndërsa në derën e stanit doli një burrë që zuri të vërshëllente duke i ndërsyer edhe më keq qentë. Bora u kthye dhe ia mbathi përmes pyllit, duke kërkuar me sy ndonjë lis të lartë. E gjeti një degë të lëshuar majëposhtë dhe shpejt u mbërthye pas saj. Pak nga pak u kacavar në lis dhe zuri vend në një degë. Por nuk qe e thënë t’u fshihej qenve. Duke lehur si të ndërkryer, ata ia behën nën lis, kurse bariu ende vërshëllente dhe e ndizte edhe më shumë inatin e tyre. Bora bëri të thërriste, po goja i qe tharë, ndaj s’mundi të nxirrte as edhe një tingull. 
Befas, njëri prej qenve, një bardhosh katana, iu kthye me hakërrimë dy të tjerëve, gati për t’iu hedhur në grykë. Ata pushuan së lehuri dhe qeni bardhosh u kthye në anë e nisi të lehte edhe me më tërbim, duke iu kanosur diçkaje që Bora ende nuk po e dallonte. Lehjet e serta të qenit bardhosh e shqetësuan bariun, ndaj ai filloi ta ndillte me zë e me vërshëllima. Edhe Bora po habitej me sjelljen e qenit. U kthye nga stanet dhe thirri:
– O bariiii! O bariiii!
– Eeej! Cili je ti, more?
Thirrja e bariut u pasua nga një hungërimë e fortë dhe, të dy qentë, siç duket të trembur nga ajo hungërimë, ia mbathën drejt stanit, duke lënë shokun e tyre vetëm. 
Bora dëgjoi një zhaurimë nëpër shkurrishte dhe pa se si u lëshua me turr nën hijen e lisit një ari i madh. Më pas, një krismë e fortë arme shoi lehjen e sertë të qenit bardhosh dhe hungërimën e ariut, por vetëm për një hop; pastaj përleshja mes qenit dhe ariut u ndez edhe më shumë. Bariu qëlloi përsëri dhe, fill pas krismës, Bora ndjeu fërshëllimat e saçmeve të çiftes që i kaluan mbi kokë. U lëkund mbi degën e lisit dhe, teksa u mundua të ndërronte vend, u lëvar vetëm një pash larg ariut dhe qenit që po përlesheshin. Duart e lëshuan dhe ra përdhe, po sakaq u ngrit dhe vrapoi e tmerruar nga sytë këmbët. Vetëm pasi e lanë fuqitë, u ndal e kërkoi të gjente edhe njëherë rrugën për në Dejanë.

fragment nga 
“Zemërimi i ariut”, roman, 172 fq.
Redaktor: Astrit Bishqemi
Korrektura: Hysni Ndreu
Kopertina dhe ilustrimet: Maringlen Gjestila
Botime "EMATHIA"