5/03/2016


Riza Braholli

Përpjekje për të lexuar një roman për fëmijë, në thellësitë që fsheh sipërfaqja

(për romanin “Zemërimi i ariut” të shkrimtarit Fatmir Gjestila)

“Zemërimi i ariut” është një roman ku pesha kryesore i jepet rrëfimit fabulistik, veprimit, duke ruajtur thjeshtësinë e gjuhës së pangarkuar me retorikë, duke na kujtuar postulatin e Hofthmanstalit që: “thellësia artistike te letërsia për fëmijë fshihet... Ku? Në sipërfaqe.” Për ta thjeshtuar këtë këndvështrim në rastin e këtij libri, më duhet të spikat disa momente, veçori e përfundime, (për aq sa mund të japësh në kësi rastesh festive) që më lindën nga leximi i këtij romani.
Nuk po shpërndahemi në vlerat njohëse, didaktike, etj. që vepra natyrisht i ka; po rrekemi të themi modestisht, vetëm disa gjëra rreth vlerave estetike që sjell ky roman. (Jemi të gjithë dakord që nëse një vepër nuk manifeston cilësitë e duhura artistike, nuk vlen as për një lloj ideje apo mesazhi sado i madh e i prekshëm që të jetë).
Rrëfimi dhe ndërtimi i subjektit përqendrohet te personazhi i Borës, që është dhe heroina e këtij libri. Dëshira e përjetshme, kërshëria e njeriut për të njohur e zbuluar botën, sidomos atë të kafshëve, por edhe më shumë se aq, atë të njohjes së mundësive të vetes, bëhet energjia lëvizëse e vepruese dhe sjell gjithë krijimin e ngrehinës së subjektit.
Ngjarja fillon në një realitet të sotëm: në një qytet të vogël, të rrethuar nga male e pyje, si të dojë të na rrëfejë skenën ku do të zhvillohet aventura e nisur nga një shtëpi e zakonshme. Bora zgjohet nga një ëndërr, por për të ringritur një ëndërr tjetër, me dorën e shkrimtarit, të lakmuar në jetën reale. Atë që një fëmijë, një njeri, di ta ndërmarrë vetëm në ëndrra, shkrimtari e merr personazhin (Borën) përdore dhe e çon edhe tek më të pamundurat.
Rrëfimet i kanë ndezur në kokë asaj një udhëtim për të parë rrugën apo shtegun ku kalojnë arinjtë; vetëm shtegun apo në të vërtetë arinjtë e gjallë që lëvizin, jetojnë në pyll? Rrëfimi është i kursyer nga këto shpjegime, por pas tërheqjes që ka vajza e vogël fshihet një nëntekst i tërë mungesor që na thotë se ç’dëshira fsheh brenda qenia e saj. Ajo ka dëgjuar ungjin e saj t’i flasë për ta. Po ajo i ka parë arinjtë edhe në pellushe të butë e të ngrohtë. Mbase ka folur e ka gëzuar me ta në bisedat e saj imagjinare. Jeta e një fëmije jetohet si lojë. Ka lexuar gjëra të tjera pa fund për këtë kafshë të mrekullueshme.
Kjo e bën të ndërmarrë atë aventurë që do ta bëjë lexuesin e vogël ta ndjekë pas me nje dëshirë e etje përvëluese plot kërshëri nëpër pyje, në shtigje, lëndina, qafa, humnera, guva pemë e në kontakte me kafshë që popullojnë pyjet. Fantazia çlirohet dhe Borës i jepet guximi, përpjekja, lufta, të shpalosë ëndrrat dhe lojërat e të gjithë brezit të saj fëmijëror; dhe jo vetëm për t’i çuar fëmijët në natyrën e virgjër, deri dhe në strofullat e arinjve dhe në betejat e tyre me kafshët e tjera të egra, deri dhe në betejat me njeriun, me gjuetarët trafikues të kafshëve, por, më shumë se kaq, në përpjekjen njerëzore, për të dhënë dashuri, si dhe për të luftuar në emër të kësaj dashurie kundër së keqes duke e trajtuar dhe konsideruar botën si një, unike, ku e keqja dhe e mira janë gjithmonë e kudo përballë njëra tjetrës.




No comments:

Post a Comment