5/06/2016

       
                                                                              Qazim MUSKA


Hapësira letrare të denja për t’u përshëndetur dhe lavdëruar

-Shënime rreth romanit të shkrimtarit Fatmir Gjestila-

          


       Dihet që letërsia për fëmijë, në krahasim me letërsinë për të rritur, në sistemin tonë letrar, ka mangësi sasiore dhe cilësore. Por në zhanre të tillë si romani, kjo është edhe më e theksuar. Ndaj, përpjekjet që bëjnë autorë të ndryshëm për të plotësuar e zhvilluar me krijimet e tyre letërsinë për fëmijë, ndër ta edhe Fatmiri, i cili ka hapësirën e vet në këtë mjedis letrar, janë për t’u përshëndetur dhe lavdëruar.

Vërej me kënaqësi se si Fatmiri ia ka dalë të mbetet një romancier i mirë i kësaj letërsie edhe me veprën e tij të fundit.

Romani “Zemërimi i Ariut” e ngre sigurisht më lart stekën e standartit të tij letrar. Mendoj se ky roman është një qenie letrare që ngërthen në vetvete sa magjinë e rrefimit romanor, aq edhe magjinë e përrallës, elementë të së cilës, në trajtën e ficsionit, janë ndërfutur racionalisht dhe me kujdes duke ruajtur ekuilibrat dhe duke vendosur raporte të caktuara mes tyre.

Nisur nga një aksion narrativ i thjeshtë, nëse përmendim termat e Grimasit, që është dëshira e Borës për ta njohur drejtpërsëdrejti nëpërmjet një udhëtimi  në këmbë Udhën e Arinjve,  papritur lindin disa aksione dhe kundëraksine të tjera që sjellin një shumësi veprimesh, ngjarjesh, skenash, të pariturash dhe befasish deri në zgjidhjen fare të paparashikuar të avanturës së saj.

Ajo që të bën përshtypje është se e gjithë kjo dinamikë me densitet kaq të madh ndodh në një hapësirë dhe kohë mjaft të kufizuar; vetëm në një pyll dhe vetëm në dy ditë. Brenda kësaj dinamike, veç shumë e shumë gjërash që mund të analizohen, unë dua të përqëndrohem në dy elementë, të cilët më ngacmuan gjatë leximit; larmishmëria e toponimeve dhe përzgjedhja e emrave të personazheve.

Nëse, ashtu si Vladimir Propi, do të bëjmë pak a shumë një analizë të morfologjisë së këtij romani me elementë të dukshëm përrallorë, që i përshtaten botës së fëmijës si në rrëfimtari edhe në konceptimin e strukturës letrare, me rezulton të jenë përdorur njëzet e katër toponime, me etimiologji  vendesh, sendesh apo objektesh natyrore, me konotacione të veçanta, që sjellin në imagjinatë vegime të ndryshme, të cilat reflektojnë pikërisht domethëniet e tyre.

Etimilogjia është e shumëllojshme duke përfshirë botën e luleve (Maja e luleleve), të kafshëve dhe shpezëve (Udha e Arinjve, Shpella e Lakuriqëve), të ngjyrave (Maja e Bardhë, Lugina e Blertë, Djerrinat e Kuqe), të vendeve (sheshi Kuvendi i Dukagjinit, Lugu i Dasnjanjës, Liqeni i Unzës), të njerëzeve (Qyteza e Gjergjit, Udha e Gjergjit) dhe deri te kozmosi (Lëndina e Hënës).

Ajo që të bën përshtypje është se shumica e tyre kanë një konotacion pozitiv duke ngjallur në përfytyrime besimin, shpresën dhe jetën. Të tillë janë p.sh.Maja e Luleve, Maja e Bardhë, Lugina e Blertë, Livadhet e Bardha, etj, ashtu siç ka edhe toponime me konotacione negative që e futin botën e lexuesit të vogël në përfytyrime aventureske dhe të ankthshme si Laku i Theqafjes, Udha e Arinjve, Shpella e Lakuriqëve, Puset e Thata, Përroi i Keq etj.

Edhe toponime të tjera janë të pranishme, të cilët zgjojnë ëndërrime e fantazi kozmogonike si Lëndina e Hënës. Të gjitha këto toponime me etimiologji nga më të ndryshmet dhe me efekt perceptimesh dhe përjetimesh në botën e fëmijëve, janë, si dhe elemetë të tjerë të romanit, në një hapësirë mjaft të ngushtë; brenda ca kilometrave katrorë, dhe kjo mendoj është ajo që u jep vlerë të vecantë në roman për rolit e tyre në funksion të përcjelljes emocionale të veprës artistike.

          Sa i përket emrave të personazheve, mendoj se edhe këtu Fatmiri ka bërë kujdes që ata të jenë jo thjesh “emra si kapistall”, sipas shprehjes popullore, por të përcjellin edhe valencë karakteresh, të tillë si emrat e Borës, Blerinës, Flakorit, Sokolit, Drenit, duke i bërë ata pjesë të estetikes artistike, ashtu si qëllimisht ka vepruar, mendoj, me të tjerë emra personazhesh që revokojnë etno-historinë e shqiptarëve si p.sh. emrat e Dardanit, Arbërit, Kastriotit etj. Këto besoj janë vlera të shtuara në veprën artistike, ashtu siç janë vlera gjuhësore fjalë të tilla të përshtatura krahinarisht, apo dhe thjesht lokalizma të mirëfillta si sheshtinë, krenajë, bardhan, laran, përmale, çaraveshem, kapatruc, curis etj.

Duke u ndalur në keto elemente, në dukje dytësore, por që duke qenë në funksion të qëllimit të veprës; atë të përsosmërisë artistikë, mendoj se ia vlente te evidentoheshin.
          

5/03/2016


Riza Braholli

Përpjekje për të lexuar një roman për fëmijë, në thellësitë që fsheh sipërfaqja

(për romanin “Zemërimi i ariut” të shkrimtarit Fatmir Gjestila)

“Zemërimi i ariut” është një roman ku pesha kryesore i jepet rrëfimit fabulistik, veprimit, duke ruajtur thjeshtësinë e gjuhës së pangarkuar me retorikë, duke na kujtuar postulatin e Hofthmanstalit që: “thellësia artistike te letërsia për fëmijë fshihet... Ku? Në sipërfaqe.” Për ta thjeshtuar këtë këndvështrim në rastin e këtij libri, më duhet të spikat disa momente, veçori e përfundime, (për aq sa mund të japësh në kësi rastesh festive) që më lindën nga leximi i këtij romani.
Nuk po shpërndahemi në vlerat njohëse, didaktike, etj. që vepra natyrisht i ka; po rrekemi të themi modestisht, vetëm disa gjëra rreth vlerave estetike që sjell ky roman. (Jemi të gjithë dakord që nëse një vepër nuk manifeston cilësitë e duhura artistike, nuk vlen as për një lloj ideje apo mesazhi sado i madh e i prekshëm që të jetë).
Rrëfimi dhe ndërtimi i subjektit përqendrohet te personazhi i Borës, që është dhe heroina e këtij libri. Dëshira e përjetshme, kërshëria e njeriut për të njohur e zbuluar botën, sidomos atë të kafshëve, por edhe më shumë se aq, atë të njohjes së mundësive të vetes, bëhet energjia lëvizëse e vepruese dhe sjell gjithë krijimin e ngrehinës së subjektit.
Ngjarja fillon në një realitet të sotëm: në një qytet të vogël, të rrethuar nga male e pyje, si të dojë të na rrëfejë skenën ku do të zhvillohet aventura e nisur nga një shtëpi e zakonshme. Bora zgjohet nga një ëndërr, por për të ringritur një ëndërr tjetër, me dorën e shkrimtarit, të lakmuar në jetën reale. Atë që një fëmijë, një njeri, di ta ndërmarrë vetëm në ëndrra, shkrimtari e merr personazhin (Borën) përdore dhe e çon edhe tek më të pamundurat.
Rrëfimet i kanë ndezur në kokë asaj një udhëtim për të parë rrugën apo shtegun ku kalojnë arinjtë; vetëm shtegun apo në të vërtetë arinjtë e gjallë që lëvizin, jetojnë në pyll? Rrëfimi është i kursyer nga këto shpjegime, por pas tërheqjes që ka vajza e vogël fshihet një nëntekst i tërë mungesor që na thotë se ç’dëshira fsheh brenda qenia e saj. Ajo ka dëgjuar ungjin e saj t’i flasë për ta. Po ajo i ka parë arinjtë edhe në pellushe të butë e të ngrohtë. Mbase ka folur e ka gëzuar me ta në bisedat e saj imagjinare. Jeta e një fëmije jetohet si lojë. Ka lexuar gjëra të tjera pa fund për këtë kafshë të mrekullueshme.
Kjo e bën të ndërmarrë atë aventurë që do ta bëjë lexuesin e vogël ta ndjekë pas me nje dëshirë e etje përvëluese plot kërshëri nëpër pyje, në shtigje, lëndina, qafa, humnera, guva pemë e në kontakte me kafshë që popullojnë pyjet. Fantazia çlirohet dhe Borës i jepet guximi, përpjekja, lufta, të shpalosë ëndrrat dhe lojërat e të gjithë brezit të saj fëmijëror; dhe jo vetëm për t’i çuar fëmijët në natyrën e virgjër, deri dhe në strofullat e arinjve dhe në betejat e tyre me kafshët e tjera të egra, deri dhe në betejat me njeriun, me gjuetarët trafikues të kafshëve, por, më shumë se kaq, në përpjekjen njerëzore, për të dhënë dashuri, si dhe për të luftuar në emër të kësaj dashurie kundër së keqes duke e trajtuar dhe konsideruar botën si një, unike, ku e keqja dhe e mira janë gjithmonë e kudo përballë njëra tjetrës.




5/01/2016



Pandeli KOÇI


Botim artistik me vlerë në lëmin e letërsisë për fëmijë




Prozatori, poeti, fabulisti dhe mësuesi i nderuar Fatmir Gjestila është tashmë autori i 13 librave për fëmijë dhe i 7 librave për të rritur me një përfshirje të gjerë të zhanreve të letrave: poezi, fabula, tregime, monografi, romane dhe publicistikë.

Sigurisht që nuk është gjithçka numri i librave të botuar, por ecuria në rritje me vlera të qarta e reale artistike si karakteristikë e krijimtarisë së Gjestilës.

Çdo botim artistik me vlerë në lëmin e letërsisë për fëmijë është një gëzim më tepër se për një botim për të rritur. Nënvizojmë se romani i ri i autorit “Zemërimi i ariut” është një ndër këto botime.

Duke e krahasuar me romanin e botuar para dy viteve “E fshehta e Kështjellës së Zezë”, certifikuar me çmimin “Skënder Hasko”, në romanin e ri vërehet një konsolidim stilistik, pasqyrim me tabllo, detaje dhe elemente psikologjike e rrëfimtare.

Edhe në këtë roman autori nuk e ka braktisur suspensin, mbajtjen gjallë të ngjarjes që e bën subjektin mjaft tërheqës. Lexuesi i vogël dhe i rritur përcjellë me kureshti dhe ankth aventurën e Borës, vajzës guximtare e të zgjuar.

Në romanin “Zemërimi i ariut” autori ka synuar të gërshetojë të besueshmen me të pabesueshmen nëpërmjet ngjarjeve reale me elemente fantastike dhe psikologjike si Hija, Zëri dhe përfytyrimet e së shkuarës.

Njohja e thellë e deri në detaje e mjedisit ku zhvillohen ngjarjet përcjellin me një freski e besueshmëri të madhe tablo të natyrës, të florës dhe faunës së maleve tona. Kësisoj vepra dallohet për mjaft vlera njohëse.

Përvoja e gjatë si mësues dhe kërkesat e vazhdueshme në lëmin psikologjik kanë bërë që Gjestila ta njohë mjaft mirë psikologjinë e moshës fëminore. Kjo mundësi e fituar kohë pas kohe i ka dhënë autorit një epërsi të njohur tashmë për të skalitur personazhe që mbeten gjatë në mendjen e lexuesit.


Duke vënë re konsolidimin dhe rritjen cilësore nga botimi në botim, besojmë se shkrimtari Fatmir Gjestila do të vazhdojë të na sjellë libra të këndshëm e me vlera artistike të niveleve të larta.